05 shkurt 2010

Më i mirë se Gerd Muller

Para fillimit të këtij sezoni, shumë pak njerëz në Gjermani e dinin se kush ishte Albert Bunjaku. Mirëpo, pasi u transferua nga liga e tretë gjermane, përkatësisht nga ekipi Erfurt, tek Nurnberg, sulmuesi kosovar i shfaqi vlerat e tij në Bundesligë, duke i lënë gojëhapur të gjithë.
Përveç që është i dashur në Zvicër, nënshtetësinë e së cilit vend e posedon, ai ka filluar t’u hyjë në zemër edhe gjermanëve. 26-vjeçari ka shënuar nëntë gola për Nurnbergun, ndërsa renditet në pozitën e katërt të golashënuesve të përgjithshëm në Bundesliga, pas Kiesling, Kuranyi e Barrios.
Mirëpo, është interesante të shikohet se Bunjaku ka shënuar më shumë se gjysmën e golave të realizuara nga i gjithë ekipi i tij. Në 16 ndeshjet që ai luajti këtë sezon, nga 20 të mundshme në Bundesliga, Bunjaku ka realizuar 56 përqindëshin e të gjitha golave të realizuara të Nurnberg (16 sish).
Kështu, sipas tabloidit zviceran, Blick, Bunjaku e ka thyer rekordin e përqindjes së golave të shënuara, të cilin e mbante Gerd Muller, më shumë se 40 vjet më parë. Andaj, Blick e vlerëson sulmuesin kosovar më të mirë, sesa legjendën e futbollit gjerman, në këtë aspekt.
64-vjeçari nuk e kishte arritur kurrë këtë përqindje. Muller, gjatë sezonit 1968/69, kishte shënuar 30 gola në 61 ndeshje me Bayern Munchen, që i bie mesatarja prej 49 për qind.
Por, nëse e bëjmë një krahasim më të gjerë, atëherë është e dukshme se Bunjaku nuk mund ta arrijë kurrë rekordin absolut të Muller. Në periudhën 1964-1979, legjenda gjermane ka realizuar plot 398 gola në 453 ndeshje.