05 shkurt 2010

Mund të fitojmë gjithçka

Emir Bajrami synon që me klubin e tij aktual, Elfsborg, këtë vit të shpallet kampion i Suedisë. Në dy sezonet e fundit, ky klub dështoi të bëhej kampion në momentet e fundit, pasi që në fund ngeli prapa kryesuesit vetëm 2-3 pikë.
Elfsborg ishte shpallur kampion i Suedisë për herë të fundit në vitin 2006. Futbollisti kosovar mund të largohej gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi e kërkonin Sporting Lisbona dhe Torino, por ai qëndroi tek Elfsborg, të paktën deri në verë. Ai dëshiron ta ndihmojë ekipin e tij, drejt sukseseve në kampionatin nacional, i cili do të fillojë më 15 mars. Elfsborg në ndeshjen e parë do të përballet kundër ekipit Gefle.
“Ne si objektiv kemi që të hyjmë në Top 4, por është e qartë se dëshirojmë ta fitojmë titullin. Po ashtu, dëshirojmë të shkojmë sa më lart që të jetë e mundur në Kupën e Suedisë. Unë dëshiroj që ta bëj një hap përpara në zhvillimin tim si futbollist dhe të dhuroj më shumë asistime dhe gola, të cilët mund të jenë komponent të rëndësishëm për skuadrën”, u shpreh 21-vjeçari për uebfaqen suedeze Fotbollskanalen.se.
Para fillimit të sezonit, Emir Bajrami pretendon t’i tregojë vlerat e tij në turneun “Copa del Sol”, që do të mbahet në Marbella të Spanjës, ku përpos Elfsborg, pritet të marrin pjesë edhe shtatë skuadra të tjera evropiane, të ndara në dy grupe.
Pas turneut në Oman, futbollisti ofanziv, dëshiron ta shfrytëzojë mundësinë në Spanjë, që t’ia bëjë me dije selektorit Erik Hamrén, se e meriton një vend në përfaqësuesen A të Suedisë.
“Është një mundësi tjetër për mua për t’ia demonstruar atij (Hamrenit) se unë jam futbollist i mirë, kështu që këtu pritet të zhvillojmë ndeshje të mira dhe zbavitëse. E dimë se do të përballemi me ekipe të forta, por kemi mundësi që ta fitojmë këtë turne, absolutisht”, shtoi përfaqësuesi U21 i Suedisë.
Avantazhin e ekipit të tij në këtë turne e sheh tek moti në Spanjë, mbi 15 grandë celsius. “Është mirë që vijmë këtu nga i ftohti që mbretëron në Suedi. Këtu është më nxehtë dhe më mirë. Do të shkojë mirë, mendoj”, përfundoi Bajrami.