09 shkurt 2010

I plotësohet dëshira

Armend Dallku është i kënaqur me shortin e tërhequr për eliminatoret e Euro 2012, edhe pse Kombëtarja shqiptare do të ketë kundërshtarë të fortë në grupin D.

Mbrojtësit vushtrrias i është plotësuar dëshira, që t’u shmanget skuadrave skandinave dhe në grup ta ketë ish kampionin e Botës dhe Evropës, Francën. Përveç francezëve, kuqezinjtë në grup kanë Bosnja Hercegovinën, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Luksemburgun.

“Kam pasur një parandjenjë që do të na bie me Francën ose Italinë. Më vjen mirë që do të luajmë kundër Francës dhe se nuk do të përballemi me ekipe nga shtetet skandinave, me të cilat kemi bilanc negativ”, ka thënë Dallku.

Ai vlerëson se përfaqësuesja e Shqipërisë është e barabartë për nga cilësia me Rumaninë, Bjellorusinë e Luksemburgun, derisa thotë se Franca dhe Bosnja e Hercegovina janë më kualitative sesa ekipi kuqezi.

“Jemi të barabartë me Rumaninë, e cila ka lojtarë cilësorë, por si ekip kombëtar viteve të fundit nuk po funksionon mirë. Po ashtu nuk trembemi nga Bjellorusia dhe Luksemburgu”, theksoi ai.

“Shqipëria gjithmonë luan dobët me kombëtarë të dobët, kurse luajmë shumë mirë me ekipe cilësore. Franca është superfuqi në futbollin evropian e botëror, por ne në ndeshjen ndaj francezëve sigurisht se do të jemi shumë të motivuar dhe do të luajmë mirë. Edhe Bosnja ka ekip cilësor, por kjo për ne nuk ka shumë rëndësi sepse edhe vetë jemi ballkanas, pra kemi të njëjtin mentalitet”, shtoi 26 vjeçari.

Sipas ish futbollistit të Kosovës së Vushtrrisë dhe të Prishtinës, kundërshtarët e Shqipërisë në Grupin D janë të përballueshëm. “Në përgjithësi jam i kënaqur me këtë short. Gjasat për kualifikim janë të barabarta për të gjitha skuadrat e grupit tonë. Shpresoj të kemi edhe fat dhe të kualifikohemi, në mënyrë që ta realizojmë atë ëndrrën e kahershme të kombit shqiptar”, përfundoi Dallku.