05 shkurt 2010

Lipi: 70% e skuadrës është e bërë

Nuk ka hapësirë për Juventusin në kokën e Marçelo Lipit. Trajneri i kombëtares italiane, i cili ndodhej në Katanzaro për çmimin “Ceravolo”, i ka përballuar me kujdes pyetjet që vinin mbi të ardhmen e tij te bardhezinjtë pas “Botërorit 2010″. “Këto janë gjëra që s’kanë fare rëndësi, - nënvizn Lipi. - Tani duhet menduar vetëm për Botërorin.
Mendoj se 70% e skuadrës është e bërë dhe janë ata që po luajnë titullarë me skuadrat e tyre. Më mungojnë pesë apo gjashtë lojtarë për të plotësuar organikën, të cilën nuk do ta vendos para muajit maj. Sidoqoftë do të ndjek këshillat e përditshme që më vijnë gjithnjë mbi këta 4-5 lojtarë të zakonshëm”. Si të thuash, Kasano duhet të rrijë i qetë, as një referendum popullor nuk mund ta bindë teknikun italian për t’i dhuruar një biletë për në Afrikën e Jugut. Diskutim ndryshe për Nestën e Totin, të cilët pasi ikën pas “Botërorit 2006″, mund të rikthehen me “axurrët”, të bindur pikërisht nga trajneri Lipi, i cili është gati t’u sigurojë të dyve nga një fanellë titullari.