16 shkurt 2010

Ranieri: Roma ime, e bukur dhe cinike

Trajneri i Romës “thumbon” Juventusin: Nuk ditën të më çmonin. Ndërkohë rikthehet Toni

Oui, je Klaudio Ranieri”. Me shikim të qetë dhe flokë, që shkëlqenin nga brilantina, trajneri i Romës zbarkoi para dy ditësh edhe në teleskermat franceze falë telekamerave të “Canal Plus”, sepse “Fenomeni” Romë, ka rindezur interesimin mbi atë që sipas slloganit, është (ishte) kampionati më i bukur në botë. Jo vetëm. “Monsieur” Ranieri zbuloi edhe një lajm tjetër: Luka Toni është kthyer të stërvitet në fushë. Edhe pse për momentin asnjë nuk e thotë seriozisht, sulmuesi mund të jetë “asi nën mëngë” për përmbysjen e titullit.

“CIAO TORINO” - Është e kotë të thuhet sesi përtej Alpeve nuk e besojnë akoma për “dëbimin” që Juventusi, vitin e shkuar i bëri një trajneri të tillë, por tekniku kufizohet vetëm me një ide thelbësore: “Te Juventusi nuk ditën ta çmojnë punën time, - shpjegon trajneri i Romës, - por jam i lumtur që ndodhem këtu në Romë, në shtëpinë time”. Nga “bombat” te Europa: “Forca e Ranierit është të dijë mirë se nga ku është rinisur.

“Nga bombat-letër që na lëshuan në Trigoria kur gjërat nuk shkonin mirë, - vazhdon Ranieri. - Unë ua kujtoj shpesh edhe djemve të ekipit. Për këtë tani duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Nuk duhet të mendojmë për Interin. Ju siguroj që e kam hapur që tani “hetimin” për Panathinaikosin, sepse e synojmë shumë Ligën e Europës.

Për sa i takon kampionatit, objektivi im është të qëndrojmë mes 3-4 skuadrave të para në Champions. Por një gjë është e sigurt: kjo është një Romë e bukur dhe cinike”.

THJESHTËSIA - Sekreti për këtë ringjitje të jashtëzakonshme (9 fitore radhazi dhe 20 rezultate pozitive radhazi mes kampionatit dhe kupave), sipas Ranierit, është te thjeshtësia: “Që nga ardhmja ime, i thashë skuadrës të mos mendonin më për periudhën e Spaletit, - tregon Ranieri. - Kërkova një organizim të mirë në mbrojtje dhe asnjë gjë të vështirë në zotërimin e topit.

Po e bëjmë një gjë të tillë, por kampionati është akoma i gjatë, ndaj është e rëndësishme të marrim pikë tani”. Duke folur për skuadrën e tij, Ranieri i siguron francezët për një gjë para së gjithash: “Mekses nuk është një rezervë, tek ai mund të synoj gjithnjë. Menez? Bën goditje dhe lëvizje fantastike, duhet të ketë besim dhe pastaj hapësirën do ta ketë gjithnjë”.

TONI & “CO” - Megjithatë, buzëqeshja e vërtetë është rikthimi i Luka Tonit pas dëmtimit, ku pushoi rreth 22 ditë. “”Kthehem shpejt”, - është sllogani i sulmuesit prej disa ditësh, i cili pasi i uron ish-shokët e tij të Fiorentinës për ndeshjen ndaj Bajernit të Mynihut në 1/8-at e Championsit, në fund të shkurtit mund të jetë sërish i gatshëm për Ranierin. Një armë më shumë për sulmin verdhekuq, sidomos në këto momente kur edhe kapiteni Toti ka pasur probleme të vazhdueshme fizike.