16 shkurt 2010

Askush nuk fiton më shumë se Ronaldo

Sipas agjencisë “Futebol Finance”, sulmuesi portugez i Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo, është futbollisti që aktualisht fiton më shumë. Por Premier Liga është më e pasur.“Mbreti” i parave sot është Kristiano Ronaldo, klubi që i mbulon në ar lojtarët e vet është Barcelona, kurse kampionati ku shpenzohet më tepër për lojtarët është Premier Liga. Agjencia financiare e sportit “Futebol Finance” bën një analizë të të dhënave në lidhje me shumat e parave të shpenzuara sot në botën e futbollit në Europë.
Sipas këtij studimi, rezulton se futbollisti më i paguar është Kristiano Ronaldo, i cili fiton plot 13 milion euro në sezon. Pas tij vjen sulmuesi i Barcelonës, Zllatan ibrahimoviç me një milion më pak dhe në vend të tretë Leo Mesi me 10.5 milionë, aq sa sulmuesi kamerunas i Interit, Samuel Eto.
Barcelona është klubi që ka paguar më shumë për lojtarët gjatë sezonit të fundit, 60.5 milion euro, duke lënë në vend të dytë Realin me 49 milionë. Megjithë borxhet, Premier Liga është kampionati ku shpenzohet më shumë për futbollistët (128.2 milion euro). Më pas vjen Primera Divizioni me 126 milionë. Italia dhe Gjermania janë shumë më poshtë, përkatësisht me 39.5 dhe 30.8 milionë.
“Betejën” britaniko-spanjolle këta të fundit e fitojnë përsa i përket shumës mesatare të pagesave vjetore të lojtarëve. Mesatarisht një futbollist në Spanjë ka një kontratë vjetore prej 7.41 milion eurosh, kurse në Angli kjo mesatare është 6.1 milionë. Më të paguarit në listën e 50 të parëve janë sulmuesit (151.9 milion euro), pastaj mesfushorët (101.6), mbrojtësit (37.5) dhe portierët (33.5). Në total 50 më të paguarit kushtojnë 324.5 milion euro.