10 shkurt 2010

Bojkotojnë stërvitjet

Klubi i Kosovës së Vushtrrisë po vazhdon të përballet me krizë financiare. Kjo krizë i ka detyruar futbollistët që të bojkotojnë stërvitjet, pasi nuk kanë marrë pagat në dy muajt e fundit (dhjetor dhe janar).
Lojtarët e klubit bardhekaltër, të hënën dhe të martën nuk kanë stërvitur fare. Ata kanë kërkuar nga zyrtarët e klubit t’iu kryhen obligimet, ose në të kundërtën të lirohen para kohe nga kontratat, me qëllim që të gjejnë skuadra të tjera për t’u aktivizuar në stinorin pranveror.
“Të gjithë futbollistët, bashkërisht kanë vendosur t’i bojkotojnë stërvitjet, sepse nuk kanë marrë paga që dy muaj, nga të cilat paga shumica prej tyre i mbajnë familjet. Unë si kapiten, me keqardhje më është dashur të solidarizohem me bashkëlojtarët”, deklaroi për Express, kapiteni i ekipit, Mensur Maxhuni.
“Drejtuesit e klubit na patën premtuar se të hënën do të na dalin rrogat, por kjo nuk ndodhi dhe erdhi puna deri këtu, pra te bojkotimi i stërvitjeve. Futbollistët nuk e kanë ndërmend të fillojnë stërvitej pa e marrë fillimisht një rrogë sa më shpejt, kurse tjetrën pak më vonë”, theksoi ai.
Maxhuni pohoi se shumë bashkëlojtarë të tij kanë kërkuar nga ai ta shfrytëzojë autoritetin e kapitenit dhe të kërkojë nga drejtuesit e klubit t’i shkëpusin kontratat me disa futbollistë.
“Shumë nga ta po mendojnë t’i shkëpusin kontratat me klub për të gjetur klube të reja, sepse pjesa dërmuese e futbollistëve i mbajnë familjet nga futbolli. Unë do të takohem me drejtuesit e klubit, për të biseduar rreth gjetjes së një zgjidhjeje urgjente. Të gjithë lojtarët po ndihemi keq për situatën në të cilën gjendet klubi, por edhe ne nuk kemi rrugë tjetër”, shtoi ai.
Në anën tjetër, nënkryetari i klubit, Fadil Krasniqi ka thënë se deri në javën e ardhshme do të bëhet çmos për t’i kryer obligimet ndaj lojtarëve të skuadrës. “Besoj se shumë shpejt do t’i kryejmë obligimet. Deri në javën tjetër, sigurisht se kjo punë do të kryhet”, deklaroi Krasniqi.
Futbollistët edhe më parë me vonesë i patën nisur stërvitjet, pasi nuk patën marrë paga për muajin dhjetor. Por megjithatë, ata u qenë rikthyer seancave stërvitore, por dita e hënë ishte fundi i durimit për ta, ngase kaluan dy muaj që nuk kishin marrë paga.
Kosova e Vushtrrisë tash e një kohë të gjatë po ballafaqohet me krizë financiare, si pasoj e së cilës ekipi ka mbetur edhe pa trajnerë, sepse të gjithë po hezitojnë ta pranojnë këtë detyrë, për shkak të kësaj situate financiare.
Me qëllim që të dalin nga kriza financiare, zyrtarët e klubit qenë detyruar t’i hedhin në shitje 50 për qind të aksioneve, por ato nuk u blenë nga donatorët e interesuar, me arsyetimin se Komuna e Vushtrrisë ende nuk ia ka dhënë klubit për shfrytëzim stadiumin për një afat më të gjatë.
Pas kësaj, udhëheqësit e klubit bardhekaltër kanë bërë kërkesë në Kuvendin Komunal për ta marrë stadiumin në shfrytëzim për 20 vjet dhe tani janë në pritje të një përgjigjeje nga Komuna.
Vushtrriasit në stinorin vjeshtor përjetuan edhe krizë të rezultateve, me ç’rast pjesën e parë të kampionatit e përmbyllën duke u radhitur në vendin e fundit në tabelë, me vetëm 14 pikë të mbledhura.