10 shkurt 2010

Modestia e Tiago Silvës: Udineze, shumë e fortë

Mbrojtësi kuqezi nuk e nënvlerëson aspak kundërshtarin e radhës, që në këtë sezon e ka mundur dy herë Milanin (në kampionat dhe në Kupë).Të premten në mbrëmje (ora 20:45) ekipi i Leonardos do të presë në “San Siro”Udinezen, në ndeshjen hapëse të javës së 24-t të Serisë A. Në prag të kësaj sfide delikate për kuqezinjtë, mbrojtësi Tiago Silva, në një intervistë për “Milan Channel”, flet në lidhje me gjendjen e ekipit (që për hir të së vërtetës nuk po gjen veten në këto javë të fundit).
“Po punojmë qetësisht dhe po shohim vetëm punën tonë. Mendojmë vetëm të rikthehemi te fitorja”, nënvizoi qendërmbrojtësi brazilian i kuqezinjve. Pastaj ai analizon kundërshtarin e radhës në kampionat: “Na kanë mposhtur dy herë, por të dy herët kemi luajtur mirë. Ajo e së premtes do të jetë një përballje interesante, sepse ata vijnë pas një fitoreje spektakolare me Napolin në fundjavë. Ne po stërvitemi shumë që të dalim triumfues”.
Tiago Silva i trembet Di Natales, sulmuesit friulian që në sfidën e fundit në kampionat shënoi tre gola për ekipin e tij. “Ai është arma më e fuqishme e tyre. Është shumë i fortë. Shpresoj që të premten mos jetë në formë”, përfundoi intervistën e tij për “Milan Channel” mbrojtësi kuqezi.