04 shkurt 2010

Botërori “dikton” merkaton e janarit!

Nga Van Nisltëroi te Robinjo, nga Krespo te Senderos…Ja disa nga lëvizjet kryesore në merkaton e dimrit

Fillimi i vitit u shërben shumë futbollistëve për të gjetur një mundësi tjetër për të “sistemuar” karrierën e tyre. Nëse gjërat nuk kanë shkuar sipas planeve, nga korriku dhe deri në dhjetor, disa prej tyre vazhdojnë të luftojnë për të fituar “bastin”, ndërsa disa të tjerë vendosin të largohen në merkaton e janarit.

Kupa e Botës në qershor ka shtyrë disa lojtarë të largohen nga stoli i skuadrve të tyre për të qenë titullarë diku gjetkë.Padyshim, emri më i madh që ka lëvizur gjatë janarit është sulmuesi holandez Rud van Nisltëroi, i cili vendosi të largohet nga Reali i Madridit për të luajtur në Gjermani me Hamburgun. “Van Goli”, që shënoi 46 gola në 68 ndeshjet e luajtura me Realin, pësoi një dëmtim të rëndë gjatë sezonit të kaluar dhe nuk arriti të rifitojë postin e titullarit.

Ai shpreson që me kalimin në Bundesligë të ketë një shans për të qenë pjesë e kombëtares holandeze, që do të luajë në Kupën e Botës. “Ishte shumë e rëndësishme të lëvizja në këtë pikë të sezonit. Shpresa ime është prania në Kupën e Botës,” - konfirmoi 33-vjeçari.

Endërra për të qenë në Afrikën e Jugut ka shtyrë mesfushorin Tomas Hiclshperger të largohet nga Shtutgarti për të luajtur me Lacion. Ai ka vendosur të largohet nga vendlindja e tij, ndryshe nga Robinjo, i cili u largua nga Mançester Siti për gjashtë muaj, i huazuar te Santosi.

Ashtu si për Van Nistëlroi dhe Hiclshpergerin edhe për brazilianin 25-vjeçar, zgjedhja ka qenë e ndikuar nga Botërori. Sulmuesi argjentinas, Hernan Krespo, gjithashtu do të rikthehet në shtëpi, por jo në vendlidje, por tek ekipi që e bëri të famshëm në Serinë A, Parma. 34-vjeçari është larguar nga Xhenoa për të luajtur me skuadrën ku u afirmua nga viti 1996 deri në vitin 2000. “Kthimi në Parmë më jep një ndjesi të papërshkrueshme”, - tha sulmuesi për faqen në internet të klubit emilian. Krespo do të luajë në vend të Nikola Amoruzos, i cili shkoi te Atalanta.

Mbrojtësi i kombëtares zvicerane, Felip Senderos, ishte një tjetër lojtar që vendosi të largohet për të qenë titullar. Ai la Arsenalin për të luajtur te Evertoni, i huazuar për gjashtë muajt e ardhshëm. Nga ana tjetër, Zoran Tosiç ka vendosur të braktisë Premier Ligën për të luajtur në Bundesligë, teksa kaloi nga Mançester Junajtid te Këlni. “Djajtë” e kanë zëvendësuar duke marrë talentin e Fulhemit, Kris Smaling, për 11 milionë euro. Smailing do ta mbyllë sezonin në Londër, pastaj do të transferohet në urdhërat e Sër Aleks Fergusonit, që mposhti konkurrencën e Arsenalit dhe Çelsit.

“Kris është një mbrojtës me shumë talent. Do të jetë një përforcim i rendësishëm për klubin tonë”, - tha Ferguson. Sandërlendi ka të njëjtën shpresë me blerjen e qendërmbrojtësit 21-vjeçar, Metju Kilgalon nga Shefild Junajtid.

Duke qëndruar në Premier Ligë, Totenhemi ka huazuar te Sëlltiku sulmuesin Robi Kin, duke e zëvendësuar me Eidur Gudjohnsenin, të ardhur nga Monako. Edhe talenti i Arsenalit, “djali i çudirave”, Xhek Uajlshajër, ka shkuar për t’u rritur diku gjekë. 17-vjeçarit i kanë premtuar një aktivizim të rregullt te Boltoni, deri në fund të muajit qershor. Bundesliga ka qenë një nga kampionatet më aktivë në fushën e transferimeve.

Ljuis Holtbi dhe Halil Altintop janë larguar nga Shalke për të luajtur respektivisht me Bokumin dhe Frankfurtin, ndërsa Mikael Tavares është huazuar nga Hamburgu te Nurembergu. Në kategorinë e parë gjermane kanë ardhur edhe lojtar të tjerë si amerikani Rikardo Klark (Frankfurt), afrikani Aruna Kone (Hanover) dhe kinezi Hao Junmin (Shalke).

Volfsburgu, kampioni që pritet të dorëzojë kurorën, bleu për 5 milionë euro qendërmbrojtësin brazilian të Gremios, Rever, ndërsa portugezi Rikardo Kosta la “uqërit” dhe firmosi për francezët e Lilës. Gjithashtu, Iildiraj Bashturk dhe Mehdi Mahdavikia janë larguar nga Gjermania. Turku 31-vjeçar do ta vazhdojë karrierën te Blekbërni, ndërsa veterani iranian u kthye në shtëpi me Asin Stel Teheran, pas aventurës në Frankfurt.

Në Zvicër ka ndodhur diçka unikale, pasi mbrojtësi nigerian Al-Hilal është larguar për në Sudan, duke u ankuar se nuk mund të luante në temperaturat e ulta në Europë. Edhe klubet turke kanë pasur një merkato aktive. Ankaraguçu ka marrë francezin Zherom Roten nga Gllasgou Rejnxhërs, ku luajti vetëm për gjashtë muaj, pasi u ble nga Parisi. Gallastasaraj ka huazuar nga Totenhemi, talentin meksikan Xhovani dos Santos, një tjetër lojtar që synon të jetë prezent në Kupën e Botës. Sulmuesi brazilian, Keirrison, pavarësisht se është vetëm 21-vjeç, mund të krenohet se ka luajtur në katër kampionate të ndryshme të Palmerias (Brazil), Benfika (Portugali), Barcelona (Spanjë) dhe së fundmi Fiorentina (Itali).

Nga Napoli është larguar mbrojtësi Mateo Kotini, i cili do të luajë me Saragozën, që gjithashtu ka marrë ish-lojtarin e Vilarealit dhe Barcelonës, Edmilson, me synimin për të shpëtuar nga rënia në Sekunda Divizion. Më në veri të Europës, Morten “Duncan” Rasmusen, me 52 gola të shënuar në 111 ndeshje, u prezantua dje si blerja e re e Sëlltikut nga Brodbi, pikërisht në ditën që festonte 25-vjetorin. 42 herë kampionët e Skocisë kanë huazuar mbrojtësin Edson Brafild nga Bajerni i Mynihut dhe sulmuesin senegalez të Fulhemit, Robi Kin. Në Francë, ish-sulmuesi i kombëtares “blu”, Silvian Viltord, pasi qëndroi gjashtë muaj pa skuadër, firmosi për Metzin në kategorinë e dytë.