08 shkurt 2010

John Terry paguan miliona për të heshtur ish-të dashurat e tij

Kapiteni i deridjeshëm i skuadrës përfaqësuese të Anglisë, John Terry (29), për arsye të skandalit seksual duket sikur sharron gjithnjë e më thellë. Ekspertët e marketingut e kanë llogaritur se nga braktisja e sponsorëve të fuqishëm Terry do të humbë mbi 20 milionë euro.Pas skandalit me Vanessa Perroncel, ish të dashurën e bashkëlojtarit Wayne Bridge, të cilën Terry e kishte detyruar edhe për abortim, News of the World zbuloi se ky futbollist i Chelseat ka pasur edhe katër të dashura! Njëra prej tyre thuhet të ketë qenë edhe biondja atraktive Orlaith McAllister, garuese e sezonit të gjashtë të showt “Big Brother”. Për të qenë i tërë tregimi edhe më interesant, Terry, i cili vjet u shpall baba britanik i vitit, me bukuroshen seksi Orlaith ka kaluar një natë të “stuhishme” në prag të Krishtlindjeve, pra në kohën kur bashkëshortja e tij Toni ishte shtatzënë me binjakët e tyre. Kishin kaluar vetëm pesë orë pasi Terry ishte lavdëruar para medieve se gruaja e tij është shtatzënë.Sipas News of the World, tashti i tërë ekipi i avokatëve të Terryt po punon me të madhe për heshtjen e rrjedhjes së mëtejshme të tregimeve tjera mbi dashuriçkat jashtëmartesore, për çka është duke shpenzuar shuma të mëdha të hollash. Tabloidi britanik pohon se Terry tashmë i ka paguar mbi 900 000 euro Vanessa Perroncelit, për të mos zbuluar hollësitë e lidhjes së tyre, kurse tashti vazhdon pagesa për ish dashuriçkat e tjera.Pas plasjes së skandalit, bashkëshortja e tij Toni (28) ka mbledhur çaklat dhe binjakët Georgien e Summerin ka udhëtuar për në Dubai.