09 shkurt 2010

Bordo, dy ndeshje “stop” për Diarranë

Mesfushori i Bordosë, Alu Diarra, pritet të mos luajë për të paktën dy ndeshje, për shkak të një dëmtimi muskulor. Bordoja ka thënë në sajtin e vet se Diarra kishte një dëmtim të vogël në kofshën e majtë. Ai doli nga fusha duke çaluar në ndeshjen kundër Renës të shtunën. Trajneri Lorent Blank nuk dëshiron ta rrezikojë atë për një ndeshje kupe, e as të dielën në kampionat kundër Sënt Etienit.
Blank ka thënë se ishte i gatshëm të dërgonte skuadrën e dytë për të luajtur një ndeshje të vonuar në Kupën e Ligës, më saktësisht gjysmëfinalen, duke qenë se federata nuk ia lehtësoi pak kalendarin e ngjeshur skuadrës së tij. Blank nuk arriti t’i bindte zyrtarët e federatës ta spostonin ndeshjen e kampionatit kundër Okerrit nga 20 shkurti në 19 shkurt, në mënyrë që lojtarët e tij të kishin një ditë më shumë për t’u përgatitur për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Olimpiakosit më 23 shkurt. Kampionët e Francës duhet të luajnë gjithashtu, gjysmëfinalen e Kupës së Ligës kundër Lorionit më 17 shkurt.