16 shkurt 2010

Championsi, nis rruga drejt çerekfinaleve…

Milan-Mançester dhe Lion-Real fillojnë 1/8-t e finaleve, të cilat mbyllen më 17 mars
Shtatë vjet pasi u largua nga Mançester Junajtid, Devid Bekham do të luajë për herë të parë kundër skuadrës, që e bëri të njohur në botë. Milani do të presë sot Mançester Junajtid në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kampionëve.

Mesfushori anglez, që nuk ka luajtur kurrë kundër Junajtid kur ishte për katër sezone te Real Madridi, e ka këtë mundësi tani gjatë huazimit të dytë te Milani nga Los Angeles Galaxy. Milani pret Junajtid pas pushimit dymujor të Ligës së Kampionëve, ku krahas kësaj ndeshjeje do të luhen edhe shtatë ndeshje të tjera.

Ndeshjet e kthimit luhen pas dy javësh. Bekham u largua nga “Old Trafford” në vitin 2003 pas 394 ndeshjesh në 11 vite, në një kohë kur trajneri Aleks Ferguson ishte frustruar nga stili i të jetuarit i ish-kapitenit të Anglisë, që shihej si një yll mes njerëzve të famshëm.

Fergusoni ishte në “San Siro” të premten për të parë skuadrën e Milanit të fitonte 3-2 kundër Udinezes dhe skocezi 68-vjeçar mendon se Milanit i mungon braziliani Kakà. “Eshtë një moment i mirë për ne për të shkuar në Milano”, thotë ai, duke e mbajtur mend se skuadra e tij u mund 3-0 atje në vitin 2007.

“Ata luajtën këtë fundjavë, por nuk kanë Kakanë dhe kanë disa lojtarë të dëmtuar, kurse ne nuk kemi luajtur këtë fundjavë dhe jemi të çlodhur.”Edhe një tjetër skuadër e Bekhamit do të jetë në fushë sonte, pasi Madridi luan kundër Lionit. Kristiano Ronaldo, që ndoqi të njëjtën rrugë si Bekham, duke lënë Junajtid dhe duke shkuar te Reali, thotë se është i fiksuar pas trofeut të Ligës së Kampionëve.

Ndeshja e fundit e portugezit për Junajtid ishte finalja e majit 2009, ku Junajtid u mund 2-0 nga Barcelona. Real Madridi nuk ia ka dalë mbanë të arrijë në çerekfinale të këtij kompeticioni që prej vitit 2004.

“Eshtë një kohë e gjatë, ka ardhur momenti të mos përsëritet më”, ka thënë Ronaldo. “Nëse Real Madridi nuk mund të fitojë kundër Lionit, atëherë nuk mund të mendojmë se mund të fitojmë Ligën e Kampionëve.” Madridi dhe Lioni, si disa skuadra të tjera që luajnë këtë javë në 1/16-at e Championsit, nuk kryesojnë renditjen në kampionatet e tyre.

Ndeshjet e tjera që luhen nesër janë po aq intriguese: Bajerni i Mynihut - i dyti në Gjermani - pret Fiorentinën, e 11-ta në Itali. Po ashtu, kemi përplasjen mes dy skuadrave të vendit të tretë në Angli dhe Portugali, pasi Arsenali luan kundër Portos. Liga e Kampionëve është mundësia më e mirë e Arsenalit për t’i dhënë fund mungesës së trofeve, pasi skuadra e Vengerit nuk ka vazhdimësinë e kërkuar në Premier Ligë dhe është jashtë kupave në Angli.

“Topçinjtë” u mundën në finale të vitit 2006 në Ligën e Kampionëve nga Barcelona dhe vjet shkuan deri në gjysmëfinale, ku u eliminuan nga Mançester Junajtid. Ata shkojnë në “Estadio do Dragao” në ndeshjen e parë duke e ditur se në atë stadium nuk kanë fituar kurrë. “Minimumi që kërkohet prej Arsenalit është të mos pësojë humbje”, ka thënë Venger.

“Edhe barazimi pa gola është i pranueshëm, por ne jemi skuadër që nuk fshihet, ne duam të luajmë. Do të jetë një përplasje me dy ndeshje, prandaj duhet të jemi të zgjuar dhe të përdorim përvojën tonë në Ligën e Kampionëve për të përfituar nga fakti që ndeshja e kthimit luhet në fushën tonë.” Fiorentina udhëton drejt fushës së Bajernit të Mynihut, që ka arritur nëntë fitore radhazi në Bundesligë dhe që mban vendin e dytë vetëm për shkak të golavarazhit në raport me Bajer Leverkusenin e vendit të parë.

Trajneri Luis van Gal megjithatë është i shqetësuar sepse Bajerni u gjend në disavantazh kundër Borusias së Dortmundit para se të fitonte 3 1. “Ne bëmë shumë gabime individuale në mbrojtje, që nuk duhet t’i bëjmë kundër Fiorentinës”, ka thënë Van Gal.

“Disiplina e skuadrës duhet të jetë më e mirë”, ka shtuar ai. Javën që vjen, tetë skuadrat e tjera në Ligën e Kampionëve do të luajnë ndeshjet e tyre të para. Më 23 shkurt, Olimpiakos pret Bordonë dhe Barcelona shkon në Shtutgart. Një natë më pas, Interi i Mourinjos luan kundër Çelsit dhe CSKA-ja e Moskës pret Seviljen.

Arsenal
Arshavin mungon kundër Portos
Sulmuesi i Arsenalit, Andrei Arshavin, ka thënë dje se nuk mund të luajë në ndeshjen e nesërme kundër Portos në Ligën e Kampionëve pasi është i dëmtuar. Arshavin u dëmtua në ndeshjen e javës që shkoi në Premier Ligë kundër Liverpulit. “Nëse gjithçka shkon mirë, do të jem në fushë në ndeshjen e radhës në Premier Ligë kundër Sandërlendit. Megjithatë, kundër Portos do të mungoj”, ka thënë lojtari rus.

Bajern

Kloze, i gatshëm ndaj në Fiorentinës
Sulmuesi i Bajernit të Mynihut, Miroslav Kloze, e ka marrë veten nga dëmtimi në kavilje dhe do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen e nesërme kundër Fiorentinës në Ligën e Kampionëve. Bajerni ka publikuar lajmin se Kloze është stërvitur dje me skuadrën, ndonëse nuk qe në skuadër për ndeshjen e Kupës së Gjermanisë kundër Greuther Fuerth dhe kundër Borusias së Dortmundit në Bundesligë. Bajerni ka arritur nëntë fitore rradhazi në Bundesligë.

Kuriozitete nga katër çiftet, që do të përballen sot dhe nesër në Ligën e Kampioneve
Shifra dhe fakte nga ndeshjet e mesjavës

Teksa Iker Kasiljas feston ndeshjen e 500-të të tij për Real Madridin, më poshtë po japim statistikat e skuadrave të përfshira në ndeshjet e kësaj jave në Ligën e Kampionëve për ndeshjet e para të 1/16-ave.
0 fitore për Fiorentinën në Gjermani deri më sot. Bilanci i tyre është një barazim dhe tri humbje.
2 gola ka pësuar Bordoja, duke e bërë mbrojtjen e kësaj skuadre më të fortën në këtë kompeticion. Porto dhe Lioni kanë pësuar nga tre gola në gjashtë ndeshje.
3 sezone rradhazi Lioni është eliminuar në këtë fazë të kompeticionit.
3 gola ka shënuar portieri i Bajernit, Hans Jorg But, kundër Juventusit në Evropë, përfshirë golin në ndeshjen e fundit mes tyre në Ligën e Kampionëve.
4 tituj të Ligës 1 ka fituar sulmuesi Benzema me Lionin, aktualisht lojtar i Real Madridit.
4 herë e ka mundur Milani skuadrën e Mançester Junajtid në tetë ndeshjet, që janë takuar në Evropë.
5 fitore rradhazi ka marrë Fiorentina në Ligën e Kampionëve, sukses i njëjtë me atë të Bordosë.
6 vjet që kur Madridi u kualifikua për herë të fundit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
6 gola ka shënuar këtë sezon në Ligën e Kampionëve sulmuesi Kristiano Ronaldo, golashënuesi më i mirë i këtij kompeticioni.
10 herë rradhazi Arsenali ka kaluar fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
15 ndeshje ka pa u mundur Mançester Junajtid në transfertë në Ligën e Kampionëve, duke përjashtuar këtu finalet e vitit 2008 dhe 2009. Junajtid ka nëntë fitore dhe gjashtë barazime në transfertë.
15 gola të shënuar deri tani nga Real Madridi, që ka sulmin më të mirë të kompeticionit.
21 gola në Premier Ligë ka shënuar Runi, që ka kaluar edhe rekordin e tij prej 16 golash në vitin 2005/06.
23 gjuajtje në portë ka bërë Milani, më pak se çdo skuadër tjetër në raundin e parë me eliminim.
30 vjet më parë Fiorentina ka luajtur për herë të fundit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
51 gola nga 238 të tillë janë shënuar mes minutave 76 dhe 90 në Ligën e Kampionëve këtë sezon.
68 faulle janë bërë nga Mançester Junajtid, skuadra me më pak faulle në këtë kompeticion. Ata kanë marrë numrin më të ulët të kartonëve të verdhë (6) se çdo skuadër tjetër në 1/16-at.
107 fualle ka bërë Madridi, më shumë se çdo skuadër tjetër në 1/16-at. Ata kanë marrë edhe 17 kartonë të verdhë në fazën e grupeve, më shumë se çdo skuadër tjetër.
150 është numri total i ndeshjeve të Ligës së Kampionëve nga faza e grupeve deri në finale deri më sot. Ky numër arrihet me ndeshjen Lion-Real Madrid.
394 ndeshje ka luajtur mesfushori i Milanit, Devid Bekham, për Mançester Junajtid.
400 gola ka shënuar Mançester Junajtid deri tani në Ligën e Kampionëve. Goli i 400-të u shënua nga Ouen kundër Volfsburgut në fazën e grupeve.
500 ndeshje ka luajtur Kasiljas për Real Madridin. Ndeshja historike ka qenë ajo e fituar 3-0 kundër Kserezit.