10 shkurt 2010

Fabregas-Barcelona, arrihet marrëveshja?

Sipas shtypit katalanas, klubi i Laportës ka bërë goditjen e parë në merkaton e verës së ardhshme: Çesk Fabregas.Mësohet se midis kapitenit të Arsenalit dhe kampionëve të gjashtë-fishtë të sezonit të kaluar tashmë është arritur një marrëveshje verbale, sipas së cilës mesfushori spanjoll do të jetë pjesë e katalanasve për pesë sezonet e ardhshme. Në këtë mënyrë, së bashku me Iniestën e Ksavin, Guardiola ka në dispozicion treshen e mesfushës të kombëtares spanjolle.
Sipas asaj që raporton e përditshmja sportive spanjolle “El Mundo Deportivo”, Fabregas do të përfitojë shtatë milion euro në sezon deri në vitin 2015. Kurse në lidhje me shumën që Barça duhet të derdhë në arkat e “Topçinjve”, flitet për rreth 60 milion euro, shumë që gjatë negociatave mund të zbresë deri në 45 milion.
Por i menjëhershëm ka qenë përgënjeshtrimi i Barcelonës. “Klubi mohon në mënyrë kategorike çdo marrëveshje apo përpjekje për marrëveshje me Çesk Fabregasin”, thuhet në deklaratën e katalanasve në faqen e internetit të klubit blaugrana.