04 shkurt 2010

Kaka si ka punët mirë me Realin!?

Skuadra mbretërore, Real Madridi, është klubi që më së shumti ka investuar në afatin kalimtar të verës së vitit 2009, kur në klub solli Ronaldon me 94 milionë euro dhe Kakan 65 milionë euro. Këto shifra ishin marramendëse atëkohë dhe të pakapshme për kokën e secilit njeri, por për Realin çdo gjë ka qenë normale vetëm e vetëm të sjellë në mjedisin e vet yjet më të mëdhenj të botës së futbollit. Si duket drejtuesit e klubit të Realit nuk janë edhe bash të kënaqur me lojën e futbollistit Kaka dhe sipas spekulimeve të fundit Reali është i gatshëm t’i japë “shkelmin” Kakas. Është dhënë një lajm sa interesant, por edhe i pabesueshëm për njohësit dhe dashamirët e këtij sporti. Sipas mediave, Reali ia ka ofruar sulmuesin Kaka Juventusit, për të marrë nga bardhezinjtë Diegon dhe mbrojtësin Chiellini. Kjo është interesante dhe në fakt më shumë sensacione që e ka zakon të bëjë klubi mbretëror. Gjithsesi këto janë vetëm zëra pasi Juventusi nuk ka ndërmend të heqë dorë nga dy elemente thelbësore të skuadrës, ndërsa Kaka e shikon rikthimin ne Itali vetëm me një fanellë, atë të Milanit. Nga ana tjetër, e hapur qëndron edhe pista e Premierleague ku Chelsea dhe Manchester City nuk e kane fshehur asnjëherë dëshirën për të marrë në skuadër asin brazilian që i kushtoi plot 65 milionë euro Realit të Madridit.