08 shkurt 2010

Lajme nga Kategoria Superiore ne Grande Juve

Shpërthen Nallbani: Kjo Tiranë nuk ka sedër

Sipas portierit Blendi Nallbani, disa lojtarë nuk e meritojnë fanellën që kanë veshur
Një ditë pas humbjes me Vllazninë, përveç tifozerisë që e ka vuajtur mjaft këtë disfatë, ai që nuk e ka përtypur dot këtë rezultat ka qenë “veterani” i 24 herë kampionëve, portieri Blendi Nallbani. “Tata”, dje nuk është parë në humor të mirë. Situata që po kalon skuadra e tij, por edhe rezultati me kuqeblutë kanë sjellë edhe “shpërthimin” e Nallbanit që këtë sezon është duke treguar një formë mjaft të mirë. Madje ai akuzon disa prej lojtarëve që aktualisht janë pjesë e formaciont të bardhebluve, që nuk impenjohen sa duhet në ndeshje.
Dje, gjatë një prononcimi për “Sportin shqiptar”, Nallbani tha: “Më vjen mjaft keq që e them, pasi jam vetë pjesë e këtij ekipi, por këtu ka lojtarë që luajnë pa sedër, edhe pse harrojnë se mbajnë veshur fanellën e ekipit që ka më shumë tituj në vend. Kjo nuk u falet, madje e them me bindje të plotë se kështu siç impenjohen disa prej tyre, as lojtarët e lagjeve nuk luajnë.
Fanella bardheblu është trashëguar nga breza të nderuar, që e kanë mbajtur lart me nder dhe dinjitet emrin e kësaj skuadre, duke derdhur djersë dhe gjak, ndërsa sot ndodh e kundërta. Nuk shprehem kështu vetëm për humbjen me Vllazninë. Shkodranët kanë traditë në futboll, por këta lojtarë duhet të kenë më tepër përgjegjësi kur futen në fushën e lojës. Kësaj Tirane i kanë humbur edhe lojërat e bukura që i ka pasur traditë.
Edhe golin e Vllaznisë një i ri e shënoi, por ama e pamë të gjithë se si lëvizte gjatë gjithë lojës. Ai tregoi cilësi shumë të mira dhe lëvizshmëri sikur të kishte eksperiencë të madhe dhe pa diskutim, po të vazhdojë kështu, do të jetë një lojtar që do të eci shumë,”- pohoi “gardiani” i bardhebluve, Blendi Nallbani.
Para pak kohësh ishte Nallbani që bëri apel për gjendjen jo të mirë të ekipit të tij, ndërkohë sot “Tata” thotë se duhet bërë kthesa sa më shpejt, ndryshe gjendja ka për t’u rënduar akoma më tepër në të ardhmen: “E kam shprehur para pak muajsh se Tirana po kthehej në “han” dhe sot po vërtetohet më së miri kjo gjë. Ndaj edhe një herë, si një nga lojtarët më të vjetër të këtij ekipi, u bëj thirrje që të impenjohen më tepër lojtarët, sidomos ata më të rinjtë, ndryshe do të jetë më mirë që të mos vijnë më këtu, por të bëjnë vrap nga Liqeni, sepse Tirana nuk ka nevojë për futbollistë që ecin në fushën e lojës.
Disa prej futbollistëve aktualë nuk e meritojnë fanellën që mbajnë veshur, edhe pse këtu janë trajtuar mjaft mirë dhe nuk u mungon asgjë, duke pasur përkrahjen e stafit teknik dhe kushte mjaft të mira stërvitore,”- përfundoi deklaratën e tij portieri i Tiranës, Blendi Nallbani.

Drejtuesit “shigjetojnë” gjykimin

Jo vetëm në takimet e tjera, por edhe në atë me Vllazninë të zhvilluar të shtunën, drejtuesit e skuadrës së Tiranës kanë “shigjetuar” gjykimin. Sipas tyre, Leci duhej ndëshkuar me të kuqe për një ndërhyrje nga prapa mjaft të rëndë ndaj Muzakës, krejt pa shkak. Lojë mjaft të rëndë ka zhvilluar edhe kosovari Nallbani i shkodranëve.
Jo vetëm kaq, por edhe goli i Muzakës ishte i rregullt dhe nuk duhej anuluar. Në rast se do të barazonte Tirana, loja do të ishte hapur dhe do të kishte tjetër rrjedhë. Gjykimi, sidomos këtë sezon, është bërë disa herë pengesë në rezultatet e bardhebluve, jo vetëm në ndeshjet që zhvillohen në kryeqytet, por edhe në transferta, ku gjyqtarët me vendimet e tyre e kanë dëmtuar Tiranën.

Shkurt

- Dje paradite, bardheblutë nisën përgatitjet për ndeshjen e parë të çerekfinaleve të kupës, që do të luhet të mërkurën në Kavajës me Besën.
- Para nisjes së seancës stërvitore, Tafaj ka zhvilluar një analizë me të gjithë lojtarët pas humbjes me shkodranët.
- Nevil Dede nuk ka qenë i pranishëm në seancën e djeshme stërvitore, që është drejtuar nga Tafaj dhe A.Nallbani.
- Mungesat e vetme kanë qenë ato të Mukës, Ahmatajt dhe Plakut, ndërkohë që Devolli i është bashkuar skuadrës.
- Me Besën skuadra do të jetë e plotë, pasi rikthehen, Devolli, Lila dhe Pashaj që munguan ndaj Vllaznisë.
- Nallbani, Bici, Sina, Abilaliaj dhe Dabulla dje kanë bërë stërvitje individuale.

Çështja e trajnerit pret zgjidhje

Duket se ajo që mbetet për t’u zgjedhur nga drejtuesit e klubit është çështja e trajnerit, pasi Alban Tafaj nuk u fal nga Komisioni i Apelit dhe nuk dihet se kush do e drejtojë ekipin e Tiranës në javët ardhshme. Edhe pse Nevil Dede ka qenë në stol në dy takime, me Teutën dhe Vllazninë, ai nuk ka marrë pjesë në seancën e djeshme stërvitore në “Skënder Halili”. Asnjë nga kampi nuk jep shpjegime për mungesën e Dedes. Mbetet pët t’u parë kësaj radhe ka ndonjë arsye personale mungesa e tij apo sërish qejfmbetje?!

Vila: Besës do t’ia tregojmë vendin

Sipas Emiliano Vilës, Dinamo do të fitojë për të lënë në vend të dytë kavajasit e drejtuar nga Duro
Dinamovitët vazhdojnë përgatitjet përpara një jave tepër të ngjeshur kalendarike. Më datën 10 shkurt blutë do të përballen në Peqin në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë me Shkumbinin vendës. Ndërkohë që 3 ditë më pas do të jetë edhe përballja e kampionatit, pikërisht në javën e 21-të do të sfidohen dy vendet e kreut të sezonit futbollistik 2009-2010.
Dinamo udhëheq kampionatin në kuotën e 51 pikëve, ndërkohë që Besa me 39 pikë, pas fitores ndaj Kastriotit, është në ndjekje të bluve. Sfida e fazës së parë midis dy skuadrave respektive në Kavajë ka përfundur me fitoren e Dinamos. Pikërisht argjentinasi Rafael Soza ka qenë ndëshkuesi i kavajasve në javën e 10-të në atë ndeshje të shumëpërfolur nga pala kavajase.
Por çfarë mendojnë dinamovitët për vazhdimësinë e kampionatit dhe si e shikojnë ata sfidën me Besën? Pikërisht dje, i caktuar në bazë të rregullores të klubit, futbollisti i sapoardhur në formën e huazimit nga Dinamo e Zagrebit, Emiliano Vila, ka folur për “Sportin shqiptar”, duke u shpallur sfidë të hapur kavajasve.
Nr.11 i bluve, i cili deri tani ka shënuar 1 gol në 3 ndeshje zyrtare me fanellën e Dinamos, ka bindjen personale se Dinamo do të triumfojë ndaj Besës duke e stopuar në vendin e dytë. Por ndër të tjera, ish-futbollisti i Teutës dhe i Lokomotivës së Zagrebit, komenton edhe fitoren e vuajtur në Ersekë, por edhe ndeshjen e mesjavës në kupë ndaj Shkumbinit.

Gramozi

“Ishte një ndeshje e fortë ajo e Ersekës, por mendoj se terreni ndikoi jo pak në performancën tonë. Gjithsesi, e respektojmë kundërshtarin, edhe pse sfida mbaroi. Ata dhanë më të mirën e tyre përballë nesh, por në fund fati na buzëqeshi ne me atë supergol të Timpanaros. Jemi te kënaqur për tri pikët dhe tani shikojmë përpara.”

Kupa e Shqipërisë

“Do të luajmë të mërkurën përballë Shkumbinit në Peqin një ndeshje tepër të fortë. Shpresojmë që kushtet e fushës të na lejojnë të luajmë futboll. Gjithsesi, do të kërkojmë një rezultat pozitiv që në sfidën e parë për të qenë më pas më të qetë. Nuk duhet të mendojmë në cilën fushë luajmë ndeshjen e parë, pasi kupa s’ka favorizime. Në mos sot, nesër do të luash në fushën e kundërshtarit.”

Besa

“Edhe pse është pak herët për të folur për ndeshjen e kampionatit me Besën, duke parë se në mesjavë do të luajmë me Shkumbinin, kam bindjen personale se Dinamo do të triumfojë në “Qemal Stafa”. Besa është rivali ynë më i afërt dhe normalisht për të mbyllur “gojët e liga”, që kam dëgjuar të përshpëriten në ambiente të ndryshme, duhet të fitojmë ndaj tyre.
Na intereson stopimi i kavajasve, pasi më pas do të ecim të qetë në rrugën tonë drejt titullit kampion. Në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” ne mund të japim më të mirën tonë dhe zor se na del kundërshtar përballë. Një fitore jona ndaj verdhezinjve do të thotë që rivalët duhet të heshtin më pas,”- e mbyll prononcimin e tij 21-vjeçari Emiliano Vila, një nga talentet e fundit të futbollit shqiptar.

Blutë punojnë fizikisht përpara kupës

Dje, skuadra e Dinamos, rreth orës 10:30, është drejtuar nga Kodrat e Liqenit për të kryer seancën e radhës stërvitore. Nën drejtimin e përgatitësit fizik, Markos Konena, dinamovitët kanë kryer ushtrime të ndryshme shpejtësie. Përpara është një javë tepër e ngjeshur dhe blutë kërkojnë të jenë në gjendje optimale në aspektin fizik.

Dinamovitët urojnë “Xhaxhin” për 60-vjetorin

Dje, në ambientet e klubit blu, disa nga tifozë kanë kërkuar që të urojnë me anë të gazetës ish-trajnerin e Dinamos, Faruk Sejdini, i cili ka festuar 60-vjetorin e lindjes së bashku me miqtë e tij. Siç dihet, “Xhaxhi” është një emblemë e veçantë e klubit “Dinamo” dhe mbetet ende i adhuruar në kampin blu për gjithçka ka dhënë ndër vite për blutë.

Fitorja me Tiranën kthen besimin te Vllaznia

Kuqeblutë marrin tri pikë në një fushë shumë të vështirë, duke rritur besimin në vetvete
Shumë pak është menduar një sukses i tillë në opinionin sportiv shkodran e më gjerë. Vetë situata aspak e mirë që po kalonte Vllaznia, sidomos pas humbjes me Laçin, e bënte më të paarritshme fitoren. Por ndërkohë, në kampin kuqeblu mendonin dhe njëkohësisht e shprehnin se në Tiranë do të shkonin për të marrë pikë.
Këtë gjë kishte në mendje edhe vetë trajneri Martini, i cili që në mënyrën si e ndërtoi formacionin, dukej qartë se kishte një objektiv të vetëm për të mos dalë pa pikë nga “Qemal Stafa”. Hedhja në fushë e vetëm një sulmuesi e tregonte më së miri këtë. Nëse do të dilte pastaj ndonjë rast, natyrisht që do të shfrytëzohej. Dhe ashtu në fakt ndodhi.
Në të vetmin rast të rrezikshëm të krijuar, Bala ka bërë detyrën. E ka dërguar në rrjetë dhe kaq ka mjaftuar që në Shkodër të rikthehet besimi te skuadra e tyre. Eshtë rikthyer besimi edhe te vetë skuadra. Trajneri Martini pas ndeshjes është shprehur entuziast për këtë sukses dhe prandaj është shprehur: “E kishim vlerësuar ndeshjen me Tiranën si shumë përcaktuese dhe prandaj luajtëm në atë mënyrë për të mos dalë të mundur nga kryeqyteti.
Mendoj se skuadra u paraqit shumë mirë dhe mbi të gjitha rëndësi kanë tri pikët që morën, të cilat do të na ndihmojnë shumë për vazhdimin e kampionatit.” Përkrah tij, natyrisht si gjithnjë, është edhe Esat Rakiqi, njeriu me një përvojë 30-vjeçare në pankinë. Numri 2 i stolit shkodran nuk merret shumë me lojën e zhvilluar, por ndalet më tepër te pikët e marra.
“Të them të drejtën, nuk është se kemi zhvilluar lojën tonë më të mirë. Nuk kemi shkëlqyer në këtë ndeshje, por morëm pikët, ata që na mungonin jo vetëm për këtë situatë që po kalojmë, por ndaj Tiranës na kanë munguar prej vitesh. Kam shumë vite që punoj si trajner i Vllaznisë dhe të rralla kanë qenë rastet kur e kemi mundur këtë skuadër brenda në fushën e saj.
Prandaj dhe kjo fitore merr vlera më të mëdha. Kur thashë që nuk luajtëm shumë mirë, kisha parasysh faktin se lojtarët ishin nën një presion të madh dhe për këtë arsye nuk arritën të shprehnin siç duhet vlerat e tyre në fushën e lojës. Gabimin e bërë me Laçin besoj se e korrigjuam dhe tashmë duhet të shohim përpara për të përmirësuar më shumë renditjen në kampionat. Tani nis pjesa më e vështirë, sepse fillojnë edhe ndeshjet e kupës dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të gabuar sa më pak,” ka thënë Rakiqi.
Vllaznia në këtë mënyrë e ka përmirësuar disi imazhin e saj, por kjo nuk mjafton, sepse renditja është sërish ajo që nuk i lë të qetë. Të renditurit sërish në vendin e nëntë, kërkon të tjera fitore si kjo me Tiranën. Shkodranët kanë nevojë për pikë në mënyrë që edhe në kampionat të ndihen të qetë. Për të synuar pastaj për objektivin e tyre madhor, Kupën e Shqipërisë.

Bala, shënuesi më i mirë i sezonit me 13 gola

Sulmuesi i Vllaznisë, Bekim Bala, është tashmë shënuesi më i mirë i këtij sezoni në futbollin shqiptar. Me golin e shënuar kundër Tiranës, ai është ngjitur në kuotën e 8 golave në kampionat, ndërkohë që ka shënuar edhe 5 të tjerë në kupë. Gjithsej janë 13 gola të shënuar, më shumë se çdokush tjetër. Edhe se Elis Bakaj, numri 1 i listës së shënuesve të kampionatit me 11 gola, i cili ka shënuar vetëm 1 në kupë. Duke qenë kështu, një fakt i tillë është vërtet për t’u vlerësuar.

Shkodranët, fitore pas 13 vjetësh në Tiranë

Fitorja e së shtunës në “Qemal Stafa” ka ardhur pas plot 13 vjetësh për Vllazninë. Një kohë relativisht e gjatë, që tregon më së miri problemet që kjo skuadër ka pasur gjithnjë në transfertat e kryeqytetit me bardheblutë. Hera e fundit që shkodranët kishin fituar ndaj Tiranës në fushën e saj ka qenë 1 nëntori i vitit 1997, kur arrinin fitoren 2 1, me gola të shënuar nga Armando Cungu dhe Gjergj Shllaku. Që atëherë asnjë fitore tjetër. Madje edhe në Shkodër bilanci ka qenë negativ në shumë raste.

Kupa, “bileta” e Teutës për në Europë

Durrsakët duhet të kalojnë Gramozin në kupë, ekip që do ta ndeshin edhe në kampionat
“Tashmë po mendojmë vetëm për ndeshjen e kupës, ku duhet patjetër trofeu, si “bileta” jonë për në Europë.” Kështu shprehet sulmuesi dhe kapiteni i durrsakëve, Vangjel Mile, i cili pas anulimit të ndeshjes në Korçë, shprehet se durrsakët po mendojnë për kupën. Mile tregon për aventurën e Korçës, ku ekipet nuk dolën fare në fushë për shkak të motit.
“Ne u nisëm një ditë përpara ndeshjes, në mënyrë që të ishim sa më në formë për këtë ndeshje kaq të rëndësishme, por kur shkuam në stadium, gjithçka ishte mbuluar nga bora dhe koha ishte shumë e keqe. Ne nuk u zhveshëm fare, pasi që në fillim të deleguarit e federatës dhe arbitrat panë situatën dhe u vendos që ndeshja shtyhej. Për fat u kthyem në Durrës pasdite.
Them për fat, sepse mund të ishin bllokuar rrugët nga bora, por tashmë gjithçka është kthyer në normalitet,” - tregon Mile, i cili shprehet se pas anulimit të ndeshjes në Korçë, për shkak të dëborës që mbuloi stadiumin, durrsakët i kanë përqendruar “bateritë” në kupë, ku në mesjavë do të ndeshen me Gramozin në Ersekë, gjithmonë nëse i lejon moti.
“Ne kemi objektiv trofeun e kupës, kështu që, nëse nuk bie borë edhe në Ersekë, do të japim në maksimumin për të arritur rezultat pozitiv që në ndeshjen e parë dhe duhet patjetër të ecim në kupë, sepse kjo na siguron Europën.
Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, pasi do të luhet ndaj një kundërshtari që do të jetë mjaft i motivuar, sepse luan në fushën e tij. Ndaj duhet të bëjmë kujdes, sidomos atje ku kemi shfaqur dobësi në takimet e mëparshme.
Skuadra do të jetë e kompletuar dhe mungesa e vetme do të jetë ajo e sulmuesit Hysa, që vazhdon të jetë i dëmtuar,” - thekson Mile. Më tej kapiteni i durrsakëve komenton edhe situatën delikate në renditje të Teutës, që ka lëshuar shumë vende nga fillimi i këtij viti, teksa përfundon: “Duhet të luajmë për tri pikë në çdo ndeshje, pasi vetë situata në klasifikim është mjaft e ndërlikuar dhe një ngjeshje e madhe skuadrash pas nesh e bën situatën delikate. Një hap fals dhe mund të humbasim përsëri shumë në klasifikim, ndaj dhe duhet impenjim maksimal.”

Durrsakët, dy ndeshje radhazi me Gramozin

Kalendari ka edhe kapriçiot e tij. Të mërkurën Teuta do të udhëtojë për në Ersekë për të luajtur takimin e parë të kupës, gjithmonë nëse stadiumi nuk do të jetë i mbuluar nga bora, siç ndodhi në Korçë. Por durrsakët këtë kundërshtar do ta gjejnë edhe në fundjavë për në kampionat. Një duel interesant, që ia vlen ta ndjekësh.

Flamurtari, ankthi mbaron me Apoloninë

Grami ndëshkon ish-ekipin e tij, po ashtu edhe Memelli gjen një tjetër gol këtë javë
Flamurtari Apolonia 2 0
Shënues: Grami 22′, Memelli 40′
Flamurtari: Moçka, Grami, Progni, Bilen (Strati 46′), Shehaj (Lena 55′), Veliu, Puljiz, Kuqi, Roshi (Çaushaj 86′), Memelli, Sakaj.
Trajner: G.Magani.
Apolonia: Haxho, Spaho, Shoshi, Mudresa, Koreshi, Çimili (Çutra 50′), Jevdjeviç, Ragipoviç, Meto, Mirkoviç (Ribaj 69′), Brkiç.
Trajner: H.Lika.
Kartonë të verdhë: Kuqi, Mudresa, Memelli, Ribaj
Karton i kuq: Ragipoviç
Gjyqtarë: E.Peza, A.Pregja, L.Alla (Tiranë)

“Radiografia”

14′ Brkiç ul një top për Mirkoviçin, që godet menjëherë, por Moçka është në pozicion, duke pritur e larguar rrezikun.
15′ Roshi, brenda zonës, kalon një mbrojtës, godet, por pret Haxho i sigurt.
18′ Roshi ka sërish një mundësi të mirë, por vonon në pasim për Shehajn dhe Memellin, ndërhyn një mbrojtës dhe goditje këndi.
22′ Goditje dënimi për Flamurtarin. Veliu harkon në zonë, topi preket nga një mbrojtës, përfundon pranë portës, aty ku Grami s’e ka të vështirë të realizojë. 1 0 për Flamurtarin.
40′ Goditje këndi për Flamurtarin, Veliu harkon në shtyllën e parë, Memelli është i pambuluar, godet me kokë dhe sërish rrjetë. 2 0 për Flamurtarin.
43′ Progni avancon nga e majta, kroson në zonë, me shpejtësi ndërhyn Shehaj, por jashtë kuadratit.
44′ Moçka nis një top të gjatë te Shehaj, ky pason për Memellin, që gjen të lirë në zonë Roshin, që përballë portierit gjuan, por gabimisht ngjitur me shtyllën, duke humbur një rast mjaft të mirë.
51′ Sulm i Apolonisë, topi për Meton në zonë, që vonon në goditje, afrohet Veliu, që shmang çdo rrezik.
54′ Progni brenda zonës së Apolonisë gjuan me të djathtën, topi përplaset te një mbrojtës.
75′ Ribaj, i sapofutur në lojë, pason te Brkiç, që godet brenda zonës, por Moçka pret në dy kohë.
76′ Rrezik në portën e Apolonisë. Kuqi është i lirë, kërkon të godasë drejt tij, portieri dhe një mbrojtës largojnë në korne.
77′ Ekzekuton Progni nga korne, topi te Pulitz, që bën sulmuesin, gjuan, por pret në pozicion portieri fierak.
80′ Top për Memellin, që sërish në shtyllën e parë godet me kokë, por shënjestra është e gabuar, jashtë.
84′ Progni rrëmben një top në mesfushë, avancon brenda zonës, gjuan, topi përplaset në shtyllë dhe më pas jashtë.
92′ Topi, nga e majta e sulmit, krosohet për Brkiçin, që gjuan me kokë, por vetëm jashtë.

Komenti

Flamurtari arrin fitoren e dytë brenda një jave, ku pas Besës merr tri pikë shumë të rëndësishme edhe ndaj Apolonisë, në një ndeshje ku në ndryshim nga e para, është luajtur me praninë e sportdashësve, madje nuk kanë munguar edhe ata nga qyteti i Fierit.
Ndeshja ka nisur e qetë për të dy ekipet, ndërsa sinjali i parë vjen nga fierakët, ku Mirkoviç nuk përfiton brenda zonës, kjo edhe për meritë të portierit Moçka. Pas këtij momenti, është Flamurtari që dominon, ku në dy momente Roshi edhe mund të kishte shënuar, në rast se do të ishte treguar më i vëmendshëm. Gjithsesi, goli nuk do të vonojë dhe do të jetë mbrojtësi Grami, një “ish” që do të realizojë, duke shfrytëzuar mjaft mirë një kros nga goditja e dënimit e Veliut.
Gol që çliron Flamurtarin, që luan më i qetë dhe ka mundësi të rrezikojë sërish, ndërsa miqtë duket se mendojnë më shumë mbrojtjen. Flamurtari konkretizon epërsinë e tij dhe në minutën e 40 të Memelli tregon aftësitë e tij, duke realizuar me kokë, ashtu si dhe ndaj Besës. 2 0 për Flamurtarin dhe deri në fund të pjesës së parë ka kohë edhe për dy mundësi shumë të mira, ku Roshi përballë portierit dhe Shehaj mund të kishin shënuar golin e tretë.
Pjesa e dytë nis me vetëm një ndryshim te Flamurtari. Largohet Bilen, në vend të tij Strati. Loja është kryesisht në mesfushë, por nuk mungojnë edhe ngacmimet në portat respektive. Fillimisht Meto nuk arrin, pasi Veliu është i pakalueshëm në mbrojtje. 15 minutat e fundit dhurojnë sërish emocione, por më pranë golit është sërish Flamurtari, me Prognin që godet shtyllën duke qenë i pafat. Ndërsa Brkiç, i vetëm në sulmin e Apolonisë, nuk mund të jetë shumë kërcënues.
Pas katër minutash shtesë, vjen përfundimi, Flamurtari-Apolonia, 2 0, me vlonjatët që arrijnë fitoren e dytë radhazi, ndërsa Apolonia një tjetër humbje, të tretën radhazi. Flamurtari ngjitet në kuotën e 21 pikëve, duke iu larguar dy vendeve të fundit dhe duke fituar frymëmarrje, por edhe qetësi përpara një transferte jo të lehtë javën e ardhshme përballë Laçit.
Ndërkohë, Apolonia tregoi se ka probleme, ndërsa duket se ka ende vështirësi për të gjetur fitoren. Problemet e fierakëve shtohen akoma më shumë kur mendon se ata do të udhëtojnë javën e ardhshme në Krujë, në një transfertë tjetër të vështirë, ku nuk lejohet një tjetër humbje.

Deklarojnë…

Gugash Magani, trajner i Flamurtarit: “Çdo ndeshje për ne është si një finale e vërtetë. Përballë Apolonisë ka qenë më e vështirë se Besa, pasi i druhesha euforisë te futbollistët, me të cilët kemi folur gjatë. 20 minutat e para nuk ishin shumë të mira, ndërsa më pas arritëm të kalonim në avantazh të dyfishtë. Duke dashur të shënonim, kemi lënë hapësira pas dhe mund të ishim ndëshkuar. Kemi marrë një fitore, por kemi bërë vetëm gjysmën e punës, pasi jemi ende jo në pozicion komod dhe kemi shumë ndeshje para.
Kemi zgjidhur ndoshta problemin në sulm me afrimin e Memellit, një goditje kjo në merkato për Flamurtarin. Për sa i përket ndeshjes së radhës, mendoj se do të jetë shumë e vështirë në Laç, pasi këtë ekip e pashtë nga afër në ndeshjen e fundit me Shkumbinin. Nëse do të kishim grintën e tyre, tashmë do të ishim kampionë Shqipërie.”
Hasan Lika, trajner i Apolonisë: Nuk është paraqitur në konferencën për shtyp.
Migen Memelli, sulmues i Flamurtarit: “Kemi arritur objektivin tonë edhe për këtë ndeshje. Jam këtu për të shënuar dhe për të dhënë më të mirën time, si kudo ku kam luajtur. Natyrisht, jam ndierë qysh në fillim shumë mirë në këtë takim dhe natyrisht thirrja e emrit tim nga tifozët është një kënaqësi. Jam këtu që së bashku me pjesën tjetër të ekipit të arrijmë objektivin që kemi, qëndrimin në kategori. Se ç’do do të ndodhë pas katër muajsh, është ende shpejt për të folur. Qëllimi është të tregojmë më të mirën tonë.”

Të veçanta

- Dy ndeshje në Vlorë dhe sulmuesi Memelli shënon dy gola me fanellën e Flamurtarit.
- Ka pasur entuziazëm te sportdashësit vlonjatë pas fitores, ndërsa të heshtur kanë qëndruar ata fierakë të vendosur në një nga tribunat e stadiumit.
- Elton Grami arrin t’i shënojë Apolonisë, skuadër me të cilën vetëm pak muaj më parë luante.

Besa, mjafton një gol i Xhafajt ndaj Kastriotit

Kavajasit fitojnë ndaj krutanëve, por duket se ende nuk i kanë kalur pasojat e Flamurtarit
Besa - Kastrioti 1-0
Shënues: Xhafaj 21′
Besa: Shehi, Fagu, Dragusha (Dhëmbi 45′), Vrapi, Arapi, Poçi, Cikalleshi (Hasalla 69′), Shkëmbi (Tragaj 86′), Mancaku, Xhafaj, Sinani. Trajner: Sh.Duro.
Kastrioti: Lika, Teqja, Buden, Djarmati, Arifaj, Gjondeda, Turdiu, Gocaj (Hoxha 75′), Jusufaj, Pema (Babiç 51′), Abazaj. Trajner: R.Ndreu.
Gjyqtarë: E.Hoxha, G.Koka, R.Çokaj (Lezhë)
Kartonë të verdhë: Dragusha, Babiç

“Radiografia”

2′ Djarmati në kundërsulmin mik, kroson saktë për Abazajn, i cili godet me kokë, por topi ndalet nga shtylla pingule.
17′ Goditje dënimi për Kastriotin, Turdiu pason për Arifajn në të majtë, godet fuqishëm shkurtaz, topi përfundon jashtë.
20′ Mancaku vepron bukur në të majtë, teksa shmang një mbrojtës dhe del i lirë, kroson saktë për Xhafajn, i cili në mënyrë mjeshtërore godet me kokë topin dhe e dërgon në rrjetë. 1-0 për Besën.
35′ Kombinim perfekt në mesfushë Xhafaj Mancaku Sinani. Ky i fundit del i vetëm me Likën, por vonohet në goditje dhe portieri krutan ndërhyn, duke larguar topin.
41′ Turdiu kërkon të befasojë Shehin, godet shpejt diagonal me portën, por nuk shënjestron siç duhet dhe topi kalon ngjitur me shtyllën pingule.
68′ Kombinim i bukur në hyrje të zonës mes Sinanit dhe Mancakut, ky i fundit godet menjëherë me të djathtën, topin “fshik” shtyllën pingule dhe përfundon jashtë.
77′ Miqtë kapin në kundërkohë Besën dhe Gjondeda pason në të djathtë tek Arifaj, ky kroson brenda zonës, Babiç godet me kokë, Shehi pret i sigurt.
87′ Shkëmbi nis një top të bukur për Xhafajn, brenda zonës sulmuesi vlonjat rrotullohet bukur, por në momentin e goditjes bllokohet nga mbrojtja krutane, e cila e largon topin.

Komenti

Humbja befasuese në Vlorë ndaj Flamurtarit, të paktën psikologjikisht, nuk është kaluar. Këtë e vërtetoi më së miri loja e Besës, pavarësisht se fitoi ndaj Kastriotit. Kanë qenë miqtë ata që në 20 minutat e para, derisa Besa shënoi, kanë luajtur më mirë dhe madje që në start të takimit kanë goditur shtyllën pingule. Kanë qenë krutanët, të cilët kishin ardhur në Kavajë jo të frikësuar përballë emrit të Besës. Në të kundërt të tyre, Besa, falë klasit dhe përvojës së futbollistëve të saj, nxori edhe golin pas një kombinimi perfekt Mancaku-Xhafaj, teksa ky i fundit me kokë shënoi.
Sulmuesi Daniel Xhafaj, duke përjashtuar sfidën ndaj Flamurtarit të riluajtur, që nuk ishte në fushë për shkak pezullimi me kartonë, në të tri takimet e 2010-s ka shënuar rresht, në Korçë, në Fier dhe ndaj Kastriotit. Për më tepër, Daniel Xhafaj ka kombinuar perfekt numrat 20, kur shënon në minutën e 20-të, golin e 20-të për Besën këtë kampionat dhe kjo ndodh pikërisht ndaj Kastriotit në javën e 20-të.
Tre 20-at i kanë sjellë fat “bomberit” lab të Besës. Duke u kthyer te takimi, ashtu siç kishim paralajmëruar jo pak herë, terreni u bë pengesë në pasimet midis futbollistëve të të dy kampeve. Verdhezinjtë duken disi të tronditur pas asaj disfate në Vlorë, sepse, sapo shënuan golin, nuk qenë dhe aq kërkues për gola të tjerë. Pavarësisht se nuk treguan ndonjë vlerë të veçantë si pretendentë për titull, përsëri rastet për shënim nuk i munguan.
Në këtë mënyrë, Besa shkëputet edhe tri pikë të tjera nga Tirana, por që krahasuar me Dinamon, vështirë se fati të jetë në anën e verdhezinjve. Ndërkohë, për miqtë duhen thënë fjalët më të mira, së pari, sepse ata për asnjë moment nuk u treguan inferiorë përballë Besës së vendit të dytë. Madje patën edhe dy-tri shanse dhe ishin më të freskët fizikisht se Besa, kjo kushtëzuar edhe nga ngarkesat që Besa ka pasur.
Nëse Kastrioti nuk mori dot as barazimin, kjo më shumë jo për meritë të ndonjë dominimi të Besës, sesa përvojës dhe klasit të titullarëve kavajas. Besa do të vijojë të jetë e detyruar të luajë përsëri dy herë edhe këtë javë, ku në fillim të mërkurën pret Tiranën për Kupën e Shqipërisë e pastaj me Dinamon.
Pra, do të jenë dy takime që mund të vendosin mjaft për sa i përket fatit të trofeve për Besën. Nëse në kampionat gjërat janë jo aq të lehta, të paktën në Kupën e Shqipërisë përballë Tiranës Besa duhet të bëjë detyrën. Eshtë ky trofe ku janë në garë jo pak skuadra, madje edhe Dinamo, që është afër fitimit të titullit kampion, kërkon ta fitojë kupën.
Pa harruar Vllazninë, apo edhe Teutën, që tradicionalisht e pretendojnë këtë trofe. Ndërsa Kastrioti do të qëndrojë i qetë deri në fundjavë, ku do të presë Apoloninë, që tashmë duhet thënë që e ka rival direkt dhe ndoshta ky takim përcakton shumë për të dyja skuadrat. Me atë lojë që bënë krutanët në Kavajë, me siguri që do të dalin të fituar në takimin e Krujës, por të mos harrojmë që Apolonia nuk është një ekip i lehtë në këtë sezon.

Deklarojnë…

Shpëtim Duro, trajner i Besës: “Ishte një fitore e rëndësishme dhe na duhej pikërisht në këtë moment. Vinim pas një humbjeje me Flamurtarin dhe morëm tri pikët e radhës. Kjo pa dyshim që më qetëson dhe më gëzon. Fituam me meritë dhe zhvilluam një ndeshje të mirë, besoj.
Ekipi sërish shfaqi shenja lodhjeje dhe kjo natyrisht nga ndeshjet e shumta që kemi zhvilluar gjatë këtyre javëve të fundit. Në mesjavë kemi një tjetër ndeshje brenda në fushën tonë, me Tiranën, e cila ka një rëndësi të madhe për ne. Shpresoj që ekipi të jetë më i freskët dhe të japë maksimumin.”
Ramazan Ndreu, trajner i Kastriotit: Nuk u prononcua për shtypin.

Të veçanta

Në shkallët e stadiumit kishte një prani të kënaqshme tifozësh. Numri i tyre arrinte deri në 3 mijë, ku nuk munguan edhe tifozë të ardhur nga Kruja.
Në minutën e 45 të të ndeshjes qendërmbrojtësi i Besës, Alban Dragusha, pëson një dëmtim të rëndë nga një përplasje me një lojtar të Kastriotit.
Kjo e ka detyruar që të lërë fushën e lojës dhe në vend të tij hyri Dhëmbi. Ditën e sotme pritet që ai të bëjë një vizitë në klinikë të specializuar në Tiranë për të përcaktuar shkallën e dëmtimit. Për shumë minuta rolin e tij si qendërmbrojtës e luajti Artion Poçi.
- Daniel Xhafaj ka bërë tris me numrin 20 dje. Ka shënuar në minutën e 20-të, pikërisht në javën e 20-të dhe ishte goli i 20-të i Besës këtë sezon.

Partizani i premtuar mbetet ende në letër

Të kuqtë kishin shumë arsye për të fituar ndaj Bylisit, por në fund gjithçka mbeti dëshirë
Të kuqtë kishin
shumë besim në forcat e tyre se do ta nisnin mbarë pjesën e dytë të sezonit, por premiera me Bylisin tregoi se te Partizani ka akoma shumë punë për të bërë. Kryeqytetasit bënë pazarin më të madh në tregun dimëror, por ndaj Bylisit, kryesisht në pjesën e dytë, të kuqtë ishin më inferiorë se miqtë. Partizani i së shtunës tregoi mangësi, gjë e cila është pranuar nga faktorët e kuq pas takimit me ballshiotët.
Të besuarit e dyshes Starova-Bejzade lanë për të dëshiruar në finalizimin e aksioneve dhe në pjesën e dytë krijuan shumë hapësira në fazën mbrojtëse. “Demat” u pompuan shumë para takimit me Bylisin dhe nga mënyra se si u përgatit kjo sfidë mendohej se Partizani do të korrte fitoren e parë, që do t’i shoqëronte në javët në vijim.
Barazimi me ballshiotët e ka ulur optimizmin te kryeqytetasit dhe nga komunikimet e para me lojtarët pas ndeshjes dilte qartë zhgënjimi i tyre nga premiera e vitit 2010. “Nuk duhej ta nisnin fazën e dytë në këtë mënyrë, por ja që ndodhi. Gjithsesi, kemi shpresa, pasi janë edhe 14 takime për t’u luajtur. Pa dyshim, duhet të nxjerrim mësime nga takimi me Bylisin.
Për këtë ndeshje pranova edhe të sakrifikoja, pasi vija nga një dëmtim, por me pak kujdes mund ta realizonim synimin,” - u shpreh për “Sportin shqiptar” mbrojtësi Rraman Hallaçi. Të kuqtë kishin shumë arsye për të fituar ndaj Bylisit, por në fund gjithçka mbeti dëshirë.
Në muajin janar Partizani ka pësuar një transformim të madh dhe u premtua se është krijuar një ekip solid, që nuk duhet ta diskutojë rikthimin në kategorinë superiore. Një proverb thotë: moti i mirë duket që në mëngjes, por “mëngjesi” i parë i 2010-s për Partizanin nuk ka qenë ai që pritej. “Jo vetëm me Bylisin, por edhe në vazhdimësi ne synojmë vetëm fitore.
Edhe barazimi me ballshiotët konsiderohet disfatë për Partizanin.” Kështu është shprehur para takimit administratori i përgjithshëm i të kuqve, Paro Laçi. Të shtunën Partizani nuk fitoi ndaj Bylisit, por arriti të kthejë një numër të konsiderueshëm tifozësh në stadium.
Pas ndeshjes tifozët kanë mbetur disi mosbesues, pasi premtimi i skudrës së madhe duket në letër, sepse lojtarët nuk dhanë më shumë se në fazën e parë. Starti i ka ftohur disi tifozët, por ata janë të mendimit se për momentin nuk duhet ushtruar shumë presion mbi ekipin, pasi kjo gjë ndikoi edhe në takimin me Bylisin.

Java nis me dy seanca stërvitore

E diela ka qenë pushim për të kuqtë, të cilët sot u rithehen përgatitjeve. Pas ndeshjes me Bylisin, futbollistët janë njoftuar se të hënën do të kryejnë dy seanca stërvitore. Paradite futbollistët do të kryejnë vrapime nga Kodrat e Liqenit, ndërsa pasdite do të stërviten në ambientet e ish-klubit.
Në javën e shkuar ishte vendosur që takimi i prapambetur me Bilishtin do të zhvillohej me 10 shkurt, por ka shumë mundësi që ky takim të shtyhet përsëri për shkak të reshjeve të dëborës, që bien në juglindje të vendit. Pra, nëse nuk luhet transferta me Bilishtin, atëherë të kuqtë do të përgatiten vetëm për përballjen e së shtunës me Sopotin.
Edhe pse ka fituar me Turbinën, ekipi verdhëjeshil ka qenë nën nivelin e fazës së parë

Lushnja luan dobët, Bano pret ndryshimin

Me vështirësi ka fituar Lushnja të shtunën në “Roza Haxhiu”, pasi Turbina është treguar kockë e fortë, duke treguar një nivel të lartë sportiv. Nuk pritej që cërrikasit të ishin aq të motivuar dhe lushnjarët janë gjendur të papërgatitur në minutat e para. Duke parë vrullin e Turbinës, verdhëjeshilët janë detyruar të mobilizohen mjaft për t’i bërë ballë, por u duk që ata nuk ishin të aftë të gjenin konstanten, pra të neutralizonin veprimet e kundërshtarit dhe ta godisnin portën.
Rastet për shënim ishin të pakta dhe asnjëherë nuk e patën forcën e duhur. Ishte merita e mbrojtësit Alcani, i cili e “shpëtoi” ekipin lushnjar, duke i dhënë 3 pikë të çmuara. Por, loja nuk mbeti pa u vënë re në stadiumin e zbrazët të Lushnjës.
Komentet janë të shumta për këtë ekip, që pretendon të ngjitet në superligë sezonin e ardhshëm, por që nuk ka forcë në fushën e tij. Kritikat më të mëdha bien mbi futbollistët, që nuk ishin të angazhuar aq sa kërkon situata, ndërkohë që ndeshjet e radhës kanë koeficientë më të lartë vështirësie. Stafi teknik ka për detyrë të nxjerrë përgjegjësitë për secilin, pasi në dy ndeshjet e fazës së dytë lushnjarët nuk kanë bindur askënd. Trajneri i Turbinës, Sinan Bardhi, pas ndeshjes tha: “Lushnja nuk ma mbush syrin për superligën.” Dhe ai ka të drejtë për Lushnjën e së shtunës që shkoi.
Edhe ata pak tifozë, që e panë nga jashtë rrethimit të stadiumit dhe ndërtesat e larta ndeshjen, nuk ishin të gëzuar. Trajneri Bano, i cili për herë të fundit e ka parë ndeshjen nga tribuna, është shumë i pakënaqur me lojën e të tijve, por kjo pakënaqësi e tij kompensohet disi me 3 pikët. “Nuk ishte ai ekip që ne si staf duam. Sigurisht që 3 pikët kanë rëndësi të madhe, por jemi shumë larg nivelit të lojës së ndeshjeve të fazës së parë.
Nuk jemi në rrugën e duhur dhe do të bëjmë një analizë të hollësishem për të nxjerrë përgjegjësitë për çdo futbollist. Duhet punë e vazhdueshme dhe përkushtim maksimal nga të gjithë për të marrë më të mirën, sepse kampionati sa vjen e bëhet më i fortë. Nëse na përballon Turbina në shtëpi, ku mund të shkojmë? Kështu nuk mund të ngjitemi në superligë,”- ka thënë trajneri Artan Bano.
Ka dhe zëra në ambientet sportive të Lushnjës, që paraqitjen e futbollistëve e lidhin me pagesat e tyre ende në dilemë. Mbetet për t’u parë sa do të jetë buxheti i bashkisë për vitin 2010.
Lushnja do të luajë ditën e martë, në stadiumin “Roza Haxhiu”, një ndeshje miqësore me Trepçen. Ekipi kosovar gjendet për fazë përgatitore në Golem dhe drejtuesit e tij kanë rënë dakord me ata lushnjarë për një ndeshje miqësore. Kjo miqësore do të vlejë shumë për stafin teknik të Lushnjës, që sot nis përgatitjet për transfertën me Adën.

Skrapari reagon fuqishëm, do fitore në tavolinë

Drejtuesit e ekipit kanë bërë reklamimin për dhunën në Memaliaj ndaj tyre dhe gjyqtarëve
Skrapari u detyrua ta vazhdonte ndeshjen në Memaliaj, ku në fushë u krijua një situatë e mbrapshtë. Kjo ndodhi për të zbatuar rregullloren e federatës. Pasi kanë analizuar gjithçka që ndodhi në atë ndeshje, drejtuesit e Skraparit kanë arritur në përfundimin se Memaliaj, që duhej të luante pa tifozë, nuk kishte marrë asnjë masë në këtë drejtim. Sipas tyre, në fushë janë hedhur gurë dhe është goditur njëri prej anësorëve, të cilit iu dha ndihma e parë pas 15 minutash.
Drejtuesit e Skraparit kanë mbajtur qëndrim nëpërmjet një deklarate për shtyp, ndërkohë që do të bëjnë dhe një ankimim në FSHF. Në deklaratën e tyre, mes të tjerash, theksohet: “Kur u godit anësori, çuditërisht vëzhguesi A.Mema nga Gjirokastra u kërkoi gjyqtarëve të ktheheshin në fushë, me premtimin se, po të përsëritej ky rast, do të ndërpritej ndeshja.
Po cila pikë e rregullores është kjo? Gjyqtarët u shprehën se do të gjykonin për publik, ndërkohë që ky i fundit nuk duhej të ishte i pranishëm. Duke parë situatën, ndoshta nga gjyqtarët nuk mund të pritej më shumë.
Ata gjykuan formalisht, duke vepruar hapur në favor të vendësve dhe duke e ndëshkuar Skraparin me kartonë të verdhë dhe të kuq. Ata dhanë dhe një penallti të paqenë, që u prit nga portieri Naço, i cili u godit me shkelm nga një mbrojtës i Memaliajt.
Lojtarët tanë u goditën edhe nga stoli vendës dhe punëtorët e barrelës. U desh ndërhyrja e forcave të rendit, që situata të qetësohej disi, kurse gjygjtari Alla i dha karton të kuq Kasmit. Ishte gjithçka qesharake. Lojtarit me numër 15 të Memaliajt iu dëmtua fanella dhe më pas ai mori numrin 2 për vazhdimin e lojës, pa u shënuar në portokoll.
Për këto incidente kemi bërë reklamimin dhe ia kemi dorëzuar vëzhguesit. Kërkojmë të zbatohet rregullorja e FSHF se me rreptësi. Të na jepen 3 pikët në tavolinë dhe të hiqen kartonët e dhënë nën presion, pas incidentit me gjyqtarin anësor.”
Kështu, drejtuesit e Skraparit presin të marrin fitoren në tavolinë, pasi janë dhunuar në Memaliaj, ashtu si dhe treshja e gjyqtarëve.

Shalari: Shtyrja e ndeshjes favorizon Luftëtarin

Duket se bora e ka ndihmuar Luftëtarin. Themi kështu, sepse gjirokastritët, të cilët u nisën drejt Korçës për të luajtur me Pogradecin, janë favorizuar në thelb nga shtyrja e ndeshjes. Luftëtari kishte 5 mungesa titullarësh, pikërisht Shkozën, Brahimin, Novin, Stojën dhe Gaxhajn. Ndeshjen e radhës e ka në Gjirokastër me skuadrën më fqinje të Memaliajt, ku 5 të lartpërmendurit nuk do t’i ketë, por, sikundër kuptohet, është më mirë të mos i ketë me Memaliajn në pritje sesa me Pogradecin në transfertë.
Memaliaj, kur luan me Luftëtarin, ashtu siç u pa edhe fazën e parë, i shkrin gjithë forcat për një egoizëm më të madh edhe se ai sportiv. Nuk është çudi që më 13 shkurt në shkallët e stadiumit “Gjirokastra” të këtë më shumë tifozë nga qyteti fqinj, që bëhen vërtet lojtari i 13 të i ekipit të tyre. Mbrojtësi Shalari shprehet: “U nisëm për në Korçë me mjaft optimizëm, pas fitores me Lushnjën, edhe pse me mungesa serioze. Në Përmet na njoftuan se ndeshja ishte shtyrë për shkak të dëborës dhe reagimet fillimisht ishin kontradiktore. Por them se çdo e keqe e ka edhe të mirën e saj.
Pra, me po ato mungesa që do të kishim në Korçë do të luajmë me Memaliajn, që nuk duhet ta nënvlerësojmë, por them se është më mirë për ekipin tonë që ndodhi kështu. Rezultati me Pogradecin është më i diskutueshëm sesa me Memaliajn, me të cilën besojmë se do të fitojmë. Duhet të kemi parasysh se Memaliaj është ekip luftarak dhe luan me sedër, ndaj duhet të mobilizohemi si me Lushnjën për të marrë 3 pikët.”