09 shkurt 2010

Balak “praktik”: Fitoret sjellin titullin!

Mesfushori i Çelsit: Rëndësi kanë tri pikët. Jemi në rrugën e duhur për të fituar kampionatin
Mikael Balak është i mendimit se Çelsi tregoi edhe një herë se ata kanë gjithçka që u duhet për t’u shpallur kampionë të Anglisë këtë sezon. Skuadra e Karlo Ançelotit u rikthye në krye të renditjes pas fitores 2-0 kundër Arsenalit në “Stamford Bridge”, falë dy golave të shënuar nga Didië Drogba. Topçinjtë e zotëruan topin shumë në atë ndeshje, por nuk e kthyen në gola atë epërsi.
Më pas, trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, e ka përgëzuar skuadrën e Çelsit për eficencën e saj, duke shtuar edhe frazën e tij thumbuese, “nuk morëm ndonjë leksion futbolli atje”. Por për Mikael Balakun e Çelsit vendosmëria e lojtarëve të skuadrës së tij për të arritur rezultatin pozitiv, është ajo që ka rëndësi në fund të fundit. “Ne donim të bënim punën tonë”, ka thënë 33-vjeçari. “E dimë se si luan Arsenali, përherë me të njëjtin stil. Nëse një skuadër ndjek taktikën tonë, mund ta mposhtë. Këtë sezon dhe sezonin që shkoi ata treguan se nuk janë të aftë të fitojnë kampionatin. Vengeri thotë përherë gjëra të tilla kur humb, sa për të dhënë një justifikim, por futbolli nuk është vetëm zotërim topi dhe pasime të mira.
Futbolli është të fitosh ndeshjet dhe këtë ua tregoi edhe Mançester Junajtid kur luajti kundër tyre dhe i mundi. Ne e merituam fitoren sepse ishim efikasë dhe kjo ishte strategjia jonë.” Më pas, Balak ka deklaruar: “Futbolli është përzierje e të fituarit të ndeshjeve dhe fubtollit të mirë fizikisht dhe teknikisht. Ne kemi një mesatare të mirë të të dyjave në skuadër, siç e kemi treguar këtë sezon. Jemi në vend të parë dhe kjo ka rëndësi.” Epërsia e Çelsit në krye ndaj Junajtid, është vetëm me dy pikë, pasi Junajtid shpartalloi Portsmuthin 5-0 në “Old Trafford”, të shtunën. Arsenali ka nëntë pikë më pak se Çelsi, pasi ka humbur dy ndeshje radhazi kundër rivalëve të drejtpërdrejtë për titull, pas një serie prej 10 ndeshjesh pa pësuar humbje. Balak ka thënë:
“Nëse i hedhim një vështrim tabelës, duket si një garë mes Çelsit dhe Junajtid, por katër javë më parë ishte ndryshe. Nëse humb pikë, epërsia shuhet shpejt.” Drogba sërish tregoi se është rreziku kryesor për Arsenalin, pasi sulmuesi nga Bregu i Fildishtë ka shënuar 12 gola në 12 ndeshjet e tij të fundit kundër Arsenalit. Balak ka thënë fjalë të mira për afrikanin 31-vjeçar, që sapo është kthyer nga Kupa e Afrikës. Ai, madje, për pak sa nuk shënoi edhe golin e tretë në atë ndeshje, por gjuajtja e tij nga goditja e lirë preku shtyllën.
“Në ndeshje të tilla si këto ai është aty, dhe për këtë arsye është lojtar i madh. Didië është shumë i fuqishëm fizikisht, por ka edhe teknikë të madhe, gjuan shumë mirë goditjet e lira dhe ka nuhatjen e golashënuesit. Ai ka shumë kualitete dhe nuk ka shumë si ai. Por ne kemi shumë lojtarë të mirë në skuadër dhe kjo na bën të jemi të fortë. Eshtë bukur kur luan për një skuadër të tillë. Kemi disa vite që luajmë së bashku. Edhe nëse ndonjëri prej nesh nuk luan mirë, kemi lojtarë që mund ta mbyllin ndeshjen me një aksion individual”, ka thënë Balak.