05 shkurt 2010

Kategoria Superiore ne GrandeJuve

Nallbani i revoltuar: Duan të na shkatërrojnë

Stafi dhe lojtarët e kryeqytetasve nuk i kanë kapërdirë aspak mirë vendimet e Apelit
Pasi kanë mësuar vendimin e Apelit, drejtuesit dhe lojtarët e skuadrës së Tiranës kanë ngelur mjaft të zhgënjyer nga vendimet që, sipas tyre, kanë qenë në dëm të ekipit të tyre. Trajneri Alban Tafaj, por edhe drejtuesit e klubit shpresonin te një ulje e masës ndëshkimore, por kjo nuk ndodhi.
Ai që ka reaguar pas vendimeve të Apelit ka qenë portieri Blendi Nallbani, i cili është edhe zv.kapiten i bardhebluve. Sipas “Tatës”, ky vendim ka qenë vetëm për të dëmtuar akoma më tepër ekipin e Tiranës. “E dija që do të ndodhte kështu dhe askush nuk do ta vinte “dorën në zemër” për ekipin tonë.
E parandjenim që nuk do të faleshim, madje edhe ulja e dënimit të Devi Mukës është bërë sa për sy e faqe. Duket qartë që ky është një “kunj” i Dukës me presidentin tonë, Halili. Madje, ai dhe të tjerë në federatë po kërkojnë që ta shkatërrojnë Tiranën, kjo u pa qartë në ndeshjen me Dinamon, por duket se inati i tyre do të vazhdojë edhe më tej në javët e ardhshme.
Madje duan që të na dëmtojnë edhe në ndeshjet e tjera dhe krahas bluve të favorizojnë edhe ekipin kavajas, që do të luajë me ne për Kupë në turin e radhës, pasi Duka ka borxhe për t’i larë “Xhatit”. Por edhe ne nuk kemi për t’u dorëzuar do të vazhdojmë “betejën” deri në fund për të treguar se kjo Tiranë ka forca t’ia dalë edhe e vetme,”- përfundoi portieri i bardhebluve, Blendi Nallbani. Ndërkohë, edhe tifozët e shumtë që kanë qenë në “Skënder Halili” për të ndjekur seancën e djeshme, kanë shprehur mllef ndaj vendimeve të Apelit.

Gramozi, prova e stolit blu në të ftohtë

Dinamo do të ketë plot pesë mungesa në transfertën e Ersekës
Sfida e sotme përballë Gramozit do të jetë një “gur prove” për disa nga lojtarët e pankinës dinamovite, të cilët dashje pa dashje, duke kërkuar të drejtën e tyre, gjatë sezonit e kanë ngritur ndonjëherë zërin për një vend titullari. Tashmë “kartat” janë në duart e tyre. Sfida ndaj skuadrës së drejtuar nga Agim Canaj, Gramozi i Ersekës, për disa rrethana, cilësohet tepër e vështirë për skuadrën e Dinamos, për më tepër që mungesat janë plot pesë. Kapiteni Arian Pisha (3 kartonë të verdhë), Bekim Kuli (2 javë i pezulluar), Papa Diop (1 karton i kuq), Gentian Muça, Marko Putinçanin (arsye shëndetësore).
Këtë fakt e ka komentuar edhe vetë trajneri Shkëlqim Muça përpara nisjes drejt Ersekës. “Kjo është java më e vështirë për ne, në kuptimin që, përpara një ndeshjeje, kemi shumë mungesa. Në një ndeshje mund të pranohen një apo dy mungesa, por jo shumë. Këtë radhë jemi shumë, sepse dhe Muça është duke kaluar një virozë. U shtua edhe ai në listë, përveç tre futbollistëve të skualifikuar, apo dhe Putinçanit të sëmurë. Një skuadër prandaj ka një kontigjent të gjërë lojtarësh, për të zëvendësuar të munguarit.
Ne kemi një grup futbollistësh, të cilët janë në gjendje ta realizojnë objektivin që ka Dinamo, kur kërkohet marrja e maksimumit. Fatkeqësisht janë shumë mungesa, ndërsa një trajner do të kishte dashur t’i kishte të gatshëm të gjithë futbollistët. Por në një kampionat të gjatë janë të parashikuara edhe skualifikimet me kartonë, apo dhe dëmtimet e lojtarëve.
Ne e kemi grupin që mund ta përballojë mirë këtë transfertë. Unë kam besim te këta futbollistë që janë, sepse kështu u jepet mundësia dhe lojtarëve, të cilët kanë luajtur më pak gjatë sezonit. E në të tilla kushte, një futbollist që luan mirë mundet të aktivizohet më gjatë në formacion,”- deklaron i shqetësuar kryepankina dinamovite.

Vllaznia, në Tiranë për “rehabilitim”

Nëse shkodranët arrijnë të fitojnë ndaj bardhebluve, atëherë dy humbjet mund të harroheshin
Skuadra shkodrane duket se e ka lënë prapa njëherë e mirë ndeshjen e humbur ndaj Laçit. Këtë e kanë shprehur dje disa nga futbollistët e saj gjatë seancës stërvitore. Dy ditë para ndeshjes me Tiranën, Amarildo Belisha dhe Ervis Kraja janë optimistë për një paraqitje të mirë dhe rezultat pozitiv në takimin e radhës. Duke folur për “Sportin shqiptar”, ata janë shprehur se ndeshja me bardheblutë është një test i mirë për të treguar se skuadra e dy ndeshjeve të para të këtij viti nuk është ajo e vërteta.
“Ne e pranojmë që nuk ka qenë paraqitja e duhur ajo në dy ndeshjet e para. Këtë e them bazuar në punën që kemi bërë gjatë fazës përgatitore, por edhe ndeshjeve miqësore që kemi zhvilluar gjatë kësaj periudhe. Skuadra ka shumë më tepër forca sesa kaq dhe këtë besoj se do ta tregojmë edhe në ndeshjen e kësaj jave me Tiranën. Shumë pozitiv për ne është fakti që këtë radhë, për herë të parë dhe në krahasim me dy ndeshjet e para, Vllaznia do të jetë e plotë në formacion, çka do jetë një plus më tepër për të për të kërkuar një rezultat pozitiv,” ka thënë mbrojtësi Kraja.
Së bashku me shokët e tjerë të ekipit, ai i ka pranuar gabimet e bëra në ndeshjen ndaj Laçit dhe kërkojnë të bëjnë natyrshëm autokritikë. Nga ana tjetër, javën e kaluar nuk ka luajtur dhe mungesa e tij është ndierë në mesfushë ndaj kurbinasve, por Belisha është i mendimit se gjërat duhen ndryshuar sa më parë.
“Ekipi i ka pranuar përgjegjësitë e tij për dy ndeshjet e para dhe do të kërkojë të reflektojë në takimin me Tiranën. Do të mundohemi të bëjmë më të mirën dhe ashtu siç erdhi Laçi dhe na mori fitoren në Shkodër, nuk ka pse të mos pretendojmë edhe ne të fitojmë në Tiranë. Kuptohet që bilancet e këtyre viteve të fundit mund të flasin në favor të bardhebluve, por kjo nuk është gjithçka,” ka shtuar Amarildo Belisha, zëvendëskapiteni i Vllaznisë. Pozitat e shkodranëve në renditje nuk janë aspak të mira dhe për rrjedhojë ata më shumë se kurrë kanë nevojë për pikë në këto momente. Këtë e kanë të qartë të gjithë, futbollistë e trajnerë.
Pozitiv është fakti që kundërshtari i kësaj jave do të ketë disa mungesa të rëndësishme në formacionin e tij dhe kjo konsiderohet një ndihmë e madhe për kuqeblutë. Ervis Kraja megjithatë nuk e mendon krejt kështu këtë problem dhe prandaj përgjigjet: “Në pamje të parë, jemi të favorizuar nga ky fakt, por nga ana tjetër Tirana nuk do të luajë me ndonjë lojtar më pak. Në fushë do të hedhë sërish 11 futbollistë dhe ata që do të luajnë kanë edhe ato vlerat e tyre. Nëse nisemi nga kjo gjë, do të gabojmë rëndë dhe mund ta pësojmë.”
Edhe Belisha ka të njëjtin mendim dhe në fund do të thoshte: “E rëndësishme është që ne do të jemi të plotë dhe do të mundohemi të bëjmë lojën tonë. Se si do të luajë kundërshtari dhe kush do të aktivizohet, ne nuk na intereson shumë, por do të mundohemi me të gjitha mënyrat të arrijmë të marrim pikë në këtë ndeshje, pse jo edhe fitoren.”

Martini provon formacionin anti Tiranë

Pasditen e djeshme, ekipi i Vllaznisë seancën e radhës e ka zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”. Ka qenë trajneri Edi Martini që e ka kërkuar një gjë të tillë, sepse ka dashur të testojë skuadrën e tij për 30 minuta në një minindeshje kontrolli. Formacioni i kuqebluve në ndeshjen me bardheblutë do të ketë disa ndryshime. Grima do tw jetw nw portw.
Në mbrojtje, Smajli do të luajë nga e djathta dhe Leci në të majtë, ndërkohë që në qendër pritet të jenë Kraja dhe Rajoviç. Në mesfushë do të luhet me 5 lojtarë, në qendër Nallbani e Belisha, ndërsa në krahë përsëri Shtubina dhe Feniks, ndërsa para dyshes së qendrës do të vendoset Alikaj. Në sulm do të luhet vetëm me Balën.

Situata jo e mirë i bën supersticiozë kuqeblutë

Shumë prej pjesëtarëve të Vllaznisë nuk kanë pasur dëshirë të flasin për mediat gjatë këtyre ditëve të pasndeshjes me Laçin. Sigurisht, e ndiejnë përgjegjësinë e asaj humbjeje, e cila madje është konsideruar e turpshme nga shumëkush.
Për më tepër, edhe për situatën që tashmë është krijuar, teksa ka filluar të diskutohet gjithnjë e më tepër edhe shprehja “rënie nga kategoria”. Pjesëtarë të stafit apo dhe futbollistë të veçantë, kërkojnë të bëhen supersticiozë në këto momente. Zëvendëstrajneri Esat Rakiqi thotë se dy herë ka folur në media dhe dy herë kanë humbur. Edhe Smajli

Bizhdili, “dajak” të fortë Besës së tij

Presidenti Bizhdili nuk e ka kapërdirë dot humbjen diskretituese me Flamurtarin në Vlorë
Nuk ka preferuar ta shohë Besën e tij në stadiumin “Flamurtari” dhe duket se një ndjenjë e keqe i ka paraprirë vendimit të tij. E ka ndjekur i qetë në televizor ndeshjen e të besuarve të tij ndaj Flamurtarit. Pas përfundimit të sfidës, ku Besa jo vetëm u mund, por madje thellë, presidenti i ekipit kavajas është shprehur tepër i irrituar.
Deri në orët e vona të së mërkurës ai ka pritur dhjetëra telefonata, ku në qendër të tyre ishte zhgënjimi me Besën e tij. Në këto kushte, fillimisht ka pritur përfundimin e seancës stërvitore, për të thirrur ekipin në një analizë me tone tepër të ashpra.
“Ajo që pashë nuk ishte Besa ime, përkundrazi, një grup që nuk dinte çfarë bënte. Mes jush ka edhe ndonjë apo dy-tre futbollistë që nuk kanë moralin dhe sedrën e kërkuar. Me ta do të merrem, mos kini merak. Po ajo që bëtë në Vlorë do të ma paguani shtrenjtë. Nuk jua kam borxh që paaftësinë tuaj ta vuaj unë me aludime nga kolegët e mi. Ata kanë plotësisht të drejtë kur nuk binden dot se ajo që panë ishte Besa e vërtetë.
Takimin e përsëritur kisha besim absolut se do ta fitonim. Pas dy fitoreve, mendova dhe besova se vërtet kapja e Dinamos ishte më se reale dhe e mundshme. Nuk u besoja syve se si mbrojtja ime u shkërmoq përballë futbollistëve të rinj vendës. Po aq keq sulmi e mesfusha. Të gjithë jeni përgjegjës për atë çfarë dhatë në Vlorë, madje pa tifozë, pa asnjë presion. Po të ishte Flamurtari kaq i fortë, nuk do të ishte në fundin e tabeles
Turp, turp! Kjo është ajo çfarë meritoni. Para takimit ju dhashë premion prej 10 milionë lekësh për fitoren në Fier. Ju pyes juve, në cilin ekip keni marrë të tillë premio? Mos kujtoni se Bizhdili është ai i pari. Tani njoh në detaje të gjithë makinerinë e zhvillimit të një ndeshjeje. E di se kush vërtet është në një ditë të keqe dhe kush nuk angazhohet në maksimum. Ta keni të qartë se nga ky moment secili prej jush do të përgjigjet personalisht. Nuk kam shpenzuar miliona edhe në janar për vendin e dytë.
Ai quhet detyrimi më minimal i juaj, po investimi im është bërë për tjetër objektiv. Të ishte për vendin e dytë, do të më mjaftonte kontigjenti i dhjetorit dhe fitoret në Kavajë. Përveç Sinanit e Shkëmbit, kam nënshkruar edhe me futbollistë të tjerë. Mirë më tha një kolegu im: Me kaq sa investon ti, Xhat, titulli duhet të jetë i Besës, ndryshe shiko ku “pikon çatia”. Këtë do të bëj në javët në vijim. Harrojeni se Bizhdilit mund t’ia hedhë ndokush,” - është shprehur Bizhdili. Presidenti kavajas lëshoi edhe akuza të tjera të rënda, që nuk preferoi t’i bënte publike, por të mbeteshin brenda mureve të dhomës së analizave.

Magani: Flamurtari s’ka kohë të festojë

Trajneri Gugash Magani po përgatit ekipin për një tjetër fitore, atë me Apoloninë në Vlorë
Fitore përballë Besë, tre gola për tri pikë dhe një shkallë më shumë në renditjen e superligës. Tashmë Flamurtari e sheh veten në vend të 10 të, duke pretenduar që ndoshta edhe pas neshjes me Apoloninë të ngjitet sërish, duke përfituar nga ndeshjet që kanë ekipet e tjera. Megjithatë, më parë vlonjatët duhet të fitojnë me Apoloninë dhe për këtë qëllim trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, ka pranuar se nuk ka kohë për të festuar, por duhet menduar menjëherë për ndeshjen e së dielës me ekipin fierak.
Magani ka pranuar se ishte një fitore plotësisht e merituar dhe tri pikët përballë Besës do të vlejnë jo vetëm për renditjen, por edhe për moral. Edhe pse ka luajtur dy herë përballë Besës në pak ditë, Flamurtari ka ditur që të marrë fitore, por natyrisht rezultati 3 0 është edhe më i bujshëm, kur dihej që luhej përballë një ekipi që pretendon të qëndrojë sa më afër Dinamos së vendit të parë, madje edhe të rivalizojë deri në fund për titullin kampion.
“Treguam se jemi një ekip që di të luftojë me të gjithë kundërshtarët dhe natyrisht ishte një fitore plotësisht e merituar. Kemi dominuar plotësisht ndaj kundërshtarit dhe mendoj se edhe golat e shënuar erdhën si fryt i lojës sonë, duke mos lejuar kundërshtarin të na rrezikojë. Unë e kisha thënë që pas vendimit nga komisioni i disiplinës se do të arrinim të fitonim sërish ndaj Besës dhe e arritëm këtë më së miri.
Meritën e kanë të gjithë futbollistët, duke treguar më të mirën e tyre dhe natyrisht kanë dhënë sinjale pozitive edhe për ndeshjet e tjera. Nuk kemi kohë të festojmë, pasi shumë shpejt do të luajmë sërish, këtë radhë ndaj Apolonisë në Vlorë. Një tjetër ndeshje që duhet ta vlerësojmë në maksimum, por mbi të gjitha kënaqësi është fakti që shkallët e stadiumit nuk do të jenë bosh, ashtu si edhe ndaj Besës.
Mbi të gjitha, ndeshjet që do të luajmë në Vlorë, duhet të marrim maksimumin. Tashmë radha është me Apoloninë, ekip të cilin unë e vlerësoj mjaft për atë çfarë ka dhënë deri tani në këtë sezon, duke treguar se mbetet një kundërshtar mjaft i rrezikshëm. Duhet të vijojmë në rrugën e fitoreve,” ka përfunduar trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani.

Bejte po kthehet në protagonist te Shkumbini

Porta e Shkumbinit, që nga fillimi i sezonit i është besuar 20 vjeçarit Ibrahim Bejte, duke qenë i vetmi futbollist që i ka luajtur të plota 90 minutat në 20 javët e kampionatit. Lushnjari që është edhe pjesë e ekipit kombëtar Shpresa, ka ditur të jetë garanci e portës që i është besuar. Në takimin e fundit me Flamurtarit, që u zhvillua në Peqin të shtunën që kaloi, u kthye në protagonist kryesor për fitoren që arriti Shkumbini, duke pritur gjuajtjen e Memellit nga pika e 11 metërshit, ku rezultati në ato momente ishte i barabartë 1 1. Me këtë veprim, falë aftësive që ka i mohoi kundërshtarit një gol thuajse të sigurt, duke i dhënë zemër ekipit të tij për të shënuar golin e dytë të fitores.
“Mendoj se bëra atë që më takonte, ndoshta për të shlyer gabimin që bëra kur shkaktova 11-metërshin,” - pohon portieri. Duke pranuar se ndihet i priviligjuar që është pjesë e Shkumbinit, ai vlerëson punën që ai bën me ekipin nën drejtimin e trajnerit Arnit Ballhysa gjatë seancave stërvitore, duke e parë formën e vet dhe sportistëve të Shkumbinit, si një dritare që të çon në ekipet kombëtare. Bejte është optimist edhe për ndeshjen e radhës me Laçin, duke besuar tek ekipi dhe reparti i mbrojtjes megjithë mungesën e Feruzoviçit për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve.
Këtë takim ai e konsideron edhe si një test përballë një ekipi që nuk fal lehtë në fushën e vet. Për Bejten, nuk ishte e rastësishme që trajneri Daiu vendosi që ndeshjen e kontrollit ta zhvillonte në fushën e re të Kavajës, atje ku stërvitet ekipi i Besës, për t’u përshtatur me terrenin e mirë të stadiumit të Laçit. “E kemi nisur mirë vitin 2010 dhe e rëndësishme është ta vazhdojmë kështu. Jemi të vetëdijshëm që nuk do ta kemi të lehtë përballjen me Laçin që vjen pas fitores me Vllazninë, por ne do të luftojmë për një rezultat pozitiv,” ka përfunduar portieri Bejte.

Muça: Me Gramozin, sfida më e vështirë

Dinamo me pesë mungesa, sot përballë kolonjarëve
Sfida Gramozi-Dinamo, që do të luhet sot në Ersekë, do të hapë javën e 20-të në Kategorinë Superiore. Kryesuesit e kampionatit do të vendosen përballë atij që, sipas trajnerit Shkëlqim Muça, është testi më i vështirë i këtij sezoni. Kjo për shkak se blutë do të zbresin në fushën e lojës me formacion të përgjysmuar, ku problemet më të mëdha janë padyshim në repartin e mbrojtjes. Treshja titullare, Pisha, Diop e Putinçiani nuk janë në dispozicion të skuadrës. Dy të parët mungojnë për shkak kartonësh, ndërsa mbrojtësi serb ka ende probleme shëndetësore dhe ende nuk mund të thuhet me siguri kur do të rikthehet në fushë. Në fillim të javës, përveç treshes së repartit difensiv, ishte e konfirmuar edhe mungesa e Bekim Kulit, i penalizuar me dy javë nga Komisioni i Disiplinës. Por, lajmi tjetër i keq ka ardhur nga mesfushori me tipare mbrojtëse, Gentjan Muça. Lojtari 22-vjeçar, që së fundmi u përfshi në planet e trajnerit të Kombëtares, Josip Kuzhe, është i sëmurë dhe nuk udhëtoi me skuadrën. Përpara nisjes për në Korçë, ku blutë kaluan mbrëmjen e së enjtes, trajneri Muça e cilësoi ndeshjen e radhës si më të vështirën për Dinamon në sezonin aktual. “Kjo është padyshim ndeshja jonë më e vështirë. Duhet të përballemi me mungesat e shumë lojtarëve kryesorë, ndërsa problemet më të mëdha janë në mbrojtje. Tashmë që edhe Gentjan Muça nuk është në gjendje të luajë, duhet të mendojmë zgjidhje të tjera për këtë repart. Natyrisht që është e vështirë të luash thuajse pa mbrojtës, pavarësisht kundërshtarit që ke përballë”, deklaroi drejtuesi i stolit kryeqytetas. “Takimi vështirësohet edhe për faktin se Gramozi kërkon me patjetër pikë, për të përmirësuar pozitat në klasifikim. Ata do të sulmojnë dhe do të kërkojnë tri pikët, për të përfituar edhe nga faktori fushë”. Në fakt, fusha është pikërisht ajo që mund të bëjë diferencën në takimin e sotëm. Dinamo është një skuadër mjaft teknike, e cila e ka të vështirë të shprehet në nivele të larta në terrene të vështira. Kjo u vërtetua në Peqin, në takimin e javës së 16, ku në një fushë të mbuluar nga balta, kryesuesit u mposhtën 4-0, duke pësuar edhe humbjen e parë sezonale. “Më siguruan që fusha do të jetë në gjendje të mirë dhe se klubi vendas i ka marrë të gjitha masat për pastrimin e dëborës. Natyrisht që nuk presim një terren shumë të mirë, por ne do të bëjmë të pamundurën që ta fitojmë edhe këtë ndeshje, për të vazhduar ecurinë pozitive”, përfundoi tekniku.
Ndërkohë, lajme pozitive kanë ardhur nga mesfushori Emiliano Vila, i cili pësoi një lëndim të vogël në miqësoren e luajtur të mërkurën me kampionët e Kosovës, FK Trepçen. Gjendja e lojtarit kuqezi është e mirë dhe ai pritet të zbresë normalisht në fushë.

FSHF: Ligje më të ashpra për dhunën

Dhuna që karakterizoi javën e 18 të Kategorisë Superiore vazhdon të jetë temë bisede në instancat shtetërore, ku synimi është gjetja e zgjidhjeve për të evituar këtë fenomen. Gjatë paradites së djeshme, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik pranë Kuvendit të Shqipërisë zhvilloi një seancë dëgjimore, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të Ministrisë së Sporteve. Aty është diskutuar për grushtin masiv që shpërtheu në derbin Tirana-Dinamo, por edhe për ngjarjet e takimit të parë Flamurtari-Besa (sfidë e përsëritur në mesjavë, vlonjatët fituan 3-0), ku kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, zbriti në fushë, duke ndryshuar vendimet e gjyqtarit. Sekretari i FSHF-së, Prodani, e vendosi edhe një herë theksin te nevoja që ligjet për dhunën në sport të ashpërsohen. Kjo ishte teza që numri 2 i “qeverisë” së futbollit kishte mbrojtur edhe në mbledhjen më të fundit të Komisionit Antidhunë. Prej kohësh, drejtuesit më të lartë të topkëmbës në vend kanë denoncuar dhunën që ushtrohet nga tribuna VIP, ose rastet ku shpeshherë njerëz të veshur me pushtet shërbejnë si katalizatorë për veprimet ekstremiste të tifozëve.
Ndërkohë, Uvil Zajmi, i dërguari i MTKRS-së, theksoi se është propozuar edhe ruajtja e perimetrit me policë civilë, e cila në një farë mënyre do të ishte kopjim i modelit anglez të “stjuardve në stadiume”. Mbledhja ka vazhduar me diskutime ndërmjet anëtarëve, ku është kërkuar përmirësimi i ligjit për sportin, modernizimi i impianteve sportive dhe ndryshimi i marrëdhënieve president-klub. Nga ana e tij, Komisioni për Edukimin kërkoi ndëshkime edhe më të rënda për dhunën e shfaqur në stadiume.

Duka e Kuzhe, të shtunën në Varshavë për Euro 2012

Më 7 shkurt, Kombëtarja do të njohë kundërshtarët e eliminatoreve
Federata Shqiptare e Futbollit ka përzgjedhur delegacionin që do të udhëtojë drejt kryeqytetit të Polonisë, Varshavë, për shortin ku do të përcaktohen grupet e fazës eliminatore të Euro 2012. Armand Duka, kreu i institucionit që drejton futbollin në vend, përveç trajnerit Josip Kuzhe, do të jetë i shoqëruar edhe nga zv.presidenti Lutfi Nuri dhe sekretari i përgjithshëm, Eduard Prodani. 51 përfaqësueset pjesëmarrëse do të ndahen në nëntë grupe, ku gjashtë do të jenë me nga gjashtë skuadra, ndërsa tri me nga pesë. Shqipëria ndodhet në vazon e pestë, ku renditet e dyta, menjëherë pas Malit të Zi. Rrjedhimisht kuqezinjtë do të kenë katër kundërshtarë më të fortë se vetja në grupin eliminator. Kjo bën që ngjitja një vazo më lart, e cila është edhe objektivi kryesor, të duket një mision mjaft i vështirë. “Kokat e grupeve” janë Spanja, Gjermania, Holanda, Italia, Anglia, Kroacia, Portugalia, Franca dhe Rusia.

Apeli “fal” vetëm Mukën, bien kërkesat e Tiranës dhe Tafajt

Komisioni i Apelit në FSHF ka hedhur poshtë kërkesat e klubit Tirana dhe të trajnerit Alban Tafaj, për të zbutur ndëshkimet për dhunën në derbin Tirana-Dinamo, të luajtur më 26 janar. Drejtuesi i stolit bardheblu kishte kërkuar zbutjen e dënimit me një vit përjashtim nga aktiviteti të dhënë nga Disiplina: pamjet filmike konfirmuan se gjatë një rrëmuje në minutat e fundit të takimit, Tafaj ka goditur me grusht sulmuesin e Dinamos, Elis Bakaj. “Pas ankimimit të trajnerit Tafaj, Apeli la në fuqi dënimin e KD-së”, citohej në vendim. Gjithashtu nuk është marrë parasysh as kërkesa e klubit Tirana, për uljen e dënimit me katër ndeshje pa tifozë, që erdhi për mosmarrjen e masave të mjaftueshme të organizimit dhe sigurisë së takimit. Në fakt, pas polemikës Mukaj-Bakaj, të cilat “ndezën” edhe sherrin, në fushë kanë hyrë disa “ultras” bardheblu, të cilët u zmbrapsën nga forcat e rendit. Apeli ka “toleruar” vetëm kapitenin e Tiranës, Devis Mukaj, i cili kishte paraqitur kërkesë për uljen e pezullimit prej tetë javësh. Tashmë, mesfushori bardheblu do të qëndrojë jashtë fushave të lojës vetëm për gjashtë javë (pesë duke llogaritur se nuk luajti gjatë fundjavës së kaluar). Kjo do të thotë se vlonjati do të jetë i gatshëm për kampionët në fuqi në fazën kulmore të edicionit.