09 shkurt 2010

Premton përmirësim

Ylli brazilian i Real Madridit, Leite Kaka beson se ende nuk ka treguar formën e tij më të mirë prej transferimit për 68.5 milionë euro nga Milan, pas shënimit të golit të parë pas tre muajve në fitoren 3-0 ndaj Espanyolit, të shtunën. Kaka, 27 vjeç, ishte golashënues i njohur në Milan, por ka hasur në vështirësi të shënojë pas transferimit në Real gjatë verës.
Goli kundër Espanyolit ishte i katërti i tij gjatë këtij sezoni në La Liga dhe i pari nga shënimi në fitoren 3-2 në derbin e qytetit kundër Atletico Madridit, më 7 nëntor. Kaka kishte ndërprerë sezonin për pesë javë për shkak të një lëndimi në ijë para Krishtlindjeve, por reprezentuesi brazilian beson se është duke u rikthyer në formën e tij më të mirë fizike.
“Ndihem mirë e më mirë dhe mund ta shihni këtë në fushë. Së pari kam pasur problem në ijë dhe kjo më pamundësoi të luaj siç kam dashur, por tani ndihem më mirë. Është gjithmonë me rëndësi të shënosh dhe t’i ndihmosh ekipit. Kjo ta shton besimin”, tha Kaka për ueb faqen zyrtare të Real Madridit. Kaka shënoi golin e dytë të Realit në minutën e 29-të, pasi goditja fillestare e Raulit ishte pritur, ndërsa mund të kishte shtuar një tjetër në pjesën e dytë, por e qëlloi shtyllën.
“Pas një muaj e gjysmë mungesë është vështirë të kërkoni më tepër nga Kaka”, tha trajneri i Realit, Manuel Pellegrini. “Ai së shpejti do të kthehet në shkallën më të lartë dhe është futbollist shumë i rëndësishëm për ne”, shtoi ai. Cristiano Ronaldo ka kompletuar suspendimin prej dy ndeshjeve kundër Espanyolit dhe Kaka ka thënë se portugezi është anëtar i rëndësishëm i ekipit dhe se Real nuk varet prej një futbollisti.
“Cristiano është futbollist kyç, por ekipi nuk mund të varet nga një futbollist. Ne luajmë më mirë në çdo ndeshje dhe dëshirojmë të vazhdojmë në këtë rrugë. Nuk guxojmë të humbim pikë dhe duhet të vazhdojmë me fitore, duke shpresuar se Barcelona do të humb pikë”, përfundoi Kaka. Kryesuesi i pamposhtur, Barcelona, qëndroi pesë pikë para Realit me fitoren 2-1 ndaj Getafes të shtunën, edhe pse luajti 65 minuta me 10 futbollistë.