09 shkurt 2010

Ranieri, pa eufori: S’jemi anti-Interi!

Tri fitoret e fundit të verdhekuqve kanë ardhur në minutat e fundit. Trajneri: Duhet edhe pak fat

Të fluturosh ulët nuk rrezikon të biesh keq në rast rënieje, por tashmë është tepër vonë, sepse Roma ka rinisur “të fluturojë”. Ecuria pozitive prej 19-të ndeshjesh radhazi mes kampionatit e kupave, do të thotë se nëse ka një anti-Inter, kjo skuadër janë pikërisht verdhekuqtë.

Një skuadër e rilindur dhe që ka përfshirë në Adn-në e saj karakteristikat kryesore të Klaudio Ranierit: mos u dorëzo asnjëherë qoftë edhe në fund. Nuk është një rastësi nëse fitoret e fundit (Juventus, Siena e Fiorentina), kanë ardhur në minutat finale.
Rise, Okaka e Vuçiniç janë bërë heronjtë e tifozëve, që tani mund t’i shikojnë (thuajse) të gjithë nga lart-poshtë. Nuk ndodhte prej kohësh në kryeqytet.

Dhe nëse nuk do të kishte ndodhur “vetvrasja” e Kaljarit, ku Roma pësoi në minutat shtesë dy gola, që e detyruan të barazojë, tani edhe Mourinjo do të kish pasur ndonjë shqetësim më shumë. E lehtë të thuhet se merita është e Ranierit.

Në bazë, ekziston një dëshirë e madhe për revansh. Nga trajneri, i shkarkuar në një mënyrë të keqe nga Juvja, pasi e ringjiti lart, por para së gjithash nga një skuadër me karakter të fortë, e fyer dhe e kërcënuar. Kush nuk i kujton vërshëllimat e “Olimpikos” pas golit të Vuçiniçit kundër Bolonjës?

Dhe ishte vetëm 1 nëntor… Sigurisht, Milani aty është, me një ndeshje më pak dhe Interi (po ashtu me një ndeshje më pak është shumë larg). Ndoshta i paarritshëm duke dëgjuar pikërisht Ranierin: “Nuk është Roma skuadra anti-Inter, është vetëm Interi dhe kaq, - pranon trajneri verdhekuq.

- Janë shumë të fortë për ne. Interi është një “makinë” e pandalshme, ka pak për të thënë dhe për të bërë. Nuk mund të luajmë kundër një skuadre që luan mirë, merr pikë dhe i meriton. Interi është i një tjetër planeti. I përgëzoj zikaltrit dhe Mourinjon. Nëse arrijmë të dalim në Champions, do të themi se kemi bërë një sezon të shkëlqyer”.

Ky është suksesi i pestë radhazi në kampionat. Kjo skuadër nuk gabon më asnjë mbrëmje, edhe pse Ranieri rrezikoi të ndalojë të dielën në Firence: “Pak fat duhet, - nënvizon tekniku roman. - Kujtoj humbjen në “Olimpiko” me Livornon, ky është futbolli, tani gjërat po shkojnë mirë për ne”. Me fitoren ndaj Fiorentinës, Ranieri ka thyer rekordin e tij të parë personal: 19-të rezultate pozitive radhazi.

“Por ky rekord nuk ka ndonjë domethënie, mua do të më pëlqente të thyeja atë të Mourinjos (që nuk humb në fushën e vet prej 8 vjetësh)”. Në fund Ranieri sqaron edhe zëvendësimin e detyrueshëm të Totit: “Kishte probleme fizike, në mesjavë luajti 90-të minuta në kupë ndaj Udinezes, megjithatë nuk ka ndonjë shqetësim serioz”.

Protagonisti i suksesit në “Franki” për skuadrën romane ishte pa dyshim Mirko Vuçiniç, i cili ka thënë: “Ishte një mbrëmje e mrekullueshme, - komenton malazezi. - Është një fitore vendimtare, renditja bëhet më e bukur dhe për mua është një moment shumë i bukur. Shpresoj të shënoj gola të tjerë kaq të rëndësishëm”.