12 shkurt 2010

Leonardo fillon të shqetësohet për Romën

Trajneri i Milanit: Barazimi i Interit më befasoi, por tani duhet të shkurtojmë largësinë në renditje
“Momenti që po kalon Roma është shqetësues për ne, tani është në dorën tonë të mos shpërdorojmë punën e mirë që kemi bërë. Të gjithë, jo vetëm Ronaldinjo, duhet të rigjejmë buzëqeshjen”. Leonardo ka provuar të karikojë Milanin, që tashmë është kaluar në renditje nga skuadra e Ranierit.
“Gjithsesi, barazimi i Interit na ka befasuar, - ka theksuar tekniku brazilian. - Tani mund të shkurtojmë diferencat në renditje: shkurti është muaji vendimtar”. Kundër Udinezes, ndërkohë, Nesta e Pato duhet të jenë në dispozicion. Momenti negativ i Milanit ka rastisur me atë të Ronaldinjos, që pas zërave lidhur me një festë të zhvilluar nga ai para derbit, duket se ka humbur buzëqeshjen e tij karakteristike.
Leonardo, për të shpjeguar këtë situatë ka cituar tekstin e një kënge të Kat Stivens, “Father and Son” (Babai dhe djali): “Fjalët e para thonë se nuk është momenti për të ndryshuar dhe se duhet të qëndrosh i qetë. Edhe për mua është kështu, të gjithë duhet të rigjejmë buzëqeshjen, pa humbur asnjëherë agresivitetin, krenarinë”.
Tekniku brazilian ka folur edhe për rinovimet e kontratave të lojtarëve kuqezi. “Antonini dhe Abate e kanë merituar zgjatjen e kontratatave respektive: është bukur të mund të mendosh për të ardhmen me lojtarë që kanë dalë nga kantieri kuqezi”. Më pas, ka qenë i detyrueshëm një koment për infermierinë: “Skenari ka ndryshuar, Pato është rikthyer ashtu si Nesta, dhe nga ky moment e deri në fund do të kemi nevojë për të gjithë.
Rikthimi i Patos është i rëndësishëm, është një lojtar me karakteristika të veçanta. Kështu krijohen alternativa në sulm”. Megjithatë, Leo nuk ka bërë të ditur nëse braziliani do të jetë në fushë kundër bardhezinjve: “Nuk dua të jap përqindje, sepse duhet të vlerësoj edhe gjendjen e sulmuesve të tjerë”. Përsa i takon Borrielos, ka shpjeguar se: “Ka një shqetësim të vogël.
Do të duhet të vlerësoj shumë gjëra, duke menduar për takimin me Udinezen, por edhe për atë të javës së ardhshme”. Në vazhdim, tekniku kuqezi është rikthyer të flasë për kampionatin. “Duhet të grumbullojmë pikë, jemi në një fazë shumë të rëndësishme të sezonit. Eshtë momenti të jemi të qetë dhe të mos humbim dëshirën për të ndëshkuar kundërshtarët”, ka thënë trajneri brazilian.