16 shkurt 2010

Markizio: Shpresoj që era të ketë ndryshuar

Fitorja e Juventusit kundër Xhenoas në sfidën e së dielës pasdite, duhet të jetë një piknisje për të gjithë mjedisin bardhezi. Kështu shpreson edhe mesfushori i ri i bardhezinjve Klaudio Markizio, i cili lëshon alarmin: “Shpresojmë që era të ketë ndryshuar, përndryshe do të jetë shumë vonë për t’u futur në katër vendet e para të renditjes dhe për t’u kualifikuar në Champions sezonin që vjen. Fitorja ndaj Xhenoas duhet të jetë një piknisje për ne”.

Markizio ka folur pastaj për polemikat ndaj gjyqtarit në kuadër të 11-metërshit të dyshimtë të Del Pieros: “Polemikat e Mourinjos ndaj 11-metërshit? Ne mendojmë vetëm për veten tonë, ka gjithnjë rivalitet mes Juves e Interit, pavarësisht nga largësia e pikëve, por secili është i lirë të thotë atë që do”.
Protagonisti i rilindjes së Juventusit, Aleks Del Piero, pavarësisht nga polemikat, hedh kandidaturën e tij për një vend në kombëtare në “Botërorin 2010″: “Sigurisht që shpresoj të shkoj në Botëror. Dëshira dhe shpresa janë të mëdha dhe do të shtohen nëse në tri muajt e ardhshëm, do të arrij të luaj mirë si të dielën”.