08 shkurt 2010

Lajme per Futbollistet Shqiptare

Alushi kthehet me humbje të lartë nga Kaiserslauterni

Enis Alushi dhe skuadra e Paderbornit dëshmuan lojë shumë të dobët si udhëtues, duke pësuar humbje të lartë 3:0 nga Kaiserslauterni. Alushi luajti 79 minuta dhe u zëvendësua nga futbollisti Brandy. Kjo humbje Paderbornin e zbret në vendin e nëntë me 28 pikë, ndërsa Kaiserslauterni i prin renditjes së tabelës me 46 pikë të tubuara në ligën e dytë gjermane. Golat e fitores për skuadrën e Kaiserslauternit i shënuan futbollistët Jendrisek (46’ e 86’) dhe Hornig (90’).

Gjasula me FSF Frankfurtin arkëtuan një pikë

Futbollisti Jurgen Gjasula është aktivizuar 90 minuta në fanellën e skuadrës së FSV Frankfurtit. Gjasula me skuadrën e tij barazuan në shtëpi me rezultat 1:1 me skuadrën e Aachenit, në javën e 21-të të ligës së dytë gjermane në futboll. Skuadra e FSV Frankfurtit kaloi në epërsi në minutën e 76-të nëpërmjet Voigt, ndërsa mysafirët e barazuan 1:1 në minutën e 82-të me golin e Auerit. FSV Frankfurti me Gjasulën ndalën një pikë para adhuruesve të vet, e cila është mjaft e vlefshme në luftë për ta siguruar mbijetesën në këtë rang të garave. FSV Frankfurti pas javës së 21-të radhitet i 17-të me 17 pikë, kurse Aacheni i 10-ti me vetëm 27 pikë të tubuara.

Orhan Mustafi shënoi gol për Aaraun

Shqiptari nga Maqedonia, Orhan Mustafi, e nisi mbarën edicionin pranveror me skuadrën e Aaraus. Ata në shtëpi të veten shënuan fitore me rezultat 6:3 kundër skuadrës së Bellinzonës, në ndeshjen e javës së 19-të të Superligës së Zvicrës në futboll. Mustafi inkuadrohet në lojë në minutën e 76-të dhe pas dhjetë minutave (86’) edhe ka shënuar gol për rezultatin përfundimtar 6:3. Mustafi për 14 minuta pati paraqitje të shkëlqyeshme dhe me këto tri pikë të reja të pranverës arriti kuotën e dhjetë pikëve, duke u renditur në fund të tabelës (vendi i 10-të), ndërsa Bellinzona zë vendin e 9-të me 15 pikë. Në radhët e Bellinzonës luajti Genc Mehmeti, i cili u zëvendësua në minutën e 33-të të ndeshjes.

Shaqiri me Baselin i shkaktuan debakël liderit

Burim Kukeli luajti standard në përbërjen e skuadrës së Luzernit, e cila shënoi fitore me rezultat 4:2 kundër Grasshoppersit.
Baseli së bashku me futbollistin shqiptar, Xherdan Shaqirin, furishëm e nisën stinorin pranveror në Superligën e Zvicrës në futboll. Baseli me rezultat 4:0 demoloi skuadrën lidere të tabelës, Young Boysin. Skuadra e Baselit bëri të ditur se do të jetë njëra prej skuadrave që synon titullin e kampionit në elitën e futbollit zviceran. Në pjesën e dytë, Shaqiri me shokë shkëlqeu në këtë ndeshje mjaft interesante, e cila është përcjellë nga 26.054 shikues. Ndeshje me plotë kuptimin e fjalës ishte interesante dhe një dominim i hatashëm i Baselit në pjesën e dytë. Shaqiri luajti 90 minuta me sukses të plotë dhe duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në fushë. Në minutën e 89-të në lojë është aktivizuar edhe Beg Ferati, i cili hyri në vend të futbollistit Cagdas. Golat e fitores për Baselin i shënuan futbollistët Frei në minutën e 68-të nga penalltia, pastaj Streller (81’), Gelabert (86’), Safari (93’). Young Boysi është në krye të tabelës me 41 pikë, ndërsa Baseli i dyti me 37 pikë. Ndërkaq, Burim Kukeli luajti standard në përbërjen e skuadrës së Luzernit, e cila shënoi fitore me rezultat 4:2 kundër Grasshoppersit. Kukeli luajti me sukses të plotë 90 minuta dhe shkëlqeu me lojë së bashku me bashkëlojtarë të tjerë. Skuadra e Kukelit më këtë fitore që arriti ndaj Grasshppersit përforcoi vendin e tretë me 32 pikë, kurse Grassoppersi renditet në pozitën e pestë me 26 pikë.

Cana: Disa prej futbollistëve francez i kam miq

Futbollisti i Sunderlandit, Lorik Cana, ka thënë hapur se është i lumtur që Shqipëria do të përballet me kombëtaren e Francës. Sipas tij, ka kohë që pret të takohet me Francën për arsye se ka edhe shumë shokë në veçanti në kombëtaren franceze. “Më në fund do të takohem Francën në një aktivitet zyrtar. Është ndeshje më e rëndësishme padyshim që do të takohem me ish-shokun e skuadrës tek Marseille, Frank Ribery. Jam shume i lumtur që do të më jepet mundësia të luaj përballë Francës. Kam shumë shokë në këtë vend dhe disa prej futbollistëve që janë pjesë e kontingjentit aktual të kombëtares i kam miq”, tha Cana.

Lëndohet Xhemajli

Blerim Xhemajli ka pësuar një lëndim në momentet kur po kalonte nëpër një formë të shkëlqyeshme, në Serie A, në fanellën e Parmës. 23-vjeçari lëndoi ligamentet e gjurit të majtë pas një përplasjeje me mesfushorin e Palermos, Giulio Migliaccio.
Mediat zvicerane dhe ato italiane shkruajnë se ylli i Parmës mund ta ketë përfunduar sezonin për shkak të një lëndimi të gjurit. Drejtuesit e Parmës i frikësohen më të keqes, pasi Xhemajli do t’i nënshtrohet një ekzaminimi detaj, për ta kuptuar seriozitetin e lëndimit që e pësoi në ndeshjen me Palermon.
Dyshohet se ai ka lënduar rëndë ligamentet, që do të nënkuptonte se ky sezon për të ka përfunduar. Nëse kjo ndodh, atëherë ish-anëtari i Boltonit do të humbë mundësinë që të luajë me Zvicrën në Kampionatin botëror Afrika e Jugut 2010.
“Pa dyshim se është një kohë e pafat”, ka thënë Xhemajli, i dëshpëruar për të përditshmen zvicerane, Blick.ch.
Kjo nuk është hera e parë që Xhemajli pëson një lëndim të tillë. Ai gjatë sezonit 2006/2007 sa ishte pjesë e klubit zviceran Zurich, lëndoi ligamentet e gjurit, të cilat e lanë jashtë fushës gati një vit.
Xhemaili në afatin kalimtar të verës që e lamë pas nga Torino u huazua te Parma, ku luajti një rol të rëndësishëm. Mungesa eventuale e Xhemajlit, vetëm sa do t’i përkeqësonte gjërat në Parma, që pas një fillimi shumë të mirë të sezonit, ka pësuar 5 humbje në 6 takimet e fundit.

Më e mira e Amerikës

Përveç shumë futbollistëve shqiptarë të cilët tashmë kanë bërë famë në futbollin evropian, edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka shqiptarë të cilët merren me futboll. Madje, edhe femra.
Floriana Borova është njëra ndër to. Me vetëm 16 vjet, ajo në katër kampionate të futbollit për grupmoshat e reja në SHBA, është shpallur golashënuesja më e mirë, falë 28 golave, të cilat i ka realizuar ajo me fanellën e klubit Cresskill Cougars nga New Jersey.
Me këtë rast, Floriana Borova shpeshherë përmendet edhe nga zyrtarët e Federatës Amerikane të Futbollit, të cilët thonë se 16-vjeçarja është një talente e rrallë dhe e cila premton shumë për të ardhmen. Andaj, me të drejtë edhe mediat amerikane, e veçmas ato lokale të New Jerseyt, shpeshherë fokusohen te Borova, duke botuar artikuj te ndryshme rreth saj, etj.
Borova, e cila ka lindur në Amerikë, por që ka prejardhje nga Dibra e Madhe, është nxënëse e shkollës së mesme Cresskill të New Jerseyt.
Sipas www.northjerseysports.com, skuadra Cresskill Cougars, e cila viteve të fundit qëndron vazhdimisht në vendin e parë në tabelë në garat e New Jersey, pranon se është krenare që në gjirin e saj e ka talenten Floriana Borova.
“Pozicioni i kësaj vajze fantastike është qendërsulmi. Por varësisht prej situatave të lojës, Floriana mund të kthehet për të luajtur edhe në mesin e fushës, pasi ajo i koordinon mirë lëvizjet në momentet më delikate në lojë”, ka thënë trajneri i Cresskill Cougars, John Massaro.
“Është shumë e thjeshtë dhe e dashur me shoqet e saj, por edhe e komunikueshme. Ajo gjithnjë jep një kontribut të çmuar në ekip dhe dallohet për vlerat e saj. Prandaj, ajo është edhe golashënuesja më e mirë, në të gjithë ligën e parë të shtetit të New Jerseyt”, pohon Massaro.
Kurse, një specialist i futbollit në New Jersey thotë se Cresskill Cougars me Florianën ndihet më e sigurt gjatë zhvillimit të ndeshjeve.
“Ajo manovron shumë bukur me topin. Ka reflekse duke e ndjerë momentin dhe reagon me goditje të furishme, sidomos jashtë zonës së 16 metrave, duke tundur rrjetën e portës së kundërshtarit, në disa raste. Andajm ajo është edhe golashënuesja më e mirë e ligës së parë të femrave në futboll për katër vjet në SHBA, me 28 gola”, ka thënë analisti.
Floriana Borova ka një vëlla 21 vjeç me emrin Artan. Po ashtu, ajo ka edhe dy motra, Diana 19 vjeçe dhe Enisa 9 vjeçe.
Floriana Borova me dëshirë gjithmonë tregon se ka prejardhje shqiptare, ndonëse ka lindur në Amerikë. Gjyshi Sylejmani dhe babai i saj, Muharremi kanë migruar në Amerikë nga Dibra e Madhe.

Lorik Cana: Kënaqësi të luaj kundër Francës

- Një nga njerëzit më të gëzuar për shortin e Euro 2012 ka qenë Lorik Cana, mesfushori i kombëtares që luan me Sunderlandin në Premier League. Ai ka luajtur për shumë vjet në skuadrat franceze, së fundi në Marseille dhe gjithnjë ka dëshiruar të përballet me Francën në një fazë eliminatore. “Më në fund do të kem mundësinë të ndeshem kundër Francës”, ka thënë Cana për mediet franceze. “Ka qenë një dëshirë e hershme e imja, si ish-futbollist i PSG, si ish-kapiten i Marseilles dhe tashmë si kapiten i Shqipërisë”, deklaroi futbollisti kuqezi. “Kur nuk luan Shqipëria, unë jam tifoz me ‘Les Blues’. Kam ende shumë miq dhe disa futbollistë i njoh mirë, kështu që do të jetë një kënaqësi e madhe për mua”, shtoi më tej Loriku. “Përpos kësaj, e di shumë mirë se Franca është një skuadër e nivelit të lartë dhe ka një grup të shkëlqyer futbollistësh”, deklaroi mesfushori kuqezi.

Kuzhe dhe Duka: Grup i forte, rivale qe nuk i donim

Franca, Rumania, Bosnje-Herzegovina, Bjellorusia dhe Luksemburg kompletuan dje nje grup te veshtire per Kombetaren kuqezi: Grupin D.
Perveç Luksemburgut, asnje llogari e momentin ne leter nuk ka garanci per tanet. I ketij mendimi eshte e dhe trajneri te Shqiperise, Josip Kuzhe, i cili ka reaguar menjehere pas shortit te te dieles ne Varshave te Polonise.
“eshte nje grup i veshtire. Kundershtaret ne individualitetet e tyre, jane te gjithe shume te veçante dhe te forte. Mund te kishim shanse me te mira ne vazot 3 dhe 4”-eshte shprehur trajneri Kuzhe. Tekniku kroat qe ne fillim kishte shprehur deshiren qe te shmangte nje perballje me perfaqesuesin e vendit te tij, Kroacine, por i konsideron jo me pak te veshtira sfidat me Bosnjen dhe Bjellorusine, madje e shpreh hapur se nuk eshte i kenaqur per kete fakt.
“Mendoja qe nuk doja ne te njejtin grup Kroacine ne keto eliminatore, por Bosnja dhe Bjellorusia jane te dyja shume ekipe te rrezikshme dhe nuk me pelqen qe do te ndeshemi ndaj tyre”, sqaroi me tej trajneri.
Nderkohe qe sipas tij favoritet per marre kualifikimin ne Grupin D jane te identifikueshme lehte: “Franca dhe Rumania, konsiderohen pretendentet e grupit”. Pavaresisht kesaj, trajneri i perfaqesueses shqiptare ka deklaruar se tashme ndeshjet duhen vleresuar te gjitha me te njejtin seriozitet.
“Do t’ i studiojme nje per nje dhe do te kerkojme te marrim me te miren prej tyre. Do na duhet te pergatitemi shume per te arritur aty ku kemi deshire”, ka perfunduar Kuzhe, i cili sot ne oren 12.00 do te jape nje konference per shtyp ne ambientet e FSHF. Po dje, ne lidhje me grupin e prodhuar nga terheqja e goglave, ka folur edhe presidenti i FSHF-se Armand Duka, i cili se bashku me trajnerin Kuzhe kane marre pjese ne ceremonine e mbajtur ne Varshave.
“eshte nje grup relativisht i forte, skuadrat nuk ishin ato qe deshironim”, nenvizoi numri nje i FSHF-se, i cili ndoshta do te kishte preferuar nje grup me me shume perfitime financiare. Por duket se eshte pak me optimist se trajneri kroat: “Mendoj se perveç Frances, çdo ndeshje mund ta fitojme. Jane skuadra me te cilat kemi luajtur edhe me pare dhe kemi njefare njohurie per futbollin e tyre. eshte grup interesant dhe i forte, por mund te kishim patur edhe me keq”.

Josip Kuzhe kerkon Francen te paren

Pasi jane njohur me kundershtaret e eliminatoreve te Euro 2012, me 19 shkurt, delegacioni shqiptar do te udhetoje drejt Luksemburgut, per te percaktuar kalendarin e ndeshjeve.
Perfaqesuesit e Frances, Rumanise, Bosnjes, Bjellorusise, Shqiperise dhe Luksemburgut do te diskutojne per perballjet, sipas datave te vendosura nga UEFA per zhvillimin e takimeve. Trajneri Josip Kuzhe preferon qe te luaje fillimisht ndeshjen me Francen ne “Qemal Stafa”, por nuk dihet sa mund te realizohet kjo deshire.
“Trajneri mendon te ‘heqe’ te paren sfiden me Francen, e cila eshte favorite, ndersa kundershtaret e tjere jane te gjithe njesoj”, pohuan burime prane kroatit.
Ne anen tjeter, drejtuesit e Federates Shqiptare te Futbollit jane shprehur te gatshem te pranojne te luajne ne fushe kundershtare ne takimin e pare. Kjo behet me qellimin qe t’u jepet me teper kohe bisedimeve per menaxhimin e stadiumit “Qemal Stafa”, por edhe rikonstruktimit te fushes, e cila eshte e domosdoshme.

Ja cila do të jetë formula e përballjeve

Raundi eliminator i Euro 2012 përbëhet me nga pesë ose gjashtë skuadra, të cilat do të përballen me njëra-tjetrën me ndeshje vajtje-ardhje. Do të kualifikohet direkt për në Europian, pa kaluar në “playoff”, 9 skuadrat që do të renditen të parat në secilin grup. Atyre do t’iu bashkohet edhe një skuadër tjetër, ajo e vendit të dytë, që ka statistikat më të mira në absolut në krahasim me të tjerat. Ndërsa tetë të tjerët që do të klasifikohen të dytët në grupet përkatëse, do të duhet të kalojnë nga përballjet “playoff” me sistem vajtje-ardhje, nga ku katër fituesit do të presin biletën për në Euro 2012. Direkt kualifikohen edhe dy vendet organizatore, Polonia dhe Ukraina. Për momentin është përcaktuar një program me 12 datat e ndeshjeve.

Ujkani: Ëndrra ime është Milani, pëlqej Bufon

Talenti shqiptar rrëfen gjithçka rreth tij në median lokale të Novarës

Mediat lokale të Novarës janë interesuar për një futbollist të huaj, që luan te skuadra e qytetit të tyre. Ai është Sajmir Ujkani, kosovari që vesh bluzën e Kombëtares së Shqipërisë. Në një intervistë të gjatë, portieri me pasaportë belge dhe shqiptare rrëfen gjithçka rreth tij. E nis me Kosovën. “Në Kosovë gjërat po ecin mirë, njerëzit punojnë shumë për të përmirësuar vendin dhe infrastrukturën, shprehet Ujkani. 10 vite më parë ishim në luftë, por tani po bëjmë hapa gjigantë”. Një tjetër referim e ka bërë në lidhje me bashkëkombësit, që luajnë në Kombëtaren shqiptare. “Jemi 5 lojtarë në formacionin titullar. Kapiteni Lorik Cana, që luan në Angli te Sandërlendi, dhe është një shembull i Kosovës, ashtu si unë. Në të ardhme do të shikojmë një Kombëtare të Kosovës, po punohet, jemi në pritje”. Ndërkohë që flet edhe për 6 muajt te Novara. “Në fakt ambientohem shpejt kudo që të shkoj. Nga Kosova në moshën 6-vjeçare shkova në Belgjikë. Te Palermo, pas vetëm një muaji, ndihesha shumë mirë, ndihesha si vendas. Edhe te Novara jam shumë mirë, jetoj në qendër. Këtu gjithçka funksion në mënyrë perfekte, është më mirë se në Palermo, ka një klub fantastik”. Ditët jashtë fushës Ujkani i kalon duke ndenjur me miqtë, ose duke bërë xhiro me prindërit që i vijnë shpesh për vizitë. Biskotat e Novarës janë një nga produktet e zonës që ai e pëlqen shumë. I ha në shtëpi duke luajtur “Playstation”. Përballë shtëpisë ka “Cupola”-n dhe për t’u zgjuar në mëngjes nuk ka nevojë të vërë orën me zile, pasi e zgjojnë kambanat. Gazetari vendas është i interesuar se cili është klubi ku ai ëndërron të luajë në të ardhme dhe Ujkani nuk nguron ta zbulojë: “Po, dua të luaj te Milani”. Ndërkohë që portieri i cili e inspiron që fëmijë është Bufon: “Ai është një model për mua, por kohët e fundit admiroj më shumë Julio Sesar të Interit”. Në fund gazetari vendas i drejtohet me një “faleminderit” në shqip.