16 shkurt 2010

Prandeli, e ardhmja para një udhëkryqi

Trajneri i Fiorentinës është në rrezik pas rezultateve të fundit zhgënjyese
Çezare Prandeli dhe kombëtarja e Italisë janë gjithnjë dhe më afër. Në Firence kanë ardhur protestat e para kundrejt trajnerit breshian që kur ai ndodhet në drejtim të skuadrës vjollcë. Të dielën, në fushën e stërvitjes, është parë edhe një mbishkrim shumë i qartë: “Prandeli, largohu.
Cikli ka përfunduar”. Natyrisht, ky mund të jetë një gjest i izoluar nga ana e një tifozi të zhgënjyer dhe nuk do të ishte e drejtë të flitej për një krizë në marrëdhëniet e Prandelit me tifozët e Fiorentinës, por sinjali i alarmit ka rënë në javën kur Xhilardino me shokë do të përballen me Bajernin e Mynihut në 1/8 e Champions Ligës.
Ku një sukses i mundshëm do ta mbyllte çështjen dhe një rezultat negativ mund t’i shtonte pakënaqësitë. Duhet kujtuar se Prandeli nga shumë njerëz konsiderohet si kandidati numër një për të marrë drejtimin e Italisë pas largimit të Lipit dhe në bazë të disa zërave që vijnë nga Torino emri i tij bën pjesë edhe në listën e trajnerëve që mund të marrin drejtimin e Juventusit në sezonin e ardhshëm.
Të premten, në konferencë për shtyp, ish-trajneri i Veronës nuk ka qenë shumë i qartë në lidhje me të ardhmen e tij: “Me drejtuesit e Fiorentinës do të takohemi në pranverë dhe atëherë do të vendosim”, ka thënë Prandeli.