15 shkurt 2010

Pato: Takimi me United do të jetë një ndeshje e madhe

Ylli i Milanit, Alexandre Pato, thotë se përballja ndaj Manchester United do të jetë një ndeshje shumë e veçantë.
Milani nesër (e martë) pret Manchester United në San Siro në kuadër të Ligës së Kampionëve.
“Është një ndeshje e madhe, të gjithë e dimë se Manchester United është një ekip i madh. Alex Ferguson erdhi të premten në San Siro për ta parë ndeshjen kundër Udineses. Ne, lojtarët, jemi të qetë dhe e dimë se do të japim më të mirën për ta fituar takimin e të martës”, ka thënë Pato.
Pato, i cili është rikthyer në aksion pas një mungese në fushë për shkak të lëndimit, thotë se ai ëndërron të fitojë shumë me Milanin.
“Dua të arrij shumë. Erdha në Milan si 18-vjeçar, duke luajtur krahas një lojtari i Kaka. Tash dua të vazhdoj të jem pjesë e këtij klubi dhe të dal në fushë krahas yjeve si Ronaldinho, Beckham, Maldini, Nesta, Seedorf. Kjo është një realizim ëndrre për mua”, ka shtuar braziliani.