10 shkurt 2010

Bayern, i pafuqishëm

Franck Ribery ka shtuar besimin se do të largohet nga Bayern Munichu në fund të këtij sezoni duke theksuar se klubi gjerman nuk është në gjendje të garojë me ekipet më të mëdha evropiane.
“Bayern është klub i madh. Është njëri prej klubeve më të mëdha në botë, por mendoj se nuk jemi të fortë si ekipet tjera – Barcelona, Real Madrid, Manchester United, Chelsea”, tha mesfushori francez, për të cilin spekulohet se mund të transferohet në Spanjë ose Angli.
“Do të kemi vështirësi të garojmë me këto ekipe. Dua të fitoj tituj dhe të kënaqem me veten. Nuk jam më 20 vjeç. Jam më afër përfundimit të karrierës sesa fillimit të saj”, u shpreh ai për RTL radio.
26-vjeçari po ashtu pranoi se mund të joshet nga transferimi në Barcelonë, te bashkëkombësi i tij, Thierry Henry. Ne kalojmë shumë mirë së bashku dhe e di se ai dëshiron të më ketë atje. E di se shumë njerëz dëshirojnë që të mbetem në Bayern. Cilido vendim nuk do të jetë i lehtë”, përfundoi ai.