20 shkurt 2010

Plas te Siti, Mançini i “tregon vendin” Belamisë

“Zhduku dhe mos u kthe për tre muaj”. Me këto fjalë trajneri i Mançester Sitit, Roberto Mançini, ka larguar nga skuadra sulmuesin uellsian, Kreig Belami.Sipas burimeve brenda klubit, mes trajnerit dhe lojtarit ka pasur tensoin, gjë që ka çuar në vendimin ekstrem të italianit. Në fakt, problemet mes tyre kanë qenë të pranishme që kur Mançini u ul në krye të stolit të “Citizens”. Futbollisti ka pasur gjithnjë qëndrime kritike ndaj teknikut, të cilat kanë kulmuar të enjten, kur sulmuesi uellsian nuk ka pranuar të stërvitet.
“Pse nuk dëgjon ç’të them, pse duhet të qeshësh gjithmonë në stërvitje dhe në ndeshje?”, e ka pyetur Mançini lojtarin, i cili i është përgjigjur: “Dua të bëj vetëm atë që është më e mirë për skuadrën”. Menjëherë ka ndërhyrë menaxheri Geri Kuk dhe administratori Brajan Marwud, të cilët janë munduar të qetësojnë situatën. Ata këshilluan lojtarin t’i rikthehet stërvitjes, por Belami pohoi se do të kthehet kur trajneri t’i kërkojë falje (gjë që nuk ka ndodhur).