12 shkurt 2010

Mavraj i thotë “po” ftesës së Kuzhes

Mbrojtësi i Bokumit në Bundesligë, Mërgim Mavraj, është gati të veshë fanellën kuqezi. Vendimi i kosovarit ka ardhur pas konsultave me trajnerin Josip Kuzhe.Në këtë mënyrë, 24-vjeçari mund të debutojë me Shqipërinë në ndeshjen miqësore përballë Irlandës së Veriut më 3 mars në “Qemal Stafa”. “Kam biseduar me Kuzhen, ai ka shprehur dëshirën që unë të luaj për Kombëtaren dhe unë e kam pranuar ftesën. Më ka ftuar të jem pjesë e ekipit që në miqësoren me Irlandën e Veriut”, tha mbrojtësinë një intervistë për gazetën kosovare “Express”.
Për mbrojtësin e Bokumit kjo është një mundësi që e bën të lumtur, sepse për të është realizimi i një ëndrre: “Ndihem krenar që do të luaj për Shqipërinë. M’u plotësua një ëndërr dhe shpresoj të ndihmoj Kombëtaren të ecë përpara”.
Mavraj ka veshur fanellën e 21-vjeçarëve të Gjermanisë. Ai sqaron se pasaportën shqiptare e mori në vitin 2007 dhe nga federata iu bë një ftesë për t’iu bashkuar Kombëtares Shpresa, ftesë të cilën ai e refuzoi, duke zgjedhur gjermanët. Megjithëse i ri në kombëtare, mbrojtësi 24-vjeçar merr përsipër të flasë për grupin eliminator të Euro 2012.
“Është një grup shumë i vështirë. Detyra jonë është të mbledhim sa më shumë pikë. Nuk duhet të dorëzohemi përballë të mëdhenjve, sidomos në Tiranë, ku kemi treguar se dimë të luajmë mirë, pavarësisht kundërshtarit. Mërgim Mavraj është futbollisti i shtatë kosovar që luan për Shqipërinë, pas Beqajt, Canës, Dallkut, Currit, Berishës dhe Ujkanit.