09 shkurt 2010

Leverkusen, Hejnkesin shmang panikun

Trajneri i Bajerit të Leverkusenit, Jup Hejnkes, nuk do t’ia dijë për panik, edhe pse skuadra e tij tashmë ka pikë të barabarta me Bajernin e Mynihut, në krye të Bundesligës. Leverkuseni ende kryeson me diferencë golash, por barazimi i së shtunës me rezultatin 1-1 kundër Bokumit, bëri që të humbnin dy pikët e epërsisë që kishin ndaj bavarezëve, që mundën 3-1 Volfsburgun. Megjithatë, Hejnkes nuk e ka kritikuar skuadrën e tij për dështimin kundër Bokumit.
“Ndeshje të tilla ndodhin. Eshtë thuajse normale. Nuk mund të besojmë se Bajeri do të fitojë çdo ndeshje deri në fund të sezonit. Skuadra ime e re nuk është e aftë për të fituar çdo ndeshje”, ka thënë Hejnkes. Bajerni e çoi në tetë ndeshje radhazi numrin e fitoreve, por sulmuesi Patrik Helmes i Leverkusenit nuk beson se bavarezët do ta ruajnë këtë formë për shumë kohë. “Edhe ata do të lënë pikë rrugës”, ka thënë ai.