04 shkurt 2010

Drejtuesit e Barçës besojnë te blerja e Fabregasit

Zëvendëspresidenti i Barcelonës, Alfons Godal, ësht i bindur se mesfushori i Arsenalit, Çesk Fabregas, do të kthehet në “Nou Camp” në një moment në të ardhmen. Lojtari spanjoll është rritur në akademinë e të rinjve të Barcelonës para se të shkonte në Londër në vitin 2003. Ai është bërë ndër mesfushorët më të mirë të botës, nën drejtimin e trajnerit Arsen Venger, por ka pohuar gjithnjë se është i përkushtuar ndaj Arsenalit. Por spekulimet për të ardhmen e tij nuk janë shuar ende, edhe pse Arsenali përpiqet shumë që ta mbajë këtë lojtar të rëndësishëm. Real Madridi është gjithashtu i interesuar ta marrë atë, por Godal shpreson ta shohë Fabregasin te skuadra katalanase.
Lajmet e gazetave spanjolle thonë se Barça ka bërë gati ofertën prej 40 milionë stërlinash në verë. Godal, i cili shpreson të fitojë postin e presidentit pas largimit të Huan Laportas, beson se edhe nëse Fabregas nuk transferohet këtë verë, do të kthehet një ditë te Barcelona. “Herët a vonë, Çesku do të kthehet te ne. Ne jemi një klub që mund të marrë lojtarë të mëdhenj, sepse jemi të respektuar”, ka thënë Godal për ‘The Sun’.