16 shkurt 2010

Dinamo mund “shah-mat” Besën, “hipotekon” edhe titullin

15 pikë diferencë. Kaq është largësia e krijuar pas ndeshjes direkte mes Dinamos dhe Besës, e fituar 1-0 nga blutë kryeqytetas, që tashmë e kanë “hipotekuar” titullin kampion, edhe pse matematikisht shpresat ekzistojnë për ndjekësit e tyre. Sidoqoftë, nisur nga fakti që i ka mundur verdhezinjtë “dorë për dorë”, në një ndeshje shumë domethënëse, duke thelluar edhe diferencën, por referuar ecurisë tejet pozitive në këtë kampionat, mund të definohet se lufta për titull ka marrë fund. Duke i hequr intrigën më të madhe garës, qysh në javën e 21-të, pa nisur akoma faza e tretë. Në këtë mënyrë, mbetet të luftohet në drejtime të tjera, për të zënë një vend në klasifikim, që do të thotë “Kupa të Europës”, por edhe për të mbijetuar në superligë.
Sa i takon ndeshjes së fundit, asaj përmbyllëse të javës së 21-të, luajtur në “Qemal Stafa”, mes Dinamos dhe Besës, ka vendosur goli i shënuar në minutën e 31-të nga argjentinasi Souza. Më pas, ka qenë një mbrojtje hermetike e Dinamos, që niste nga mesfusha, duke i mbajtur kavajasit larg portës së Kotorrit. Natyrisht, Besës i ka munguar disi qetësia dhe qartësia në ndërtimin e aksioneve, por kjo është diktuar edhe nga kundërshtari, që ka qenë i vendosur në mënyrë të përsosur në fushë nga trajneri Muca. Nga ana e tij, trajneri Shpëtim Duro i Besës ka provuar gjithçka, qoftë me zëvendësimet e kryera, qoftë me ndërrimin e roleve të lojtarëve në fushë, por nuk ia ka dalë mbanë. Goli i Souzës ka mbetur i paprekur deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit kryesor Lorenc Jemini, cka e ka mbajtur në “shtëpi” fitoren, i ka dhënë dinamos 3 pikë të tjera, të cilat e kanë distancuar plot 15 pikë nga ndjekësit më të afërt, verdhezinjtë. Në të njëjtën kohë, “de facto” ka shuar çdolloj enigme apo intrige sa i përket luftës për titullin kampion. Titull i cili e ka marrë rrugën prej kohësh drejt Dinamos, por tashmë është “hipotekuar” prej saj, edhe pse jo matematikisht.