10 shkurt 2010

Kategoria Superiore ne Grande Juve

Apolonia çon Kaçin & Co në Prokurori

Klubi fierak ka ndërmarrë iniciativë ligjore për skandalin e trukimit nga disa futbollistë
Pas ngjarjeve të bujshme në klubin fierak, ku është akuzuar për trukim ndeshjesh futbollisti Albert Kaçi, klubi fierak dje ka ndërmarrë një hap më shumë, duke e çuar këtë çështje në Prokurori, në mënyrë që të gjenden edhe përgjegjësit e tjerë, pasi mendohet se nuk është i vetmi Kaçi, por janë disa futbollistë, madje edhe disa që janë quajtur si tifozë “të thekur” të ekipit fierak.
Për më shumë ja deklarata e bërë nga drejtori i kontrollit të brendshëm të Apolonisë, Andi Derhemi: “Me cilësinë e drejtorit të kontrollit të brendshëm të shoqërisë FK “Apolonia” sh.a, dua t’ju komunikoj se kemi marrë disa hapa kontrete lidhur me zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me verifikimin e përfshirjes së lojtarëve në trukimin e ndeshjeve të zhvilluara nga Apolonia.
Këto ditë kemi siguruar prova se lojtari Albert Kaçi ka qenë i përfshirë në trukimin e ndeshjes zhvilluar kundër Shkumbinit në Peqin dhe, pas analizës e paraqitjes së provave përballë këtij lojtari, ai e pranoi vetë se ishte përfshirë në këtë trukim. Gjithashtu, Kaçi ka pohuar se në trukimin e ndeshjeve janë përfshirë edhe të tjerë lojtarë të ekipit të Apolonisë, por ai nuk pranoi t’i kallëzonte.
Sot (e martë) shoqëria ka dorëzuar në Prokurori kallëzimin penal ndaj Albert Kaçit, Elton Gramit, Erjon Hotit dhe Mariglen Shoshit, së bashku me provat që klubi disponon për momentin. Klubi ynë posedon dëshmitarë dhe prova ndaj lojtarëve të mësipërm për përfshirjen e tyre në baste dhe trukim rezultati. Gjithashtu, klubi është duke hetuar për lidhjet e këtyre lojtarëve me persona jashtë skuadrës, të ashtuquajtur tifozë, të cilët kanë bashkëpunuar me lojtarët e përfshirë në baste.
Në të njëjtën kohë, si klub, i kemi kërkuar Prokurorisë si dhe hetuesve të FSHF së që të hetojnë rreth përfshirjes së tyre në krimin e paravendosjes së rezultateve, sipas përcaktimit të nenit 197 të, pikat a dhe b të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Klubi ka ndërmarrë hapa serioze për verifikimin e plotë të këtij fenomeni dhe është i vendosur për zbulimin dhe eliminimin e plotë të tij.”

Haxhiaj: Kaçi e pranoi vetë në analizë

Për këtë çështje ka folur edhe shefi i klubit të Apolonisë, Iljaz Haxhiaj: “Ju siguroj që çdo gjë e deklaruar më sipër, është e vërtetë. Mbaj përgjegjësi të plotë për gjithçka kam thënë dhe do të them. Ka kohë që në klubin e Apolonisë dhe në qytetin tonë flitet jashtë mase për trukimin e ndeshjeve. Në mënyrë të padrejtë janë akuzuar drejtuesit, presidenti dhe stafi.
Personi në fjalë, është ai që ka komunikuar direkt me mua dhe e ka pranuar publikisht, edhe pse më vonë mund ta mohojë. Ai nuk donte të tregonte se kush ishin të tjerët, por ju siguroj që nuk është ai vetëm, pasi ka edhe të tjerë. Për të kaluar një situatë të tillë që ka përfshirë skuadrën tonë, kërkohet mbështetja e të gjithë tifozërisë fierake, pa paragjykime, sharje dhe ofendime.”

Presidenti Zeqaj: S’falim askënd që bën pazare

“Përgjegjësi mund të kemi ne, por përgjegjësi kanë edhe lojtarët, si Kaçi etj., të cilët akuzohen dhe dyshohen për shitje të ndeshjeve. Gjithsesi, ne do të vazhdojmë të financojmë dhe të mbështesim ekipin e Apolonisë, për të krijuar një model në Shqipëri.
Pra, Apolonia do të jetë modeli i klubeve në vendin tonë dhe këtu nuk është momenti që unë të rendis shumë fakte që po krijojmë këtë model. Mirëpo ky i fundit nuk mund të krijohet duke pasur lojtarë hajdutë, ose lojtarë të padisiplinuar. Opinioni publik duhet të ndërgjegjësohet për faktin që Apolonia nuk ka për të falur askënd që bën pazare në emër të klubit apo në emër të qytetit të Fierit.
Ky është një moment që ne nuk do të lëkundemi dhe do të vazhdojmë të punojmë me këtë nerv, pavarësisht se në rrugë mund të na dalin edhe lojtarë që bashkëpunojnë me tifozë,” - ka thënë presidenti i Apolonisë, Baftjar Zeqaj.

Kaçi: Nuk e kam shitur unë Apoloninë

Tek ai është vënë gishti si njeriu që ka trukuar ndeshjen e Apolonisë në Peqin në analizën që është zhvilluar ditën e hënë në klubin fierak. Albert Kaçi ka menduar se thjesht do të ishte si gjithnjë pjesë e zhurmës së zakonshme që krijohet herë pas here në futbollin shqiptar në lidhje me këtë çështje. Por ndërkohë, mëngjesin e djeshëm është zgjuar herët.
Jo për ndonjë gjë, por familjarë të tij, shokë e miq të shumtë i kanë telefonuar njëri pas tjetrit për të mësuar çfarë kishte ndodhur, sepse gazetat ishin hapur me këtë lajm. Mesfushori shkodran sigurisht që është ndierë keq dhe nuk ka ngurruar të sqarojë edhe “Sportin shqiptar”:
Berti, jeni bërë protagonist për keq në media sot (dje). A mund ta dimë si është e vërteta?
Të them të drejtën, jam habitur edhe unë për nga mënyra si është trajtuar kjo çështje në gazeta. Një problem i tillë është diskutuar në analizën që kemi zhvilluar ditën e hënë në klub, por ndërkohë në gazeta është trajtuar krejt tjetër gjë.
Pikërisht, është shkruar se ju e keni pranuar gabimin. E keni thënë këtë gjë?
Pavarësisht akuzave, ajo çfarë më ka shqetësuar më shumë është pohimi në media i gjërave që unë nuk i kam thënë dhe nuk i kam pranuar kurrë. Nëse ato fjalë kanë dalë nga drejtuesit e klubit, kjo gjë i rëndon më tepër ata. Ajo çfarë kam pranuar unë është se e keqja e Apolonisë nuk kam qenë unë asnjëherë, por të keqen duhet ta gjejnë te njerëz të tjerë, brenda dhe jashtë ekipit.
Thuhet se drejtuesit e klubit ju kanë ballafaquar me një person, që mendohet t’jua ketë dhënë paratë për t’i vënë në skedinë?
Pas analizës që zhvilluam, sekretari i klubit, Iljaz Haxhiaj, më ka përballur me një person, i cili pohoi se më kishte dhënë 10 mijë euro borxh për të luajtur në skedinë një ndeshje të Apolonisë, por unë në fakt nuk e kisha takuar asnjëherë atë njeri. Këtu kuptova se po luhej diçka në kurrizin tim.
Një fakt tjetër që ju komprometon është edhe një telefonatë që i keni bërë trajnerit Lika pas analizës, ku i keni kërkuar që masa ndaj tij të mos jetë drastike?
Kjo është një tjetër gënjeshtër. Vërtet i kam telefonuar trajnerit Lika, por sa për t’i thënë faleminderit për bashkëpunimin dhe për ta garantuar edhe një herë se e keqja e skuadrës që ai drejtonte nuk kisha qenë asnjëherë unë, por të tjerë brenda dhe jashtë skuadrës. Nuk i kam thënë të më mbronte nga masa drastike a gjëra të tilla, kjo nuk është aspak e vërtetë.
Keni thënë që tek Apolonia janë të tjerë që i bëjnë të tilla gjëra?
Në Fier ka pasur raste, kur njerëz të jashtëm na kanë afruar gjëra të tilla, por ne nuk i kemi bërë, të paktën me sa di unë.
Dyshimet ndaj jush ndalen pikërisht tek ndeshja me Shkumbinin, ku keni shkaktuar edhe një 11 metërsh?
Në analizë nuk është diskutuar fare se për cilën ndeshje kishin dyshimet drejtuesit, por vetëm në gazeta e kam mësuar një gjë të tillë.
Nëse kam shkaktuar 11 metërsh në atë ndeshje, kjo nuk do të thotë se e bëra me dashje. Nuk e vendos një penallti ndeshjen, por ndërkohë vetë drejtuesit e Apolonisë duhet të thonë pse gjithnjë akuzojnë dhe përjashtojnë lojtarë. Dhe cilët, pikërisht “jabanxhinjtë”. Në fillim e pësoi Grami për ndeshjen me Kastriotin, tashmë e pësova unë, ndërkohë që gjërat janë shumë më ndryshe nga sa i thonë.
Që do të thotë?
Që do të thotë se një pjesë e njerëzve të klubit apo pranë tij, nuk e duan presidentin e Apolonisë dhe prandaj bëjnë të tilla gjëra pas shpine, duke bashkëpunuar edhe me futbollistë brenda ekipit. Këta njerëz nuk e duan Apoloninë në superligë dhe prandaj veprojnë në këtë mënyrë.
Së fundi, Kaçi, si mendoni se do t’i vejë halli këtij problemi?
Unë jam i pezulluar nga drejtuesit e klubit dhe pres hetimin e kësaj çështjeje. Nëse nuk e ndjekin drejtuesit e Apolonisë, do ta ndjek vetë, sepse akuzat që më janë bërë kanë qenë shumë të rënda dhe mbi të gjitha publike. Do të kërkoj dëmshpërblim për prishjen e imazhit tim.

Nallbani: Kualifikimin në kupë, që në Korçë

Mesfushori kosovar Ilir Nallbani beson se ekipi do të fitojë sot, për ta pasur më të lehtë pastaj
Rikthimi te ndeshjet e kupës ka ardhur në një moment të përshtatshëm për shkodranët. Atyre u është kthyer disi humori pas fitores me Tiranën dhe për rrjedhojë tashmë atmosfera në skuadër është shumë më ndryshe. Duke qenë kështu, në pragndeshjen me Skënderbeun, futbollistët, por edhe stafi drejtues kanë shfaqur hapur optimizmin e tyre për kalimin me sukses të ndeshjes së Korçës. Njëri nga pjesëtarët e Vllaznisë, pikërisht kosovari Ilir Nallbani, duke folur në lidhje me ndeshjen e sotme, ka thënë: “Ne e kemi vlerësuar seriozisht këtë ndeshje të parë me Skënderbeun.
E kemi thënë hapur që pretendimet tona maksimale për këtë sezon janë të përqendruara te kupa, prandaj nuk duhet të ketë më asnjë tolerim. Duhet përqendrim maksimal deri në fund dhe të mos gabojmë më, sepse nëse gabojmë edhe në kupë, ashtu siç kemi gabuar në kampionat, pasojat do të jenë shumë të mëdha për Vllazninë.”
Me këtë mendje shkodranët dje janë nisur drejt juglindjes së vendit. Aty ku sot do të luajnë ndaj Skënderbeut, por si kundërshtar do të kenë edhe borën, të zakonshme për këtë qytet. Për shumëkënd, kjo mund të jetë një pengesë jo e vogël, por Nallbani nuk e konsideron të tillë. “Vërtet në Korçë mund të gjejmë borë, por kjo nuk do të thotë se ajo do të jetë kundërshtare për ne. Kemi luajtur edhe më parë në kushte të tilla dhe prandaj nuk ka pse të trembemi.
Ne jemi të vendosur për të marrë një rezultat sa më të mirë në këtë ndeshje, pse jo të synojmë edhe fitoren, në mënyrë që t’ia bëjmë më të lehtë vetes kualifikimin në ndeshjen e kthimit. Nuk ka asnjë dyshim: Vllaznia do të jetë në gjysmëfinale të kupës,” shprehet numri 20 i kuqebluve. Mesfushori nga Peja ka mbushur 2 vjet që luan në Shkodër dhe sigurisht që ndihet mirë aty.
Madje aq sa thotë se edhe nëse do të ketë ndonjë ofertë tjetër nga skuadra të kampionatit shqiptar, nuk do të preferojë të largohet. “Gjithnjë më kanë dashur tifozët, drejtuesit më kanë mbështetur dhe nuk kam pasur as më të voglin problem. Duke qenë kështu, nuk kam pse të mendoj largimin sa kohë që të ndihem i respektuar. Edhe nëse ndonjë skuadër tjetër e kampionatit shqiptar do të më kërkonte, Vllazninë nuk do ta ndërroja.
S’kam pse të ndërroj ambient. Do largohem veç nëse bëhet fjalë për ndonjë ofertë të mirë të ndonjë skuadre jashtë vendit,” është shprehur Nallbani. Në të vërtetë, ky lojtar ka fituar zemrën e të gjithë sportdashësve shkodranë për vetë mënyrën si luan në fushën e lojës. Ai dallohet për karakterin e tij luftarak, që nuk mungon ta demonstrojë edhe në lojë, teksa është një pikë shumë e fortë e Vllaznisë në repartin e mesfushës.

“Sfida të nxit kur i ke të gjithë kundër”

Sipas mbrojtësit Erion Xhafa, kundërshtarët e Dinamos i motivojnë më shumë blutë
Dinamo e shkëputur 12 pikë nga Besa e vendit të dytë, në pamje të parë, e ka “vrarë” kampionatin dhe normalisht e gjithë vëmendja e opinionit të gjerë sportiv në Shqipëri është e fokusuar tek ekipi 17 herë kampion i Shqipërisë. Të gjithë aludojnë, por asnjëri s’ka fakte.
Të gjithë kërkojnë një Dinamo të dobët, por statistikat flasin krejt ndryshe. Në kampionat vetëm një humbje, edhe kjo e ardhur në kushte tepër të rënduara të terrenit sportiv në fushën e Peqinit. Në vend të lëvdatave, blutë po marrin vetëm kritika dhe akuzime për favorizime nga ana e gjyqtarëve.
Ky fakt e ka shqetësuar jo pak ambientin dinamovit, edhe pse ai shquhet për një natyrë të qetë. Edhe protagonisti “i revoltuar” kësaj radhe është një lojtar nga më korrektët në fushën e blertë, por edhe jashtë saj. Por sigurisht, Erion Xhafa, edhe pse një lojtar fjalëpak e punëshumë, nuk kërkon të rrijë gojëkyçur përpara zërave të tillë për një favorizim të Dinamos. Por gjatë prononcimit të tij, nr.6 i Dinamos analizon edhe ndeshjen e ditës së enjte me Shkumbinin dhe atë të kampionatit përballë Besës.
Shkumbini: “Nuk ka të bëjë fare fakti që ata na kanë mundur 4-0 në kampionat. Çdo ndeshje ka specifikën e saj dhe nuk mund të ngjajnë me njëra-tjetrën përballja e kampionatit me këtë të Kupës së Shqipërisë. Situata është tepër e qetë në kampin tonë dhe skuadra gëzon një formë të mirë. Është gjynah që të mos synojmë të dy trofetë, edhe kampionatin edhe kupën.
Do shkojmë atje të vetëdijshëm që kupa ka dy takime dhe s’kemi pse të kalojmë në aventurë. Duhet të bëjmë edhe llogaritë tona, duke menduar që kemi edhe një ndeshje kthimi në Tiranë. Nuk mund t’ju jap rezultat përpara ndeshjes, por e rëndësishme është që të mos pësojmë gol. Kjo është më e rëndësishme në një fushë kundërshtare, pasi e thashë edhe më lart, që duke pasur edhe një ndeshje të dytë, kemi edhe një mundësi rikuperimi.
Terrenit i druhemi, por s’kemi ç’të bëjmë, duhet të ambientohemi me të, sepse në fund faturat e humbjes janë vetëm për ne. Nuk kemi pse të merremi me terrenin, sepse as koha në kupë s’na lejon të bëjmë diçka të tillë. Me thënë të drejtën, në atë fushë s’ka këpucë që të bën hajër, por ne duhet të përshtatemi nga ana mendore me atë fushë, sepse në ndeshjen e kampionatit ishim tepër të ngarkuar në aspektin psikologjik.”
Aludimet: “Për sa i takon rastit të kontaktit me sulmuesin e Gramozit në zonë, unë s’e kam ndierë fare kontaktin me Sadikun, sinqerisht vetëm në televizor e kam parë. Janë momente që mbrojtësi dhe sulmuesit ndihmohen me duar. Por në atë moment vetë lojtari i Gramozit s’ka pretenduar për 11-metërsh, por ka qenë i nervozuar me shokun e skuadrës për pengim të aksionit.
Ai e vazhdoi aksionin për gol dhe u pengua nga shokët e skuadrës. Por më tepër jam disi i irrituar me specialistët nëpër tv të ndryshme, të cilët nuk flasin sipas interesit të sportit, por sipas atij personal. Ata epiqendrën e kanë aty ku kanë interes pune, shoqërie apo financiar. Sigurisht, ne s’na vjen aspak mirë, por sido që të jetë, kjo gjë na favorizon më tepër.
Duke mos pasur asnjëri në favor, por të gjithë kundra jemi akoma më të nxitur për t’u mobilizuar 100% çdo ndeshje, sepse të gjithë janë kundër nesh dhe s’kemi përkrahje nga asnjë njëri, përveç forcës sonë si skuadër. Tifozët dihet që janë të paktë në Shqipëri dhe në një moment që dikush mbase kërkon të rikthehet në stadium, frenohet kur dëgjon aludime dhe akuza të ndryshme, duke u bindur se ky kampionat qenka i mbaruar dhe i shitur, sepse këto janë ato që ai dëgjon gjatë gjithë intervistës.”
Besa: “Është një sfidë e radhës për ne, sepse ne kështu i kemi marrë të gjitha, por duke parë renditjen është një sfidë e zjarrtë e kampionatit. Unë kam kaluar një vit tepër pozitiv te Besa dhe i respektoj të gjithë si miq dhe shokë. Të tillë i pres edhe në fushën e blertë, por në fund “luftën” dua të fitoj unë dhe Dinamo,”- citon mbrojtësi i Dinamos, Erion Xhafa.

Putinçanin me grupin, por jo për lojë

Dje, për herë të parë pas problemeve shëndetësore të kaluara, mbrojtësi serb Marko Putinçanin është stërvitur me grupin, por në momentin ku dinamovitët do të kryenin një ndeshje në gjysmëfushë mjeku i skuadrës, Pertef Rusi, e ka ndaluar lojtarin në fjalë të luajë. Nr.21 i Dinamos është irrituar disi duke dalë nga fusha e stërvitjes i mërzitur, por sipas drejtuesve dinamovitë, pa mbërritur firma e mjekëve pas vizitave mjekësore të kryera në Shqipëri, Putinçanin s’mund të aktivizohet në lojë me grupin

Deliallisi: Të paktën të mos humbim në Ersekë

Durrsakët minimalisht kërkojnë barazimin në ndeshjen e parë, por duke shënuar patjetër
“Ne do të luajmë për t’iu afruar kualifikimit që në Ersekë.” Kështu shprehet mesfushori i Teutës, Erald Deliallisi, i cili shton se në rastin më të keq, nuk duhet dalë nga fusha pa barazim, që do t’u japë më shumë shanse durrsakëve. “Fitorja në Ersekë do të ishte ideale, sepse do të na krijonte kushtet për një kualifikim të sigurt, por duke qenë se Erseka është shumë fushë e vështirë dhe Gramozi një ekip me shumë individualitete, mendoj se në rastin më të keq edhe një barazim do të na vlente për të qenë më pranë kualifikimit.
Ne hyjmë në fushë për të fituar dhe jemi përgatitur seriozisht për këtë, pasi tashmë jo vetëm në kampionat, por edhe ndeshjet e kupës janë bërë për ne si finale, pasi është një rrugë drejt Europës. Natyrisht, në kupë është më e mundshme të realizojmë Europën, për shkak edhe të rivalitetit të lartë në kampionat, ku janë shumë skuadra në luftë, megjithatë ne nuk jemi dorëzuar as në kampionat dhe do të luftojmë deri në fund për të qenë në shkallët e larta të renditjes,” - ka theksuar Deliallisi.
Në lidhje me ndeshjen, Deliallisi shprehet se Teuta do të impenjohet në maksimum, por durrsakët shpresojnë gjithashtu që kushtet atmosferike t’i lejojnë të bëjnë një lojë të mirë, ndërkohë që shpresojnë edhe në gjykim korrekt. “Gramozi është një ekip mjaft i vështirë, sidomos në fushën e tij, ku rrallë humbet, sepse luan edhe përpara një numri shumë të madh tifozësh. Megjithatë, ne do të luajmë shumë të përqendruar e të impenjuar, pasi siç e thashë, duhet të sigurojmë gjysmën e kualifikimit në Ersekë.
Shpresojmë të zhvillojmë një lojë normale, sepse kushtet atmosferike janë një pengesë e madhe për ne. Më kujtohet kur kemi luajtur në shi vitin e kaluar dhe fusha në Ersekë ishte si liqen, madje në atë ndeshje vuri vulën edhe gjyqtari dhe gjërat shkuan keq për ne. Nuk më vjen mirë që tashmë po bëhet një fenomen i përsëritur kërkesa për korrektesë në gjykim, por duke pasur parasysh ato që kemi hequr ne në kurriz nga penalizimet e arbitrave, shpresojmë që gjykimi të jetë korrekt,” - përfundon mesfushori i Teutës, Erald Deliallisi.

Kolonjarët kërkojnë gjysëmfinalen e kupës

Futbollistët kolonjarë e kanë lënë pas atë humbje të pamerituar ndaj Dinamos në ndeshjen për kampionat, duke iu përkushtuar tërësisht ndeshjes së sotme që do të luajnë përpara sportdashësve të vet ndaj ekipit të Teutës për turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, që si për koincidencë, i takon të ndeshet tri herë brenda këtij muaji.
Pikërisht në këtë ndeshje, kolonjarët synojnë të hedhin një hap tjetër vendimtar drejt kualifikimit të turit tjetër, që do të jetë një histori më vete për këtë ekip. Atmosfera në kampin kolonjar përpara këtij takimi duket mjaft pozitive, ku të gjithë mendojnë që kualifikimi të sigurohet që në ndeshjen e parë, pavarësisht se për kolonjarët, rëndësi të veçantë ka dalja nga vendet e fundit në kampionat.
Përballja e sotme me Teutën pritet me një interes të madh nga qytetarët e Ersekës, duke shpresuar te një fitore e ekipit të tyre kjo duket më së miri tek interesimi i madh në shitjen e biletave. Ata shpresojnë që Gramozi, ashtu siç kaloi Flamurtarin, të bëjnë të njëjtën gjë edhe me Teutën, për t’u futur në katërshen e skuadrave më të mira të Kupës së Shqipërisë.

Gramozi - Teuta

Janë ndeshur në 2 edicione dhe në të dy rastet “djemtë e detit” janë kualifikuar për më tej. Takimi i parë midis tyre është luajtur më 12.8.1990. Durrsakët kanë shfrytëzuar faktorin fushë dhe ekipet kanë qenë brenda një grupi. Rezultati 2 0. Duhej të kalonin 5 vjet që Teuta të udhëtonte drejt Ersekës në kuadrin e grupit sërish. Durrsakët fituan 2 1 dhe pas një jave duhej zhvilluar takimi i kthimit në Durrës, por kolonjarët preferuan të mos udhëtonin dhe prandaj e humbën ndeshjen në tavolinë 2 0. Teuta u kualifikua për më tej. Bilanci, 3 takime, 3 fitore për durrsakët dhe 2 kalime turi, golaverazhi 6 1.
Për të ardhur në ndeshjet e tanishme, këto skuadra kanë kaluar kundërshtarët e mëposhtëm: Gramozi në turin e parë Luftëtarin, 3 1 në Gjirokastër dhe 4 1 në Ersekë, ndërsa në turin e dytë Flamurtarin, 1 0 në Ersekë dhe 1 1 në Vlorë. Bilanci: 4 ndeshje, 3 fitore dhe 1 barazim. Golaverazhi 9 3 për Gramozin.
Teuta shmangu në turin e parë Vlorën, 2 0 (në tavolinë) në Vlorë dhe 1 0 në Durrës. Në turin e dytë kalon Partizanin, 1 1 në Tiranë dhe 2 0 në Durrës. Bilanci: 4 ndeshje, 3 fitore dhe 1 barazim, golaverazhi 6 1.

Veliu: Edhe Laçi, si një finale për ne

Pas dy fitoreve radhazi, vlonjatët kërkojnë një tjetër rezultat pozitiv, por në transfertë
Flamurtari ka nisur prej ditës së hënë përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat përballë Laçit. Një sfidë e cila është konsideruar e vështirë, për vetë faktin se kundërshtari vjen nga një seri rezultatesh pozitive, por edhe Flamurtari natyrisht vjen në këtë përballje pas dy fitoreve rresht, fitore të cilat kanë kthyer qetësinë në kampin vlonjat, por edhe besimin për vijimin e rezultateve pozitive në kampionat.
Ndërsa vlonjatët nuk janë të impenjuar në Kupën e Shqipërisë, kampionati mbetet kompeticioni i vetëm ku luajnë, ku nuk janë mirë. Ndeshja e radhës pritet me mjaft interes në opinionin sportiv të qytetit të Vlorës. Por ndërkohë, edhe futbollistë të Flamurtarit kanë vijuar gjatë ditëve të fundit të tregohën pa dyshim të vëmendshëm për ndeshjen e radhës, ku nuk mungon optimizmi për të vijuar rezultatet pozitive. Eshtë mbrojtësi i talentuar Franc Veliu që tashmë takimin e radhës e sheh si një finale të radhës për Flamurtarin, ku sipas tij, duhet të vijohet në serinë e rezultateve pozitive.
“Kemi arritur dy fitore shumë të rëndësishme, ndaj Besës dhe Apolonisë, dy fitore të cilat, përveçse na kanë ngjitur në tabelën e klasifikimit, na kanë dhënë më shumë besim. Ndaj Apolonisë kemi arritur një tjetër fitore shumë të rëndësishme, por mbi të gjitha duke treguar se dimë të luajmë pa frikë me çdo kundërshtar. Tri pikë të cilat tashmë na kanë ngjitur në vendin e 10 të në renditje, por pa dyshim synimi ynë është të shkojmë edhe më tej.
Tashmë ndeshjet e kampionatit janë të gjitha të vështira, pasi çdo kundërshtar kërkon pikë për të përmbushur objektivat e veta. Megjithatë, qysh ditën e hënë e kemi lënë pas ndeshjen me Apoloninë dhe kemi nisur të mendojmë veç për përballjen e radhës në Laç, ndaj një kundërshtari që ka treguar se jo më kot ndodhet në vendin e katërt të renditjes së superligës. E mendojmë çdo ndeshje si një finale. Për këtë qëllim, edhe ndeshjen me Laçin e kemi konsideruar të tillë, ndaj na duhet të kërkojmë realizimin e objektivit edhe për këtë ndeshje. Besoj se tashmë ekipi është konsoliduar më së miri dhe kjo është parë edhe në fushën e lojës,” ka përfunduar mbrojtësi i Flamurtarit, Franc Veliu.

Një kampionat, që “eklipsohet” nga Kupa e Shqipërisë

Kjo javë, e 20-ta e superligës, na përcolli në tri ditë melodinë e një futbolli të cilësisë jo të mirë, por të rezultateve të pritshme, në përgjithësi. Përjashto fitoren e Vllaznisë në “Qemal Stafën”, e kufizuar nga tifozët, çka e bënte kryendeshjen e kësaj jave si një procesion e jo futboll, lojë e adrenalinës së lartë. Në Korçë, dëbora pengoi zhvillimin e ndeshjes Skënderbeu-Teuta, duke i dhënë kohë të “shtrëngojë radhët” me donatorë e lojtarë skuadrës juglindore, në luftën e pamatë për të mbijetuar mes më të mirëve. Një “mission imposibile”, në dukje, por teksa shikon angazhimin deri të ministrave e qeveritarëve të ndryshëm, gjithçka mund të ndodhë. Aq më tepër në futbollin shqiptar, kur kanë kaluar plot 9 ditë nga mbyllja e merkatos së dimrit, ndërkohë që sektori i garave nuk ka publikuar ende federimet e bëra nga të gjitha skuadrat. Sepse, kështu bëhen punët tek ne, pa transparencën më të vogël, çka përbën detyrim karshi klubeve pjesëmarrëse në garë, por edhe para medias e publikut. Për pasojë nuk kanë fund paragjykimet, gjykimet joprofesionale, as standardet e dyfishta në interpretimin e rregulloreve të garës, duke i larguar tifozët nga shkallët e stadiumeve me hir a me pahir. Këtë mesjavë, kampionati “prihet” nga Kupa e Shqipërisë. Një veprimtari e lakmuar nga shumë skuadra, që duhet të kenë akumuluar energji për këtë trofe. Sepse titulli kampion duket punë e mbaruar për Dinamon, pavarësisht se ka edhe shumë ndeshje për t’u luajtur, çka i kthen sytë e disa skuadrave nga trofeu i dytë kombëtar, i cili përbën një “barkë shpëtimi” për edicionin e shumëkujt. Veçanërisht sfida mes Besës dhe Tiranës, por edhe të tjerat, kanë të tilla vlera, sa do ta eklipsojnë garën e kampionatit. Edhe pse përkohësisht.
Dinamo pati një “happy end” kësaj here, teksa shpëtoi mrekullisht nga humbja në Ersekë. 90 minuta të mbyllura në shifrat e “mjerueshme” 0-0, ku vendasit kishin kontrollin e lojës dhe të rasteve për gol, ndërsa miqtë sikur prisnin kohën shtesë, për ta goditur rëndë Gramozin, me atë gol shumë të bukur të Timpanaros. Dinamo tregoi sërish fytyrën e saj të vërtetë, cinike dhe pragmatiste, edhe pse me disa mungesa të rëndësishme në formacion, duke bërë të pavlefshme atë lojë të madhe të kolonjarëve. Që meritonin së paku barazimin. Dinamo ka një kryesim prej 12 pikësh diferencë nga Besa e vendit të dytë. Një kampionat i mbyllur në thelb, edhe pse matematikisht është i hapur. Iluzionet mund të ushqehen të paktën deri të shtunën, kur kryesuesit do të kërkojnë “shërimin” e plotë me Besën. Aty, në stadiumin “Qemal Stafa”. Nëse i shtojnë “kreditit” të tyre edhe 3 pikë të tjera, atëherë çdo gjë do të marrë fund, sa i takon titullit. Nëse ndodh e kundërta, pra fitorja u buzëqesh kavajasve, atëherë agonia zgjatet edhe më.
Tirana dhe Vllaznia provuan këtë të shtunë shkretinë që sjell për këdo mungesa e tifozëve në stadium. Bardheblutë, në kërkim të krenarisë të tyre legjitime, por të presuar nga paragjykimet se federata ua ka me hile, duket se e kanë humbur qetësinë. Mjaft e nevojshme kjo për të qenë rezultativ në futboll. Nuk mund të shpjegohen ndryshe ato raste të krijuara dhe të përfunduara në shtylla a traversa të Grimës, përveçse me konfuzionin që ka përshkruar 24 herë kampionët e vendit këtë frillimviti 2010, nga drejtuesit deri te futbollistët. Raporti FSHF-Tirana përbën një marrëdhënie jo shumë të qartë, që mes anëtarëve të së njëjtës familje nuk duhet të ekzistojë kurrsesi problematike, por koha do ta tregojë si do të përfundojë. Përderisa ka përfunduar edhe në dyert e gjykatave civile, por mund të akaparohet edhe në një dyluftim të ashpër për postin e presidentit të ri të FSHF-së, që kulmon me Asamblenë Zgjedhore të 9 marsit. Ndoshta pjesa tjetër thotë se “nuk ka një sistem anti‑Tirana, por ka një Tiranë të pamjaftueshme për sukses këtë edicion.” Një fotografim sot i bardhebluve, pas 20 javësh kampionat, në fakt duket i pazakontë. Pavarësisht kësaj, Tirana vijon t’i besojë “motorit” të vet, me një lojë të përmirësuar shumë në javët e fundit, por e pashoqëruar me gol ndaj Vllaznisë. Pikërisht mungesa e këtij të fundit bëri edhe diferencën në kryesfidën e së shtunës. Tirana krijoi mjaft raste, kreu volum të madh loje, ndërsa Vllaznia mbrojti me fanatizëm golin e Balës, duke marrë një fitore të shumëfishtë, jo vetëm në vlerë pikësh, por edhe stimuluese psikologjikisht. Një sinjal shprese, se e ardhmja e kuqebluve do të jetë më progresive. Të paktën të mos rrezikojë qëndrimin e saj në superligë, çka do të ishte fatale.
Besa vuajti jo pak me Kastriotin. Duke treguar se humbja paraardhëse në Vlorë, 3-0 me Flamurtarin, nuk ishte e rastësishme. Ndoshta lodhja, nga densiteti i ndeshjeve, ka bërë të vetën, por për një skuadër të konsoliduar me lojtarë cilësorë, që ka pretendime të larta këtë edicion, justifikime të tilla bien poshtë. Rasti e solli që Daniel Xhafaj të ishte “heroi” i kësaj ndeshjeje, sepse goli i tij bëri që 3 pikët të shkonin në “llogarinë” e Besës, e cila ka përpara një “javë ferri”. Të mërkurën duhet të sfidojë Tiranën, në çerekfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë, ndërsa në fundjavë, java e 21-të e kampionatit e vë përballë Dinamos kryesuese. Dy prova mjaft të vështira, që do të tregojnë më së miri sa vlen kjo Besë.
Mrekullinë po e bën Flamurtari për këtë vit. Që me ritmin e dy ndeshjeve të fundit, shpejt mund t’i thotë “lamtumirë” fundit të ftohtë e të rrezikshëm të klasifikimit. Përforcimet e dimrit po rezultojnë përcaktuese, jo vetëm se mbajnë autorësinë e golave ndaj Besës dhe Apolonisë, por sepse kanë rritur besimin në radhët e kuqezinjve. Besim i cili është lëkundur seriozisht tek Apolonia tashmë, e cila nuk po e ndal dot rënien e lirë. Nga çka dhënë javët e fundit skuadra fierake, koha e Karishikut mbetet të sillet ndër mend me nostalgji. Ndërsa periudha pas tij, për t’u ekzaminuar, sepse rënia e lirë, e pandalshme, shumë shpejt mund të ketë pika takimi me mbijetesën.
Impresionuese ecuria e Laçit, që krejt papritur e shikon veten në vendin e katërt, shumë pranë zonës europiane, gjë e cila nuk duhet t’i ketë shkuar në mendje as më optimistit në kampin kurbinas. Fitorja në Shkodër, e shoqëruar me atë të së shtunës me Shkumbinin, duke ditur se edhe javën e ardhshme pret në shtëpi Flamurtarin, e bën Laçin një realitet rrezatues në superligë. Madje, një shembull suksesi për t’u eksploruar, ndërsa dueti Laska-Nica, modeli i harmonisë dhe marrëdhënies së arrirë president-trajner. Një hallkë tejet problematike në futbollin shqiptar, që nuk ka “zënë karar” tash sa vite demokraci.

Të mërkurën, cerekfinalet e para të Kupës

Këtë mesjavë, një tjetër garë kombëtare, Kupa e Shqipërisë, do të luajë cerekfinalet e para të saj, ndërkohë që ato të kthimit do të zhvillohen pas dy javësh. Të mërkurën do të luhen tri ndeshje, ndërsa Shkumbini-Dinamo është shtyrë për të enjten, në funksion të së drejtës televizive. Nga cerekfinalet e kupës bie në sy përbasllja e Besës me Tiranën, dy skuadra cilësore dhe me pretendime në këtë edicion. Duke qenë se kanë dalë nga lufta për titull kampion, bardheblutë dhe verdhezinjtë kanë synime të qarta në kupë, për ta bërë të vetin këtë trofe. Por, edhe Vllaznia, të njëjtin objektiv ka, bashkë me Dinamon, pavarësisht se blutë duket se e kanë bërë të vetin kampionatin tashmë. Megjithatë, drejtuesit e Dinamos kanë pohuar se duan t’i fitojnë të dy trofetë.

Më poshtë, ja edhe ciftet e turit cerekfinal të Kupës së Shqipërisë

GRAMOZI-TEUTA
BESA-TIRANA
SHKUMBINI-DINAMO
SKENDERBEU-VLLAZNIA

Josa e nis me ndeshje kupe te Skënderbeu

Trajneri Mirel Josa është i bindur që skuadra korçare nuk do të bjerë nga superliga
“E lashë Korçën me borë dhe sërish e gjeta me borë.” Me këto fjalë me humor brenda është shprehur trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, vetëm pak momente para se të startonte seancën e parë stërvitore nën drejtimin e Skënderbeut.
Dje, në orën 13:00, Mirel Josa ka veshur tutat dhe ka filluar në këtë mënyrë aventurën e re me skuadrën kuqebardhë, skuadër të cilën e ka drejtuar me shumë sukses edhe dy sezone më parë. Madje para seancës së parë të ditës së djeshme, Josa ka prezantuar para futbollistëve edhe stafin e tij, ku trajner i dytë do të jetë Renato Rrapo dhe trajner i portierëve Jani Kaçi.
Pas 10 minutash prezantimi para skuadrës, Josa më pas ka dalë edhe në fushën e stadiumit “Skënderbeu”, atje ku qindra punëtorë ishin duke pastruar dëborën nga tapeti, në mënyrë që edhe ndeshja e sotme ndaj Vllaznisë të luhet në kushte vërtet të mira. Duket se bardhësia e borës që ka parë Josa dje i ka kujtuar edhe një herë dy sezonet e mëparshme, kur do të ngrinte skuadrën më të mirë të kohërave të fundit, por që fatkeqësisht, pas ikjes së tij, Skënderbeu më pas ra, madje me 42 pikë në tabelën e klasifikimit.
Seancën e parë stërvitore Josa e ka zhvilluar dje në kalçeto, aje ku numri i futbollistëve ka qenë vërtet i madh. Kjo do të thotë që te Skënderbeu do të ketë spastrime, por që sidoqoftë është shpejt për të dhënë emra qysh në ditën e parë të punës së Josës.
Dje, para se të zhvilonte edhe stërvitjen e parë, Josa ka folur për sfidën e sotme me Vllazninë, teksa ka thënë: “Në Korçë është ftohtë, por unë ndihem ngrohtë, pasi në këtë moment kam mbështetjen e të gjithëve dhe them se kam bërë zgjedhjen më të mirë.
E pranova ftesën për të drejtuar Skënderbeun, pasi Korçën e njoh mirë dhe unë shpresoj se së bashku me të tjerët kemi për t’ia dalë për objektivin që kemi për të arritur. Sot (dje) është vetëm dita e parë e punës time dhe sigurisht që do të jetë disi e vështirë, por na duhet shumë punë për të bërë.
Përderisa jemi në çerekfinalen e kupës, kjo do të thotë që duhet ta vlerësojmë edhe këtë kompeticion. Do të jetë një test vërtet i mirë. Do të hedh në fushë një skuadër mikse, me futbollistët e fundit që kanë mbërritur dhe me ata që kanë qenë te Skënderbeu. Besoj shumë te kjo skuadër dhe falënderoj edhe një herë presidentin Zeqo.”
Katër afrimet e fundit, nga minuta e parë
Malindi, Shoshi, Grizha dhe Asllani kanë qenë pjesë e Skënderbeut gjatë ditës së djeshme dhe, sipas stafit teknik, të katër këta lojtarë sot do të jenë në fushë në ndeshjen e kupës ndaj Vllaznisë që nga minuta e parë. Këta katër lojtarë ka kohë që janë federuar te Skënderbeu, si lojtarë që janë dhënë hua.
Vjen edhe Guerrib, Mema nuk pranon
Dje ka mbërritur edhe kroati Miliam Guerrib, i cili kishte udhëtuar nga Kroacia në drejtim të Korcës, menjëherë pas lajmit që Skënderbeun e kanë marrë përsipër donatorët e rinj. Ndërsa sulmuesi korçar i Flamurtarit, Devis Mema, nuk ka pranuar të luajë për Skënderbeun dhe do të vijojë të luajë në Vlorë.
Me Vllazninë, hyrja falas në stadium
Ndeshja e sotme mes Skënderbeut dhe Vllazninë, që do të luhet për kupë në orën 14:00, do të zhvillohet në kushte optimale dhe pa praninë e borës. Mendohet që numri i tifozëve të jetë më i madh se asnjëherë tjetër, kjo pasi jo vetëm që hyrja do të jetë falas, por janë të interesuar për të parë ndryshimet.

Peqinasit: Me Dinamon, si në kampionat

Shkumbini kërkon të kalojë në gjysëmfinale, duke e kërkuar plot ambicie këtë trofe
Shkumbini duket se ka lënë pas ndeshjen e hidhur të Laçit, pasi vëmendja është përqendruar te ndeshja e sotme në kupë me Dinamon, një çerekfinale e vështirë kjo për peqinasit. Shkumbini e kërkon këtë trofe dhe mundësitë janë, edhe pse përballë do të jetë ekipi më i fortë për momentin. Por mos harrojmë që bardhekaltërit i kanë shkaktuar humbjen e vetme Dinamos, madje me shifra të thella. Kuptohet, sot do të jetë tjetër histori, blutë vijnë më të motivuar dhe më të qetë, ndoshta kjo edhe nga ecuria shumë e mirë në kampionat.
Por edhe peqinasit janë të motivuar dhe ndoshta kërkojnë atë që nuk ë bënë dot sezonin e kaluar, kur në mënyrë ndoshta jo të ndershme Flamurtari e eliminoi. Qëllimi është dalja në finale, por së pari, duhet kaluar patjetër kryesuesja e kampionatit. Daiu ka punuar këto ditë me grupin, duke u hequr vëmendjen të tijve nha ajo që ndodhi në Laç. Duke kërkuar të lërë pas humbjen me Laçin, është mbrojtësi lushnjar Erion Xhafa që vlerëson grupin e futbollistëve, duke qenë i bindur në suksesin në ndeshjen me Dinamon që do të zhvillohet në Peqin.
Për të, është një përballje e rëndësishme, pasi për kupë do të luajë kryesuesja e distancuar në pikë, Dinamo, e cila të vetmen humbje deri më tani ia ka shkaktuar Shkumbini. Ai është i bindur në marrjen e një fitoreje, për të bërë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit dhe detyra më e vështirë i takon repartit të mbrojtjes, ku ai luan, që të mos pësojë gol në Peqin.
“Kemi një javë tepër të ngarkuar, sepse do të presim në Peqin dy nga ekipet më të mira, Dinamon dhe Tiranën, për kupë e për kampionat. Synimet tona dihen dhe për kupën. Ndonëse do të kemi përballë Dinamon kryesuese, do të përpiqemi për një rezultat pozitiv, duke u kujdesur të mos pësojmë gol në fushën tonë,” - ka thënë mes të tjerash mbrojtësi Xhafa.
Një javë e fortë kjo për Shkumbini, por të paktën dy ndeshjet luhen në Peqin, aty ku ekipi merr forcë sa herë dëgjon përkrahjen e tifozëve, të cilët sërish priten të jenë të shumtë në numër, aq më tepër që dinamovitët kanë ditë që flasin për “hakmarrje”, por ndoshta do të pësojnë të njëjtin fat si në takimin e kampionatit.
Gjithsesi, kupa ka një specifikë tjetër. Ajo që flitet më shumë në kampin peqinas është të mos pësohet kurrsesi gol, pastaj të shfrytëzohen në maksimum rastet për gol, që edhe një i vetëm mund të t’i jepte kualifikimin Shkumbinit për në gjysëmfinale.

Shkumbini - Dinamo

Përbën një kuriozitet të veçantë ky çift në ballafaqimet për Kupën e Shqipërisë. Peqinasit dhe dinamovitët s’kanë luajtur asnjë ndeshje zyrtare në kupë. Në edicionin e 39 të, bënin pjesë në grupin e 7 të eliminator sëbashku me Naftëtarin, Tomorin, Përrenjasin dhe Rrëshenin. Dinamo u përjashtua, ndërsa Shkumbini u eliminua në ndeshjet në grupe, duke zënë vendin e tretë pas Naftëtarit dhe Tomorit.
Për të ardhur në ndeshjet e sivjetme, këto dy skuadra kanë eliminuar përkatësisht:
Shkumbini në raundin e parë Memaliajn, 2 1 në Memaliaj dhe 2 0 në Peqin, ndërsa në raundin e dytë Kastriotin, 1 1 në Krujë dhe 1 0 në Peqin. Ja edhe bilanci: 4 ndeshje, 3 fitroe dhe 1 barazim, golaverazhi 6 2 për Shkumbinin.
Dinamo ka kaluar në raundin e parë Mamurrasin, 3 2 në Mamurras dhe 2 0 në Tiranë. Ndërsa në raundin e dytë ka kaluar Bylisin, 0 1 në Ballsh dhe 3 0 në Tiranë. Bilanci: 4 ndeshje, 3 fitore dhe 1 humbje me golaverazh 8 3.

Muka: Nevilin e kam shok, zgjedhja e tij

Devi Muka me detyrë të dyfishtë tashmë, flet për largimin e Dedes, postin e ri dhe takimin me verdhezinjtë
Që nga dita e djeshme, Devi Muka nuk do të jetë vetëm kapiten i skuadrës së Tiranës, por pas largimit të Nevil Dedes, do të ketë edhe detyrën e zv.trajnerit. Muka nuk e ka aspak të vështirë që ta bëjë një gjë të tillë, nisur edhe nga karriera e pasur dhe e suksesshme që ka si lojtar, brenda dhe jashtë vendit, por edhe me fanellën e ekipit kombëtar.
Dje, në një prononcim për mediat, Muka fillimisht foli për largimin e Dedes: “Më vjen keq që Nevili u largua, por në fund të fundit sot çdo njeri vendos vetë për veten. Nuk më takon mua të analizoj situatën në klub, sepse ka drejtues që merren me këtë punë. Unë kamë luajtur me të dy, jo vetëm kaq, por i kam shokë edhe sot, si Deden ashtu dhe Tafajn. Mirë nuk është që u largua, gjithsesi ishte zgjedhja e tij,”- pohoi kapiteni i bardhebluve Devi Muka.
Në lidhje me detyrën e re që do të ketë si zv.trajner i Tiranës, që është propozuar nga drejtuesit më të lartë të klubit, të hënën në mbrëmje, Muka i falënderon të gjithë ata që e besuan, por, sipas tij, është ende herët, pasi ka akoma për të dhënë në fushën e lojës. “Mendoj se kjo ishte zgjidhja më e mirë për momentin nga ana e presidencës, duke parë largimin e papritur të Dedes. Unë do të bëj maksimumin në bashkëpunim me Albanin dhe A.Nallbanin, por më shumë do të jem një Devi-lojtar në marrëdhëniet me skuadrën.
Jo sepse nuk di ta bëjë detyrën e zv.trajnerit, por është ende herët nisur edhe nga diferenca jo e madhe e moshës që kam me disa nga shokët e skuadrës. Jam i bindur se kam ende për të dhënë në fushën e lojës. Do të ishte mirë që presidenti të gjejë një trajner, sepse do t’i shërbejë ecurisë së ekipit në të ardhmen,” - shtoi Muka, që në mbyllje të fjalës së tij i bën thirrje skuadrës të japë maksimumin sot në Kavajë.
“Kemi një ndeshje decizive, ndaj të gjithë sot duhet të bëjnë më të mirën në fushën e lojës, pasi edhe kavajasit janë një ekip i fortë në fushën e tyre. Kupa është një nga synimet tona këtë sezon, ndaj duhet të bëjmë më të mirën që të marrim një rezultat që të na favorizojë në sfidën e kthimit,”- përfundoi lideri i Tiranës, Devi Muka.

Tafaj anashkalon Deden, mendjen te kupa

Pavarësisht deklaratës që ka dhënë Nevil Dede ditën e djeshme, se skuadra e Tiranës komandohet me celular, ku “shigjetonte” trajnerin e dënuar, Alban Tafaj, ky i fundit dje nuk është parë në humor fort të mirë në “Skënder Halili”. Më tepër se deklaratat e ish-ndihmësit të tij, trajnerin e bardhebluve e shqetëson gjendja e ekipit që drejton.
Tafaj e ka përqendruar vëmendjen te sfida e sotme, që do të luhet në stadiumin “Besa”. “Pavarësisht atyre që ka thënë Nevili, unë nuk dua të kundërpërgjigjem, nuk e kam atë natyrë. Tashmë e kam mendjen vetëm te ndeshja e sotme me kavajasit. Dihet që kupa është objektivi që ne synojmë, kjo më duket edhe ngjarja më e rëndësishme e ditës, ndaj unë dhe skuadra jemi të preokupuar vetëm në këtë drejtim,”- pohoi trajneri i bardhebluve, Alban Tafaj.


Besa në pesë ditë vendos fatet e sezonit

Ndaj Tiranës në kupë dhe Dinamos në kampionat, kavajasit do të ndajnë “shapin nga sheqeri”
Rastësia e ka sjellë që Besa brenda pesë ditësh, pra sot dhe të hënën e ardhshme, të luajë dy takime që vlejnë sa i gjithë sezoni. Sot, për Kupën e Shqipërisë, Besa do të presë Tiranën dhe të hënën do të ndeshet në Tiranë me Dinamon, rivalen e vetme të saj për kampionat. Kjo ka bërë që presidenti Nexhat Bizhdili të sfidojë edhe gjendjen gripale që po kalon për t’i qëndruar pranë ekipit në këto momente. I pyetur mbi këtë fakt, ai pohon: “Ta them hapur, në kushte të tjera do të qëndroja në shtëpi, sepse po kaloj një gjendje gripale.
Meraku për dy sfidat që na presin nuk më lë rehat. Janë dy takime që ndajnë fatet e sezonit. Nesër (sot) luajmë ndaj Tiranës për kupën dhe kualifikimi me të për mua do të thoshte direkt finale. Pastaj, në finale, Besa, me këdo të takohet, ka epërsi e besoj se bëhet fituese. Pra, takimi i nesërm (i sotëm) merr rëndësi të veçantë, ose më saktë ndan fatet e sezonit për Besën time. Do të kërkojmë me çdo kusht një fitore sot ndaj Tiranës.
Objektivi ynë mbetet Europa dhe dy janë rrugët, Kupa e Shqipërisë dhe titulli. Pavarësisht se luftën për titull nuk e kemi anashkaluar, kupa mbetet rruga më e shkurtër dhe më e sigurt. Në këto kushte, takimi me Tiranën merr rëndësi të veçantë. Besa ime i ka të gjitha shanset dhe mundësitë ta zgjidhë që nesër (sot) fatin e kualifikimit.
Besoj dhe e pres të ndodhë kjo.” Sfida e sotme, që do të luhet në stadiumin “Besa”, për verdhezinjtë do të ketë vetëm një problem, mungesën e qendërmbrojtësit kosovar Alban Dragusha. Pjesa tjetër e grupit është e gjitha e gatshme.
Në rolin e Dragushës pritet të luajë ose Paulin Dhëmbi, rol të cilin e ka kryer, por nuk përjashtohet mundësia edhe e Poçit, Babamustës, pse jo ndonjë befasi tjetër zgjidhjeje e Shpëtim Duros. Verdhezinjtë, nisur nga situta që po kalon Tirana, sot më tepër se kurrë, duhet dhe mund të arrijnë një rezultat pozitiv, jo vetëm thjesht një fitore, por të shënojnë e të mos pësojnë, duke sigluar kështu që në Kavajë kualifikimin.
Ndërsa sot Besa luan njërën ndër trofetë, mendja punon edhe për të hënën, kur do të ndeshet në Tiranë me Dinamon për kampionat. Trajnerit Shpëtim Duro do t’i duhet të luajë fatet e sezonit në vetëm pesë ditë. Pas tri fitoreve të arritura më 2010, nga katër takime të luajtura, duket se gjendja te Besa mbetet optimiste dhe e mirë. Daniel Xhafaj tashmë shënon në çdo takim e në krah të tij tashmë luan një tjetër “bomber”, Vioresin Sinani. Të dy “vrasësit” kavajas janë ish-futbollistë të Tiranës dhe e njohin në detaje lojën e miqve.

Besa - Tirana

Dy nga skuadrat më të mira të futbollit shqiptar janë takuar në 16 edicione të kupës, ku kryeqytetasit kanë siguruar kualifikimin në 11 raste, kurse kavajasit 3 herë. Ndërkohë, në dy edicione janë ballafaquar në ndeshjet në grupe, duke fituar Besa në vitin 1991 (2 1) dhe Tirana pas dy vitesh (3 1). Që nga përballja e parë më 11.12.1938 janë luajtur 28 ndeshje dhe bilanci është si më poshtë: Besa 7 fitore, Tirana 14 dhe 7 barazime. Golaverazhi është 32 23 për bardheblutë. Katër herë problemin e kualifikimit e kanë zgjidhur (pas 120 minutash) 11 metërshat, ku Tirana ka dalë faqebardhë tri herë dhe Besa vetëm një herë.
Në 57 edicionet e deritanishme Besa dhe Tirana janë ballafaquar në finale vetëm në vitin 1963. Kështu, më 31 mars të atij viti, Besa fitoi në kryeqytet 3 2. Për fituesit shënuan Dimroçi, P.Ikonomi (autogol) dhe S.Lilamani, kurse për kryeqytetasit A.Mema dhe T.Gjoka. Pas 7 ditësh, me golin e B.Ishkës në minutën e 12 të, Tirana mori revanshin në Kavajë me rezultatin 1 0. Shtesa 30-minutëshe nuk solli ndonjë ndryshim dhe u kalua tek gjuajtja e 11 metërshave.
Këtu shkëlqeu A.Mema si gjuajtës e portier dhe falë tij Tirana fitoi kupën.
Në gjysmëfinale, Besa dhe Tirana janë takuar në 3 edicione dhe në këto raste kavajasit kanë siguruar 3 finale. Kështu, në vitin 1961, Besa kualifikohet pas barazimit në Kavajë më 22.10.1961 (1 1) dhe pas fitoren 2 1 në Tiranë 7 ditë më vonë.
Për herë të dytë kjo ka ndodhur më 12.12.1971 në Kavajë dhe më pas më 23.1.1972 në Tiranë. Kavajasit triumfuan me të njëjtin përfundim 3 0. Dhe rasti i fundit regjistrohet në vitin 1981. Në Kavajë më 5.4.1981 barazim pa gola 0 0 dhe pas 3 ditësh në kryeqytet pas 120 minutash barazim 1 1, por me penallti finalistë janë kavajasit.
Për herë të fundit këto dy ekipe janë ndeshur në vitin 2004. Në të dy takimet, doli fituese Tirana, 3 1 në Kavajë dhe 2 1 në kryeqytet.
Për të ardhur në ballafaqimin e sotëm, kundërshtarët kanë eliminuar:
Besa, Pogradecin në raundin e parë, 3 2 në Pogradec dhe 1 0 në Kavajë. Ndërsa në raundin e dytë, Laçin, 1 0 në Lezhë dhe 1 1 në Kavajë. Pra, 4 ndeshje për Besën, 3 fitore dhe 1 barazim me golaverazh 6 3.
Tirana ka kaluar Luzin në raundin e parë, 1 3 në Luz dhe 3 0 në kryeqytet, ndërsa në të dytin Lushnjën, 2 2 në Myzeqe dhe 2 1 në Tiranë. Bilanci: 4 ndeshje, 2 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje me golaverazh 8 6.