10 shkurt 2010

Në verë Behrami kthehet në Itali

Mesfushori kosovar Valon Behrami tashmë është e sigurt se do të largohet nga skuadra angleze West Ham United në afatin kalimtar të verës. Kështu të paktën shkruan të martën tabloidi anglez "The Sun". Sipas kësaj gazete, skuadra londineze është në borxhe të mëdha dhe nëpërmjet shitjes së disa lojtarëve dhe uljes së pagave për të tjerët pret të dalë nga kriza financiare që e ka kapluar. "Në fund të këtij edicioni drejtuesit e West Hamit do të kërkojnë nga futbollistët të pajtohen me një ulje të pagave deri në 25 për qind", shkruan "The Sun". "Behrami nuk është aspak i kënaqur me jetën në Londër dhe familja e tij dëshiron që të largohet nga Anglia". West Ham Unitedi ende i ka borxh Lazios tre milionë euro për transferimin e Behramit në verën e vitit 2008 që kapi vlerën prej gjashtë milionë eurosh. Mesfushori i Përfaqësueses së Zvicrës ka kontratë me West Hamin deri në qershorin e vitit 2013, ndërsa gjatë dimrit është kërkuar me ngulm nga Arsenali, Manchester Unitedi dhe Manchester City. Ky i fundit pati ofruar 15 milionë euro dëmshpërblim. Sipas "The Sun", Behrami gjatë verës do të kthehet në Itali dhe skuadra më e interesuar për shërbimet e tij mbetet Palermo. Për të interesim patën treguar edhe Juventusi, Roma, Fiorentina dhe Lazio.