16 shkurt 2010

Dinjo bën dhurata, Milani e falënderon

Në futboll shifrat dhe statistikat nuk kanë shumë peshë, por ndonjëherë duhen vëzhguar, studiuar dhe të nxirren përfundime. Të marrim Ronaldinjon, për shembull: gjithmonë në qendër të vëmendjes; është i dobishëm apo jo? Luan për veten e tij apo për skuadrën? Mirë, të shohim se çfarë tregojnë numrat: braziliani ka realizuar deri tani në kampionat 9 gola (vitin e kaluar ka bërë tetë në total) dhe ka bërë dhjetë pasime fituese, që kanë sjellë po aq gola nga shokët e skuadrës. Kjo do të thotë se Ronaldinjo është shumë i rëndësishëm për lojën e Milanit.
ÇELESAT - Leonardo ka qenë i qartë me brazilianin që në ditën e parë të stërvitjeve: ka dashur t’i dorëzojë çelësat e ekipit, pas largimit të Kakasë drejt Realit të Madridit, verën e kaluar. Dhe Dinjo e ka pranuar këtë përgjegjësi. Pikërisht rreth tij Leonardo ka ndërtuar pjesën tjetër të formacionit, duke paraqitur një lojë shumë braziliane, dhe disa herë shumë spektakolare. Në këtë kështjellë të ideuar nga Leonardo, Dinjo nuk është një nga tullat e shumta, por tulla kryesore. Dhe ai e ka shpërblyer besimin e trajnerit duke ndihmuar shokët e skuadrës të shënojnë gola: një lloj Babagjyshi i Viti të Ri. “Më shumë se gola më pëlqen të bëj pasime”, përsërit gjithmonë, duke kujtuar pasimet e shumta që i ka dhënë Etosë dhe Mesit, kur luante me Barcelonën.
AKSI - Pato është ai që ka përfituar më shumë nga 10 pasimet fituese të Dinjos në këtë kampionat: 5 golat e realizuar nga “Patoku” kanë ardhur nga pasimet e bashkombasit të tij. Më pas vijnë Borrielo (3 gola), Sedorf (1) dhe Huntelar (1). Që aksi Ronaldinjo-Pato funksionon, kjo është një gjë e dukshme: Dinjo merr topin, me shpinë nga porta, në krahun e majtë, mban larg kundërshtarin, spostohet në qendër dhe jep një pasim të shpejtë në krahun tjetër ku ndodhet Pato.
Ky është aksioni klasik i Milanit në këtë sezon. Dhe të martën në mbrëmje, kundër Mançester Junajtid, kjo lëvizje duhet të përsëritet, sepse “Djajtë e kuq” nuk mund të mposhten pa bërë ndonjë shpikje. Për Ronaldinjon do të jetë sfida e radhës: deri tani nuk i ka dhuruar asnjë pasim shokëve të skuadrës në Champions Ligë. Ndoshta, ka ardhur momenti që gjërat të ndryshojnë, duke filluar nga mbrëmja e nesërme.