16 shkurt 2010

Ferguson: Nuk është Milani më i mirë

Aleks Ferguson nuk duket shumë i shqetësuar nga Milani, dy ditë para ndeshjes së parë të 1/8-ave të Champions Ligës, kundër kuqezinjve. Tekniku i Mançester Junajtid, që ka qenë i pranishëm në “San Siro” në fitoren e arritur nga “Djalli”, 3-2 kundër Udinezes, nuk është bindur nga loja që kanë shprehur milanistët: “Kaka ka lënë një boshllëk të madh, prezenca e tij ndihet shumë. Luanin me mesfushën në formë rombi, ai mbrapa dy sulmuesve, por pa Kakanë kanë kaluar tek skema 4-3-3. Kjo ka funksionuar deri kur Milani ka humbur në derbi. Tani duket se po e rimarrin veten”. Sigurisht, rreziku numër një për anglezët është Pato: “Ai mund të bëjë diferencën, nëse është në 100% të formës, siç ka treguar edhe kundër Udinezes”, ka thënë Ferguson.