05 shkurt 2010

Mavraj nuk lejohet të luajë për Kosovën

Mbrojtësi Mërgim Mavraj i është përgjigjur negativisht ftesës së seleksionuesit të Kosovës Albert Bunjaki. Bunjaki e ka ftuar futbollistin e Bochumit për ndeshjen miqësore kundër përzgjedhjes së Superligës së Shqipërisë, që zhvillohet më 17 shkurt në Prishtinë. Ky takim zhvillohet për nder të dyvjetorit të shpalljes së pavarësisë. 23-vjeçari Mavraj ka thënë se klubi gjerman nuk i ka dhënë leje që ai të udhëtojë për në Kosovë. "Ftesa e seleksionuesit Bunjaki për të luajtur për Kosovën më 17 shkurt më ka ardhur, por trajneri i skuadrës, Heiko Herrlich nuk më lejon të vij. Ai thotë se i duhem ekipit", ka thënë Mavraj të enjten për Kohën Ditore. Shtatlarti Mavraj është titullar i padiskutueshëm i skuadrës së Bundesligës 1. Ai ka luajtur rregullisht në dhjetë xhirot e fundit të Kampionatit gjerman, në qendër të mbrojtjes. Drejtuesit e Bochumit janë të kënaqur me paraqitjet e kosovarit dhe i kanë ofruar atij kontratë të re. Mavraj në vitin 2007 ka regjistruar një paraqitje në U-21 të Gjermanisë, ndërsa pritet që muajin e ardhshëm të ftohet edhe nga Përfaqësuesja e Shqipërisë. Seleksionuesi i Kosovës, Albert Bunjaki më herët ka thënë se për ndeshjen e 17 shkurtit ka ftuar disa futbollistë kosovarë që bëjnë karrierë në Evropë. Ai nuk ka bërë të ditur emrat e të ftuarve, por ka thënë se do të përqendrohet në vendet skandinave, ku ligat nuk kanë nisur ende. Grumbullimi i futbollistëve kosovarë të klubeve evropiane për takimin miqësor të 17 shkurtit është i vështirë pasi ndeshja nuk zhvillohet në termin të lirë të FIFA-s. Deri më tash nga lojtarët që luajnë jashtë, ardhjen e ka konfirmuar vetëm Anel Rashkaj, i cili aktivizohet me Halmstadin suedez.Përfaqësuesja e Kosovës për ndeshjen e 17 shkurtit do të përbëhet kryesisht nga futbollistë të klubeve kosovare dhe ata që luajnë në rajon.