05 shkurt 2010

Dinjo, “No party”: Histori false për mua

Braziliani përgënjeshtron zërat që qarkulluan se paska qenë në një megafestë para ndeshjes me Interin
Pas lajmeve dhe përgënjeshtrimeve mbi festën e Ronaldinjo për tri net radhazi, përfshirë dhe një ditë para derbit me Interin, braziliani ka thënë të vërtetën e tij mbi zërat që qarkullojnë: “Isha i ftuar në një hotel në Milano, por nuk është e vërtetë që organizova festë dhe akoma më të pavërteta janë detajet e sjella në shtyp, - shpjegoi sulmuesi kuqezi, për të gjithë të interesuarit, sidomos për tifozët. - Kam punuar shumë muajt e fundit. Më duket e padrejtë që përdoren imazhe të vjetra për të shpjeguar një rezultat negativ dhe sajuar historia të tilla rreth meje”.
Në fund braziliani nënvizon: “Po përkushtohem maksimalisht për çdo projekt të Milanit dhe punoj shumë për të dhënë më të mirën nga vetja, edhe pse jo gjithnjë rezultatet janë pozitive. Megjithatë, këto lajme nuk do të më shpërqendrojnë dhe do të vazhdoj të punoj për të dhënë gjithnjë një futboll të shkëlqyer”. Ronaldinjo “paguan”, përkundrazi jo. Edhe Milani ka përgënjeshtruar se i paska vënë një gjobë yllit brazilian pas lajmeve që dolën mbi festat e tij të tepruara para derbit me Interin, ku Dinjo gaboi edhe një 11-metërsh në minutat e fundit.
Madje zërat shkuan deri aty sa thanë se gjoba që do t’i vihej Gauços, do të shkonte për bamirësi për “Fonadacionin Milan”. Një lajm që është përgënjeshtruar nga një frazë elokuente e Adriano Galianit, i cili ka shpjeguar: “Unë nuk i gjobis lojtarët në bazë të atyre që shkruajnë gazetat dhe nuk shkoj sigurisht as në selinë e Ligës së futbollit për të kërkuar masa ndaj lojtarëve”.
Mësohet se klubi kuqezi paska zhvilluar një hetim të vogël rreth kësaj ngjarjeje, duke nxjerrë të vërtetën e fakteve, aspak e ngjashme me atë që qarkulloi ne media pak ditë më parë. Paska qenë vetë Dinjo, i cili ka sqaruar se kishte marrë me qera një suitë për një grup miqsh të ardhur nga Brazili, të cilët nxituan të publikonin në rrjetin social “Facebook” foto nga mini-pushimi në hotelin luksoz.
Ish-fituesi i “Topit të artë” paska shkuar thjesht të takojë shoqërinë e tij edhe herë të tjera dhe klubi kuqezi e ka pranuar këtë version të fakteve, aq më shumë se tani nuk është as momenti për të bërë gjyqe të tilla, teksa skuadra po kalon një periudhë të vështirë në kampionat. Me siguri një fitore ndaj Bolonjës të dielën në “Dal’Ara” do të fshinte përfundimisht thashethemet që kanë dalë për brazilianin.