10 shkurt 2010

Boshnjakët nuk e vlerësojnë rivale të fortë Shqipërinë

Ish-trajneri i Tiranës, Blazh Slishkoviq dyshon se kombëtarja shqiptare në futboll mund t'i nxjerrë telashe vendit të tij Bosnjë-Hercegovinës. Në një intervistë për portalin "Sportin.ba", të martën Slishkoviq ka pohuar se Bosnja duhet të mendojë vetëm për Francën dhe Rumaninë për të fituar Grupin D të eliminatoreve për Evropianin 2012.Bosnja dhe Shqipëria do të luajnë në të njëjtin grup me Francën, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Luksemburgun. Slishkoviq për një kohë ka qenë edhe seleksionues i Përfaqësueses boshnjake. "Mendoj se me Shqipërinë nuk do të kemi probleme të mëdha. Në kualifikimet e fundit befasisht kanë arritur të marrin një pikë nga Portugalia dhe Danimarka, por pos kësaj nuk kanë bërë asgjë më shumë. Pasi njoh mirë mentalitetin e tyre, them se nëse kualifikimet i nisin me fitore, atëherë mund të nxjerrin probleme, në të kundërtën komplet ekipi do të përjetojë rënie dhe do të futet në depresion, sepse ata nuk janë lojtarë që mund të nxirren lehtë nga kriza", është shprehur Slishkoviq. "Besoj se me Shqipërinë nuk do të kemi telashe. Franca është favoriti më i madh i këtij grupi dhe për ta nuk ka shumë fjalë pasi kanë një skuadër të stërmbushur me yje". Slishkoviq ka stërvitur ekipit e Tiranës në sezonin 2008\08, por u largua në mungesë të sukseseve.Edhe mesfushori i Lyonit, Miralem Pjaniq vlerëson fare pak kapacitetet e ekipit shqiptar."Grupi është shumë i mirë dhe kemi gjasa të mëdha për kualifikim. Franca është favoritja kryesore, por ajo është e pamposhtur. Po ashtu, mund të matemi edhe me Rumaninë", ka thënë Pjaniq. "Sa i përket Shqipërisë dhe Bjellorusisë, është njësoj si të luash kundër Luksemburgut, edhe pse nuk bën të lirohemi kundër autsajderëve".