10 shkurt 2010

A e keni parë Amaurin ?

Kërkohet Amauri Carvalho de Oliveira ose shkurt Amauri. Sulmuesi i Juventusit në gjithë vitin 2009 e deri më sot ka shënuar vetëm pesë gola, ndërsa këtë sezon vazhdon të jetë futbollisti me më së tepërmi paraqitje në ekip. Braziliani është në krizë të golave për më tepër se një vit.

Në kërkim të Amaurit. Shenja identifikimi ? Është i gjatë, i fuqishëm, brazilian dhe do të duhej të shënonte shumë gola. Do të duhej. Në mes të ngjyrave bardhë e zi të Juventusit, Amauri është duke shkuar vetëm nga e zeza.

Në gjithë vitin 2009, e deri më sot, 10 shkurt 2010, ai ka shënuar 5 gola. Në përgjithësi. Në gara të ndryshme. Zhgënjim, që është edhe më i madh për faktin se ekipi në këtë periudhë ka nevojë të madhe për golat e një prej sulmuesve të tij dhe nuk arrin të zgjidhë problemet para portave kundërshtare.

Situatë e ndërlikuar, e sidomos edhe për faktin se ekipit ende i mungojnë elementët kryesorë të sulmit. Së pari Del Piero, pastaj Vincenzo Iaquinta dhe David Trezeguet, të cilët ende nuk janë rikuperuar. I kthehemi Amaurit.

Ai shënoi dy herë kundër Sampdorias – i fundit në sezonin e kaluar më 15 shkurt 2009, dhe dy herë të tjera në këtë sezon kundër Fiorentinës dhe Sienës, i fundit më 28 tetor. Stop.

Numri i golave të shënuar, pesë, kuotë të cilën e ka arritur Giorgio Chiellini, i cili luan në pozitën e qendërmbrojtësit. Amauri është futbollisti i Juventusit me më së tepërmi paraqitje këtë sezon, 29, duke pasur parasysh mungesat e vazhdueshme të sulmuesve të tjerë.

Ai lufton në fushim, vrapon dhe ndjek kundërshtarët. Mirëpo, tani ndoshta vuan edhe nga lodhja, por edhe i mungojnë lëvizjet vendimtare. Nuk është për t’u habitur se trajneri Alberto Zaccheroni ka kërkuar publikisht “kualitet më të mirë”, ndërsa selektori i Italisë, Marcello Lippi, i cili dukej se do ta ftojë për Kampionatin botëror pasi të marrë pasaportën italiane, ka ndërruar mendim.

“Janë edhe gjashtë shtatë pozita të lira. Të gjithë futbollistët janë në vazhdim. Por, të natyralizuarit më pak”, kishte thënë Lippi javën e kaluar.

As bashkëlojtarët e tij nga reparti sulmues i Juventusit nuk i kanë punët më të mirë. Vincenzo Iaquinta, një mister i vërtetë. Ai mungon nga 25 tetori (Siena-Juventus) dhe ende nuk dihet se kur do të kthehet në fushë.

Në atë kohë thuhej se bëhej fjalë për një operacion të thjeshtë me prognozë prej 30 ditë qëndrimi jashtë fushës. Por, kanë kaluar më tepër se 100 ditë dhe ai nuk është askund, në ekipin e Juventusit.

Një tjetër mungesë në sulmin e Juventusit është David Trezeguet, i cili nuk është paraqitur nga ndeshja e parë e vitit 2010, kundër Parmës. Ylli francez kishte lënduar nyjën e këmbës së djathtë dhe ishte paraparë të qëndrojë jashtë fushës për rreth 40 ditë.

Disa ditë më parë ai ka filluar stërvitjet dhe pritet të kthehet në dispozicion në javën e ardhshme. Zaccheroni pret me padurim rikuperimin e sulmuesve, meqë vetëm me Amaurin dhe Del Pieron nuk mund të bëjë atë që ka planifikuar: formacionin me tre sulmues.