16 shkurt 2010

Lajme nga Kategoria Superiore ne GrandeJuve

Dinamo “vulos” titullin e 18-të ndaj Besës

Dinamo fiton me një gol të argjentinasit Soza dhe “hipotekon” kampionatin me 15 pikë diferencë

Dinamo - Besa 1-0 Shënues: Soza 31′

Dinamo: Kotorri, Malota (Diop 46′), Pisha, Malakarne, Del Monte, Putiçanin, Allmuça, Soza (Xhafa 86′), Ferraj (Sefa 53′), Bakaj, Vila. Trajner: Sh.Muça.
Besa: Shehi, Fagu, Vrapi, Poçi, Arapi, Mihani (Hasalla 76′), Mancaku, Cikalleshi (Tragaj 60′), Xhafa, Shkëmbi, Sinani. Trajner: Sh.Duro.
Gjyqtarë: L.Jemini, D.Rexha, E.Doda (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Vrapi, Pisha, Bakaj, Allmuça

“Radiografia”
14′- Xhafaj tenton nga e majta, por vetëm rrjetë e jashtme.
17′- Shkëmbi godet direkt nga këndi, por pret Kotorri.
25′- Ferraj godet nga distanca dhe topi, pasi merr një trajektore të çuditshme, grushtohet me vështirësi nga portieri Shehi.
29′- Xhafa “injoron” Cikalleshin duke goditur vetë, por mbi traversë.
31′- Goditje këndi për Dinamon. Ekzekuton Bakaj dhe Soza në rrëmujë përfiton me kokë, duke shënuar golin e avantazhit për blutë.
37′- Mancaku harkon nga këndorja dhe Xhafa në shtyllën e dytë, edhe pse është i lirë, godet jashtë.
42′- Aksion i bukur i Dinamos. Vila kombinon bukur me Bakajn, ky i fundit tenton të shënojë, por Shehi është pozicional, duke zotëruar “sferën”.
43′- Arapi kroson bukur për Xhafën, nr.22 i verdhezinjve godet me kokë, por iniciativa e vlonjatit është qendrore dhe zotërohet nga Kotorri.
45′- Bakaj nxjerr të lirë Putinçaninin, i cili godet direkt, por jashtë kuadratit.
51′- Sinani tenton nga distanca, gjuajtja e nr.9 është e fortë dhe grushtohet nga Kotorri, që ka edhe bashkëpunimin e Pishës, që largon topin nga zona.
58′- Aksion me pasime i bluve dhe Vila tenton me një gjuajtje fluturimthi, ndërkohë që Shehi grushton për të mos rrezikuar.
60′- Mancaku tenton me kokë, por pret pa problem Kotorri.
62′- Vila, nga e majta, shmang bukur Poçin dhe kroson në zonë për Sozën që me kokë godet, por topi kalon të gjithë pasqyrën e portës duke mos qenë i rrezikshëm për kuadratin e mbrojtur nga Shehi.
72′- Tenton nga goditja standarde Elis Bakaj, por iniciativa e nr.19 të bluve përfundon ngjitur me shtyllën e djathtë pingule të portës mike.
79′- Shkëmbi tenton për të dytën herë nga këndi të shënojë direkt, por Kotorri është “nuhatës”, teksa e kap topin në momentin deciziv.

Komenti

Dinamo ka vulosur me fitoren e djeshme titullin e 18-të në historinë e saj 60-vjeçare. Dje dinamovitët jo vetëm që kanë fituar me meritë, pavarësisht ndeshjes tepër për t’u vlerësuar të kavajasve, por në të njëjtën kohë u kanë dhënë fund edhe gojëve të liga për favorizime dhe aludime të ndryshme që kanë shoqëruar blutë gjatë 21 javëve.
Besa vinte në këtë sfidë me 5 mungesa dhe reparti më i prekur ishte ai i mbrojtjes, ku Artion Poçi, një mesfushorë nga më të dalluarit në Shqipëri, është detyruar të luajë në repartin mbrojtës, përkrah Endri Vrapit. Gjithsesi, në fillimin e takimit kavajasit janë tepër këmbëngulës dhe kanë disa raste me Xhafajn & Co. Por në momentin e tyre më të mirë, dinamovitët ndëshkojnë me anë të Sozës. Në fakt, është një gol me pak fat, por fati thonë se ndihmon më të mirët.
Mundohet Besa, por Del Monte në krahun e majtë të mbrojtjes së bluve është tepër aktiv, duke u kthyer në një postobllok i vërtetë për kundërshtarët. Cikalleshi është munduar shumë për të dal fitues ndaj argjentinasit me nr.8, por duket se dushi i ftohtë i bërë nga trajneri Muça përpara sfidës ndaj Gramozit e ka “zgjuar” nga gjumi mëngjarashin në pronësi të Indipendientes. Në fundin e pjesës së parë Dinamo dhuron dy aksione shumë të bukura me anë të Vilës e Bakajt. Por pa shënuar golin e dytë në portën e Shehit. Ndërkohë që Xhafaj, pas një krosimi të bukur të Arapit, godet, por pa gjetur dot rrugën e rrjetës.
Në fraksionin e dytë të sfidës, dinamovitët e nisin menjëherë me një zëvendësim, duke larguar nga fusha e blertë Malotën dhe aktivizuar senegalezin Papa Diop në qendër të mesfushës, rol që në pjesën e parë mbulohej nga Putinçanin, që rikthehej pas një mungese gati 8-javore. Serbi pas këtij zëvendësimi spostohet sërish në fashën e djathtë të mbrojtjes blu. Dinamo rrit forcat sulmuese, duke aktivizuar edhe Sefën në vendin e Ferrajt. Por janë verdhezinjtë ata që, pavarësisht lodhjes në mesjavë në Kupën e Shqipërisë, e shtrëngojnë.
Shkëmbi është truri i mesfushës së Besës, por Pisha është tepër perfekt në lojën e tij, madje me Kotorrin pas shpine dhe bashkëpunimin e të gjithë shokëve të repartit mbrojtës, Besa e ka të vështirë të gjejë rrugën e rrjetës. Me pikatore rastet për shënim të kavajasve, edhe pse sulmet dhe posedimi i topit janë në krahun e skuadrës së Shpëtim Duros. Ky i fundit tenton me zëvendësime dhe modifikime në formacionin e tij, duke nxjerrë nga loja Cikalleshin dhe aktivizuar Tragajn.
Nga ky zëvendësim Mancaku kalon në krahun e djathtë, për të tentuar një sfide të re me Del Monten, ndërsa Fagu avancon pas krahëve të Sinanit dhe Xhafës. Gjithsesi, deri në fundin e takimit porta e Kotorrit do të ruhet e paprekur.
Në fundin e takimit kavajasit duket se janë pajtuar me faktin se Dinamo është kampionia e re e Shqipërisë dhe si ndjekësit më të afërt në një mënyrë apo tjetrën të besuarit e Shpëtim Duros, i kanë “shtrënguar dorën” të parët futbollistëve blu.
Për “ironi” të fatit, sërish ndëshkuesi i kavajasve është futbollisti Rafael Soza, i cili ishte ndëshkuesi i Besës edhe në takimin e Kavajës. Me thirrjet “Urime-urime ekipit kampion,”- nga e ana e fansëve blu, është mbyllur dhe kjo sfidë, e cila sot më shumë se kurrë e shikon kampione Dinamon e drejtuar nga Shkëlqim Muça.

Të veçanta

- Në momentin e zëvendësimit, mesfushori Nertil Ferraj s’e ka pritur fare mirë atë, duke qenë paksa i nervozuar me trajnerin Muça, por më pas palët janë qetësuar, duke festuar në fundin e takimit.
- Një numër i konsiderueshëm fansësh verdhezinj kishin mbërritur dje në stadiumin “Qemal Stafa”, duke përkrahur edhe skuadrën e zemrës me një flamur gjigant dhe disa pankarta të ndryshme.
- Në ekstazë është shfaqur tifozeria dinamovite, e cila gjatë të gjithë ndeshjes ka brohoritur në kor “Urime-urime ekipit kampion”. Festa e fansëve blu ka vazhduar edhe në përfundim të sfidës përpara stadiumit “Qemal Stafa”.
- Data 15 shkurt ka rezultuar me fat për Dinamon, e cila tashmë e sheh veten +15 pikë nga skuadra e Besës në një kampionat pothuajse të mbyllur.
- Soza ka shënuar golin e dytë me vlerën e tripikëve ndaj kavajasve, pasi ai ishte ndëshkuesi i verdhezinjve edhe në Kavajë. Ndërkohë që argjentinasi ka shënuar edhe ndaj Flamurtarit në fitoren minimale 1-0, por edhe në Korçë në barazimin 1-1.
- Të pranishëm në tribunën VIP të “Qemal Stafës” kanë qenë edhe presidencat e skuadrave respektive, ku Dinamo përfaqësohej nga Besnik Sulaj dhe Avni Braçe dhe Besa nga Nexhat Bizhdili.
- I pranishëm dje në stadium ka qenë edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i shoqëruar nga zyrtarë të tjerë të institucionit më të lartë të futbollit në Shqipëri.

Tirana, tani ka rival edhe Laçin

Pas humbjes në Peqin, bardheblutë kërkojnë medoemos fitoren në sfidën e fundjavës me kurbinasit
Humbja në Peqin të dielën ishte e treta radhazi për bardheblutë, pas dy disfatave me Vllazninë në “Qemal Stafa” dhe me Besën për Kupë mesjavën që shkoi në Kavajë. Edhe pse peqinasit e kanë mbyllur lojën me 10 lojtarë i kanë mposhtur bardheblutë të cilët, siç pohojnë edhe vetë në pjesën e dytë të takimit, kanë qenë të shokuar nga presioni i drejtuesve vendas.
Por për Tiranën që këtë sezon e nisi si kampione në fuqi dhe me synimin për ta fituar sërish titullin, duket se gjërat u vështirësuan nga java në javë. Në fillim të sezonit dy ishin rivalët seriozë krahas bardhebluve në “luftën” për titullin kampion, Dinamo dhe Besa. Mirëpo të përforcuar në merkato, blutë e bën “pronë” vendit e parë qysh në javët e para të sezonit. Jo vetëm kaq, por ata filluan të krijonin edhe një diferencë pikësh me bardheblutë.
Derbi mes Tiranës dhe Dinamos ishte shpresa e fundit që bardheblutë të ngushtonin diferencën e pikëve dhe për të synuar sërish fitimin e titullit. Disfata në derbi dhe dënimet e fushës, stafit teknik, por edhe lojtarëve për shkak të incidenteve që ndodhën në “Qemal Stafa” sollën edhe “rënien e lirë” të Tiranës, të cilët jo vetëm që dolën nga lufta për titull nga ana matematikore, por rrezikuan edhe vendin e dytë.
Tashmë skuadra e drejtuar nga trajneri-lojtar, Devi Muka, duket se nuk e ka të lehtë edhe vendin e 3-të, pasi ka vetëm një pikë më tepër se ekipi që ndodhet një shkallë më poshtë në renditje, Laçi. Ky i fundit duket se është kthyer në një rival direkt për Tiranën për vendin e 3-të. Të dyja skuadrat kalendari i ka vënë përballë këtë fundjavë në “Qemal Stafa” dhe bardhebluve u duhet medoemos fitorja për të ruajtur vendin që mbajnë aktualisht, çka përkthehet me një “biletë” për në Europë.
Edhe pse duket paksa e vështirë, edhe vendi i dytë, është ende i hapur, por më parë skuadra kryeqytetase duhet të kalojë më parë pengesën e radhës, Laçin që po kalon një formë mjaft të mirë javët e fundit dhe nuk vjen në kryeqytet thjesht sa për të kaluar radhën. Ky sezon do të mbahet mend gjatë nga 24 herë kampionët, pasi ka qenë me shumë oshilacione, dëmtime, mungesa lojtarësh titullarë apo edhe ndërrime trajnerësh.
Që kur ka filluar kampionati e deri më sot, bardheblutë kanë ndërruar tre trajnerë, fillimisht kroatin Ilija Lonçareviç, Alban Tafajn dhe së fundmi kanë në pankinë Devi Mukën. Kur ka mbetur edhe një java nga përfundimi i fazës së dytë dhe kur është në lojë e gjithë faza e 3-të, mbetet për t’u parë nëse do të ketë apo jo sërish lëvizje në pankinën bardheblu.

Dimraj: Pati presion, por kemi faj edhe vetë

Pas ndeshjes me Shkumbinin drejtuesit e bardhebluve pranojnë se në Peqin ka pasur edhe dhunë nga kolegët e tyre peqinas, sidomos në përfundim të pjesës së parë dhe kur doli Mustafaj me të kuqe. Shefi i klubit, Rauf Dimraj, i pyetur për atë që ndodhi në Peqin shpjegoi: “E dinim që para se të luanim se fusha do të ishte skandal dhe ashtu rezultoi, pasi lojtarët tanë nuk e qarkullonin dot topin nga balta e madhe.
Por më habiti edhe presioni i drejtuesve vendas, që me disa veprimet e tyre apo dhe ofendimet krejt pa shak në adresë të lojtarëve tanë, duket se ndikuan që ne të mos bënim lojën tonë në pjesën e dytë. Sipas meje, këto janë fenomene që në futboll duhen eliminuar. Megjithatë, unë nuk shoh vetëm njërën anë të medaljes, por analizoj edhe tjetrën.
Më vjen mjaft keq që lojtarët tanë nuk ditën të përfitonin nga situata kur ekipi vendas ishte me 10 lojtarë. Madje peqinasit atëherë u bënë më të rrezikshëm edhe duke na shënuar. Ndaj kam rezerva edhe për lojtarët e Tiranës, të cilët duhet të jenë më të përgatitur fizikisht dhe jo vetëm teknikisht,”- deklaroi shefi i klubit të Tiranës, Rauf Dimraj.

Muka me grip, Dimraj-A.Nallbani drejtojnë ekipin

Në seancën e djeshme stërvitore ka munguar lojtari-trajner i Tiranës, Devi Muka, i cili sipas burimeve brenda stafit teknik, ka qenë me gjendje gripale. Shkumbini ishte ndeshje e parë e Mukës në krye të pankinës bardheblu në kampionat. Seanca është drejtuar nga shefi i klubit, Dimraj, dhe trajneri i portierëve, A.Nallbani.

Rezervat stërvitje, titullarët pushim

Dje bardheblutë janë stërvitur me një seancë stërvitore, që e kanë zhvilluar pasdreke nga Kodrat e Liqenit Artificial. Duke qenë se titullarët luajtën në Peqin të dielën, dje ata janë lënë pushim absolut nga ana e stafit teknik, ndërkohë që janë stërvitur vetëm lojtarët që janë aktivuzuar me kohë të pjesshme dhe ata të stolit.

Belisha: Edhe në Ersekë mund t’ia dalim

Mesfushori shkodran Amarildo Belisha beson se Vllaznia tani ka kapur formën e saj më të mirë
Në ndeshjen me Skënderbeun ka shënuar golin e parë për skuadrën e Vllaznisë. Vërtet nuk ka vulosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes, por goli i tij ka qenë shumë përcaktues në fatin e këtij takimi. Për këtë arsye, autori i tij, mesfushori Amarildo Belisha, ndihet mirë për këtë shërbim që i ka bërë skuadrës së tij. Ka shënuar vetëm 60 sekonda pas kalimit në avantazh të korçarëve, duke barazuar gjithçka dhe duke u dhënë mundësinë shkodranëve ta nisin ndeshjen sërish.
Duke folur në lidhje me këtë moment, vetë numri 8 i Vllaznisë thotë: “Ndeshjen e nisëm mirë dhe po e kërkonim golin shpejt, që në minutat e para. Krejt papritur Skënderbeu na ndëshkoi që në minutën e shtatë për një vendosje të gabuar tonën, por për fatin tonë të mirë, ai top i gjuajtur nga ana ime përfundoi në rrjetë.
Kështu që ndeshja pas minutës së tetë u duk sikur nisi edhe një herë. Nëse nuk do të ishte shënuar shpejt goli i barazimit, me siguri që do ta kishim pasur më të vështirë, ngaqë terreni do të rëndohej, presioni ndaj nesh do të rritej dhe nuk i dihej si do të kishte shkuar loja.” Ajo çfarë ka rëndësi është se shkodranët e kanë filluar tashmë kthesën e shumëpritur. Brenda 7 ditësh kanë arritur tri rezultate pozitive, dy fitore në kampionat dhe një barazim në kupë, çka ka bërë që te skuadra të kthehet besimi.
Futbollistët tashmë janë më të lirshëm edhe nga ana psikologjike dhe për rrjedhojë do të kërkojnë ta ruajnë sa më shumë këtë vazhdimësi. Këtë kërkon edhe Belisha, kur deklaron: “Problemi më i madh yni deri tani ishte se nuk kishim vazhdimësi në rezultate. Sa fitonimi një ndeshje, vinte distafa në ndeshjen e dytë. Por java që lamë pas tregoi të kundërtën dhe unë dua t’ju siguroj se ato tri rezultate pozitive që arritëm, nuk ishin të rastësishme.
Janë fryt i punës që kemi bërë në fazën përgatitore, është fryt i të gjithëve që kanë investuar për këtë skuadër, i stafit drejtues dhe i ne futbollistëve. Besoj se në vazhdim do ta kemi më të lehtë, sepse në njëfarë mënyre dolëm nga ai presioni i madh ku ndodheshim. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se një apo dy gabime të tjera, na kthejnë sërish atje ku ishim dhe pasojat do të jenë më të mëdha.”
Ndërkohë, kjo javë e fundit e fazës së dytë të kampionatit rezervon një sfidë aspak të lehtë për Vllazninë. Ajo do të udhëtojë drejt Ersekës, për t’u ndeshur me Gramozin vendas. Sfida konsiderohet shumë e vështirë edhe për Belishën. Problemi më i madh duket se do të jetë terreni. “Gramozi ka një ekip të mirë, që sidomos në fushën e tij lufton fort. Por kundërshtari më i madh për ne do të jenë kushtet atmosferike. E provuam të mërkurën e kaluar në Korçë. Ne shpresojmë dhe premtojmë se do të bëjmë më të mirën në këtë takim dhe nuk do të ishte habi të fitonim edhe në Ersekë,” ka thënë në fund mesfushori Amarildo Belisha.

Nallbani e Kraja, mungesat kundër Gramozit

Për ndeshjen e kësaj jave kundër Gramozit, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, nuk do të ketë në dispozicion dy titullarë të formacionit të tij. Bëhet fjalë për mbrojtësin Ervis Kraja dhe mesfushorin Ilir Nallbani. Të dy këta lojtarë janë ndëshkuar me kartonë të verdhë në ndeshjen e kaluar me Skënderbeun dhe, për rrjedhojë, kanë plotësuar numrin tre të tyre, të detyruar për të pushuar këtë javë.
Trajneri Martini sigurisht që nuk e ka pritur mirë një fakt të tillë, ngaqë e konsideron shumë delikate sfidën e kësaj jave, megjithatë ai tashmë ka filluar të mendojë për mënyrën e zëvendësimit të këtyre dy lojtarëve. Përveç kësaj, për t’u parë mbetet edhe fakti tjetër, nëse Vllaznia në këtë ndeshje do të luajë me një apo dy sulmues. Kjo ngaqë në dy takimet e fundit në transfertë, me Tiranën për kampionat dhe Skënderbeun për kupë, kuqeblutë kanë luajtur vetëm me një sulmues.

Magani: Me Kastriotin, finalja e fazës së dytë

Trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, e cilëson vendimtare ndeshjen e radhës me krutanët
Takimi përballë Kastriotit, i fundit për këtë fazë, është ndoshta më i vështiri që Flamurtari do të luajë gjatë kësaj faze në shtëpinë e vet. Eshtë ky konstatimi i trajnerit të Flamurtarit, Gugash Magani, sipas të cilit, duke parë faktin që të dy ekipet nuk janë në pozita të mira, e bën këtë takim mjaft të vështirë dhe pa dyshim Kastrioti zbret në Vlorë për të marrë diçka.
“E dimë që përballja me krutanët është e vështirë, ndaj vëmendja jonë maksimale është përqendruar pikërisht te kjo ndeshje. Gjatë kësaj jave seancat stërvitore janë zhvilluar dy herë brenda ditës dhe natyrisht ajo që kërkoj është që lojtarët të jenë gati edhe në aspektin fizik.
Flamurtari ka lënë pas një ndeshje me Laçin, që unë nuk dëshiroj ta komentoj si ngjarje, pasi nuk më takon, por po ndalem pikërisht te ndeshja. Unë, si trajner, marr përgjegjësitë e mia për humbjen, duke nisur ndoshta nga përzgjedhja e lojtarëve që kam hedhur në fushën e lojës, por natyrisht, edhe futbollistët duhet të tregohen më të përgjegjshëm gjatë lojës. Një humbje që pa dyshim nuk lë shije të mirë, pasi nuk e mendonim një rezultat të tillë, por e thashë, unë si trajner marr përgjegjësinë time të fajit në këtë ndeshje.
Megjithatë, e them edhe tani, por e kam diskutuar edhe me futbollistët, se ndeshja e radhës është më e vështira që Flamurtari do të luajë në këtë fazë të dytë në stadiumin e vet. Kastrioti është vetëm pak pikë larg nesh dhe natyrisht rrezikohet, kështu që në Vlorë ata nuk vijnë thjesht për turizëm, por me qëllim që të arrijnë objektivin ne tyre dhe për të mos dalë pa pikë. Ne do të kërkojmë të arrijmë rezultatin e duhur, pra fitoren, pasi jemi në një situatë ku nuk na lejohet asnjë hap fals. Kjo është ndeshja e fundit e fazës së dytë dhe duhet të marrim më të mirën, që më pas të mendojmë për fazën e tretë, e cila është edhe më e rëndësishmja për Flamurtarin.
Periudha deri në fund të kampionatit është shumë e rëndësishme për ekipin tonë, ku duhet të arrijmë shpëtimin dhe natyrisht çdo ndeshje kërkon përqendrimin tonë maksimal. Kemi shumë mundësi për të dalë nga kjo situatë dhe natyrisht edhe ndeshja me Kastriotin nuk përbën asnjë ndryshim. Do të kërkojmë më të mirën, pavarësisht vështirësive që paraqet kjo ndeshje,” ka theksuar trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, duke u ndalur më shumë te ndeshja me Kastriotin sesa ajo e lënë pas me Laçin, ku vlonjatët humbën.

Josa do 6 pikë në ndeshjet e “shtëpisë”

Kuqebardhët, nëse duan të shpresojnë për të qëndruar në superligë, duhet të mos falin në shtëpi
“Vetëm nëse arrijmë të marrim gjashtë pikë në dy ndeshjet e radhës, që kemi për të luajtur në shtëpi, ndaj Shkumbinit këtë të shtunë dhe më pas ndaj Teutës në ndeshjen e prapambetur, do të synojmë seriozisht që të arrijmë objektivin që kemi, për të shpëtuar skuadrën e Skënderbeut nga rënia prej superligës.”
Këto kanë qenë fjalët e para të ditës së djeshme të trajnerit të Skënderbeut, Mirel Josa, i cili ka filluar të mendojë vetëm për ndeshjen e radhës që të tijtë do të luajnë këtë fundjavë në shtëpi ndaj peqinasve. Skënderbeu, që vërtet ka ndryshuar në lojë, tashmë pritet të ndryshojë edhe në rezultate. Të gjithë futbollistët korçarë gjatë ditës së djeshme kanë shprehur keqardhje që dolën pa gjë nga “Loro Boriçi”.
Kapiteni Stavrion Lako deklaron: “Na vjen keq që nuk arritëm të merrnin qoftë edhe një barazim në Shkodër. E meritonim të paktën një pikë dhe këtë e treguam me lojë, por ajo që na mungoi ishte vetëm fati. Asnjëherë më parë nuk kemi arritur të luajmë kaq mirë në ndeshjet në transfertë, si kjo e javës që kaloi në Shkodër, por sidoqoftë, kjo humbje duhet harruar sa më parë. Unë kam bindjen se ky është vetëm fillimi, pasi qysh këtë javë që vjen, ne do t’u rikthehemi patjetër fitoreve, të cilat tashmë janë vetëm një detyrim për skuadrën kuqebardhë.
Nuk duhet ta kthejmë më kokën prapa, pasi duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës me peqinasit.” Për Josën dhe të tijtë, tashmë koha është e shkurtër, pasi kanë mbetur 13 javë deri në fundin e kësaj superlige dhe fitoret tashmë janë një domosdoshmëri. Këtë fundjavë në Korçë do të mbërrijë një skuadër jo fort e lehtë, por trajneri Josa ka bindjen se këtë herë Skënderbeu do të dijë të arrijë fitore, teksa në fund thotë: “Nuk ka diskutim që kemi filluar të përgatitemi qysh tani për fitore këtë të shtunë. Nuk kemi asnjë alternativë tjetër, veç tripikëshit, por këtë duhet ta tregojnë vetë djemtë në fushën e lojës. Në dy ndeshjet e radhës, me Shkumbinin dhe Teutën, dua vetëm fitore dhe nuk do të fal asnjë rezultat tjetër.”

Egjiptianët fillojnë stërvitjen me ekipin

Dy egjiptianët e Skënderbeut, që kanë më shumë se tri ditë që janë bashkuar me ekipin e tyre të ri, vetëm dje kanë arritur të bëjnë prezantimin e tyre të parë para skuadrës. Të dy lojtarët dje kanë zhvilluar seancën e parë stërvitore, ndërkohë që trajneri Josa akoma nuk ka arritur t’i shikojë këta lojtarë me topin.

Skënderbeu, 17 javë rresht pa fitore

Një rekord më vete ka arritur skuadra korçare në këtë superligë, pasi në 17 javë rresht nuk ka arritur të marrë asnjë fitore. Skënderbeu ka arritur të marrë vetëm humbje dhe disa barazime, ndërkohë që fitorja e fundit është arritur vetëm në javën e katërt ndaj Gramozit në shtëpi, kur shkatërronte kolonjarët 4 1.

Gramozi rëndon pozitat edhe më shumë

Kolonjarët janë mundur edhe herë të tjera, por humbja me Teutën e ka rënduar së tepërmi Gramozin, i cili tani e tutje duhet thënë që vetëm matematika e mban në lojë, pasi duke qenë një ekip me më pak përvojë se të tjerët, thuajse e ka të pamundur mbijetesën. Megjithatë, në Ersekë nuk i kanë ulur “armët”, edhe pse disfata e fundit duket sikur i hedh poshtë gjithë sakrificën dhe mundin, për të realizuar objektivin, qëndrimin në superligë.
Sipas disa futbollistëve kolonjarë, ndeshje si ajo e kësaj jave në Durrës, nuk do të ketë më. Por duket se sportdashësit kolonjarë tashmë janë mësuar me të tilla fraza dhe nuk kanë besim tek ekipi. Për këtë, i kërkojnë presidentit të ekipit që të marrë edhe masa ndëshkuese, pasi vetëm kështu mund të arrihet objektivi.
Gramozi, në tri ndeshjet e fundit nuk ka marrë asnjë pikë dhe kjo po e vështirëson së tepërmi situatën, kur kanë mbetur edhe 12 javë për t’u luajtur. Kështu, sportdashësit kolonjarë, tepër të indinjuar, presin që drejtuesit e klubit dhe presidenca kolonjare të ndërhyjë menjëherë që ekipi të dalë nga ky ngërç i madh ku është futur. Sot është planifikuar një takim me të gjithë lojtarët për t’i bërë një analizë tepër të gjerë këtij takimi zhgënjyes, që nuk do të kalohet lehtë nga presidenca kolonjare.

Muça: Dëshiroj “bis”-in e parë me Dinamon

Trajneri Shkëlqim Muça shprehet se blutë do të përqendrohen në Kupën e Shqipërisë
Trajneri Shkëlqim Muça ditën e djeshme ka qenë më në humor se kurrë. S’ka si të ndodhë ndryshe për një teknik që shikon skuadrën e tij në 21 javë kampionat të shkëputet plot 15 pikë nga ndjekësi më i afërt. Me sa duket, kryepankina e Dinamos kërkon të bëjë “bis” për herë të parë me skuadrën elitare. Dinamo në ndeshjen e djeshme ka pasur shumë ndryshime taktike, por trajneri Muça gjatë intervistës së tij ka “skanuar” skuadrën e tij në shumë drejtime.

Zgjedhjet taktike

“Siç luajnë futbollistët në fushën e blertë, luan edhe trajneri me zgjedhjet e tij. Trajneri, kur sheh ndonjë lojtar që është në vështirësi, e zëvendëson më pas. Në rastin konkret veprova kështu me Malotën. Si pasojë e terrenit ai kishte vështirësi, ndaj dhe aktivizuam në pjesën e dytë një lojtar më të shpejtë në këtë fashë, si Putinçanin. Skuadra u ekuilibrua më mirë në pjesën e dytë.”

Besa

“Zhvilluam një ndeshje për ta fituar dhe ia arritëm qëllimit, edhe pse terreni nuk ishte më ideali si për ne edhe për kundërshtarin. Gjithsesi, fituam një ndeshje të rëndësishme dhe treguam edhe një herë se jemi skuadra më e mirë e kampionatit. Me këtë fitore besoj si i vumë “vulën” titullit kampion, por edhe polemikave që kanë qenë të vazhdueshme ndaj nesh, pasi edhe kundërshtarët direktë i kemi mundur nga dy ndeshje secilin.
Nuk e kemi vendosur në asnjë moment në diskutim vendin e parë dhe them se deri tani jemi në një rrugë të drejtë. Por, pavarësisht sigurimit të titullit, skuadra jonë duhet të jetë ambincioze dhe duhet të përmirësohet akoma në lojën e saj. Sepse kjo lojë kërkon vazhdimësi. Kampionati mund të mbarojë këtu, por ne kërkojmë vazhdimësi dhe përmirësim të ekipit.”

“Nuk bëjmë dhurata”

“S’mund të them se skuadrat e vendit të fundit duhet të presin “dhurata” nga Dinamo. S’e besoj diçka të tillë, sepse nuk është në mentalitetin tonë diçka e tillë. S’kemi pse të vëmë në rrezik këtë distancë që kemi arritur deri tani. Ne do të bëjmë lojën tonë, duke respektuar kampionatin, sepse nëse respektojmë një kundërshtar, dëmtojmë automatikisht një tjetër.”

Argjentinasit

“S’mund të pohoj se pas “problemit” që Del Monte ka pasur me mua e ka përmirësuar lojën e tij. Ai ka zhvilluar një ndeshje pozitive jo vetëm sot, por edhe në Ersekë. Unë kam bërë vetëm punën time me të. I kam treguar atij të bëjë maksimumin në radhët e bluve, sepse ka ardhur këtu për të luajtur futboll. Unë s’kam nxjerrë nga stërvitja vetëm Del Monten, por ka ndodhur me futbollistë të tjerë. Unë jam person që i sqaroj gjërat dhe më pas s’mbaj inate me askënd.

Kupa e Shqipërisë

“Normalisht që duhet të vazhdojmë luftën në dy frontet. Si trajner edhe unë do të dëshiroja edhe Kupën e Shqipërisë, pasi s’kam bërë asnjëherë “bis” në karrierën time gjatë një edicioni futbollistik,”- e mbyll deklaratën e tij trajneri Shkëlqim Muça.

Trajneri Muça dhe anësori Doda

Gjatë një zëvendësimi të skuadrës së Besës, trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça, është nervozuar me asistentin e Lorenc Jeminit, Ergin Doda. Muça i revoltuar ka dalë nga pankina duke i kërkuar llogari asistentit: “Ej, aty bëhet zëvendësimi, në atë mënyrë,”- por Doda ka bërë indiferentin, duke mos reaguar fare ndaj teknikut blu. Muça sërish ka vazhduar të insistojë: “Shikoni, bën sikur s’e ka mendjen,”- ka vazhduar të shprehë mërzinë e tij trajneri blu.

Bakaj: S’kam asnjë inat me Shkëmbin

Gjatë dyluftimi ajror Bakaj-Shkëmbi, fantazisti verdhezi ka mbetur i gjakosur duke pasur një çarje të vogël në hundë. Për momentin Shkëmbi është inatosur me ish-shokun e skuadrës, edhe pse më parë mes tyre ka pasur “fair-play”. Gjithsesi, gjërat kanë kaluar pa incidente dhe palët janë sqaruar shumë shpejt. Vetë lojtari blu pas ndeshjes është prononcuar për “Sportin shqiptar” lidhur me këtë moment të nxehtë të takimit: “Nuk kam asnjë inat personal me Shkëmbin.
Madje unë e respektoj atë si ish-shok të skuadrës te Partizani. Ishte një dyluftim ajror dhe s’kam dashur ta dëmtoj Shkëmbin. U çudita kur e pashë të gjakosur në fytyrë. Menjëherë i kam kërkuar falje, duke u sqaruar pas ndeshjes më të, edhe pse ishte disi i nervozuar në momentin e parë. Nuk kisha asnjë arsye të bëja një ndërhyrje të rëndë, për më tepër ndaj Shkëmbit, me të cilin kam lozur te Partizani. Dje ka qenë një nga ndeshjet më të qeta që kam luajtur në jetën time,”- përfundon Elis Bakaj.

Duro: Kampionati u mbyll, urime bluve!

Trajneri Shpëtim Duro është krenar për Besën e tij, edhe pas humbjes së djeshme apo “lamtumirës” së titullit kampion. Sipas kryepankinës verdhezi, mungesat në stolin e skuadrës kanë ndikuar negativisht, por në fund trajneri tiranas “dorëzohet”, duke uruar skuadrën blu për titullin kampion. “Sinqerisht që duke pasur parasysh shumë faktorë, jam i kënaqur nga skuadra. Këtë muaj kemi zhvilluar shumë ndeshje në terrene të rënduara dhe për më tepër janë 4 futbollistë që na mungonin. Por edhe pushimi i Dinamos 10 ditë ka ndikuar keq për ne.
Gjithsesi, kundërshtari s’kishte shumë diferenca, edhe pse është tepër i konsoliduar. Ishte një episod që zgjidhi ndeshjen ai i Sozës. Normalisht, kampionati sot (dje) ka mbaruar, është një shkëputje shumë e madhe. Ndoshta edhe po të fitonim ne, ishte sërish tepër e vështirë, këtë e them me sinqeritet. Por Besa edhe ndaj Dinamos tregoi shumë vlera, edhe pse kemi shumë faktorë kundër nesh. Blutë kishin në stolin e rezervave lojtarë si Diop, Sefa dhe Xhafa. Jam i bindur që në këtë sfidë, kush shënonte i pari, do të fitonte takimin. Fati i buzëqeshi Dinamos,”- përfundon trajneri i Besës, Shpëtim Duro.

Hodo: Hoqëm jo pak presion mbi vete

Pas fitores me Gramozit, durrsakët i janë kthyer sërish luftës për kapur vendin e tretë
“Golin ia dedikoj Mersinit, pasi fatkeqësisht, ai nuk luan më këtë sezon.” Kështu shprehet autori i golit të parë të durrsakëve kundër Gramozit, Bledar Hodo. Sipas mesfushorit që luan tashmë në sulm tek ekipi durrsak, Teuta e dominoi takimin dhe tashmë është në garë për vendet e larta të tabelës, pasi një fitore të ngjit disa vende sipër. “Ka qenë një ndeshje që ne e dominuam nga fillimi në fund dhe kundërshtari nuk na vuri thuajse fare në vështirësi. Më vjen mirë që u ktheva edhe një herë te goli, pasi tashmë unë po luaj në sulm, për shkak të mungesës së Hysës, që është i dëmtuar.
Sa kohë të luaj në sulm, kam dëshirë të shënoj sërish, madje që në ndeshjen e ardhshme, që do të jetë mjaft e vështirë. Këtë gol ia dedikoj me kënaqësi Mersinit, madje edhe Dushku e ka bërë këtë dedikim, pasi shoku ynë i ekipit nuk mund të luajë më këtë sezon. Kjo ishte një fatkeqësi që mund të na ndodhte edhe ne, ndaj e kuptojmë sa e rëndë është. I uroj Mersinit të kthehet sa më shpejt në fushën e lojës.
Gjithçka na shkoi mirë dhe e zgjidhëm ndeshjen që në pjesën e parë, ndërkohë që në pjesën e dytë i ruajtëm energjitë, pasi kemi një intensitet ndeshjesh në vazhdim dhe gjithçka e kishim nën kontroll,” - thekson Hodo, i cili shprehet se të gjithë lojtarët e ndjenin një lloj trysnie, sepse në situatën ku ndodhej Teutës, i duheshin patjetër pikët dhe kjo ndeshje duhej fituar me çdo kusht.
“Nga vetë klasifikimi i ngjeshur edhe barazimi do të ishte humbje, pasi do ta kishte komplikuar shumë situatën, ndaj gjithë javës ne kemi pasur një lloj trysnie të brendshme, që shpërtheu në fushë, pasi na duhej fitorja me çdo kusht jo vetëm pse luanim në fushën tonë, por sepse na duheshin tri pikët, pasi rrezikonim shumë.
E them me bindje, se cilido ekip të ishte përballë nesh të dielën, do të humbiste, pasi në treguam në fushë shpirt dhe grintë e nuk bëmë gabime gjatë gjithë ndeshjes. Tashmë duhet të sulmojmë direkt vendin e tretë, por natyrisht që na pret një përballje jashtëzakonisht e vështirë në Kavajë, në atë që historikisht është quajtur një derbi midis nesh dhe Besës.
Nga ne kërkohet rezultat pozitiv në këtë ndeshje dhe nuk lejohen gabime. Unë jam i bindur që ekipi ynë i ka të gjitha mundësitë të marrë një rezultat pozitiv e pse jo fitore, por duhet të japim maksimumin tonë për këtë dhe të jemi të kujdesshëm që të mos pësojmë. Nuk ka rrugë tjetër për t’u ngjitur më lart në tabelë, përveçse të marrim tri pikë në Kavajë,” - përfundon Bledar Hodo.

Daiu falënderon peqinasit për karakterin

Nuk përbëjnë më surprizë fitoret e Shkumbinit ndaj Tiranës, teksa vite më parë një barazim me ta konsiderohej sukses i madh. Përballja e fundit dëshmoi edhe një herë se Shkumbini në fushën e vet nuk fal askënd, madje as edhe kampionët e Tiranës.
Merita për fitoren ishte e të gjithë futbollistëve, që nga portieri Bejte deri tek futbollistët e stolit, Çaushaj, Xhafa e Grboviç, që u aktivizuan në pjesën e dytë, pa harruar 23-vjeçarin Isidor Sekseni, mesfushor i palodhur, që bëri “mrekullinë” me atë gol në pjesën e dytë, që rezultoi përcaktues në përfundim të takimit.
Por kjo fitore është edhe meritë e trajnerit Përparim Daiu, që ka ditur ta vendosë mirë në fushë skuadrën dhe mbi të gjitha ta motivojë atë në këtë sukses të katërt të skuadrës bardhekaltër në Peqin, pa përmendur barazimet jashtë fushës me Gramozin në Ersekë dhe Flamurtarin në Vlorë. Kavajasi i pankinës peqinase është mjaft i kënaqur për fitoren e fundit ndaj Tiranës dhe përgëzon të besuarit e tij, teksa shprehet: “Arritëm objektivin.
Ekipi tregoi forcë karakteri në atë terren tepër të rënduar. Ishte një fitore me vlerë dhe e merituar plotësisht, pasi në të gjitha aspektet Shkumbini ishte më superior se Tirana, ndonëse në pjesën e dytë kemi luajtur me një lojtar më pak. Merita është e të gjithë futbollistëve që u aktivizuan. Të mos harrojmë se përballë patëm ekipin e Tiranës dhe terrenin e rënduar, por ditëm të fitojmë

Meto: Barazimi rriti moralin tek Apolonia

Mesfushori fierak Agim Meto pohon se ky barazim i ka motivuar më shumë për ndeshjen e radhës
Sigurisht që pika e marrë në ndeshjen me Kastriotin ka ardhur në kohën e duhur për skuadrën fierake, pasi ka qenë mjaft e kërkuar nga bardhëjeshilët. Ka ardhur pas disa ndeshjeve të dobëta që kishte zhvilluar Apolonia, si në fushën e vet, ashtu edhe në transfertë. Ndërsa mbetet ende për t’u analizuar dhe gjykuar se cili ka qenë niveli i lojës që fierakët kanë zhvilluar në këtë transfertë. Edhe në këtë sens, ka pasur përparime krahasuar me tri ndeshjet e fundit përpara Kastriotit.
Skuadra fierake është treguar më e interesuar për lojën dhe rezultatin në këtë takim, ka kërkuar që të tregohet ndryshe dhe t’i japë të tjera impulse interpretimit të vet në fushë. Nuk mund të pretendohet se ka qenë një ndeshje ku mund të shprehesh se Apolonia ka zhvilluar një lojë të mirë, por gjithsesi, ka qenë një takim pozitiv. Një nga lojtarët më me rendiment të skuadrës fierake dhe që jemi mësuar ta shohim thuajse përherë në të tillë formë, është mesfushori 24 vjeçar Agim Meto.
Edhe në ndeshjen me Kastriotin, Meto ka qenë një nga pikat e referencës së mesfushës së tij, duke u shndërruar në një nga koordinatorët e harmonizimit të lojës mes reparteve. I ndodhur dhe përballë mungesës së mesfushorit boshnjak Kenan Ragipoviç, Meto ka marrë përsipër më tepër barrë në këtë takim, por mesfushori ka përvojën e duhur dhe di se si të përballojë gjithçka me qetësi dhe siguri në fushë.
“Ishim në një moment delikat dhe ne na nevojiteshin pikë. Do të ishte një situatë shumë e nderë nëse ne do të dilnim të humbur nga transferta e Krujës. Skuadra ka luajtur nën trysninë e marrjes së një rezultati që do të na çonte drejt pikëve dhe ka përballuar me sukses presionin e ushtruar nga krutanët.
Pas disa rezultateve negative, pika e marrë nga ana jonë ka qenë rezultat pozitiv, pasi do të shërbejë si shtysë dhe si motivim i mëtejshëm. Nuk e kemi pasur të lehtë, pasi kishim përballë një kundërshtar që kishte arritur disa rezultate pozitive dhe luante me egon që karakterizon skuadrat vendëse. Loja ka qenë me rrjedha të ndryshme, gjatë të cilave ne kemi pasur mundësi që të shënonim gola të tjerë dhe ta fitonim këtë takim, por kemi kaluar dhe shumë momente decizive, ku krutanët na kanë vënë në vështirësi, duke kërkuar gola të tjerë dhe kjo ka qenë e natyrshme.
Pra, dua të them se kanë qenë të trija rezultatet të mundshme, por barazimi ka qenë i drejtë dhe mendoj se ne e kemi merituar, pasi kemi qenë skuadër që e ka përballuar me sukses Kastriotin. Për sa i përket nivelit të lojës sonë, unë mund të them se ka ajo ka ndryshuar pozitivisht krahasuar me ndeshjet e fundit, por nuk mund të them se është e nivelit të duhur.
Në këtë ndeshje kemi treguar më shumë shpirt gare, më tepër grintë dhe jemi shpërblyer me pikën e marrë. Por përpara kemi një ndeshje të vështirë me Dinamon. Ne i vlerësojmë në maksimum dhe do të përgatitemi që të japim më të mirën tonë në këtë takim, që do të jetë gjithsesi i vështirë,” është shprehur midis të tjerash mesfushori i Apolonisë së Fierit, Agim Meto.

Paraqitet Alimehmeti: Vendi i dytë, i Elbasanit!

Trajneri kryeqytetas, Krenar Alimehmeti, ka nisur dje punën me skuadrën verdheblu
Eshtë zyrtarizuar dje ardhja e trajnerit Krenar Alimehmeti në krye të Elbasanit. Drejtuesit më të lartë të klubit verdheblu, në orën 14:00, e kanë prezantuar trajnerin e ri në ambientet e stadiumit “Ruzhdi Bizhuta”. Duke zëvendësuar Muharrem Dostin në stolin verdheblu, Alimehmeti ka për detyrë ta ngjisë Elbasanin në superligë.
Rezultatet jo fort të kënaqshme u bënë shkak për shkarkimin e Dostit dhe si alternativa më e mirë u pa Alimehmeti, i cili e ka drejtuar këtë skuadër edhe para dy sezonesh. Zërat për një largim të mundshëm të Dostit qarkullonin prej disa ditësh në ambientet futbolldashëse në Elbasan, ndërkohë që ndeshja me Turbinën pritej të ishte vendimtare.
Edhe pse kjo ndeshje nuk u luajt, drejtuesit verdheblu e kanë bërë ndryshimin në stol, duke vendosur të dielën në mbrëmje për shkarkimin e Dostit dhe ardhjen e Krenar Alimehmetit. Ky i fundit është zgjedhur mes emrave të Nevil Dedes dhe Kristaq Miles.
Pas prezantimit me skuadrën e re, trajneri kryeqytetas u shpreh se kërkon bashkëpunimin e të gjithëve në klubin elbasanas, në mënyrë që të arrihet superliga: “Për mua është kënaqësi që ndodhem përsëri në Elbasan për të dhënë ndihmën time në këtë klub me shumë traditë.
Eshtë një sfidë e rëndësishme për mua, pasi përgjegjësitë janë të mëdha. Do të përpiqemi ta vazhdojmë punën e mirë të bërë nga stafi i mëparshëm, me qëllim të ta çojmë më lart Elbasanin. Duke gjykuar me qetësi, them se për vendin e parë është e vështirë, pasi Bylisi është larg për momentin. Ne do të përqendrohemi te vendi i dytë, që besoj se në fund të sezonit do të jetë yni. Elbasani do të kthehet në superligë direkt,” - ka deklaruar trajneri i ri i verdhebluve, Krenar Alimehmeti.
Ndërkohë, ish-trajneri Dosti nuk ka dashur ta komentojë largimin, edhe pse e ka pritur me habi. Ai nuk është shfaqur shumë i shqetësuar dhe është shprehur se këto janë gjëra që ndodhin në futboll. Elbasani ka zhvilluar dje seancën e parë stërvitore, nën drejtimin e trajnerit kryeqytetas, Krenar Alimehmeti.

Osmani zëvendës, Dosti menaxher i klubit

Me ardhjen e trajnerit Krenar Alimehmeti, në klubin verdheblu janë bërë edhe disa ndryshime të tjera. Nga stafi teknik është larguar edhe zv/trajneri Vigan Guranjaku dhe në vend të tij është emëruar ish-futbollisti i njohur elbasanas, OItion Osmani, i angazhuar kohët e fundit me të rinjtë. Mbetet në këtë staf përgatitësi atletik, Blendi Hoxholli, kurse ish-trajneri Muharrem Dosti është rikthyer në pozicionin e menaxherit të skuadrës. Ky vendim është marrë pas një takimi mes Dostit dhe kryebashkiakut Sejdini.

Lushnja e ka me fushën: Ishte jashtë çdo standardi

Ndeshja me Adën, e treta e fazës së dytë, ka rezultuar e pasuksesshme për lushnjarët, që kanë pësuar një tjetër humbje në 2010-ën, pas asaj me Luftëtarin. Ekipi i Artan Banos nuk ka arritur të bëjë atë që di të bëjë dhe forma e futbollistëve është mjaft larg asaj të fazës së parë, kur ata nuk njihnin kundërshtar dhe korrnin vetëm fitore.
Në fakt, fusha e Velipojës nuk ishte aspak e përshtatshme për një ndeshje normale futbolli, aq më tepër për kategorinë e parë, por treshja e gjyqtarëve as që e mori parasysh këtë fakt. Balta dhe uji i mbledhur në fushë, e bënë të pamundur lojën, aq sa ajo ngjante më tepër me vaterpol sesa me futboll. Por ndeshja u luajt, pavarësisht kontestimeve të stafit teknik të Lushnjes. Verdhëjeshilët ishin parapërgatitur për t’i përballuar sulmet e vendësve, por në një të tillë, Cani e ka dërguar në rrjetë topin, që kishte mbetur ndaluar në një pellg me ujë përballë portierit Spaho.
Kjo ka ndodhur në minutën e 5-të dhe më pas gjithçka që ka ndodhur nuk vinte era futboll. Po ashtu, lushnjarët pretendojnë se gjyqtari Rama ka favorizuar Adën, kur i ka dhënë një 11-metërsh të paqenë në minutën e 68-të, pas një ndërhyrjeje të Spahos, i cili ka marrë karton të verdhë dhe nuk do të luajë ndeshjen tjetër. Por balta e ka penguar Shytanin ta dërgojë topin në kuadratin e Spahos. Trajneri Bano tha në fund të ndeshje se në atë fushë nuk mund të luhej, por atëherë asgjë nuk mund të zhbëhej.
Ndeshja është fituar nga Ada, që tashmë është vetëm një pikë larg lushnjarëve. Pavarësisht pjesës së luajtur të futbollit, ku skuadrat janë të barabarta në çdo fushë, ajo e Velipojës nuk ofronte asgjë për futbollin shqiptar. Nuk u pa asnjëherë gjatë gjithë lojës një pasim normal apo një mur, elementet më të thjeshte të një ndeshjeje futbolli.

Pjetri: Me Lushnjën kemi dominuar totalisht

Ishte paralajmëruar Lushnja se do ta kishte të vështirë në Velipojë, por ndoshta lojtarët e saj e kishin marrë me të qeshur këtë fakt. Ada ka fituar dhe në atë 90-minutësh ka treguar se është vërtet surpriza e këtij sezoni. Kjo skuadër ka shënuar një gol që në minutat e para dhe më pas ka goditur dy herë shtyllat, i është anuluar edhe një gol tjetër, ka humbur një 11 metërsh dhe mjaft raste të pastra shënimi.
Ky është bilanci i kësaj ndeshjeje, i gjithi për Adën. Humbjen duket se e ka pranuar edhe trajneri Bano pas ndeshjes, megjithëse është justifikuar me mungesat e shumta në formacion dhe me terrenin e fushës së Velipojës. Sa për këtë të fundit, nuk është justifikim, sepse edhe në superligë po luhet në kushte të tilla, për të mos thënë më të këqija.
Presidenti i Adës, Alfred Pjetri, sigurisht që është shfaqur shumë entuziast pas fitores me Lushnjën. “Nuk ka asnjë dyshim se fitorja jonë ka qenë e merituar. Gjyqtari na ka anuluar një gol, që mendoj se ishte mëse i rregullt. Duke pasur lojën që kemi zhvilluar, dominimi ynë ishte absolut ndaj kundërshtarit,” - ka thënë Pjetri. Goli i Canit ka bërë që Ada t’i afrohet në një pikë Lushnjës, duke kthyer pretendimet për vendin e dytë.
Ada tashmë kërkon të matet me rivalë të denjë si Bylisi, Lushnja, Elbasani, Kamza, Partizani etj., dhe jo të bjerë në nivelin e dhunës dhe presionit. Pikërisht për këtë, në kampin velipojak kanë filluar përgatitjet për ndeshjen e radhës, që është ajo me Partizanin e njohur. Kundërshtari është krejt ndryshe nga faza e parë dhe pretendent serioz.
Po ashtu, Partizani do të kërkojë ta mundë Adën edhe për të larë turpin e fazës së parë, kur e mund thellësisht, 5 0. Presidenti Pjetri, duke folur për këtë ndeshje, thekson: “Kemi objektivat tona, por sigurisht që do ta kemi shumë të vështirë ndaj Partizanit, që është forcuar shumë kohët e fundit. Nëse marrim një pikë, do të jetë një fitore e madhe për ne, prandaj në Tiranë do t’i kushtojmë më tepër rëndësi mbrojtjes.”

Çekiçi: Pogradeci, në formë të shkëlqyer

Trajneri pogradecar flet me respekt për të tijtë dhe komenton atë që ndodhi në Kamzë
Barazimi i arritur në transfertë me Kamzën e rendit Pogradecin në vendin e 5-të, shumë afër rivalëve të tij, kështu që janë të gjitha mundësitë për më lart. Janë dy fitoret me Turbinën dhe Luftëtarin, si dhe barazimi në Kamzë, që e bëjnë stafin pogradecar mjaft optimist për më tej. Trajneri Ylli Çekiçi vlerëson gjendjen e mirë të tijve, kur thotë: “Mendoj se jemi në gjendje të shkëlqyer në këto javë të para të fazës së dytë. Rezultatet flasin qartë, pasi në 3 ndeshje kemi marrë 7 pikë.
Mund të them se me Kamzën edhe mund të fitonim, por edhe barazimi nuk është i keq. Vlerësoj mjaft repartin e mbrojtjes, ku luajnë futbollistë me përvojë, që nga portieri Bytyçi, për të vazhduar me Drazhaninin apo Çerepin. Sulmi, me Galicën, ka arritur të jetë shqetësues për ekipet kundërshtare. E kam të vështirë ta ndërtoj formacionin, pasi shumica e lojtarëve janë në parametra të shkëlqyer. Grupi punon mirë në stërvitje, i vlerëson drejt ndeshjet dhe arrin rezultate. Pogradeci ka kolektivitet dhe mbi të gjitha një disiplinë të hekurt. Flas me respekt, sepse të gjithë ndihen pjesë e formacionit.”
Trajneri pogradecar komenton shkurt edhe ndodhinë e shëmtuar pas ndeshjes në Kamzë: “Me Kamzën bëmë lojë të fortë. Pati dhe momente tensioni, për arsye të dëshirës së vendësve për fitore. Ne arritëm ta baraspeshonim lojën, madje edhe mund të fitonim. Kur gjithçka kishte përfunduar, u gjendëm para veprimeve të dhunshme të kundërshtarëve tanë. Ata na goditën, na fyen, na dhunuan, ndërsa policia qëndronte indiferente.
Mjerisht, skena të tilla të turpshme po përcillen vazhdimisht në ndeshjet e futbollit, duke e prishur imazhin e tij. Duhet ndaluar ky fenomen sa nuk është vonë. Përgjegjësia duhet të bjerë diku dhe duhen marrë masat që ngjarje të tilla të mos përsëriten,” - theksoi në fund trajneri Çekiçi.
Java e 19-të parashikon një tjetër sfidë të vështirë për liqenorët, atë me Elbasanin në “Ruzhdi Bizhuta”.

Presidenti Qarri: Pogradecarët na provokuan

Barazimi midis Kamzës dhe Pogradecit solli edhe nje incident në fundin e ndeshjes, por, pas deklaratave të drejtuesve pogradecarë, vjen edhe reagimi i “njëshit” të kamzalinjve, presidentit Naim Qarri. Sipas tij, ekipi pogradecar po kërkon që të hyjë me forcë në superligë.
“Unë jam nga ata njerëz, që nuk pajtohem me dhunën në fushat e blerta, madje edhe lojtarët e ekipi tim i gjobis për kartonët e kuq pa shkak. Ne duam të bëhemi një ekip shembull në kategorinë e parë. Natyrisht që incidentet e ndodhura pas ndeshjes me Pogradecin nuk janë në të mirë të futbollit, por jam mjaft i indinjuar nga ato që kam lexuar të ketë thënë kolegu im, Shkëmbi.
Dua të theksoj se unë nuk financoj në sport as për hall dhe as për interesa politike, por e bëj për pasion. Dhe kam jo pak, por 4 vite që harxhoj miliona për këtë ekip. Pogradecarët na kanë provokuar në Kamzë të dielën. Këtëe kanë bërë edhe fazën e parë, në fushën e tyre, gjë që nuk kam dashur ta publikoj në mediat sportive, edhe pse i kam edhe sot pamjet filmike, që vërtetojnë rrahjen e njërit prej lojtarëve tanë.
Atje ishin të pranishëm edhe tifozë të Kamzës, të cilëve nuk u ka ardhur aspak mirë, që brazilianin Toni e kanë goditur pogradecarët në mes të fushës, në sy të stafit drejtues dhe lojtarëve të dyja palëve. Edhe Patushi është provokuar gjatë ndeshjes të së dielës. Nëse Pogradeci kërkon të hyjë në superligë me zor, mua nuk më duket e udhës,” - është shprehur presidenti i Kamzës, Naim Qarri.

Kapiteni Metaj i qëndron besnik Turbinës

Kapiteni i Turbinës, Mateo Metaj, i ka thënë “jo” një oferte nga Rumania, të cilën mund ta rishohë pas përfundimit të kampionatit. Sulmuesi bën të ditur se është i përqendruar te skuadra cërrikase: “Nuk largohem nga Cërriku deri në fund të këtij edicioni, gjë që ia kam bërë të ditur edhe menaxherit të skuadrës rumune. Turbina po kalon një periudhë të vështirë, ndaj ky nuk është një moment i përshtatshëm.
E gjithë vëmendja e grupit është e përqendruar te ndeshjet e radhës, tek ajo me Burrelin në transfertë dhe tek e prapambetura me Elbasanin. Turbina është futur në zonën e ftohtë, ndaj preokupimi ynë është në shkallën maksimale,” - është shprehur Metaj për “Sportin shqiptar”. Ndërkaq, seancat stërvitore kanë rinisur ditën e hënë dhe puna është fokusuar te transferta e vështirë e Burrelit. Nga ana tjetër, për ndeshjen e shtyrë pritet sinjalizimi i FSHF-së.

Maho: Sopoti, kthesa e një “maloreje” të gjatë

Sulmuesi Rezart Maho rezultoi përcaktues për Partizanin me dy golat që shënoi në Librazhd
Shenjat e suksesit në transfertën e Librazhdit të kuqtë e trajnerit Skerdi Bejzade i dhanë që në ndeshjen e kontrollit të zhvilluar më mesjavë.
Disa ditë më vonë, skuadra përsëriti të njëjtën gjë si në testin brenda familjes, pasi reparti sulmues, me në krye Rezart Mahon, e bëri më së miri punën e tij. Pas dy golave që shënoi në ndeshjen e kontrollit, me humor, shokët e skudrës i kërkuan Mahos që të mos shënojë më, por të ruajë edhe për në Librazhd. Sulmuesi u premtoi shokëve të skuadrës, por edhe tifozëve, se kishte ruajtur gola edhe për Sopotin.
Përfundimi i transfertës së Librazhdit i dha të drejtë 26-vjeçarit, pasi Partizani fitoi 2-0 dhe autor i tyre ishte Rezart Maho. Ish-dinamoviti ndihet i gëzuar për momentin dhe shpreson që ky ritëm të mos ndalet edhe në javët në vijim. “Java që lashë pas ka qenë e mrekullueshme, pasi kam pasur shumë arsye për të qenë i lumtur. Në fillimjavë festova 26-vjetorin, më pas i vjen radha paraqitjes në ndeshjen e kontrollit, ku shënova dy herë, por “qershia mbi tortë” erdhi në Librazhd, sepse dygolëshi im rezultoi i suksesshëm për Partizanin. Më mirë se kaq nuk kishte ku të vente si në aspektin personal, por edhe të kolektivit ku bëj pjesë.
Pas golave që shënova në ndeshjen e kontrollit, kisha një parandjenjë se të njëjtën gjë do ta bëja edhe ndaj Sopotit, prandaj premtova se kisha ruajtur gola edhe për fundjavë. Pra, premtimin e bëra realitet, por m’u realizua edhe dëshira, pasi doja të shënoja gola me vlerë tripikëshi për Partizanin. Normalisht na duhej një rezultat i tillë, pasi me këtë fitore ekipi gjen më shumë shpresa për të pretenduar deri në fund. Skuadra ka punuar fort gjatë tregut dimëror, kështu që fitorja me Sopotin nuk është rastësi, por besoj se është vetëm fillimi i një “maloreje” të gjatë, i asaj rruge që kemi projektuar deri në fund të sezonit.
Pozicioni që mbajmë në tabelë nuk na lejon hapa falsë dhe në takimet e mbetuar duhet të japim e të marrim maksimumin. Këtë javë na pret një tjetër sfidë e vështirë, pasi në kryeqytet presim një rival si Ada, që ndodhet në vendin e katërt. Detyrat tona për këtë takim dihen, kështu që na mbetet vetëm zgjidhja e tyre në fushën e lojës,”- u shpreh për “Sportin shqiptar” autori i fitores së Librazhdit për të kuqtë, Rezart Maho. Në Librazhd mendohet se nisi rilindja e sulmit të Partizanit me protagonist Mahon.

Karapici i bashkohet grupit, Buna i veçuar

Fitorja me Sopotin është arkivuar nga të kuqtë dhe, duke filluar nga dje, ka nisur puna përgatitore për takimin radhës, ku të shtunën do të presin në “Selman Stërmasi”, Adën e Velipojës. Ndryshe nga java që kaloi, atmosfera është pozitive, pasi skuadra vjen nga një fitore jashtë fushe, por shtohen edhe alternativat për trajnerin Bejzade. Në Librazhd munguan Karapici dhe Buna për shkaqe dëmtimesh, si dhe Ardjan Beqiri që ishte i pezulluar.
E hëna ka nisur mbarë për Partizanin, pasi Karapici është bashkuar me grupin dhe dëmtimi konsiderohet i kaluar. Premtues është edhe gjendja e Bunës, i cili dje është përgatitur në terren, por i diferencuar nga grupi. Dje të kuqtë kanë kryer dy seanca stërvitore, ku paradite është kryer një përgatitje atletike nga Kodrat e Liqenit, ndërsa pasdite është punuar kryesisht me topin. Edhe për sot janë programuar dy seanca stërvitore.