10 shkurt 2010

Kielini karikon Juven: Zakeroni ka sjellë entuziazëm

Të dielën bardhezinjtë do kërkojnë të rikthehen te fitorja përballë Xhenovas në shtëpi, një ndeshje delikate dhe mjaft e vështirë.

Kjo javë është vendimtare për fatet e sezonit të “Zonjës”, që tashmë si objektiv ka zonën e Ligës së Kampionëve. Të dielën në orën 15:00 Juventusi do të presë në “Olimpiko” Xhenovan, kurse ditën e enjte do të përballet me Ajaksin në Ligën e Europës. Pikërisht këto dy sfida do të tregojnë nëse “kura” e Zakeronit ka dhënë efektet e duhura apo jo.

Në lidhje me këtë, mbrojtësi italian, Xhorxho Kielini, në një intervistë për “Juve Channel”, shprehet: “Nuk është e lehtë të gjesh zgjidhje në një situatë të tillë. Për të dalë nga kjo gjendje duhet të vazhdojmë të punojmë, të japim 110 për qind dhe të presim shkëndijën që do të na ringjallë entuziazmin”.

Ai vlerësoi punën e trajnerit të ri, Alberto Zakeroni: “Ka sjellë entuziazëm, ka mënyrë tjetër stërvitjeje dhe sistem tjetër loje. Duhet vetëm t’i vëmë në praktikë këshillat e tij. Në ndeshjet me Lacion dhe Livornon nuk shkëlqyem, por me pak fat mund t’i kishim fituar ato takime”.