11 shkurt 2010

Luçiano Moxhi sulmon Milanin

Luçiano Moxhi ka sulmuar ashpër Milanin gjatë dëshmisë së tij në gjyqin e “Calciopoli-t”, që ka rifilluar pas pushimeve për Krishtlindje.
“Arbitri Rodomonti afër meje dhe Juves? E pavërtetë. Aurikio (koloneli që ka zhvilluar hetimet) ka lexuar vetëm telefonatat e përgjuara që ka dashur. Rodomonti pasi ka arbitruar një ndeshje të fituar nga Milani 1-0 me një penallti, ka folur me Meanin (drejtues kuqezi), i cili i ka thënë të lumtë, sepse penalltia ka qenë e saktë dhe se presidenti do t’i mundësojë një transplant flokësh prej 30 mijë eurosh në Zvicër”, ka shpjeguar ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, i cili ka vazhduar duke thënë se:
“Më vjen për të qeshur kur thuhet se unë kam zgjedhur ndihmësit e arbitrave, duke parë se keni përgjuar një telefonatë timen në orën 11:53, ku janë përmendur emrat e saktë pa verifikuar se Martino Manfredi, sekretari i kolegjit të arbitrave, ia dërgonte të gjithë drejtuesve emrat në 11:40. Meanit një herë i ka dërguar një sms për t’i bërë të ditur se Milani do të arbitrohej nga Trefoloni, duke i thënë: “Jemi të gjithë me ju, mos u dorëzoni”. Ky ka qenë spiuni brenda kolegjit të arbitrave”, ka përfunduar Moxhi.