10 shkurt 2010

Borë edhe baltë, Kupa (s) zhvillohet në të tilla kushte “të jashtëzakonshme”

Nga tri ndeshjet e planifikuara për të mërkurën, janë luajtur vetëm dy, sepse ajo e Ersekës, Gramozi-Teuta, është shtyrë, për shkak të kushteve tepër të këqija atmosferike, prej dëborës së rënë. Në këtë mënyrë, Teutës së Durrësit i shkojnë dy herë rrugëtimet bosh drejt juglindjes, pasi nuk luajti as për kampionat me Skënderbeun, as me Gramozin për Kupë. Në Korcë, klubi pritës ka bërë pastrimin e fushës, duke bërë të mundur të luhej ndeshja, pavarësisht ser rreth saj gjithcka ka qenë e mbuluar nga dëbora. Edhe si rezultat i kushteve jo të favorshme, rezultati i ndeshjes Skënderbeu-Vllaznia ka qenë i bardhë, pa rrjeta të prekura. Por, nëse në juglindje, cerekfinalet e Kupës së Shqipërisë janë ndeshur me dëborën e bardhë, në Kavajë nuk dukej gjëkundi bar i gjelbër, por fusha e stadiumit “Besa” ka qenë e mbuluar nga balta. Një terren, që nuk kishte as gjënë më minimale për një ndeshje futbolli, ku futbollistët ishin të detyruar të ktheheshin në gladiatorë, të luftonin me kundërshtarin, por edhe me baltën. Megjithatë, ndeshja është luajtur dhe Besa ka fituar bindshëm 2-0, me dy gola, që kanë ardhur edhe për “meritë” të portierit bardheblu, Blendi Nallbani. Nëse në rastin e parë nuk e ka zotëruar dot një top të fortë, të goditur nga larg prej lojtarëve vendas, duke u detyruar të ndërhyjë në mënyrë të parregullt, pasi i ka shpëtuar topi nga duart dhe direkt, gjyqtari ka akorduar penallti, e kthyer në gol nga Mancaku, në golin e dytë të vendasve ka hezituar të zotërojë një top që ishte ndalur në vijën fatale, në mënyrë krejt të pakumptimtë, të cilin e ka dërguar me shpejtësi në rrjetë Daniel Xhafa. Kujtojmë se Besa ka luajtur me 10 lojtarë që në minutën e 43-të, pasi ka dalë me karton të kuq mbrojtësi Arapi, pas një ndërhyrjeje brutale nga pas ndaj Muzakës. Tirana ka krijuar më tepër volum loje, por nuk i është përshtatur asnjëherë si duhet terrenit tepër të rënduar. Në vend që të luante me topin e gjatë, të aplikonte lojën e ajrit, ngaqë balta nuk e lejonte të lëvizte “sferën”, skuadra 24 herë kampione ka preferuar pasimet e shkurtëra, lojën në kuadrat, cka i ka dhënë mundësinë Besës të thyejë me lehtësi aksionet e kundërshtarit dhe të dalë vetë me dy pasime të gjata në kundërsulm. Një praktikë e tillë loje ka rezultuar mjaft e efektshme për Besën, e cila ka shënuar dy herë dhe shkon në cerekfinalen e kthimit mjaft e favorizuar, edhe për faktin se Tirana do të luajë pa tifozë në kthim. Ndërkohë, nesër, të enjten, është planifikuar të luhet cerekfinalja tjetër e Kupës së Shqipërisë, mes Shkumbinit dhe Dinamos. Nisur nga cka paraqet fusha e Peqinit në kohë me shi, është e pritshme që balta të mbizotërojë gjithcka edhe atje, si në Kavajë, sin ë ndeshjen e kampionatit mes të njëjtave skuadra, ku Shkumbini I shkaktoi bluve humbjen e parë në kampionat, me rezultatin shokues dhe të thellë, 4-0. Një veprimtari kombëtare, si kjo, që zhvillohet në kushte aspak të papërshtatshme, si të bëhet fjalë për një situatë “të jashtëzakonshme”, ku nuk mund të flitet për skema taktike e për lojë teknike, por që vë në rrezik serioz edhe shëndetin e futbollistëve, që mund të pësojnë dëmtime të rënda. E thënë ndryshe, balta i ka baltosur tashmë cerekfinalet e Kupës, ndërkohë që zyrtarët e FSHF-së, duke lejuar të luhet në fusha të tilla, si e Kavajës, ditën e mërkurë, tregojnë se për ta ka vlerë vetëm të konsumohet kalendari sportiv, pa për cilësi futbolli e gjëra të tjera të këtij lloji, as që e vrasin mendjen. Duke qenë në kohë fushate e zgjedhjesh, duket se “futbolli në tavolina” ka dalë në plan të parë, ndërsa ai në fushat e lojës, ka marrë një baltë të madhe surratit.

Cerekfinalet e Kupës së Shqipërisë 10.02.2010

BESA-TIRANA 2-0
SKENDERBEU-VLLAZNIA 0-0
GRAMOZI-TEUTA (e shtyrë)

11.02.2010

SHKUMBINI-DINAMO