11 shkurt 2010

Kategoria Superiore ne GRANDEJUVE

Endërro unë, ëndërro ti, oi, oi, oi; askund s’ka futboll si në Shqipëri!

Kronika e 56-të tregon për zhgënjimin e thellë mbi “realizmin” e Kuzhes dhe të analistëve pas shortit të Euro 2012, si edhe për zvarritjen e lojtarëve të kampionatit shqiptar në fushat e përbaltura, pas ëndrrave të bukura të verës për kualifikimin në finalet e Europianit. Kjo i ka prishur edhe atij ëndrrën, për ta çuar gomarin e tij në garat e kuajve të racës në “Derbi Country”. Sa na pa, ai filloi të vajtojë me kuje: “Oi, oi, oi, oi, ku vajtën ëndrrat e mia, ku vajtën? Shihja ëndrra të bukura me sy hapur, por tashti u bëra realist dhe e kuptova që kjo kafshë s’është veçse një gomar ngordhalaq dhe i paushqyer mirë. Ishte verë, kur na tha shefi i madh në TV, se kampionati shqiptar mbaroi me sukses dhe se mund të renditemi të mesit në Ballkan. Kuzhe na tha se ëndërron ta çojë Shqipërinë në finalet e Euro 2012. Filluan të ëndërrojnë të gjithë, ëndërrova edhe unë, ta stërvis gomarin tim për finalet e kuajve në Angli. Gjithë verën e kullota, e shëtita këtu tek Parku i Liqenit, bashkë me lojtarët e Partizanit dhe të ekipeve të tjera, si Kamza pretendente, e të tjerë. Bëmë stërvitje “intensive”, bashkë me pensionistët dhe paraplegjikët, duke shikuar balerinat që bëjnë aerobi. Endërroja edhe unë, që gomari im, po të kullosë nga ky bar, do të forcohet dhe do të fitojë shumë, si në shpejtësi, ashtu edhe në rezistencë. Ata ëndërro, unë ëndërro, por ëndrrat nuk zgjatkan shumë. Këtë javë Kuzhe, federata dhe analistët, sa panë shortin, thanë se vështirësia është e koificentit 7, ndaj “duhet të jemi realistë”. Burrë i mençur Kuzhe, jo si Brigeli, që tha atëherë se “jemi viktimat e Europës”, por e rregulloi me lezet. Se, po të jem realist unë, ky gomari im, jo në garat e kuajve s’do të jetë, por me zor ngjit maloren e Liqenit. Do tagji e ushqime të zgjedhura dhe jo vetëm bar nga ky i shkeluri prej çifteve, që të përballojë këto kodrina, se për gara as bëhet fjalë. Duhen investime, se mund ta pësojë ndonjë ditë si gomari i Qenamit, që ngeli në baltë. I tha Qenami nga lart që duhet t’i jepte tagji dhe ai iu gjegj se sa i kish dhënë një trastë të tërë. Nuk bën fajde, i tha Qenami, se duhet t’i kishe dhënë një grusht që në gusht. Edhe Shqipëria, që të dilte në finale, duhet t’i kishte dhënë gomarit të futbollit nga një grusht para në edicion, që përpara 10 vitesh. Keq e ka edhe Partizani, që ëndërronte të dilte ne superiore. Gjithë verën tek Parku i Liqenit pa president, pa para, pa kompleks stërvitor. Gjeti para, edhe një drejtor teknik si Starova, bëri edhe ai një program stërvitor gjatë dhjetorit e janarit për përgatitjen fizike, u grumbulluan nja 3 mijë tifozë për të parë skuadrën e zemrës së tyre. Ishin bërë edhe blerje të trumbetuara na gazetë, por që në fakt u katandisën me nja tre lojtarë, që kishin muaj dhe vite pa e parë formacionin e skuadrave ku kanë qenë. Në pjesën e dytë, të gjithë e panë që u ranë brekët në fushë. Me sa duket, Starova nuk ka pasur kohë ta ndjekë programin e famshëm stërvitor, sepse përpara na doli fushata e zgjedhjve për “kokën” e FSHF‑së, kështu që lojtarët aq e patën frymën, deri te federata, pasi duket se ishin ngatërruar fletët e programit. Sa për Bejzaden, duket qartë se s’ka dorë në këto blerje e programe. I shkreti ai, e quajtën “Arushë” në Elbasan, si futbollist, por tashti do ta quajnë “Kukull” si trajner në Tiranë. Mbaroi ëndrra e Partizanit, bashkë me ëndrrën e Kuzhes. Endrra e Tiranës ishte për të krijuar një ekip europian. Mori edhe një trajner të shtrenjtë, si Lonçareviç, që s’pa nga iku. Grindje, tension të brendshëm dhe nervozizëm në fushën e lojës, ndëshkime që i kanë kushtuar jo pak. Tashti do ta çuditë Europën me një trajner dhe ndihmës, që do ta drejtojnë skuadrën nga tribuna. Kjo mendohet se është sfidë ndaj federatës, që i ka dënuar, por në fakt është sfidë ndaj rregullave të futbollit. Të gjitha skuadrave shqiptare, që kanë prodhuar futboll dhe futbollistë në dekada, si Elbasani, Shkodra e Flamurtari, dhe të tjerëve, po u merret fryma në malore. Futbolli u zhvendos në periferi. Ky kampionat do të jetë baza e kombëtares shqiptare. Thuhet që ka talente, por këta të fundit, ku stërviten dhe në çfarë fushash luajnë? Cilët janë rivalët e tyre? Një ditë, profesor Bert Karriqi na tha se nga kronometrimet e bëra prej tij, lojë efektive me topin në kampionatin tonë bëhet mesatarisht 25‑30 minuta, ndërsa 60 minutat e tjera janë ridërgime, rikuperime të lojtarëve, llogje me arbitrin dhe të tjera. Na i tha ne të çmendurve këto fjalë, se ata të mençurit e federatës kanë kohë që s’dëgjojnë nga ai vesh. Po dhe ne të çmendurit, kur pyetëm doktorët për çmendurinë në stadiume, na thanë se kjo vjen ngaqë lojtarët s’kanë këllqe. Nga sforcimi fizik, truri nuk furnizohet mirë me gjak dhe nuk e merr sasinë e nevojshme të vitaminave e kripërave minerale. Kurse ca drejtues e tifozë në rrethe, nuk e kanë hallin te loja, por te rezultati, prandaj ushtrojnë dhunë psikike e fizike ndaj kundërshtarëve dhe arbitrave. Ky shpjegim na dha një fije shpresë për të ëndërruar për kualifikim europian, po të futen në fushë drejtuesit dhe t’i bëjnë presion kundërshtarit e arbitrave. Vetëm se në ndeshjet ndërkombëtare nuk pinë ujë deputetë a kryebashkiakë, por duhet të futet vetë presidenti, kryeministri a shefi i opozitës, madje edhe kryetarja e Parlamentit bën punë. Po t’i hyjë ajo arbitrit me britma “rrugaçë e bagabondë, ju kap për zhelesh”, të jep ai jo një, por tri penallti përnjëherë. Të mos i humbim shpresat kurrë për të ëndërruar, se në fund të fundit, në verën e vitit 2012 do të dalë ndonjë burrë i madh dhe do të na bëjë të ëndërrojmë kualifikimin në finalet e vitit 2016.

Besa me 10 veta hedh një këmbë në gjysmëfinale

Kavajasit janë treguar më të fortë në një terren të rënduar në Kavajë. Tirana vijon me probleme
Besa - Tirana 2-0
Shënues: Mancaku 11′ (11 m), Xhafaj 78′
Besa: Shehi, Vrapi, Arapi, Dhëmbi, Fagu, Poçi, Shkëmbi (Tragaj 73′), Cikalleshi (L.Vrapi 80′), Mancaku, Sinani (Shtini 88′), Xhafaj. Trajner: Sh.Duro.
Tirana: Nallbani, Lila, Osmani, Abraham (Hajdari 70′), Pashaj, Sefa, Muzaka, Ahmataj, Plaku (Sina 85′), Bici (Abilaliaj 46′), Devolli. Trajner: A.Nallbani.
Gjyqtarë: E.Jorgji (Elbasan), D.Sala, M.Qersto (Shkodër)
Kartonë të verdhë: Mancaku, Xhafa, Pashaj, Lila, Plaku, Devolli, Osmani
Karton i kuq: Arapi

“Radiografia”

7′ Muzaka, në hyrje të zonës, godet fort, portieri Shehi në dy kohë arrin ta mbërthejë topin.
11′ Krosim nga krahu i djathtë i sulmit kavajas. Nallbani nuk arrin ta zotërojë topin, që i ikën nga duart, Xhafaj në goditje e sipër pengohet prapa nga Lila, gjyqtari akordon penallti. Ekzekuton mjeshtërisht Mancaku, duke realizuar. 1-0 për Besën.
34′ Sefa rrezikon seriozisht portën e Shehit me një goditje të bukur jashtë zone dhe portieri kavajas reagon në mënyrën e duhur, duke grushtuar topin.
41′ Goditje dënimi për kavajasit jashtë zone, ekzekuton bukur Shkëmbi, topi devijohet nga Dhëmbi, por përfundon mbi traversë.
45′ Ndërhyrje e rrezikshme e Arapit nga prapa në dëm të Muzakës në mesfushë. Gjyqtari Jorgji menjëherë nxjerr kartonin e kuq, duke e lënë Besën me 10 futbollistë në fushën e lojës.
50′ Ahmataj ekzekuton një goditje dënimi diagonal me portën, duke e dërguar topin drejt trekëndëshit të Shehit, që me vështirësi arrin ta grushtojë duke larguar rrezikun.
59′ Krosim i Muzakës brenda zonës për Plakun, që godet me kokë, por topi përplaset në shtyllën traversale.
62′ Kombinim Mancaku Xhafaj. Ky i fundit del vetëm për vetëm me Nallbanin, por Lila nga prapa ndërhyn, duke rrëzuar sulmuesin vlonjat. Kavajasit protestojnë për 11 metërsh, por loja vazhdon.
67′ Muzaka pason shkurt për Sefën në hyrje të zonës, godet fort, por Shehi sërish i vëmendshëm arrin ta devijojë topin.
78′ Sinani, në të djathtë të sulmit kavajas, hyn në zonë dhe godet fort, topi grushtohet me këmbë nga Nallbani, ndërhyn Xhafaj dhe e shtyn në rrjetë. 2-0 për Besën.
87′ Tirana e gjithë në sulm përpiqet të shënojë. Rrëmujë në zonën kavajase, ku topi ngec pas një dyluftimi, Vrapi ndërhyn në kohë duke larguar rrezikun.

Komenti

Edhe pse me 10 futbollistë, Besa e ka mposhtur bindshëm Tiranën. Besa tregon se nuk njeh rivalë, kjo është kryefjala e sfidës mes Besës e Tiranës për Kupën e Shqipërisë. Ka qenë pa dyshim ndeshja më e mirë e verdhezinjve këtë sezon.
Një Besë e etur për trofe, një Besë që strategu Shpëtim Duro, si një mjeshtër, ka ditur ta ndërtojë nga e para, ashtu siç ndërtohen kalatë. Besa vërtet në këtë takim i ngjante një kalaje, ku pavarësisht se “ushtria” mike kishte një “ushtar” më shumë gjatë gjithë pjesës së dytë, por këtë as që denjuan ta shohin verdhezinjtë. Jo vetëm pse shënoi dy herë me aksione model, por sepse gjyqtari i ri Jorgji u mohoi më së pakti një 11-metërsh, kur Xhafaj u tërhoq dukshëm prej fanellës në zonë, pa folur për shtyrjen ndaj Sinanit. Protestoi brenda kulturës së saj 85-vjeçare Besa, pa dhunë e ndërprerje loje, siç kemi parë në të tilla raste kudo në stadiumet tona.
E megjithatë, kjo Besë e këtij takimi besonte se, përtej 11-metërshit të mohuar, ajo përsëri do të shënonte. Një super-Xhafaj, që si asnjëherë deri në këtë javë, nuk i kishte bërë të gjitha vetë: golin, mbrojtësin dhe mesfushorin. Një Vioresin Sinan që, sa herë prekte topin, aq frymëmarrje e liri i jepte grupit. Në çdo top të tij me siguri nisej një rrezik për miqtë.
Përmendëm këta dy, por dihet se një Dhëmbi tregoi se, falë klasit të tij, luan edhe qendërmbrojtës, edhe mesfushor, edhe sulmues. Korçari Shkëmbi, truri i mesfushës si gjithnjë, “shkrepja” e sulmeve verdhezi me topat e tij të artë. Përmendëm këta, por të gjithë ishin perfektë, duke filluar nga i pagabueshmi Shehi, Vrapi, Fagu, Arapi a luajti, Poçi, Mancaku (kjo “dhelpër” e vjetër), Cikalleshi e tjerë.
Këtë Besë kishim muaj pa e parë. Një Besë që tregoi se katër ndeshje në 10 ditë as që i ka problem. Me plot të drejtë presidenti Bizhdili do të deklaronte se “Besa ime është si Mançesteri”. Hajde thuaj jo, kur në vitin 2010 në 5 takimet e luajtura, përfshi edhe këtë ndaj Tiranës, arrin katër fitore, pa pësuar gol.
Sa për Flamurtarin, atë ta lëmë mënjanë për shumë arsye që thuhen e s’thuhen. Duke u kthyer te sfida e luajtur, duhet thënë se terreni mjaft i papërshtatshëm për teknikën dhe klasin e Besës, u kompensua me shpirtin e sakrificës dhe egon e një ekipi që kërkon trofe. Si asnjëherë më parë, pamë të zhyteshin e futeshin në sparkatë që nga mbrojtësit, deri te sulmuesit. Si asnjëherë më parë, verdhezinjtë mbështetën lojën e njëri-tjetrit. Pavarësisht inferioritetit në 45 minutat e dyta, ata vazhdonin të sulmonin, sikur ishin me 12 e jo me 10 futbollistë.
Një Besë mjaft e qartë taktikisht, ku merita kryesore shkon për një trajner si Shpëtim Duro, që i ka gjetur “ustain” çdo roli. Me plot katër mungesa të rëndësishme kjo Besë, ndaj Tiranës tregoi se mbetet po aq e fortë. Të gjitha fjalët e mira që mund të thuhen i takojnë Besës këtë herë. Kishte fituar edhe në Fier, në Korçë, me Kastriotin, por fitorja me Tiranën dallon nga të gjitha.
E para, sepse përballë ishte Tirana, që sido të jetë, mbetet kampione në fuqi dhe fanella e saj peshon mbi të tjerat. E dyra, me 10 futbollistë për 45 minta jo vetëm nuk dënohet, por shënon golin e dytë dhe meriton edhe gola të tjerë. Dhe e treta dhe më kryesorja, bëhej fjalë për ndeshje kupe, ku specifika e saj të detyron të luash saktë, ndërsa Besa as që donte t’ia dinte se luhej kupë apo kampionat. Këtë Besë kishin muaj që prisnin tifozët verdhezinj.
Me këtë fitore të arritur, Besa hedh kështu një hap të sigurt drejt kualifikimit në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Vetëm ndonjë hata mund ta eliminonte Besën në takimin e kthimit. Për sa i përket Tiranës, u përpoq mjaft, por duket se të rinjtë Bici, Sefa, Lilaj me shokë nuk e përballojnë dot klasin e blerjeve të Bizhdilit, si Xhafaj, Sinani, Dhëmbi, Poçi e Shkëmbi. Miqtë u përpoqën mjaft dhe madje shpesh edhe me luftë të ashpër sportive, por nuk mundën dot të ishin të qartë të organizuar, ku mungesa e një Devi Muke u ndje shumë. Tirana bëri aq sa mundi, por nuk ishte faji i saj, sepse përballë nuk ishte Skënderbeu, por Besa.

Deklarojnë…

Shpëtim Duro, trajner i Besës: “Ekipi zhvilloi një lojë shumë të mirë, pavarësisht se terreni nuk ishte fort i përshtatshëm. Kemi treguar një formë të shkëlqyer dhe e përgëzoj ekipin. Ishte një fitore e rëndësishme ndaj një ekipi shumë të mirë. Lojtarët dhanë maksimumin dhe tashmë e shohim veten të favorizuar. Ky rezultat na bën të jemi të sigurt në ndeshjen e kthimit, ndërkohë që tashmë do të mendojmë për ndeshjen në kampionati kundër Dinamos. Na pret një ndeshje e fortë dhe e vështirë, kështu që do të vijojmë me përgatitjet. Shpresoj gjithashtu që disa nga lojtarët e dëmtuar të rikthehen.”
Nexhat Bizhdili, president i Besës: “U bindët që Besa është si Mançesteri? Kur e deklarova këtë, jo të gjithë e besuan. Po tani? Në vetëm tri javë kemi zhvilluar plot 6 takime, duke llogaritur Vlorën dy herë, dhe kemi fituar 5 takime, duke shënuar 7 gola dhe mos pësuar asnjë. Kështu, kaq dendur, luan vetëm Mançesteri dhe fiton. Kjo është Besa ime.”
Astrit Nallbani, trajner i portierëve të Tiranës: Nuk u prononcua për shtypin.

Dëbora nuk lë gol te Skënderbeu-Vllaznia

Vetëm ndeshje futbolli nuk është luajtur dje në Korçë, pasi kushtet atmosferike e bënë të vështirë

Skënderbeu Vllaznia 0-0
Skënderbeu: Kosturanov, Çajku, Lako, Lika, Leskarovski, Roshi, Doku, Asllani (Xaka 75′), Frashëri (Nestoroviç 60′), Malindi (Aliu 87′), Grizha. Trajner: M.Josa.
Vllaznia: Grima, Smajli, Kraja, Shtubina (Doçi 76′), Belisha, Haxhibuliç (Bala 70′), Nallbani, Sykaj, Rajoviç, Leci (Mrvaljeviç 70′), Feniks. Trajner: E.Martini.
Gjyqtarë: L.Alla, A.Guçe, D.Koreshi (Lushnjë)
Kartonë të verdhë: Frashëri, Leskarovski, Feniks

“Radiografia”

5′ Malindi për korçarët, në rastin e parë të ndeshjes, për pak sa nuk shënon në zonën shkodrane, por terreni nuk e lë topin të përfundojë në rrjetë.
7′ Miqtë provojnë të rrezikojnë me anë të Nallbanit, i cili gjuan dhe Kosturanov bën mrekullinë me grushtimin e tij.
8′ Kraja për Vllazninë, i ndodhur brenda zonës kuqebardhë, përfiton nga një rrëmujë, gjuan, rrezikon seriozisht portën korçare.
10′ Nallbani provon sërish të gjuajë në hyrje të zonës dhe përsëri është Kosturanov që këtë herë pret me vështirësi.
24′ Roshi për Skënderbeun provon të shërbejë bukur brenda zonës pas një goditjeje dënimi, por është Grima që ekzekuton një grushtim spektakolar.
26′ I dyti rast brenda pak minutash për korçarët dhe përsëri është Grima protagonist, që grushton topin e gjuajtur nga Malindi.
34′ Haxhibuliç për miqtë provon në një goditje dënimi dhe Kosturanov përsëri shpëton me pritjen e tij, një top që po i drejtohej rrjetës.
51′ Haxhibuliç për Vllazninë ndodhet i vetëm në hyrje të zonës dhe përfiton nga dalja e gabuar e Kosturanovit, gjuan, por topi përfundon ngjitur me shtyllën e majtë korçare.
54′ Feniks, një nga më të mirët në fushë, nuk është me fat. I ndodhur në zonën korçare kalon me një parabël edhe portierin Kosturanov, por topi, falë terrenit të rënduar, mbetet në vijën fatale dhe më pas largohet nga mbrojtësit korçarë.
55′ Vetëm një minutë më vonë, sulmuesi Feniks sërish gjuan rrezikshëm dhe topi përfundon ngjitur me shtyllën e majtë korçare.
76′ Xaka, në të vetmin rast të kësaj pjese të dytë për korçarët, kroson dhe gjuan njëkohësisht, por jashtë kuadratit.

Komenti

Vetëm ndeshje futbolli nuk është luajtur dje në stadiumin “Skënderbeu”, në takimin e parë të turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, mes Skënderbeut vendas dhe Vllaznisë. Shiu i rrëmbyeshëm pjesën e parë dhe dëbora e madhe që ka rënë pjesën e dytë e kanë kthyer më shumë këtë takim në një ndeshje me “topa bore”, pasi të dyja skuadrat e kanë pasur të pamundur për të dhënë më të mirën në një terren më shumë se të papërshtatshëm. Gjithsesi, ajo që ishte më e rëndësishme është fakti që kjo ndeshje është zhvilluar, pasi nëse do të anulohej, atëherë për Skënderbeun do të kishte dy ndeshje të prapambetura, një për kupë dhe tjetra për kampionat.
Skënderbeu dje ka qenë një skuadër e formatuar nga e para, ku në fushën e lojës, qysh në minutën e parë, janë hedhur katër emra të rinj, si Malindi, Roshi, Grizha, Asllani dhe futja në pjesën e dytë edhe e serbit Nestoroviç, duket se i ka dhënë një tjetër “fytyrë” Skënderbeut, që më shumë në fakt e ka mendjen në kampionat, sesa për kupë. Po dje, i pranishëm në tribunë ka qenë edhe Guerrib, kroati i cili kishte mbërritur vetëm një ditë para, por nuk është aktivizuar për shkak të lodhjes.
Trajneri Mirel Josa dje ka bërë nga ana e vet edhe debutimin në stolin korçar, ndërkohë që në fund vetë njëshi i pankinës në përgjithësi ka qenë i kënaqur me lojën e të tijve, pavarësisht se ai, ashtu si edhe sportdashësit kuqebardhë, kanë parë një ndeshje që në fakt vetëm lojë të rregullt nuk prodhoi. Gabime të shumta nga të dyja skuadrat në 90 minutat e djeshme dhe kjo ka ardhur në varësi të terrenit, ku i detyroi më shumë ekipet vetëm të largonin topin nga zonat e tyre.
Kjo solli edhe ato pak raste, madje të numëruara me gishtat e njërës dore. Në pjesën e parë minutat e para kanë folur për korçarët, ku pa dyshim që Malindi ka qenë i rrezikshëm në minutën e 5 të, por nuk ka qenë me fat të shënonte golin e parë me fanellën e re. Pas këtij momenti, miqtë me anë të Nallbanit dhe Krajës, krijojnë rrezikun e parë në portën korçare, ndërkohë që momenti më i rrezikshëm ka qenë ai i minutës së 10 të, kur Nallbani ka gjuajtur dhe ka pritur Kosturanov.
Deri në përfundimin e pjesës së parë duhet thënë se për korçarët ka pasur dy momente të mira, me anë të Roshit dhe Malindit dhe Vllaznia një me anë të Haxhibuliçit, por rrjetat kanë mbetur të paprekura. Në pjesën e dytë në Korçë nuk ka rënë më shi, por borë, që e ka vështirësuar më shumë terrenin e lojës. Vetëm dhjetë minutat e para kanë prodhuar disi lojë, ku tre raste të pastra janë për shkodranët, një me anë të Haxhibuliçit dhe dy të tjerët me anë të sulmuesit Feniks.
Ky i fundit, në minutën e 54 t ka edhe rastin më të pastër, teksa ka kaluar me parabël edhe portierin Kosturanov, por topi është ndalur në vijën fatale, aq sa ka sjellë edhe disa protesta nga pankina shkodrane, duke pretenduar për gol. Që nga ky moment dhe deri në fund, nuk është luajtur më futboll dhe në këtë mënyrë gjyqtari Alla e ka mbyllur para kohe këtë ndeshje, që ka përfunduar si bardhësia e dëborës, me shifrat e bardha, 0 0. Gjithçka është e hapur për ndeshjen e kthimit në “Loro Boriçi”, por për të mbërritur deri atëherë, korçarët do të bëjnë një tjetër vizitë në Shkodër këtë të shtunë, por këtë herë për kampionat.

Deklarojnë…

Mirel Josa, trajner i Skënderbeut: “Në përgjithësi jam i kënaqur nga loja e skuadrës time, pasi ishte ndeshja e parë dhe dita e dytë që ndodhem në krye të skuadrës. Ekipin nuk e njoh shumë, por gjithsesi, si afrimet e reja, edhe ata lojtarë që ishin këtu, u përpoqën të bënin më të mirën dhe në momente të ndryshme rrezikuam, por terreni ishte i rënduar. Gjithsesi, në disa pika duhet të ndërhyj dhe shpresoj që edhe ardhja e Guerribit të na bëjë punë. Në Shkodër, të shtunën për kampionat do të luajmë ndryshe, pasi kampionati për ne ka më shumë rëndësi. Gjithsesi, edhe në ndeshjen e kthimit për kupë do të mundohemi të bëjmë më të mirën.”
Edi Martini, trajner i Vllaznisë: “Me përjashtim të dhjetë minutave të para që u dominuan nga vendasit, mund të them se në pjesën tjetër ishim ne superiorë në fushën e lojës. Ekipi luajti shumë mirë dhe më vjen keq që nuk fituam. Sidoqoftë, në këtë terren ishte e vështirë që të bënim më shumë dhe kam pretendime vetëm për një moment, por që sidoqoftë nuk ishte faji i gjykimit, por i terrenit. E mbyllëm Skënderbeun në portë në pjesën e dytë dhe treguam një përgatitje të lartë fizike. Do të luajmë prapë me Skënderbeun këtë të shtunë, por këtë herë për kampionat dhe vetë pozitat na bëjnë që të kërkojmë vetëm fitoren.”

Të veçanta

Në ndeshjen e djeshme, edhe pse hyrja ka qenë falas, kanë qënë të pranishëm pas sportdashës, pasi koha në Korçë ka qenë me shumë reshje.
Gjatë gjithë pjesës së parë, shiu nuk ka pushuar për asnjë moment, ndërkohë që në të dytën fusha është mbuluar nga bora.
Në minutën e 75 të gjyqtari i ndeshjes është detyruar që të fusë në fushë një topi të kuq, me të cilin është luajtur deri në fund.
Në pjesën e dytë ishte e vështirë për të dalluar futbollistët në fushën e lojës, për shkak të borës, aq sa detyroi gjyqtarin Alla që ta përfundonte ndeshjen një minutë para kohës së rregullt.

Moti ndërpret ndeshjen e kupës Gramozi-Teuta

Janë luajtur 30 minuta, pastaj gjyqtari Pashaj e ka ndërprerë nga kushtet atmosferike

Gramozi - Teuta 0-0 (30 minuta)

Gramozi: Ametlli, Rexhepi, Xhyra, Kukaj, Semina, Hoti, Ngjela, Haxhibuliç, Shaqiri, Sadiku, Dos Santos. Trajner: E.Aliko.
Teuta: Rizvani, Stafa, Dushku, Jakupi, Imeraj, Deliallisi, Hodo, Hoxha, Muçollari, Mile, Çota. Trajner: Y.Shehu.
Gjyqtarë: B.Pashaj, D.Agaraj, E.Demiraj (Tiranë)
Takimi i parë i Kupës së Shqipërisë midis ekipit të Gramozit dhe Teutës pritej me mjaft interesim nga sportdashësit kolonjarë, pasi prisnin që ekipi i tyre të arrinte një rezultat pozitiv për të shkruar një histori të re për ekipin e Gramozit pas daljes në superligë dhe kalimit në çerekfinale. Por koha tepër e vështirë me reshje të shumta dhe, sidomos pas fillimit të ndeshjes, bënë që gjyqtari Bardhyl Pashaj, me të drejtë, pas 30 minutash lojë, ta ndërpresë atë, pasi terreni i stadiumit të Ersekës është kthyer në një liqen të vogël artificial. Pashaj, pasi ka biseduar me vëzhguesin e takimit Resmelliu, të deleguarin e FSHF-së dhe me drejtuesit e të dy ekipeve, ka rënë dakord që ndeshja të mos vazhdojë më. Megjithatë, në 30 minutat që u zhvillua ky takim, kolonjarët kanë qenë tepër të rrezikshëm me Ngjelën dhe Dos Santosin.

Deklarojnë…

Edmond Aliko, zëvendëstrajner i Gramozit: “Ishim përgatitur për këtë takim, por siç e patë, terreni pas shirave të shumtë u bë tepër i vështirë dhe me të drejtë Pashaj e ka ndërprerë këtë takim, pasi topi nuk mund të lëviste dhe ky vendim ka qenë shumë i drejtë. Tashmë na mbetet për detyrë të mendojmë për takimin e ardhshëm për kampionat.”
Ylli Shehu, trajner i Teutës: “Mund të them se gjyqtari i takimit ka vepruar në mënyrën më të mirë, pasi dhe ato minuta që u luajtën, nuk mund të quhen futboll. Terreni ishte tepër i rënduar dhe nuk mund të luhej. Futbollistët sa iknin minutat po shfaqnin lodhje, kjo dhe nga i ftohti që ishte në Ersekë. Terreni sa vinte dhe vështirësohej më shumë dhe nuk luhej më, pasi topi nuk mund të shkonte më shumë se një apo dy metra për arsye të ujit.
Do më pëlqente që në Ersekë të ishte kohë e bukur dhe të zhvillohej një takim i bukur, pasi sportdashësit kolonjarë janë shumë futbolldashës dhe kërkojnë gjithmonë një futboll të bukur dhe burrëror. Do të ndeshemi në fundjavë me Gramozin në Durrës, ku do të jetë një takim i bukur, pasi, si Teuta, ashtu edhe Gramozi, janë ekipe të mira dhe besoj se do të luhet një takim i hapur, pasi edhe Gramozi luan futboll të bukur në fusha jashtë Ersekës.”
Zia Shaba, i deleguari i ndeshjes: “Mund të them se ky takim duhej ndërprerë, pasi shiu i rrëmbyeshëm që filloi, por edhe ai që kishte rënë gjatë gjithë ditës së sotme e bëri terrenin tepër të vështirë dhe futboll nuk mund të luhej. Gjyqtari me të drejtë pas konsultimit me dy kapitenët e ekipive dhe trajnerët e tyre në prezencën tonë kanë rënë dakord që ky takim të ndërpritej, për t’u luajtur një ditë tjetër. Kjo erdhi pasi edhe futbollistët e të dy ekipeve u mpinë nga të ftohtit dhe shiu i rrëmbyeshëm. Balta dhe pellgjet me ujë nuk lejonin që topi të lëvizte. Kështu nuk bëhej më fjalë për futboll. Ne u detyruam ta ndërpresim këtë takim në minutën e 30-të. Të gjithë këtë e bëmë duke u bazuar te rregullorja.”

Muka: Nevilin e kam shok, zgjedhja e tij

Devi Muka me detyrë të dyfishtë tashmë, flet për largimin e Dedes, postin e ri dhe takimin me verdhezinjtë
Që nga dita e djeshme, Devi Muka nuk do të jetë vetëm kapiten i skuadrës së Tiranës, por pas largimit të Nevil Dedes, do të ketë edhe detyrën e zv.trajnerit. Muka nuk e ka aspak të vështirë që ta bëjë një gjë të tillë, nisur edhe nga karriera e pasur dhe e suksesshme që ka si lojtar, brenda dhe jashtë vendit, por edhe me fanellën e ekipit kombëtar.
Dje, në një prononcim për mediat, Muka fillimisht foli për largimin e Dedes: “Më vjen keq që Nevili u largua, por në fund të fundit sot çdo njeri vendos vetë për veten. Nuk më takon mua të analizoj situatën në klub, sepse ka drejtues që merren me këtë punë. Unë kamë luajtur me të dy, jo vetëm kaq, por i kam shokë edhe sot, si Deden ashtu dhe Tafajn. Mirë nuk është që u largua, gjithsesi ishte zgjedhja e tij,”- pohoi kapiteni i bardhebluve Devi Muka.
Në lidhje me detyrën e re që do të ketë si zv.trajner i Tiranës, që është propozuar nga drejtuesit më të lartë të klubit, të hënën në mbrëmje, Muka i falënderon të gjithë ata që e besuan, por, sipas tij, është ende herët, pasi ka akoma për të dhënë në fushën e lojës. “Mendoj se kjo ishte zgjidhja më e mirë për momentin nga ana e presidencës, duke parë largimin e papritur të Dedes. Unë do të bëj maksimumin në bashkëpunim me Albanin dhe A.Nallbanin, por më shumë do të jem një Devi-lojtar në marrëdhëniet me skuadrën.
Jo sepse nuk di ta bëjë detyrën e zv.trajnerit, por është ende herët nisur edhe nga diferenca jo e madhe e moshës që kam me disa nga shokët e skuadrës. Jam i bindur se kam ende për të dhënë në fushën e lojës. Do të ishte mirë që presidenti të gjejë një trajner, sepse do t’i shërbejë ecurisë së ekipit në të ardhmen,” - shtoi Muka, që në mbyllje të fjalës së tij i bën thirrje skuadrës të japë maksimumin sot në Kavajë.
“Kemi një ndeshje decizive, ndaj të gjithë sot duhet të bëjnë më të mirën në fushën e lojës, pasi edhe kavajasit janë një ekip i fortë në fushën e tyre. Kupa është një nga synimet tona këtë sezon, ndaj duhet të bëjmë më të mirën që të marrim një rezultat që të na favorizojë në sfidën e kthimit,”- përfundoi lideri i Tiranës, Devi Muka.

Tafaj anashkalon Deden, mendjen te kupa

Pavarësisht deklaratës që ka dhënë Nevil Dede ditën e djeshme, se skuadra e Tiranës komandohet me celular, ku “shigjetonte” trajnerin e dënuar, Alban Tafaj, ky i fundit dje nuk është parë në humor fort të mirë në “Skënder Halili”. Më tepër se deklaratat e ish-ndihmësit të tij, trajnerin e bardhebluve e shqetëson gjendja e ekipit që drejton.
Tafaj e ka përqendruar vëmendjen te sfida e sotme, që do të luhet në stadiumin “Besa”. “Pavarësisht atyre që ka thënë Nevili, unë nuk dua të kundërpërgjigjem, nuk e kam atë natyrë. Tashmë e kam mendjen vetëm te ndeshja e sotme me kavajasit. Dihet që kupa është objektivi që ne synojmë, kjo më duket edhe ngjarja më e rëndësishme e ditës, ndaj unë dhe skuadra jemi të preokupuar vetëm në këtë drejtim,”- pohoi trajneri i bardhebluve, Alban Tafaj.