09 shkurt 2010

Kupa e Francës, Deshamp “freskon” Marsejën!

Trajneri do të lërë pushim disa titullarë ndaj Tuluzës, pavarësisht se synon kualifikimin
Trajneri i Marsejës, Didië Deshamp, do të bëjë disa ndërrime në skuadër për ndeshjen e Kupës së Francës kundër skuadrës Lens, sot, por ka thënë se formacioni që do të rreshtojnë në fushë do të jetë shumë i përqendruar për të shkuar në 1/16.
Marseja e përmbysi rezultatin javën që shkoi në ndeshjen kundër Tuluzës, duke u kualifikuar për në finalen e Kupës së Ligës, kurse natën e së hënës mundi 5-1 skuadrën e Valonsionit, duke arritur në vendin e pestë në kampionat. Deshamp do të bëjë ndryshime në formacion për transfertën në Lens, me synimin që ta vazhdojë ecurinë e mirë në muajin shkurt, por nuk pret që skuadra të humbasë fokusimin.
Ai ka thënë: “Luço Gonzalez dhe Hatem Ben Arfa nuk do të luajnë. Do të kemi rotacion në skuadër, duke iu dhënë mundësinë të gjithëve të luajnë. Skuadra do të luajë për t’u kualifikuar, edhe pse mund të na ngjeshet shumë kalendari. Formacioni që do të zbresë në fushë do të ketë dëshirë të madhe për t’u kualifikuar, pasi synimi ai është.” Kush fiton nga ky çift do të luajë kundër fitueses së çiftit Tuluzë-Brest, që përplasen po sonte. Në ndeshjet e tjera, Bordoja kampione kundër Monakos do të kërkojë të bëjë kthesë nga humbja tronditëse 4-2 kundër Renës të shtunën.
Trajneri i Bordosë, Lorent Blank, ka mohuar se ka pranuar në parim të marrë përfaqësuesen franceze pas Kupës së Botës dhe ka thënë se kjo histori nuk ishte përgjegjëse për humbjen e Bordosë në fundjavë. “Unë nuk ia atribuoj humbjen fjalëve që qarkullojnë. Lojtarët dhe stafi i Bordosë do të jenë të parët që do ta marrin vesh një gjë të tillë. Unë kam kontratë deri më 2011-n me këtë klub”, ka thënë Blank.
Skuadra e kategorisë së tretë, Plabenek, do të synojë të eliminojë Okserin këtë raund, pai më parë ka eliminuar Nisën dhe Nansinë e kategorisë së parë. Po sot, St-Etien, që la pas zonën e rrezikshme të renditjes falë fitores 3-0 kundër Monakos të dielën, luan kudër Vanës së Ligës 2. Paris Sën Zhermeni shpreson ta zbrazë tërë dufin e vet te skuadra e kategorisë së katërt, Vesul, pas humbjes 3-0 në fushën e vet kundër Lorionit në kampionat.
Trajneri i PSG-s, Antuan Kombuare, ka thënë: “Duhet të jemi të bashkuar. Tifozët janë shumë kërkues dhe kur nuk marrim një rezultat të mirë, janë të pakënaqur. Duhet të jemi të fortë momentalisht dhe të fokusohemi në Kupën e Francës, ndërsa më pas t’i kënaqim tifozët duke marrë pikë kundër Nansit në kampionat në fundjavë.”