05 shkurt 2010

Afrikanojugorët po e keqpërdorin Botërorin

Ngritjet e çmimeve në Afrikë të Jugut janë shqetësimet më të mëdha për organizatorët e Botërorit 2010 të futbollit. Tentimi i vendasve për përfitime mund të frenojë më shumë tifozët e futbollit, sesa raportet alarmuese për krime në Afrikën e Jugut. Zyrtarët e Afrikës së Jugut dhe ata të FIFA-s kanë reaguar ashpër ndaj raporteve për krime që po publikohen në vende si Britania e Madhe e Gjermania. Këto vende po raportojnë vazhdimisht për nivelin e krimeve në shtetin afrikan, duke i vetëdijesuar tifozët e futbollit se çfarë mund t'i presë ata. Organizatorët thonë se operacionet e shumta të policisë do t'i mbajnë të sigurt tifozët. Mirëpo, së fundi kanë nisur alarmimet edhe për rritjen e çmimeve. Një nga pasojat mund të jetë që Botërori i parë i futbollit në kontinentin e Afrikës të përcillet nga pak vizitorë të huaj. "Unë jam shumë i dëshpëruar. Do të më kushtojë pothuajse paga ime e tre muajve për të përcjellë Nigerinë, përfshirë këtu pagesën e hotelit dhe udhëtimet. Është vërtet çmenduri. Unë mund vetëm t'u them se mund t'i mbajnë biletat për vete. Unë kam një televizor në shtëpi dhe do ta shoh nga aty", ka thënë Fola Fagbule, një punëtor i bankës në Lagos të Nigerisë. Zyrtarët e FIFA-s kanë informuar javën e kaluar se dy të tretat e tre milionë biletave janë shitur. Ata janë të kënaqur se si po ecën shitja e biletave. Mirëpo, mungesa e fluturimeve, rritja e çmimeve dhe raportimet negative për sigurinë kanë ndikuar te tifozët. Sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke thotë se udhëtimi nga Evropa për në Afrikë kushton shtrenjtë. Arsye për këtë është mungesa e fluturimeve në këtë drejtim. Po ashtu, ka shqetësime edhe për rritjen e çmimeve. Çmimet e biletave të aeroplanit janë trefishuar për periudhën e Botërorit, që do të nisë nga 11 qershori. Çmimet e akomodimeve janë rritur edhe më shumë. Ato diku janë katërfishuar. Autoritetet e Afrikës së Jugut kanë nisur hetimet ndaj gjashtë kompanive ajrore lokale, pasi kanë rritur me të madhe çmimet e udhëtimeve gjatë periudhës së Botërorit 2010. "Pse po ndodhin ngritjet e mëdha të çmimeve? Është e lehtë. Të gjitha mund t'i përkufizosh me një fjalë - lakmi", ka thënë një tifoz i Afrikës së Jugut për gazetën "Daily Mail". "Nuk është befasi që kaq shumë tifozë kanë vendosur të mos udhëtojnë për në Afrikë të Jugut. Hotelet dhe agjencitë lokale ajrore kanë rritur çmimet nga 50 deri në 100 për qind", ka thënë Peter Stephens, drejtor menaxhues i agjencisë britanike të udhëtimeve "DialAFlight". Tifozët kanë paguar çmime të larta për të blerë bileta për Botërorin në Afrikë të Jugut. Mirëpo, tash tifozët po përballen edhe me rritjet e çmimeve të udhëtimeve dhe akomodimit. "Hotelierët dhe operatorët e fluturimeve me sa duket nuk janë në dijeni se jemi ende në krizë ekonomike globale", ka thënë Stephens. Menaxheri i turizmit në Afrikë të Jugut për ngjarje të mëdha, Sugen Pillay, po ashtu është kritik ndaj rritjes së çmimeve. Afrika e Jugut me Botërorin 2010 dëshironte të rriste turizmin për vitet e ardhshme, mirëpo këtë projekt nuk po ia ndihmojnë hotelierët dhe agjencitë e fluturimeve. "Brenga jonë më e madhe është se njerëzit nuk do të kthehen më në Afrikë të Jugut. Njerëzit që dëshirojnë të bëjnë para të shpejta, nuk po e kuptojnë këtë. Madje nuk po brengosen fare për këtë", ka thënë Pillay. Pillay thotë se rritjet e çmimeve nga hotelet e njohura dhe ato të kontraktuara nga FIFA janë të arsyeshme, mirëpo qeveria nuk ka kontroll ndaj operatorëve të tjerë, që e kanë parë Botërorin si rast jetësor për t'u pasuruar.