13 shkurt 2010

Kategoria Superiore ne Grande Juve

Muka nuk e pranon krizën te Tirana

Trajneri dhe njëkohësisht kapiteni, Devi Muka, nuk i humb shpresat në kampionat dhe kupë
Pavarësisht se do t’i duhet të bëjë një detyrë të dyfishtë, Devi Muka gjithnjë është treguar i pakursyer për Tiranën e tij. Tashmë në rolin e trajnerit dhe si një nga lojtarët me më shumë eksperiencë, që u ka dhënë shumë trofe bardhebluve, ai e thotë hapur se kjo skuadër ka akoma për të thënë, pavarësisht momenteve jo të mira që ka kaluar. “Pavarësisht se pas humbjes me Dinamon apo dhe vendimeve të disiplinorit, që veproi me “dorë të hekurt” ndaj ekipit tonë, të gjithë pësuam një “shock” psikologjik. Pa dyshim që ka ndikuar edhe në ndeshjet në vijim me Vllazninë apo Besën për kupë, ku pësuam disfatë. Megjithatë, unë e njoh mirë këtë ekip dhe jam i bindur se kjo Tiranë, pavarësisht opinioneve të disa skeptikëve, nuk është në krizë. Ne do të reagojmë shumë shpejt me lojë dhe rezultate, sepse jo më kot jemi ekipi me më shumë tituj të fituar në kampionatin shqiptar, duke bërë kthesën. Ndaj po përpiqem që lojtarëve t’u jap më të mirën dhe t’i mbaj të karikuar, pasi gara nuk ka përfunduar ende. Ne do t’i ulim “shpatat” në vërshëllimën e fundit të këtij sezoni. Për sa i përket ndeshjes së kupës, ajo ka qenë një nga sfidat ku kemi treguar grintë dhe karakter, edhe pse në një terren aspak të përshtatshëm për një ekip si Tirana. Megjithatë, ne do të guxojmë në takimin e kthimit. Madje jam i bindur se po shënuam që në minutat e para të sfidës në “Qemal Stafa”, Besa nuk do ta ketë aq të lehtë kualifikimin. Sepse Tirana mbetet Tiranë,”- pohoi trajneri Devi Muka. Bardheblutë, nën drejtimin e Mukës, A.Nallbanit, Dimrajt, por edhe Tafajt, tashmë janë duke u përgatitur për ndeshjen e radhës me Shkumbinin për kampionat. Kjo do të jetë edhe premiera e Mukës si trajner edhe pse do ta drejtojë nga tribuna për shkak të pezullimit që ka marrë pas ndeshjes me blutë. “Unë do të jap më të mirën për këtë ekip si kapiten dhe sa të jem në krye deri në gjetjen e një trajneri tjetër, sepse, siç e kam thënë më parë, kam ende për t’i dhënë Tiranës. Tashmë për ne nuk ka më ndeshje të lehta apo të vështira. Të gjithë, që nga unë i pari e deri te lojtarët e stolit të rezervave, duhet të japim maksimumin. Pavarësisht se terreni në Peqin mund të jetë i vështirë dhe mund të ndikojë ne lojë, duhet të bëjmë më të mirën për të marrë maksimumin e pikëve,”- përfundoi prononcimin e tij kapiteni dhe njëkohësisht trajneri i Tiranës, Devi Muka.

Kraja: Skënderbeu s’mund të matet me Vllazninë

Mbrojtësi Ervis Kraja ka qenë pjesë e ekipit korçar dhe e njeh mirë, por gjithsesi kërkon vlerësim
Në gjysmën e parë të sezonit ka luajtur në Korçë, duke qenë pjesë e Skënderbeut, ndërsa tashmë është kthyer në “shtëpi”. Por brenda tri ditësh mbrojtësit shkodran Ervis Kraja i duhet të përballet dy herë me të “kaluarën” e tij. Ka luajtur të mërkurën në ndeshjen e kupës dhe do të luajë edhe sot në ndeshjen e kampionatit. Mendimi i tij është se Vllaznia do ta fitojë këtë ndeshje dhe nuk ka asnjë mundësi të dalë ndryshe. Këtë ai e bazon te përbërja e skuadrës, te puna që është bërë në përgatitoren e janarit dhe te shumë gjëra të tjera. “Vllaznia nesër (sot) ndaj Skënderbeut sigurisht që është përgatitur për të dhënë më të mirën e saj. Na duhet fitorja dhe jam i bindur se ndeshja nuk ka për të pasur rezultat tjetër. Mes nesh dhe skuadrës korçare ka shumë diferenca, prandaj nuk ka pse të mendojmë për një rezultat ndryshe në Shkodër. Këtë e treguam edhe në ndeshjen e kupës, ku e dominuam lojën dhe vetëm moti i keq na pengoi ta fitonim atë ndeshje,” - është shprehur shtatlarti i mbrojtjes kuqeblu. Në fakt, duke iu rikthyer edhe një herë takimit të luajtur në Korçë ditën e mërkurë, të gjithë e pranojnë se shkodranët e kanë dominuar ndeshjen. Kanë luajtur më mirë, kanë pasur më tepër raste shënimi dhe në dy tre momente ata i ka penguar balta dhe terreni i keq të shënonin. Mbrojtësi Kraja përmend edhe një fakt shumë interesant, kur thotë: “Në fund të ndeshjes kam pyetur portierin Grima nëse është shtrirë ndonjëherë në tokë, sepse, nga sa mbaja mend unë, nuk e kishte bërë asnjëherë një gjë të tillë. Ai më ka pohuar të njëjtin fakt që nuk i është dhënë asnjëherë mundësi të hidhet në tokë për të kapur ndonjë top, ngaqë lojtarët e Skënderbeut për plot 45 minuta nuk kanë shënjestruar asnjëherë portën e tij. Megjithatë, në kushtet që u zhvillua ky takim, duhet të jemi të kënaqur edhe me një barazim dhe të bëjmë shumë kujdes për ndeshjen e kthimit, sepse nuk kemi mbyllur asgjë me këtë ndeshje të parë. Kuptohet, jemi favoritë, por jo ende të kualifikuar.” Në opinionin sportiv qarkullon mendimi se korçarët në kupë nuk i kanë kushtuar shumë rëndësi, ndërkohë që në kampionat do jetë shumë më ndryshe dhe paraqitja e tyre në “Loro Boriçi” sot do jetë shumë më ndryshe. Ervis Kraja nuk trembet nga kjo gjë, megjithëse ai nuk është krejt dakord as me një konstatim të tillë, prandaj në fund deklaron: “Nëse te Skënderbeu janë afruar së fundi disa donatorë shumë të fuqishëm, kjo nuk do të thotë se do të kenë shumë mundësi t’i ndryshojnë gjërat në ekip. Lojtarët po ata janë dhe ne nuk duhet ta mbajmë mendjen te fakti që skuadra korçare ka ndërruar president e donatorë. Vllaznia do të bëjë punën e saj për ta fituar këtë ndeshje dhe për të pretenduar ngjitjen në renditje çdo javë, sepse vendi që kemi nuk është vendi ynë.”

Çmendet Zeqo, 15 milionë për fitoren!

Nga 1.5 milionë lekë të vjetra do të marrin korçarët në rast fitoreje, barazimi vlen 500 mijë - Për herë të parë në këtë sezon, madje për herë të parë ndoshta edhe në historinë e klubit juglindor, afrohet një shumë e madhe në rast fitoreje të futbollistëve korçarë në Shkodër ditën e sotme. Nga 1 milion e 500 mijë lekë do të marrë çdo futbollist korçar nëse Skënderbeu fiton sot ndaj Vllaznisë, ndërkohë që në rast barazimi, shuma do të jetë 500 mijë lekë për secilin. Kjo do të thotë që shuma totale e skuadrës do të shkojë më shumë se 15 milionë lekë të vjetra. Këtë lajm ua ka bërë të ditur dje vetë futbollistëve vetë presidenti i skuadrës, Agim Zeqo, që dje jo vetëm që ka drekuar me të tijtë deri në orën 18:00 në hotel “Tropikal” në Durrës, por ka zhvilluar edhe një takim me të gjithë lojtarët së bashku. Presidenti Zeqo e ka zhvilluar këtë takim me futbollistët, pasi sot, për arsye personale, nuk do të jetë i pranishëm në Shkodër, pasi i duhet të udhëtojë jashtë kufijve. “Në Shkodër, nesër (sot) nuk do të jem personalisht dhe për këtë më vjen keq, por ju siguroj se do të jenë një pjesë e madhe e donatorëve të Skënderbeut dhe do të ketë një mbështetje të jashtëzakonshme nga të gjithë ata që po mbështesin skuadrën financiarisht,” - kanë qenë fjalët e djeshme të Zeqos, ndërkohë që shuma që ka premtuar është vërtet për t’u mbajtur mend gjatë në gjithë historinë e këtij klubi, që e kishte ëndërr më parë që të jepte kaq shumë lek për një premio dhe tashmë gjithçka është vetëm realitet. Dje, skuadra ka mbërritur në hotel “Tropikal” në Durrës, rreth orës 16:00 dhe atje ka drekuar së bashku me presidentin dhe rreth orës 17″30 është zhvilluar takimi më futbollistët, ku vetë njëshi i presidencës korçare u ka thënë të tijve se duhet të japin më të mirën në këtë takim, pasi është ndeshja e parë në drejtim të skuadrës si president i Skënderbeut. Më pas, skuadra korçare, aty rreth orës 18:00, i është drejtuar Lezhës, atje ku është akomoduar. “Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe këtë e dimë të gjithë. Ne duhet të bëjmë më të mirën në këtë takim dhe na duhen patjetër pikë në këtë ndeshje transferte. Unë kam besim te lojtarë tanë. Edhe nga takimi që kam pasur me ta, kam parë se të gjithë janë optimistë. Sa për trajnerin Josa, mund të them se i kam kërkuar që pas çdo ndeshjeje të më japë vlerësimin për çdo lojtar. Unë kam besim se kemi për t’ia dalë, ndërkohë që uniformat e reja do të mbërrijnë nga mesi i javës që vjen. I kam uruar suksese ekipit dhe shpresoj që t’ia dalim,” ka thënë presidenti Agim Zeqo dje, një ditë para ndeshjes së sotme me Vllazninë.

Dinamo, nga “ndeshja” në stërvitje

Pas ndeshjes së anuluar në Peqin, skuadra blu është rikthyer në Tiranë për t’u stërvitur
Teksa i gjithë opinioni sportiv në Shqipëri ishte bërë gati për të ndjekur ndeshjen e spostuar të turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, midis Shkumbinit dhe Dinamos, ky takim është shtyrë. Reshjet e shirave që shoqëruan vendin tonë gjatë këtyre ditëve ndikuan edhe në fushën sportive të Peqinit.
Pasi kanë kaluar natën në Durrës, blutë kanë udhëtuar gjatë paradites për në Peqin, të përgatitur për të zhvilluar ndeshjen e radhës, por sapo kanë marrë vesh anulimin e sfidës, stafi blu ka vendosur t’i drejtohet menjëherë kompleksit “Dinamo” në kryeqytet për të zhvilluar një seancë stërvitore, e cila është shoqëruar në punën me topin dhe një lojë mes grupit në gjysmëfushë.
Ditën e hënë do të jetë sfida e kampionatit midis Dinamos kryesuese dhe Besës së vendit të dytë. Dinamovitët duken të favorizuar në aspektin fizik, duke parë lodhjen në mesjavë të verdhezinjve të drejtuar nga Shpëtim Duro në përballjen me Tiranën. Pavarësisht thumbimeve të ndryshme nga rivalët, blutë kryeqytetas kërkojnë të qëndrojnë me “këmbë në tokë” dhe nuk rrëmbehen aspak në deklarata mediatike. I kontaktuar nga gazeta “Sporti shqiptar”, golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar të futbollit, Elis Bakaj, komenton anulimin e çerekfinales së kupës dhe sigurisht edhe ndeshjen e kampionatit përballë Besës.

Ndeshja e pezulluar

“E thashë edhe përpara orarit të kësaj sfide se, duke parë kohën, në atë fushë vetëm futboll nuk do të luhej. Por më mirë që nuk e zhvilluam atë sfidë. Do të ishte anti-futboll nëse do të luanim në atë fushë sportive. Edhe pse ishim përgatitur për të luajtur një ndeshje të rëndësishme, tani që e gjykojmë është më mirë që s’u zhvillua, pasi do të pësonim edhe dëmtime, sepse vetë ai terren nxit dëmtime midis futbollistëve,”- deklaron nr.19 i Dinamos.

Sfida me Besën

“Është një takim i rëndësishëm, por ne jemi me “këmbë në tokë” dhe nuk biem pre e thumbimeve të ndryshme. Dinamo është me meritë në vendin e parë dhe një nga pikat tona më të forta dhe pika kyça ka qenë pikërisht modestia. Edhe sikur të fitojmë me Besën, ne s’do ta quajmë kampionatin të fituar, por do të vazhdojmë rrugën tonë, ashtu siç e kemi nisur që në fillim, të qetë dhe pa u nxituar në asnjë moment. E respektojmë kundërshtarin, por ne do të luajmë për fitore, duke shfrytëzuar edhe momentin e mirë që po kalojmë.”

“Këpuca e Artë”

“E kam thënë edhe më parë, që ky trofe nuk është se më intereson edhe aq shumë. Parësore për mua është që të ngre në qiell titullin kampion, që do të jetë i pari në historinë e karrierës sime. Më pas, nëse “Këpucën e Artë” s’ma “vjedh” njëri (qesh në këto momente), atëherë le të bëhet imja. Unë kam për detyrë të jap maksimumin për Dinamon në të gjitha ndeshjet që do të mbaj veshur fanellën e saj,”- shprehet në diktofonin e “Sportit shqiptar” golashënuesi më i mirë i superiores me 11 gola, Elis Bakaj.

Gentian Muça, sot rikthehet te blutë

Mesfushori Gentian Muça, pas gjendjes së virozës që ka kaluar gjatë javës, tashmë duket se e ka hedhur gjithçka pas shpine dhe që nga dita e sotme do të jetë në stërvitje në kompleksin “Dinamo”. Ndërkohë në stërvitjen e djeshme të bluve për probleme të lehta shëndetësore ka qenë i pranishëm, por është stërvitur më pak se të tjerët, Elis Bakaj, ndërsa Bekim Kuli, për arsye familjare, ka udhëtuar drejt Kavajës dhe sot do të stërvitet me skuadrën.

Dinamo-Besa, luhet me projektorë

Sfida e së hënës, e vlefshme për javën e 21-të të kampionatit të 71-të kombëtar, midis Dinamos dhe Besës, do të zhvillohet nën efektin e projektorëve të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Ndeshja e shumëpritur nga opinioni sportiv në Shqipëri do të startojë në orën 17:00. Blutë kryesojnë kampionatin me 51 pikë, ndërkohë që Besa është në ndekje të saj, me 39 pikë. Edhe pse kampionati duket thuajse i mbyllur, pritet spektakël nga kjo përballje.

Zogaj: Ky turne i vlefshëm edhe për gjyqtarë

Është shumë me rëndësi të theksohet se të gjitha ndeshjet e këtij turneu i gjykojnë gjyqtarët e rinj shqiptarë që ndajnë drejtësinë në ligën e dytë dhe të parë zvicerane siç është rasti me Bekim Zogajn, që është edhe instruktorë i gjyqtarëve. Zogaj për këtë turne ka thënë se ky është një rast i mirë edhe për gjyqtarë për të fituar përvojë sidomos në futbollin në sallë që është i domosdoshëm .

Shpend Matoshi: Ky është turneu që na bashkon të gjithëve

Njëri nga vëllezërit Matoshi, që aktualisht luajnë për skuadrën Lucern që bën gara në elitën zvicerane të futbollit, Shpendi, për dallim nga viti i kaluar këtë vit nuk arriti të jetë pjesë e turneut, pasi që të shtunën padite iu desh që me skuadrën e rij të udhëtojë në Turqi në përgatitje për stinorin pranveror, ka thënë se ky është jë turne që i bashkon të gjithë dhe një rast i mirë që shumë talent të mirë të dëshmojnë cilësitë e tyre dhe që mund të jenë nën vëzhgimin e trajnerëve të ndryshëm që janë duke ndjekur këtë turne. Duhet theksuar se sikur edhe viteve më parë këtë turne e ndjekin shumë trajnerë dhe menaxher të futbollit me licencë të UEFA-s dhe FIFA-s.