30 qershor 2009

Prandeli do Markionin, “Zonja” Melon

“Fiorentina nuk ka ndërmend që të shesë lojtarët e saj më të rëndësishëm, siç është Felipe Melo. Gjithsesi, unë gjithmonë zgjedhjet e merkatos i bisedoj me Prandelin dhe ai më ka kërkuar Markionin për sezonin e ardhshëm”. Korvino, drejtori sportiv i Fiorentinës, shpalos synimin e tij për mesfushorin e Juventusit, Marko Markioni. Ky i fundit nuk bën pjesë në skemat e Çiro Ferrarës, ndërsa braziliani Felipe Melo i Fiorentinës, po. Tekniku bardhezi kërkon me çdo kusht numrin 5 të Brazilit nën urdhrat e tij për të formuar një mesfushë fantastike me Melon, Diegon, Sisokon dhe Markizion. Juve po përgatit sulmin ndaj brazilianit, duke ofruar Markionin plus një shumë parash.

Pas Zebinasë synon edhe Grigerën

Zdenek Grigera mund të largohet nga Juventusi. Mbrojtësi çek, i cili është bashkuar me formacionin bardhezi dy vite më parë, pasi erdhi me parametër zero nga klubi holandez i Ajaksit, ka përfunduar nën shënjestrën e grekëve të Panathinaikosit. Klubi helen, ka shprehur dëshirën dy ditë më parë edhe për francezin Xhonatan Zebina, është gati të paguajë 11 milionë euro për t’i shkëputur “Zonjës së Vjetër” dy mbrojtësit e saj. Grigera sigurisht që nuk ka bindur në dy sezonet e tij në Torino dhe drejtuesit bardhezinj po vlerësojnë seriozisht ofertën e Panathinaikosit. Në rast se ai largohet, në Torino mund të mbërrijë napolitani Santakroçe, ose çeku tjetër, Ujfalushi.

Bordoja fton bardhezinjtë të bisedojnë për Çamak

Maruan Çamak, sulmuesi i skuadrës së Bordosë, është prej disa kohësh pjesë e axhendës së drejtorit sportiv të Juventusit, Alesio Seko. Ditën e djeshme, vetë presidenti i klubit francez, Zhan-Luis Triaud, ka ftuar drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” të nisin bisedimet për kryerjen e një transferimi të mundshëm. Një ftesë e tillë ka ardhur edhe si rrjedhojë e faktit se vetë Çamak (13 gola në sezonin e kaluar) ka shprehur dëshirën e tij për t’u veshur bardhezi. “Nëse na vjen një ofertë e Juventusit, sigurisht që do të jemi të gatshëm ta vlerësojmë atë. Ne nuk duam ta shesim lojtarin, por ai na ka thënë se tani kërkon një skuadër më të madhe për të treguar realisht vlerat e tij dhe, padyshim, që Juventusi do të ishte një zgjedhje e përkryer”.

Laciali Kristian Ledezma i vetofrohet Juventusit

Kristian Daniel Ledezma, prej dy vitesh një ndër pikat kyçe të formacionit të Lacios, ka vendosur të largohet nga kryeqyteti italian sezonin e ardhshëm. Fantazisti argjentinas kërkon të bëjë një hap të madh në karrierën e tij, ndaj është në pritje të një telefonate nga dy prej skuadrave të mëdha italiane, Juventusi ose Milani. Megjithëse, ashtu siç konfirmon edhe menaxheri i tij, Vinçenco D’Ipolito, preferenca parësore e Ledezmës është të bashkohet me trupën e Çiro Ferrarës. “Pranoj se gjatë ditëve të fundit kemi pasur bisedime dhe kontakte të shpeshta me drejtuesit e Juventusit. Por, për momentin, ata janë totalisht të përqendruar te çështja ‘D’Agostino’, ndonëse shanset që klienti im të vishet bardhezi për sezonin e ardhshëm janë vërtet të mëdha”.

Andrea Dosena, gjithmonë e më larg “Zonjës së Vjetër”

Pasi Liverpuli bleu Fabio Aurelion, rruga e transferimit të italianit Andrea Dosena në radhët e Juventusit qe e hapur. Mirëpo mbrojtësi i majtë i skuadrës së drejtuar nga Rafa Benitez duket se duhet të fillojë të mendojë sërish për Liverpulin, pasi trajneri ka bllokuar largimin e tij. Arsyeja e frenimit të kësaj marrëveshjeje ka qenë një dëmtim banal i pësuar nga titullari Aurelio. Ky i fundit është dëmtuar në mënyrë të habitshme, duke qëndruar në oborrin e shtëpisë së tij (bën të ditur britanikja “Daily Mail”). Për rrjedhojë, braziliani pritet të mos jetë i gatshëm të bashkohet me skuadrën për fillimin e fazës përgatitore dhe fillimin e sezonit e në këtë mënyrë, Andrea Dosena do të zërë vendin e Aurelios.

Juve, kampionë pa shumë shpenzime

Torino - “Të forcojmë Juven me lojtarë cilësorë, por pa prekur buxhetin”, ishte konkluzioni i mbledhjes së drejtuesve të klubit bardhezi.
Mbledhja e drejtuesve bardhezi në Galileo Ferraris konfirmoi njëkohësisht se vazhdonte interesimi i klubit për D'Agostino, Ledesma, Dossena ose Grosso, por pa shumë shpenzime."Linja jonë është të bëjmë gjënë e duhur derisa ekpi të forcohet. Rritja e buxhetit? Jo, nuk kemi nevojë” konfirmoi Gian Paolo Montali."Shoqëria - vazhdon Montali - ka punuar mirë nga aspekti ekonomik e financiar. Kemi bilance të ekuilibruara. Në një kohë të tillë është krenari të jesh kompetitiv e njëkohësisht mirë nga bilancet”.

Rajola: Ibrahimoviç nuk ikën

Zlatan Ibrahimoviç do të qëndrojë tek Interi. E thotë i bindur prokurori i tij, Mino Raiola, i cili thekson se "nuk kemi asnjë tratativë në vazhdim dhe për fat ujërat po qetësohen. Pastaj, sikurse kam thënë gjithmonë, Interi është pronari i kartonit dhe nëse dikush do të dëshironte të arrinte marrëveshjen me Moratin, atëherë do të lëvizim edhe ne, por për momentin nuk ka asgjë". Për sa i përket takimit mes Laportës e Moratit dhe ofertës së Barcelonës, Rajola nuk di asgjë. Me Moratin nuk jemi takuar, pasi nuk është e nevojshme, marrëdhëniet tona janë shumë të mira, kemi një kontratë dhe jemi të qetë. Reali apo Barcelona? Asnjëra nuk më ka kontaktuar".

Benzema-Riberi, gjuetia e madhe

Benzema e Riberi, merkato e të mëdhenjve të Europës flet frëngjisht. Për dy talentet po fillon një gjueti multimilionere mes skuadrave spanjolle dhe angleze, që janë superprotagonistet dhe skuadrat italiane janë thjesht spektatore. Për talentin e Lionit interesohen Real Madridi, Mançester Junajtid dhe Arsenali, ndërsa asi i Bajernit të Mynihut pëlqehet shumë nga Çelsi, Barcelona, i zakonshmi Real i Perez dhe "Toçinjtë" e Arsen Venger. Të gjitha këto skuadra janë të gatshme të paguajnë shuma marramendëse për të marrë shërbimet e dy talenteve francezë, por gjërat do të bëhen më të qarta në ditët e ardhshme.

Samuel Eto‘o, 300 mijë euro në javë te Mançester Siti

Drejtuesit e Mançester Sitit janë të gatshëm të bëjnë çmenduri për të afruar në skuadër Samuel Eto‘o. Në fakt, sipas "The Sun", "Sitizens" i kanë ofruar sulmuesit kamerunas 15.6 milionë euro (13 milionë sterlina) rrogë sezonale për t‘u larguar nga Barcelona dhe të luajë në Premiership. Tabloidi britanik theksonte se 28-vjeçari do të përfitojë 300 mijë euro (250 mijë sterlina) në javë, duke e shndërruar në lojtarin më të paguar. Rekordi aktual mbahet nga Kristiano Ronaldo, që te Reali i Madridit do të paguhet 13 milionë euro në sezon, ose e thënë ndryshe 270 mijë euro në javë. Siti do t‘i paguajë Barçës 30 milionë euro për kartonin e Eto‘o, i cili ka edhe një vit kontratë në "Kamp Nou". Duket shumë e vështirë që sulmuesi ta refuzojë ofertën e sheikëve, pasi rroga e propozuar është sa dyfishi e asaj që kamerunasi merr te kampionët e Europës. Ndërkohë, mediat spanjolle, madje edhe katalania "El Mundo Deportivo", shkruanin me bindje se transferimi i Eto‘o është pothuajse i sigurt.

Real, Kalderon përvetësoi 24 mln euro

Ramon Kalderon akuzohet se ka përvetësuar deri në 24 milionë euro gjatë qëndrimit prej dy vjetësh e gjysmë në krye të Realit të Madridit, duke "fryrë" artificialisht vlerën e futbollistëve të blerë. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja e kryeqytetit spanjoll, "Marca", sipas së cilës vetëm nga transferimi i Lasana Diarrasë, ish-presidenti "merengue" ka përfituar ilegalisht plot 4 milionë euro. Kjo është vetëm njëra prej shkeljeve të Kalderon, pasi gazeta thekson se ai ka bërë shumë më tepër se kaq. Komisionet për menaxherët, lojtarët dhe personave të tjerë të përfshirë në transfertat e sportit më popullor në botë, nuk janë të pazakonta, por shifrat e parave që 58-vjeçari ka futur në xhep kanë ngritur dyshime në gadishullin Iberik. Gjatë presidencës së tij, Reali ka bërë më shumë se njëmbëdhjetë blerje dhe Kalderon ka fituar minimalisht 1 milion euro për secilën marrëveshje. Detajet financiare të të gjitha operacioneve në merkato pritet të bëhen publike shumë shpejt. Sipas "Marca"-s, njëra prej transfertave që është konfirmuar është ajo e Fabio Kanavaros, i cili u ble në vitin 2006 nga Juventusi për 20 milionë euro. Kalderon ka përfituar 16.7 për qind të vlerës së shpenzuar nga klubi, duke marrë afro 3.34 milionë euro. Ai u detyrua të jepte dorëheqjen në janar të këtij viti dhe presidenti i përkohshëm, Visente Boluda, kërkoi ngritjen e një hetimi, i cili do të ekspozonte të gjitha llogaritë e klubit.Problematika e këtyre abuzimeve të Kalderon me detyrën është rikthyer në vëmendje vetëm pak orë përpara ngritjes së siparit të spektaklit "galaktik" të Realit. Sot, klubi do të shfaqë yjet e sapoblerë në merkato: gjithçka do të nisë me prezantimin "hollivudian" të Kakasë, i cili u ble nga Milani për 67.2 milionë euro. Braziliani ka filluar të shpagojë Florentino Perezin për investimin e bërë: vetëm brenda një jave, tifozët madrilenë kanë blerë 2000 fanella të mesfushorit, edhe pse ato kishin vetëm emrin, ndërsa numri mungonte. Në një periudhë të mëvonshme, kur do të vendoset nëse Kaka do të luajë me 10-ën, 18-ën apo 22-shin, klubi ka marrë përsipër t‘i pajisë të gjitha fanellat me numra. Secila prej "camisetave" kushtonte 85 euro dhe rezulton se në arkat e klubit janë derdhur 170 mijë euro. 27-vjeçari do të shfaqet për herë të parë si lojtar i Realit në orën 21.00. Orari nuk është i rastësishëm: Perez kërkon që prezantimi të zhvillohet në kohën kur edicionet kryesore të lajmeve janë në transmetim. Në "Bernabeu" priten 500 gazetarë të akredituar dhe 50 mijë tifozë. "Dua ta fitoj sërish ‘Topin e Artë‘. Për këtë objektiv, duhet të fitosh me klubin ku luan dhe unë kam fatin që jam pjesë e një skuadre, e cila të mundëson fitimin e shumë trofeve. Zgjodha Realin, sepse do të më ndihmojë të mbetem pjesë e historisë së futbollit", ka thënë Kaka për francezen "L‘Equipe". Më 6 korrik do të prezantohet Kristiano Ronaldo, lojtari më i shtrenjtë në histori.

Brazili, skuadra për t‘u mundur

Çfarë ka thënë Kupa e Konfederatave 2009? Asgjë më shumë se sa që Brazili është skuadra për t‘u mundur në perspektivën e Botërorit 2010, që do të zhvillohet sërish në Afrikën e Jugut. Të gjithë e kanë parë tashmë se seleçao ka një numër të madh talentesh në gjirin e saj, mjafton të mendosh se kanë mbetur jashtë grumbullimit Ronaldinjo e Diego, Ronaldo e Adriano. Pastaj skuadra e Dungës është shumë "europiane": më pak teknike, por me më shumë efikasitet se sa Brazili i zakonshëm, gjë që mund të përkthehet se ka kapacitetin për të fituar edhe kur nuk është në ditë të mirë. Dhe pastaj kjo skuadër, që u pa në Afrikë, kishte një sulm special, që shënoi 14 gola në 5 ndeshje. Demonstroi se kishte karakter dhe dëshirë për të fituar. Pra ka vërtet një grup solid. Sikurse e demonstrojnë fjalët e Kakasë, lojtarit më të mirë të finales, në fund të ndeshjes: "Çfarë i thamë njëri-tjetrit në pushim të ndeshjes, kur po humbisnim 0-2? ‘Yes, we can‘ (Po ne mund t‘ia dalim)". Moto "e vjedhur" nga amerikanët, në sintezë me një thënie tjetër: "Fitojmë, sepse jemi Brazili". Këtë askush nuk mund ta hedhë poshtë. Më e zhgënjyera e Kupës së Konfederatave është Italia. E shpërfytyruar nga rezultatet, dy humbje në tri ndeshje. Por edhe nga loja e saj. Ka edhe një vit në dispozicion për të rikuperuar dhe për të qenë e gatshme për kohën, kur në Afrikën e Jugut do të luhen ndeshjet, të cilat vlejnë akoma edhe më shumë. Por mes të zhgënjyerve është edhe Spanja. E eliminuar nga SHBA-ja, që ua ndali hovin e ndeshjeve pa humbje në numrin 35. Amerikanët vunë në rrezik edhe trofeun e Brazilit, pasi nëse do të kishin pak më shumë fat dhe do të ishin treguar më të kujdesshëm, do të ishin ata fituesit e Kupës së Konfederatave. Afrika e Jugut e kaloi provën si vend organizator i Kupës së Konfederatave dhe Botërorit të ardhshëm. Sigurisht që ka ende për të përmirësuar, por shteti i parë afrikan që pret një Botëror ka mundësi të mira t‘i plotësojë të gjitha kushtet. Puna po vazhdon në të gjithë territorin, por infrastruktura është që tani e pranueshme. Ka probleme me çmimet e larta të biletave dhe shitjen e tyre, por pasioni i tifozëve vendas është në gjen, në veçanti te popullata me ngjyrë, gjithmonë argëtuese në stadium. Edhe skuadra ka ecur mirë, humbi pa meritë ndaj Brazilit dhe Spanjës. Lusi Fabiano u shpall golashënuesi i turneut. Kaka i ndezi motorët nga fundi, por kur e bëri ishte i papërmbajtshëm dhe vendimtar. Bravo Luçio, Maikon e Felipe Melo. Te Spanja konfirmohet Torres e Ksabi Alonso.

Tirana kërkon rivalë për miqësore

Tirana numëron sot ditën e dytë të grumbullimit në Ohër, ku dhe po zhvillon fazën përgatitore në prag të sfidës së dyfishtë ndaj norvegjezëve të Stabaekut, të vlefshme për turin e dytë të Champions Leagues. Trajneri Lonçareviç po aplikon stërvitje të ngarkuar me dy seanca në ditë. Ndërkohë që sipas drejtuesve të klubit, kampionët e Shqipërisë tashmë janë hedhur në kërkim të gjetjes së kundërshtarëve për disa ndeshje miqësore, pasi përveç stërvitjeve, lojtarët kanë nevojë për praktikë loje. Ndërkohë që tekniku kroat vazhdon të ushtrojë presion ndaj drejtuesve bardheblu për afrimin sa më të shpejtë që të jetë e mundur të një sulmuesi. Pas dëmtimit të Migen Memellit (aktualisht në Belgjikë për kurim) e largimit të Daniel Xhafës, afrim i Arbër Abilaliajt nuk e mbush boshllëkun e madh në këtë repart dhe koha nuk pret shumë.

Shqipëria humbet 3:0 me U-20 spanjolle

Përfaqësuesja shqiptare e futbollit i ka dhënë fund aventurës në Lojërat Mesdhetare "Peskara 2009". Skuadra e 20-vjeçarëve e drejtuar nga trajneri Artan Bushati humbi edhe në takimin e dytë të Grupit D, ku luajti kundër Spanjës. 3:0 ishte rezultati final i takimit, i cili u mbyll virtualisht vetëm kur kronometri regjistronte 12 minuta lojë. Iberikët kaluan në avantazh në të 11-ën me Garsian, një gol që solli çorganizim në radhët e kuqezinjve. Kjo u konfirmua vetëm 60 sekonda më vonë, kur Nigel gjeti për herë të dytë rrugën e rrjetës, duke e dërguar topin pas shpinës së "gardianit" Moçka. Pavarësisht aktivizimeve të Dashit dhe Sykajt, Shqipëria nuk arriti të rifutej në lojë, ndërsa spanjollët shënuan edhe golin e tretë me Boitian (77‘). Në takimin e parë, U-20 humbi 2-1 kundër Tunizisë.

Lorik Canën e duan edhe sheikët e Sitit

Tashmë është zyrtare që Lorik Cana i ka bërë gati valixhet për t‘u larguar jo vetëm nga Marseja, por edhe nga Franca, megjithatë ende nuk e ka përcaktuar se cili do të jetë destinacioni i tij mes dy kampionateve të preferuara, Premier Leagues dhe Bundesligës. Sipas të atit, për momentin atij i pëlqen më shumë të luajë në kampionatin gjerman, megjithatë, interesi dhe ofertat më joshëse duket se vijnë nga ishulli britanik. Vargut të gjatë të skuadrave që interesohen për të, tashmë i është shtuar skuadra e sheikëve arabë, Mançester Siti. Lajmi është bërë i ditur dje nga e përditshmja angleze "Daily Telegraph", sipas të cilës skuadra e bosëve arabë po e mban në vëzhgim mesfushorin shqiptar të Olimpikut të Marsejës. Për momentin nuk ka një ofertë zyrtare, por asgjë nuk përjashtohet në ditët e ardhshme. Në Angli, Canën e duan edhe Liverpuli, Arsenali, Evertoni dhe Totenhemi. Madje, ky i fundit në ditët ka rifreskuar interesimin për të. Presioni i skuadrave të Premier Leagues është shtuar menjëherë pas deklaratës së drejtorit sportiv të Marsejës Hoze Anigo: "Nuk është se ai ka shprehur dëshirën për t‘u larguar. Por ka të bëjë thjesht me faktin se është prej katër sezonesh në këtë skuadër dhe tani dëshiron të provojë eksperienca të tjera. Ne jemi në pritje të një oferte të mirë për transferimin e tij". Kapiteni i Marsejës pëlqehet shumë nga trajneri i Totenhemit Herri Redknap, i cili po këmbëngul për blerjen e tij. Cana po mbahet nën vëzhgim edhe nga Hamburgu, oferta e parë e të cilëve (6 milionë euro u refuzua nga drejtuesit e Marsejës, pasi çmimi i kartonit të Canës është vlerësuar me 7 milionë euro nga klubi francez. Përveç Hamburgut janë edhe tri skuadra të tjera nga Bundesliga, të cilat janë të interesuara për shërbimin e shqiptarit si kampionët e Volfsburgut, Shtutgarti dhe Bajerni i Mynihut. Loriku, aktualisht 25-vjeçar, u largua nga Kosova në moshë të vogël së bashku me familjen e tij për t‘i shpëtuar luftës ndaj serbëve. Për t‘u bërë futbollist, ai është frymëzuar edhe nga i ati Agim Cana, i cili ishte një lojtar profesionist i njohur i Prishtinës. Pas një periudhe te Lozana në Zvicër, Cana kaloi në PSG, ku debutoi me të ekipin e parë vetëm në 2002. Më 2005 u transferua në radhët e Olimpikut të Marsejës, ku në 2007 i besuan edhe shiritin e kapitenit pas largimit të Habib Beye për te Njukastëll. Cana tani zotëron tri pasaporta zvicerane, shqiptare dhe franceze, por në kohën kur për të interesohej Arsenali (vetë Arsen Venger), ai kishte probleme me letrat dhe iu refuzua viza për në Angli.

Hija e Luçiano Moxhit shfaqet te Bolonja

Janë ditë të nxehta te Bolonja, me presidenten Menarini në kërkim të një ortaku që të bëjë një hap të rëndësishëm para për të hyrë në klub dhe që mund të blejë klubin emilian. Në këtë rast ekziston dhe njeriu i duhur, mbi të cilin identiteti është shumë sekret. Sipas disa burimeve, bëhet fjalë për një njeri me të kaluar në botën e futbollin, të cilit mund t’i shitet për momentin 40% e aksioneve, por që do të ketë edhe një rol aktiv në brendësi të klubit. Françeska Menarini për momentin do të qëndrojë presidente, por në harkun e një viti kalimi duhet të bëhet përfundimtar. “Mister X”-i në këtë rast, po e çmend Bolonjën dhe shumë njerëz besojnë se pas kësaj fshihet Luçiano Moxhi, që gjithsesi nuk do të shfaqej i pari as në të ardhmen. Pas disa javësh çështja duhet të zgjidhet, edhe pse për momentin Bolonja ka ndaluar absolutisht për sa i takon merkatos dhe nuk ekziston një plan përforcimi për sezonin e ardhshëm.

Fiorentina: Fenerbahçe kërkon Vargasin

Oferta e Fenerbahçesë për Vargasin është konkrete”. Këto janë fjalët e drejtorit sportiv të Fiorentinës, Pantaleo Korvino, që sipas disa medieve të huaja, ka hapur bisedimet për ta sjellë peruanin në Stamboll. Korvino ka individualizuar Kruzin, i lënë i lirë nga Interi, si zëvendësin e mundshëm të Zhilardinos dhe tani po bisedohet për rrogën. Në alternativë spikat Suazo, i sapo kthyer nga Benfika dhe nuk duhet harruar as Bianki, ndërsa suedezi Berg është shumë i shtrenjtë për vjollcët.
Për sa i takon krahut të majtë, ideja fikse e Fiorentinës mbetet Drente: me Realin gjithçka është në rregull, ose thuajse mungon marrëveshja mbi të drejtën e marrjes së kartonit. Korvino është optimist, por janë gati dhe zgjedhjet e tjera: synohet Markioni ose Abate (menaxheri deri tani s’ka marrë asnjë ofertë, edhe pse në mes ishte Europiani U-21), deri te afrikanojugori Pienar i Evertonit, duke parë burimet që vijnë nga Anglia të paktën. Alternativa, por edhe disa blerje të tjera nëse duhet të largohen Santana që i pëlqen Parmës dhe dyshja Gobi-Semioli, ndaj të cilëve është një tjetër klub, që i synon anësorët, Sampdoria. Ndërsa për marrjen e një qendërmbrojtësi, Fiorentina synon Brenon e Bajernit të Mynihut, përfshirë edhe lojtarin e Torinos, Natali, të cilët duhet të plotësojnë boshllëkun e lënë nga Daineli, që kërkohet nga Lacio e Parma.

Adebajor ose Luis Fabiano, nis “plani B”

Pas dështimit të marrjes së Dzekos, Milani synon të marrë njërin mes togolezit dhe brazilianit
Pasi ka dështuar çështja “Dzeko”, në shtëpinë e Milanit ka nisur “Plani B”. Një qendërsulmues (nëse do të largohej edhe Pato drejt Çelsit), do t’i dhurohet Leonardos në ditët e ardhshme. Rruga drejt Milanelos sheh dy kampionë përballë: Adebajor dhe Luis Fabiano. Sulmuesi 25-vjeçar togolez i Arsenalit kushton 30 milionë euro, pesë më pak se “bomberi” brazilian i Seviljes.
Pas konfirmimit të ardhur nga Dzeko (”Milani është ëndërra ime, por Volfsburgu më detyron të qëndroj”), administratori i deleguar kuqezi Adriano Galiani, kthehet menjëherë të trokasë në dyert e Arsenalit për Adebajorin. Ai që për dy vjet konsiderohej zgjedhja e parë për Ançelotin, është tani altarnativa e parë për Leonardon. “Topçinjtë”, të cilët po bisedojnë me Lionin për blerjen e Benzemasë për 35 milionë euro, nëse arrijnë te francezi, do ta linte të ikte afrikanin, por vetëm për 30 milionë euro, ndërsa Milani paguan vetëm 20 milionë, aq sa jepte edhe për Dzekon. Në rast se dështon për çështje ekonomike edhe blerja e Adebajorit, emri i radhës është ai i Luis Fabianos, protagonist i madh gjatë Kupës së Konfederatave që u fitua nga Brazili në Afrikën e Jugut.
Kushton më pak në krahasim me “konkurrencën” (Sevilja kërkon 25 milionë, por për 18 është gati ta mbyllë), por braziliani është 29 vjeç, një moshë që e vë në linjë të dytë në krahasim me Adebajorin. Ndërkohë çështje “Dzeko” ka lënë shenja në Gjermani në marrëdhëniet mes Volfsburgut dhe sulmuesit boshnjak. Dhe Milani në këtë rast pret. Ndalesa e klubit gjerman për transferimin e 23-vjeçarit te Milani, ka krijuar disi tension te futbollisti, i cili para dy ditësh pati një përballje me trajnerin Armin Veh: “Thjesht biseduam, - provoi të qetësojë situatën tekniku. - E kuptoj inatin e tij, tani do të përpiqemi t’i flasim akoma. Ne besojmë tek ai, jemi të sigurt që nuk do të ketë probleme të tjera. Sqaruam disa gjëra, në ditët e ardhshme do t’i caktojmë”.

Galiani nuk heq dorë nga Dzeko

Përballë vështirësive në merkato, Milani përgjigjet me Adriano Galianin: “Pato nuk preket. Morëm një ofertë më të lartë se 60 milionë euro nga Çelsi, të cilës i thamë “jo”. Dzeko? Do të presim deri në fund të kësaj jave, pastaj do të ndryshojmë objektiv. Dzeko dëshiron të vijë tek ne, por ne nuk mund t’ia marrim me zor Volfsburgut”.

Pelè: Të isha si Pato nuk ikja nga Milani

Legjenda e futbollit brazilian paralajmëron sulmuesin kuqezi. Ndërsa Skolari këshillon Dinjon: Dobësohu!
Aleksandre Pato është shndërruar, muajin e fundit, në objekt dëshire i Çelsit të Karlo Ançelotit dhe braziliani ka tregur këto ditë që nuk është i pandjeshëm nga thirrja e trajnerit, i cili e promovoi te Milani. Oferta e fundit e bërë nga “blutë” për sulmuesin 19-vjeçar është 60 milionë euro. Por, sipas të madhit Pelè, Çelsi dhe në përgjithësi Premier Liga nuk duket e përshtatshme për “Patokun” kuqezi: “Pato është një futbollist me të ardhme të madhe, por nëse do të isha në vend të tij”, pohon “O’Rey”, “nuk do ta lija asnjëherë Italinë për Anglinë. Nga ato anë do të ishte më e vështirë për një futbollist me karakteristikat e tij teknike dhe taktike”.
LEO DHE DIEGO - Legjenda e futbollit brazilian, i cili dje ndodhej në Bari të Italisë, flet edhe për Leonardon dhe blerjen e re të Juventusit, Diego Ribas da Kunja. “E njoh shumë mirë Leonardon, - vazhdon Pelè. - Është një njeri serioz dhe e njeh përmendësh futbollin italian. Do të jetë një trajner i madh. Për sa i takon Diegos, është pikërisht gati të luajë për një klub të madh italian si Juventusi. Do t’i ecë shumë mirë”.
FITORJA E BRAZILIT - Është e pashmangshme që Pelè të flasë edhe për fitoren e Brazilit të tij në Kupën e Konfederatave si dhe të bëjë një koment mbi drejtimin e teknikut Karlos Dunga: “Dunga më pëlqen, ka forcë dhe kurajë, - shpjegon Pelè. - Nuk është e lehtë të revolucionarizosh me të rinjtë një skuadër si Brazili. Faktet po i japin të drejtë, po ecën në drejtimin e duhur. Kupa e Konfederatave gjithsesi është vetëm një test. Botërori është tjetër gjë. Lipi? Edhe ai duhet të ketë kurajë të ndryshojë me “axurrët” e tij”.
FELIPAO DHE DINJO - Që forma fizike e Ronaldinjos është temë e ditës, kjo dihet. Por kur për kilogramët e tij flet ish-trajneri i vet Felipao Skolari, këtë herë është rasti të konsiderohet rëndësia e deklaratave. Shumë vetë në Milanon kuqezi presin të njohin gjendjen në stërvitje, me të cilën “njeriu i Berluskonit” do të paraqitet në Milanelo për fazën e parë të “erës” Leonardo. Dhe në ndihmë të teknikut të ri kuqezi vjen pikërisht Felipao. Ish-trajneri i Brazilit, Portugalisë e Çelsit, shpjegon: “Dinjo duhet të humbasë 4-5 kilogram dhe të kthehet të stërvitet me dëshirën që ka”. Një farë këshille që pranon nevojën për ish-”Topin e Artë”, të riparaqitet në kushte të mira në fillim të sezonit, sidomos pas largimit të Kakàsë, që të paktën sipas qëllimeve, duhet të harrohet lehtë falë rikthimit të një prej lojtarëve me aftësi teknike më të mira në planet. “Nuk e di nëse do të kthehet te “Selesao”, - vazhdoi Skolari të flasë për Dinjon, - por sigurisht me nisjen e Kakàsë, Ronaldinjo ka një rast të ri për të treguar se di të jetë udhëheqës. Por duhet të dobësohet dhe t’i rikthehet dëshira të luajë”.

Roma-Toti, shtyhet rinovimi i kontratës

Kapiteni verdhekuq, pas gjashtë muajsh, mund të zgjedhë një ekip tjetër nëse s’arrin marrëveshje
Lajmërim për mbështetësit e lojtarëve të klasit të lartë që i kanë kaluar të 30-at: mbas 366 ditësh Françesko Toti do të jetë i lirë. Madje, po të mendohet mirë, në më pak se gjashtë muaj është i lirë të nënshkruajë një kontratë me kë ekip të dojë pa rrezikuar asnjë penalizim sportiv. Bëhet fjalë për një futboll hipotetik, duke parë se e ardhmja e numrit dhjetë verdhekuq, edhe kur të jetë tërhequr nga futbolli, do të vazhdojë të jetë e lidhur ngushtë me Romën. Por, një gjë është e sigurtë: thirja e tij para disa muajsh nuk është dëgjuar. Toti do të kishte dashur të fillonte sezonin e ardhshëm me kontratën të rinovuar, por, kur kanë mbetur edhe tre ditë nga rifillimi i stërvitjeve, kjo nuk ka ndodhur, dhe gjërat që duhen sqaruar nuk mungojnë. Familja Sensi padyshim është duke u marrë me gjëra më të rëndësishme edhe se kontrata e kapitenit, duke parë se stafi i Viniçio Fioranelit ka spostuar edhe një herë datën e mbërritjes së garancive. “Mbetem shumë optimist,- ka përsëritur vetë Firoaneli.- Do të kishim preferuar të kishim qenë pjesëmarrës në Champions. Beshkë me mua do të vijnë profesionistë seriozë, do të përpiqemi të gjithë bashkë t’i japim këtij qyteti fitoret që meriton, dhe më pas mendoj se Fioraneli dhe Flik nuk janë persona, të cilëve u pëlqen të humbasin. Kemi filluar të punojmë që tani për një Romë të madhe”. Gjithsesi, pozicioni i kapitenit është i njohur për drejtuesit e klubit: rroga e ulur rreth 15% (nga 5,8 në 5 milion) dhe një kontratë deri në vitin 2014. Megjithatë, është e qartë se, nëse gjendja fizike e kapitenit do të përkeqësohej, vetë ai do të tërhiqej, duke parë se për të është bërë gati një kontratë si drejtues. Tani që kapiteni i Romës është duke filluar sezonin e tij të 18-të si profesionist, do të donte që çështja që ka të bëjë me rinovimin e kontratës të ishte mbyllur para grumbullimit me skuadrën, pra më 16 korrik. Do të mjaftonte një marrëveshje verbale, sepse firma do të mund të hidhej edhe më vonë. Komenti i fundit është i detyrueshëm: një Toti i liruar nga kontrata me Romën do të kishte mundësi të kalonte tek shumë klube të tjera të nivelit të parë në Itali dhe në Europë, duke fituar shifra edhe më të larta nga ato aktualet.

Espozito afër Romës, Andreoli te Leçe

Andrea Espozito mund të veshë fanellën e Romës. Një marrëveshje që mund të arrihet në javët e ardhshme, nga sa ka bërë të ditur shtypi italian, me kalimin në këmbim tek Leçe të Marko Andreolit, mbrojtësi i Under-21 në pronësi të Romës, që pëlqehet edhe nga Kaljari. Klubi kuqeblu, gjithashtu, po interesohet edhe për Siboniso Gaksa, mbrojtësi i Afrikës së Jugut, që ka rënë në sy për lojën e tij në Kupën e Konfederatave. Mbrojtësi i krahut, 25 vjeç, i cili luan për skuadrën e Mamelodi Sunadouns, duket se ka tërhequr vëmendjen edhe të disa klubeve të tjera të Serisë A si Lacio dhe Udineze.

Nedved mund të kalojë tek Interi

“Nedved është me pushime dhe sapo të kthehet do të vendosë dhe besoj të vazhdojë të luajë futboll”. E ardhmja e Pavel Nedvedit është akoma në fushën e gjelbërt, të paktën duke u bazuar tek fjalët e menaxherit të tij, Mino Raiola. Ish-mesfushori i Juventusit është në merkato dhe menaxheri i tij nuk i ka mbyllur dyert një kalimi të bujshëm nën urdhërat e Mourinjos: “Interi? Nuk e përjashtoj. Eshtë një lojtar me parametra zero, mund të shkojë tek cili ekip dëshiron dhe ku mund të japë një kontribut të rëndësishëm. Ka një interesim edhe nga Amerika. Lacio? Në fillim të presim vendimin e Pavelit”, ka thënë Raiola.

Kamoranezi-Torino, lidhje shumë e fortë

Një javë më parë ishte përhapur fjala (ndër të tjera asnjëherë e konfirmuar nga Juventusi) se Mauro Xherman Kamoranezi mund të përfundonte tek Lioni në këmbim të Fabio Grosos. Një lajm që ka ardhur nga Franca dhe që thjesht është përcjellë edhe në shtypin italian. Por Mauro Xherman Kamoranezi nuk preket. Ai do të qëndorjë tek Juventusi edhe në sezonin e ardhshëm dhe pavarësisht nga një modul loje që do të ndryshojë nga mesfusha me katër lojtarë në skemën e rombit, Kamoranezi do të vihet akoma në dispozicion të trajnerit. Edhe pse italo-argjentinasi ka nisur të luajë pikërisht me këtë modul taktik, 4-3-1-2, ku ai luante si mesfushor i krahut të djathtë me tendencën për t’iu afruar qendrës, kështu që probleme taktike nuk duket se do të ketë. Me 33-vjetorin shumë afër, tashmë, mesfushori është “staxhionuar” në Torino. Ka akoma edhe dy vite kontratë, tre fëmijë që janë integruar shumë mirë në Torino dhe mbi të gjitha një shtëpi të re, të sapoblerë. Një shenjë kjo që tregon se gjërat për të nuk do të ndryshojnë shumë në të ardhmen.

Bufon: Juventusi, në një nivel me Interin

Portieri bardhezi është shprehur optimist lidhur me ngushtimin e diferencave ndaj rivalëve zikaltër
“Besojmë se do të marrim pjesë në një kampionat më të ekuilibruar në krahasim me të kaluarin dhe se mund të ngushtojmë menjëherë diferencën, që kemi patur me Interin”. Qëllimet e Juventusit janë shprehur nga Xhixhi Bufon. “Do të nisemi me qëllimin e vetëm për të bërë mirë, duke e ditur se na pret një sezon i gjatë dhe i pasur me objektiva shumë të rëndësishëm”, ka thënë portieri bardhezi. “Mundësitë për të bërë mirë nuk na mungojnë.
Siç ishte në program, - ka shkruar Bufon në saitin e tij të internetit - unë dhe shokët e mi juventinë, që kemi marrë pjesë në Kupën e Konfederatave, do të bashkohemi me grupin, duke filluar nga 16 korriku”. Aventura e italinëve në Afrikën e Jugut ka mbaruar para kohe, por portieri i “axurrëve” ka ruajtur optimizmin. “Duhet të përpiqemi të shikojmë anën pozitive. Më mirë që e kemi bërë një figurë të tillë tani sesa në Botëror ose në Europian.
Nuk dua të kërkoj shumë justifikime, por sigurisht kemi shkuar në këtë eveniment në një gjendje fizike jo shumë të mirë, ishim diku tek 60%”. Më pas, akoma: “Një kompeticion i tillë shërben për të testuar skuadrën dhe për të gjetur gabimet, që nuk duhet të përsëriten më në pritje të Kupës së Botës në 2010-ën. Vitin e ardhshëm do të jemi në maksimumin e formës dhe grupi do të jetë gati. Dyert e Italisë janë të hapura dhe Lipi e di se mund të mbështetet tek të gjithë, tek ne që kemi fituar titullin në Gjermani tre vite më parë, por edhe tek të tjerët që kanë treguar vlerat e tyre”. Ndërkohë, në Torino, këto janë ditë vendimtare.
Këshilli Administrativ i Juventusit do të mblidhet për të fiksuar buxhetin për sezonin e ardhshëm dhe për të diskutuar për çështje të tjera, që kanë të bëjnë me klubin bardhezi. Në qendër të vëmendjes është merkato, me D’Agostinon që largohet gjithnjë dhe më shumë (shumë e ulët oferta sipas Udinezes), Diarranë që kushton shumë dhe alternativa Ledezma. Më pas mbrojtësi i krahut të majtë: Groso është në krye të listës, Dosena më larg, Andres Santos surpriza e mundshme.
Presidenti i Udienzes, Poco, ka thënë mjaft: “Juventusi ofron shumë pak, duke qenë se gjërat qëndrojnë kështu negociatat mund të konsiderohen të dështuara”. Distanca midis kërkesës dhe ofertës është shumë e lartë (12 milion kundrejt 20), por në këtë çështje mund të ketë shumë rëndësi dëshira e lojtarit dhe ajo e Çiro Ferrarës, i cili e ka cilësuar mesfushorin e Udinezes një objektiv parësor për Juven e tij. Çështja Diarra njihet tashmë: bardhezinjtë e duan lojtarin borxh, Reali, i cili ka nevojë për të thjeshtuar skuadrën, kërkon ta shesë dhe nuk kërkon pak.
Edhe në këtë rast marrëveshja duket shumë larg për t’u arritur. Për këtë arsye në ditët e fundit idea Ledezma është përforcuar më shumë, duke menduar edhe për faktin se operacioni do të kushtonte 15 milion euro, pesë më pak në krahasim me kërkesën e Udinezes për D’Agostinon. Emri i katërt, ai i lojtarit të Fiorentinës, Melo, është më shumë një ëndërr sesa një mundësi reale. Katër janë kandidatët për një vend si mbrojtës në krahun e majtë të bardhezinjve. Me Dosenën dhe Paskualin, që kanë humbur gradualisht terren, mbeten në garë Groso (me Lionin është folur për një shkëmbim të mundshëm me Kamoranezin) dhe surpriza Andre Santos, që ka bërë një paraqitje të mirë, në vija të përgjithshme, në Kupën e Konfederatave me fanellën e Brazilit. Gjithmonë nëse drejtuesit bardhezinj nuk vendosin të mbajnë De Çeljen, që i është premtuar Napolit.

Kaka: Gjithmonë do të jem fans i Milanit

Superylli brazilian Kaka, i cili sonte në Santiago Bernabeu do të prezantohet edhe zyrtarisht si lojtar i Real Madridit, ka thënë se ai gjithmonë do të jetë fans i ish-klubit të tij.
Braziliani ishte përforcimi i parë më i madh i verës i gjigantit spanjoll dhe i kushtoi këtij klubi plot 67 milionë euro, që shkuan në drejtim të Milanit. “I falënderoj të gjithë fansat e Milanit. Ata janë gjithmonë në zemrën time. Milani është pjesë e historisë time dhe unë jam pjesë e historisë së Milanit. Ne gjithmonë do ta kemi këtë raport”, ka thënë Kaka në një intervistë të fundit. “Falënderoj të gjithë që më kanë dërguar mesazhe përkrahëse. Gjithmonë do të jem fans i rosonerëve”, ka shtuar më tej braziliani. Kaka së fundi triumfoi në Kupën e Konfederatave me kombëtaren e Brazilit dhe u shpall lojtari më i mirë i këtij turneu nga votat e gazetarëve.

Sezoni i ri nis me derbi

Të martën në Shtëpinë e Sporteve në Prishtinë është bërë tërheqja e shortit për kampionatin e ri të Kosovës në futboll, që do të nisë më 15 gusht.

Qysh në xhiron e parë të sezonit 2009-2010 adhuruesit e futbollit kosovar do të kenë rast t’i shohin disa ndeshje mjaft interesante. Ndeshja derbi e xhiros së parë të kampionatit të ri do të zhvillohet në kryeqytet, ku do të takohen rivalët e vjetër, kampioni aktual Prishtina dhe Trepça.

Ndeshje tjetër interesante do të zhvillohet në Merdarë, ndërmjet skuadrës që do të luftojë për titullin e kampionit, Hysit dhe Gjilanit. Ndërsa Kosova e Vushtrrisë edicionin e ri e nis si mysafire, pasi ndeshjen e parë do ta zhvillojë në Pejë ndaj Besës. Po ashtu, Ferizaj do të udhëtojë në Prishtinë për t’u ballafaquar me Flamurtarin.

Kurse skuadra që tani është rikthyer në elitën e futbollit kosovar, Liria nga Prizreni do të jetë mysafire e Drenicës, derisa KEK-u në Kastriot do ta pretë Vëllaznimin e Gjakovës.

Në fund të kampionatit nga Superliga direkt do të largohen dy skuadrat e fundit në tabelë. Kurse në Superligë inkuadrohen dy skuadrat e para nga Liga e parë. Po ashtu, ekipi që mbetet në vendin e dhjetë në tabelën e Superligës do ta zhvillojë ndeshjen e barazhit ndaj skuadrës që radhitet në vendin e tretë në Ligën e Parë. Skuadra fituese e këtij takimi do të luajë më pas në elitën e futbollit kosovar.

Afati kalimtar, prej 1 deri më 31 korrik
Të martën Komiteti Ekzekutiv (KE) i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka mbajtur mbledhjen e saj të radhës nën kryesimin e kryetarit, Fadil Vokrri. KE i FFK-së në këtë mbledhje ka vendosur që edicioni 2009-20010 të nisë më 15 gusht. Gjithashtu KE ka vendosur që klubet kosovar nga 1 e deri më 31 korrik do të kenë afat për t’i regjistruar përforcimet e tyre në FFK.

“Duke u bazuar në propozimet e shumicës së klubeve të Superligës, KE mori vendim që më 15 gusht të fillojë kampionati i ri. Po ashtu, KE mori vendim që afati veror kalimtar për futbollistë të fillojë më 1 korrik dhe do të zgjasë deri më 31 korrik”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga FFK-ja.

Raiffeisen Bank vazhdon sponsorimin

Raiffeisen Banka ka marrë vendim për ta mbështetur FFK-në edhe për një vit, pasi është ndarë e kënaqur me bashkëpunim e ndërsjellë gjatë kampionatit të shkuar. Kështu, edhe për një edicion garash, Superliga do të quhet Raiffeisen Superliga. Edhe sezonin e ri klubet nuk do të paguajnë kuotizimet për pjesëmarrje në gara

Edicioni 2009-2010
Xhiroja e parë
KEK-u – Vëllaznimi
Flamurtari – Ferizaj
Besa – Kosova (V)
Drenica – Liria
Prishtina – Trepça
Hysi – Gjilani

Grafite vazhdon me Wolfsburg

Klubi gjerman Wolfsburg, po planifikon që edhe sezonin e ardhshëm të llogaritë në dyshen e rrezikshme sulmuese, me të cilën u shpall kampion i shtetit këtë vit. Pasi e ka mbajtur 23 vjeçarin Edin Dzeko, i cili ishte i gatshëm t’i bashkohej Milanit, Wolfsburg e ka vazhduar kontratën deri në vitin 2012 me brazilianin Grafite. 30 vjeçari ishte golashënuesi më i mirë i Bundesligës sezonin e fundit, duke realizuar 28 gola.

Coupet në PSG

Ish portieri i Lyon dhe i përfaqësueses franceze, Gregory Coupet ka treguar se ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me Paris Saint Germain. Portieri 36 vjeç tashmë është rikthyer në atdhe, pas eksperiencës jo dhe aq pozitive te klubi spanjoll Atletico Madrid. Coupet në portën e klubit nga kryeqyteti francez do ta zëvendësojë portierin e deritashëm Mickael Landreau, i cili gjatë kësaj vere është transferuar te Lille.

Inter pas Cissokhos

Duket se destinacioni i ardhshëm i Aly Cissokhos lidhet me qytetin e Milanos. Pas problemeve me dhëmbë në vizitën mjekësore, që e kishin bllokuar transferimin në Milan, për mbrojtësin e majtë të Portos duket se ka ecur përpara Inter. Këtë lajm e ka bërë të ditur e përditshmja franceze L'Equipe. Arritja eventuale e 22 vjeçarit francezo-senegalez në radhët e ekipit të Mourinhos do ta detyronte klubin Nerazzurr që ta shesë njërin nga mbrojtësit brazilianë Maicon apo Maxwell.

Barcelona, 30 milionë për Alves

Derisa rivali historik Real Madrid po bën revolucion në afatin kalimtar të kësaj vere me blerje të yjeve, Barcelona nuk dëshiron të mbetet duke shikuar. Kampioni i Evropës po mendon për gjuajtje të rëndësishme. Sipas të përditshmes spanjolle Marca, njëri ndër ta është edhe mbrojtësi i Portos, 27 vjeçari Bruno Alves, të cilin e pëlqen edhe Inter. Drejtori sportiv i katalonasve, Txiki Begiristain, duket se ka udhëtuar për në Portugali, për t’ia prezantuar klubit të futbollistit ofertën prej 30 milionë eurosh.

Kuqi i zhgënjyer me Warnock

Përkundër faktit se klubi anglez Crystal Palace i ka ofruar kontratë të re sulmuesit shqiptar Shefki Kuqi, i cili po stërvitë me klubin gjerman Koblenz, ai ka vendosur të largohet, pasi që ndien se është trajtuar keq nga menaxheri i Palace, Neil Warnock.Kuqi e përfundoi tre-sezonëshin e pafat në Selhurst Park, ndërsa e refuzoi një kontratë të re dyvjeçare. Futbollisti ka ofertë nga dy klube të Premierligës, West Bromwich Albion e Middlesbrough, ndërsa e kërkojnë edhe Koblenz në Gjermani e Hearts në Skoci.32 vjeçari e kishte nisur sezonin e kaluar në Palace, por ai ishte vënë në shitje, ndërsa ishte detyruar të ushtronte me ekipin e dytë. Mirëpo, në xhirot e fundit, atij iu dha rasti në ekipin e parë dhe shpërtheu duke shënuar disa gola. Me gjithë këtë, ai është i indinjuar në menaxherin Warnock, i cili e kishte larguar paraprakisht nga skuadra e parë. “Çdo futbollist ka nevojë për përkrahjen e menaxherit të tij, por unë atë kurrë nuk e kam pasur. Unë nuk isha në planet e menaxherit, përpos në fund të sezonit që përfundoi muajin e kaluar, kur shënoja gola. Mua më nevojitej mbështetja e menaxherit në çdo punë dhe kohë, por atë nuk e kam pasur kurrë. Me të vërtet më dhemb kur e kujtoj që menaxheri më pati lënë të ushtroja me fëmijë, nuk do ta harroj kurrë këtë. Por, më së shumti dhemb mungesa e nderit nga disa persona”, tha Kuqi për të përditshmen britanike Guardian. Mirëpo, Kuqi thotë se ushtrimet me skuadrën e të rinjve të Palace, e kanë ndihmuar që të bëhet më i fortë. “Në një mënyrë, ushtrimet me akademinë më ndihmuan sepse jam bërë më i fortë dhe si rezultat i kësaj, kam marrë oferta nga e gjitha bota. Por, nuk mendoj se një futbollist senior, nuk duhet ta ketë tretmanin që e pata unë. Unë shumë lehtë kam mundur të shëtis dhe të paguhem, por unë nuk jam asi tipi. Unë kurrë nuk mendoj për para. Nuk kam menduar për para kur vendosa të largohesha nga Palace”, vazhdoi Kuqi. Ndërkaq, menaxheri Warnock, i cili po kërkon një sulmues në vend të Kuqit, i është kundërpërgjigjur sulmuesit kosovar.“Për mua ishte në rregull që Shefkiu ta fillonte sezonin duke ushtruar me fëmijë sepse ai nuk ishte në planet e mia dhe ishte vënë në transfer listë, për shkak të sjelljeve të pahijshme me tifozët e klubit, një sezon më parë. Unë ndihem mjaft i befasuar kur dëgjoj se vendimi i Shefkiut për t’u larguar, nuk ka të bëjë asgjë me paratë. Në fakt, unë jam i hutuar me këtë. Ne i ofruam atij një kontratë të mirë dyvjeçare. OK, ne do t’ia jepnim paratë pjesë-pjesë, por bëhej fjalë për një shumë astronomike parash. Paraja është një gjë e madhe për Shefkiun”, u shpreh menaxheri Warnock.

Harbuzi ndihet i ofenduar

Pas deklaratave që i kishte dhënë një ditë më parë presidenti i Malmos, Bengt Madsen, se klubi suedez nuk brengoset shumë edhe nëse mbetet pa Labinot Harbuzin, mesfushori kosovar është kundërpërgjigjur. Anëtari i përfaqësueses U-21 të Suedisë është ndier i ofenduar dhe i parespektuar nga ana e drejtuesve të klubit suedez.“Është qesharake ajo se çfarë ka komentuar ai (Madsen). Natyrisht, ata mund të vazhdojnë pa mua. Me të vërtetë e besoj këtë, por këto gjëra nuk do të duhej të dëgjoheshin në gazeta. Është e qartë se ata janë pak të indinjuar që nuk kam dashur ta vazhdoj kontratën”, ka thënë futbollisti kosovar për Fotbolls Expressen. Harbuzi nuk pajtohet me deklaratat e presidentit Madsen, i cili thoshte se futbollistit i është ofruar një shumë e mirë parash për ta vazhduar kontratën, e cila i skadon në fund të vitit. “Është thënë nëpër gazeta se ata më kanë ofruar një kontratë shumë të mirë, por nëse ju do ta kuptonit se çfarë kontrate kam pranuar, do ta merrni vesh se janë versione të ndryshme. Unë mund t’jua shpjegoj krejt këtë punë, por nuk dua ta dëmtoj publikisht Malmon. Madsen e ka zgjedhur këtë mënyrë, por ajo është zgjedhja e tij”, vazhdoi ai.Deklaratat e Madsen duket se ia kanë mbushur mendjen Harbuzit që përfundimisht të largohet nga Malmo. “Dua të provoj gjëra të reja. Ka interesim nga shumë klube. Dhe, nëse ka pasur diçka të vogël për të mbetur në klub, kur i lexoni gjëra të tilla, mundësitë zbehen”, pohoi ai. Ai shtoi se refuzimi i vazhdimit të kontratës së tij nuk kishte arsye të vetme shumën e parave. “Ka edhe gjëra të tjera në kontratë për të cilat nuk dua të flas. Ndër të tjera është edhe kohëzgjatja e kontratës. Nuk ishte një rrogë e mirë. Më pas ka pasur përmirësim, por prapëseprapë nuk është optimale”, tha përfaqësuesi U21 i Suedisë. Në fund, Harbuzi tregoi se ka marrë këshilla nga ylli suedez Zlatan Ibrahimovic, të cilat thotë se i ka dëgjuar me kujdes dhe se do t’i ndjekë, pasi që Ibrën e konsideron si njeri me shumë përvojë.

Mund të rikthehen Llumnica e Berisha

Një tjetër lajm i rëndësishëm te FC Prishtina! Mesfushori ofanziv Isuf Llumnica dhe qendërmbrojtësi Visar Berisha ka mundësi ta veshin fanellën bardhekaltër sezonin e ardhshëm. “Ata janë në bisedime me Winterthur, por nëse nuk arrijnë marrëveshje për vazhdimin e huazimit, atëherë do të kthehen te ne. Sigurisht ne kemi dëshirë që ata të luajnë jashtë, por janë të mirëseardhur edhe te ne”, tha në fund nënkryetari Muçiqi.

Rrush prej përforcimeve

Kampioni i Kosovës FC Prishtina, që nga përfundimi i kampionatit, është hedhur në aksion për t’i përforcuar radhët e veta për sezonin e ardhshëm. Pas Labinot Ibrahimit e Astrit Fazliut, bardhekaltrit e kanë hedhur edhe një ‘bombë’, pasi të hënën kanë transferuar katër futbollistë të tjerë: mesfushorët Taulant Dajaku (Drenica), Agon Ramadani (2 Korriku), Genc Sermaxhaj (Gjilani) dhe mbrojtësin Fidan Hasani (Flamurtari).Përforcimet e klubit bardhekaltër i kanë nënshkruar kontratat të hënën, në një konferencë për shtyp. “Ju kemi ftuar për t’ju njoftuar për zhvillimet e fundit në klub”, iu drejtua nënkryetari i klubit Afrim Muçiqi gazetarëve. – “Sot do të nënshkruajnë me ne 5 futbollistë. Taulant Dajaku për 2 vjet, Agon Ramadani 3, Fidan Hasani 3, Genc Sermaxhaj 3 e Astrit Fazliu 3”, deklaroi ai. Mesfushori Dajaku ndihej mjaft i lumtur që e zgjodhi Prishtinën si destinacionin e tij të radhës. “Me Prishtinën jemi marrë vesh që 3 muaj, për mua nuk kishin shumë rëndësi kushtet ekonomike. Prishtinës është vështirë t’i thuash jo. Është njëjtë si ta refuzosh Prishtinën si ta refuzosh për martesë Teuta Krasniqin. Përmes këtij klubi është më lehtë të dalësh jashtë. Ne duhet ta ndjekim rrugën e Dallkut e Currit”, tha Dajaku.Edhe trajneri Afrim Tovërlani ndihej i kënaqur me kryesinë e klubit, e cila ia solli këta futbollistë të rinj, por mjaft cilësorë. “Këta janë futbollistë që e kanë treguar veten në klubet e tyre, por këtë duhet ta bëjnë edhe në Prishtinë, ku duhet të tregojnë edhe më shumë”, tha ai. Trajneri më i mirë kosovar foli edhe për mbrojtësin e Vëllaznimit, Roland Duraku, të cilin e kërkon klubi prishtinas. “Ka mbetur që Rolandi të na kthejë një përgjigje. Nëse janë në pyetje 100-200 euro diferencë për një djalosh të ri si Rolandi, ai nuk na vyen”, shtoi Tovërlani.Me këta futbollistë sigurisht se Prishtina do të jetë e fortë edhe sezonin që vjen. Por, politika e Tovërlanit nuk e ka të obligueshëm titullin e kampionit. “Ne hyjmë me ambicie çdo vit. Ne e synojmë titullin e kampionit, por nuk e kemi imperativ apo të domosdoshëm. Ne synojmë që njëkohësisht ta ndërtojmë ekipin dhe të shkojmë drejt kreut të tabelës. Dëshirojmë që të jemi ekip i qëndrueshëm”, vazhdoi ai.Ndërkohë, Prishtina i ka vazhduar kontratat me dy futbollistë. Bëhet fjalë për sulmuesin Suad Saliagiq që nënshkroi për 2 vjet dhe për mbrojtësin Viktor Kukaj, +3 vjet. Gjithashtu Tovërlani njoftoi se afër marrëveshjes për vazhdimin e kontratës me klubin prishtinas është edhe mesfushori Azem Ahmeti. Prishtinasit paralajmëruan se nuk do të ndalen me kaq, sepse ata pritet të përforcohen edhe me disa futbollistë gjatë kësaj vere. Në anën tjetër, shtabi teknik i Prishtinës i ka liruar nga klubi Valon Krasniqin, Veton Shabanin e Burim Shabanin.

Marseille i gatshëm të heqë dorë nga Cana

Spekulimet për largimin e mesfushorit të kombëtares shqiptare, Lorik Cana, nga Olimpique Marseille, janë gjithnjë e më të zëshme së fundi.
France Football më herët kishte shkruar se Hamburg kishte bërë ofertë prej 5 milionë eurosh për kapitenin e Marseillet, edhe pse vështirë se klubi francez mund të heqë dorë nga shqiptari për këtë shumë. Marseille raportohet se nuk do të analizojë asnjë ofertë që është nën 8 milionë euro. “Nuk është se ai e ka shprehur dëshirën për t’u larguar, thjesht është se për momentin, Lorik, i cili ka qenë këtu për katër vite, ka dëshirë të përpiqet dhe të eksplorojë diçka tjetër. Sot dera është e hapur, dhe nëse ka oferta do t’i analizojmë”, ka thënë drejtori sportiv i klubit, Jose Anigo.

Ancelotti: Maldini më refuzoi

Trajneri i ri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se ai dëshironte që ish-kapiteni i Milanit, Paolo Maldini, t’i bashkohet atij në stafin drejtues të bluve.
Ancelotti iu bashkua klubit londinez në muajin e kaluar dhe shpresonte se edhe Maldini do ta ndiqte atë në Stamford Bridge, pasi vari këpucët në fund të sezonit. “I bëra këtë propozim atij. Por ai dëshironte të bënte një kohë pauzë pas aq shumë vitesh lojë, dhe kjo është e kuptueshme. Por nëse do të mund ta merrja ndonjërin në Chelsea, do të ishte pikërisht Maldini”, ka thënë Ancelotti.

Reali ofron 60 milionë për treshen e Liverpoolit

Klubi spanjoll Real Madrid pritet të dërgojë një ofertë të vlefshme 60 milionë funte për tre lojtarë të Liverpoolit.
Sipas Sport, Reali është në kërkim të dyshes së mesfushës Javier Mascherano dhe Xabi Alonso, së bashku me mbrojtësin Alvaro Arbeloa. Sidoqoftë, oferta ende është larg vlerës që kërkon Rafa Benitez, i cili i vlerëson Mascheranon dhe Alonson në kuotën e 35 milionëve dhe Arbeloan me 8 milionë funte. Benitez tashmë ka refuzuar një ofertë të veçantë të Realit prej 3 milionë funtesh për Arbeloan.

Melo vazhdon kontratën me Fiorentinan

Mesfushori brazilian Felipe Melo u ka dhënë fund spekulimeve për të ardhmen e tij duke u lidhur me Fiorentinën deri në vitin 2013.
Kontrata e mëparshme e Melos skadonte në vitin 2012, mirëpo Viola ka reaguar për t’ia vazhduar kontratën, pasi që shumë skuadra të mëdha evropiane ishin të interesuara për shërbimet e brazilianit. Në faqen zyrtare të Fiorentinas shkruan se Drejtori Pantaleo Corvino është takuar të martën në Milano me agjentin e mesfushorit të Violas me ç’rast është arritur marrëveshja për zgjatjen e kontratës deri në vitin 2013.

Toni: Do ta fitoj Ligën e Kampionëve me Bayernin

Sulmuesi i Bayern Munichut, Luca Toni, i ka qetësuar spekulimet se ai mund të kthehet në Itali duke thënë se do të mbetet te skuadra bavareze.
“Nuk mendoj për ta ndërruar klubin. E konsideroj veten shumë mirë këtu në Munih, ndërsa Bayerni më ofron gjithçka që dëshiroj”. “Bayerni ka një perspektivë të mirë për ta fituar Ligën e Kampionëve dhe unë mendoj se mund ta fitojmë me një skuadër kaq të fortë”. “Do të stërvitem maksimalisht dhe do të dëshmoj se akoma mund të jap më të mirën nga vetja”, ka thënë Toni për “Bild”.

Dynamo Kyiv bën ofertë për Shevën

Skuadra ukrainase Dynamo Kyivi shpreson ta rikthejë në skuadër sulmuesin e Chelseat, Andriy Shevchenko.
Mësohet se Kyivi ka kontaktuar me drejtuesit e Chelseat për të bërë ofertë për sulmuesin 32-vjeçar, i cili sezonin e kaluar ishte i huazuar te skuadra e tij e dikurshme, Milan. Trajneri i Dynamo Kyivit, Valery Gazzaev, është shprehur i entuziazmuar që mund t’i ofrohet mundësia të punojë me Shevën, ndërsa presidenti i klubit ukrainas, Igor Surkis, ka konfirmuar interesimin e skuadrës së tij për dikur-njërin nga sulmuesit më të mirë në botë. “Jemi të interesuar për Shevchenkon. Një ofertë është bërë dhe jemi duke pritur përgjigjen”, ka thënë Surkis për “The Daily Mail”.

Dino Zof: Me Diegon, një Juventus kampion

Dino Zof, ish-portieri i Juventusit dhe Kombëtares italiane, por gjithashtu edhe ish-trajneri i kampionëve të botës në fuqi sheh një Juventus të madh për sezonin e ardhshëm. “Zonja e Vjetër”, për legjendën e portës “axurre”, është një skuadër e kompletuar pas mbërritjes së brazilianit Diego si dhe mbrojtësit Fabio Kanavaro. Dino Zof mendon se Juventusi nuk ka nevojë për Gaetano D’Agostinon, fantazistin e Udinezes të shumëpërfolur në ditët e fundit për mbërritjen e tij në Torino. Gjithsesi, si një njohës i mirë i ambientit bardhezi, ishportieri thekson se fushata e blerjeve të drejtuesve të Juventusit nuk do të ndalet këtu, pasi kampionë të tjerë priten të zbarkojnë në “Vinovo” (qendra stërvitore e bardhezinjve) në ditët në vazhdim. Dino Zof gjithashtu bekon zgjedhjen e drejtuesve të skuadrës për t’ia besuar Juventusin, Çiro Ferrarës.

Zoti Zof, duke përjashtuar dy javët e fundit të kampionatit të kaluar në të cilat Çiro Ferrara ka drejtuar skuadrën e Juventusit, mendon se ai është zgjedhja e duhur për pankinën torineze, apo është një zgjedhje e rrezikshme e drejtuesve të klubit?

Një lider në fushë dhe një shembull për t’u ndjekur edhe jashtë terreneve sportive, një person si Çiro Ferrara do të jetë një lider edhe në pankinë. Kjo është një cilësi shumë e rëndësishme për të kryer profesionin e trajnerit. Pastaj, sigurisht që eksperienca ka anët e saj, por e përsëris se Çiro është një person shumë inteligjent dhe në një shoqëri të cilën e njeh dhe i qëndron pranë, jam mëse i bindur se Ferrara do të zhvillojë një karrierë fantastike në radhët e Juventusit.

Risia tjetër e jashtëzakonshme e Juventusit është mbërritja e brazilianit Diego. Tifozët janë të
gjithë të “çmendur” pas tij, pavarësisht se sezoni ende nuk ka filluar.

Diego është një lojtar madhështor. Gjatë eksperiencës së tij te Verder Bremeni ka treguar gjëra të jashtëzakonshme në fushën e lojës. Cilësitë, sigurisht që nuk i mungojnë dhe me lëvizjet e tij në fushën e lojës më kujton shumë Zinedin Zidanin, fantazistin e vërtetë të Juventusit pas Mishel Platinisë. Me blerjen e brazilianit, “Zonja e Vjetër” sigurisht që ka bërë një investim të sigurt, e cila do të japë shumë shpejt frytet e veta. Megjithatë, mesa kam dëgjuar në ditët e fundit, jam i bindur se merkato e Juventusit nuk do të ndalet vetëm në blerjen e Diegos, por të mos harrojmë këtu edhe rikthimin e Fabio Kanavaros.

Një nga objektivat e tjerë të mëdhenj të bardhezinjve është fantazisti i Udinezes, Gaetano D’Agostino. Juventusi dhe klubi friulan nuk po arrijnë ende një marrëveshje. Ju çfarë mendoni?

Nuk e njoh saktësisht situatën e kësaj çështjeje, ndaj nuk dua të hedh një hipotezë të kotë sesi mund të përfundojë kjo marrëveshje, e cila mund të hapë ndonjë debat më pas, por gjithsesi...

Na shpjegoni çfarë nuk ju bën të sigurt...

Diskutimi im është diçka ndryshe, sepse unë mendoj se, nëse në skuadër ke një lojtar si Diego, çfarë të duhet një si D’Agostino? Këtu po flasim për dy lojtarë që kërkojnë të kenë në këmbët e tyre fatin e një ndeshjeje, ndonëse luajnë në pozicione të ndryshme të fushës. Realisht nuk e di taktikën që Ferrara ka vendosur të përdorë nga sezoni i ardhshëm, ndonëse dua të shtoj se me fillim të kampionatit të ardhshëm pres shumë më shumë nga Markizio. Vitin e kaluar zhvilloi një sezon shumë pozitiv, por me cilësitë që ai gëzon, jam i bindur se do të shndërrohet në një ndër shtyllat më të forta të Juventusit.

Zof, dukeni shumë i bindur mbi potencialin e bardhezinjve...

Edhe me këta lojtarë që ka për momentin, Juventusi është padyshim një skuadër shumë kompetitive, qoftë për të synuar titullin, ashtu sikurse për Ligën e Kampioneve. Unë jam i bindur se Ferrara ka një skuadër të madhe, me të cilën do të korrë shumë suksese. Nëse përpara mbylljes së merkatos, Juventusit do t’i bashkohet ndonjë tjetër kampion, aq më mirë për bardhezinjtë.

“Jam shumë i karikuar për sezonin e ri”

Ndonëse aktualisht është i impenjuar në pushime me familjen e tij, Fabio Kanavaro, mbrojtësi i Juventusit dhe kapiteni i përfaqësueses italiane, pret me padurim fillimin e sezonit të ri. “Jam shumë i karikuar për fillimin e sezonit të ardhshëm. Rikthimi im te Juventusi do të jetë sfida më e madhe e karrierës sime, pas të gjitha fjalëve që janë thënë pas transferimit tim. Kam thënë se me lojën time do të bind tifozët juventinë. Padyshim që sezoni i ardhshëm do të jetë diçka ndryshe, sepse në pankinë do të kemi një prej miqve tanë më të mirë, Çiro Ferrarën, nën drejtimin e të cilit presim të bëjmë një sezon fantastik”, thotë Kanavaro.

Çështja “D’Agostino”, menaxherët sigurojnë mbylljen e marrëveshjes

Ditën e premte pritej mbyllja e marrëveshjes që do të transferonte fantazistin, Gaetano D’Agostino nga Udinezja te Juventusi. Gjithsesi dy klubet janë shumë larg ofertës torineze dhe kërkesës së presidentit Poco. Juventusi ofron 12 milionë euro, Udineze do të paktën 20 milionë, por pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve, menaxherët e lojtarit sigurojnë se martesa do të mbyllet me sukses. “D’Agostino do të jetë një lojtar i Juventusit, - deklaron Xhuzepe Boco. –Fakti që besoj në këtë marrëveshje është sepse Udineze e ka blerë lojtarin për më pak se dy milionë euro dhe do të përfitonte 10 milionë euro më shumë nga shitja e tij”. Ndërkohë, “i famshmi” Ernesto Bronxeti thekson: “Mosmarrëveshjet ndërmjet dy skuadrave janë thjeshtë një lojë që e kemi parë shumë herë, kur interesimi për një lojtar bëhet shumë i madh. Një klub si Udineze nuk mund të mbajë D’Agotinon, mbi të gjitha nëse për lojtarin në fjalë interesohet një skuadër si Juventusi. Lojtari ka dhënë ultimatumin e tij se nuk do të paraqitet në grumbullim dhe të jeni të sigurt se brenda pak ditëve, çështja e transferimit të tij në Torino do të mbyllet me sukses”. Të njëjtin mendim me dy menaxherët e mësipërm ndajnë edhe kolegët e tyre italianë, Dario Kanovi dhe Bruno Karpexhiani.

Diarra dhe Andre Santos, priten firmat

Mahamadu Diarra ka kaluar me sukses dëmtimin e tij dhe është gati t’i rikthehet me intensitet stërvitjes dhe fushës së lojës. Mesfushori i Realit të Madridit është gati të nisë një sezon madhështor me fanellën e Juventusit. Klubi bardhezi përpara se të nisë marrëdhëniet përfundimtare për huazimin e futbollistit të Kombëtares së Malit, ditën e djeshme ka kërkuar dhe ka marrë kartelat klinike të Diarrasë, të postuara nga Reali i Madridit. 28-vjeçari shihet si lojtari i duhur për të vënë përkrah Sisokos dhe Markizion, për të blinduar mesfushën e “Zonjës së Vjetër”. Në këtë mënyrë, në ditët e ardhshme pritet që Mahamadu Diarra të prezantohet në Torino. Andre Santos – Fillimisht ishte vetëm një zë merkatoje, por tani për interesimin e mbrojtësit të Kombëtares braziliane konfirmon edhe selia e klubit juventin. Andre Santos, futbollisti i krahut të majtë është objektivi primar i Alesio Sekos. Menaxherët e tij janë vëllezërit Grimaldi, të cilët janë edhe menaxherët e Amaurit. Ata kanë siguruar se lojtari kushton 6 milionë euro, ose saktësisht 5 milionë e 850 mijë euro, ashtu siç shkruhet edhe në një prononcim zyrtar të klubit të Korinthiasit. Tashmë bisedimet kanë nisur dhe Juventusi mund të mirëpresë kështu brazilianin e dytë në Torino për këtë sezon.

Largimet, një çështje serioze në Torino

Duke parë mbërritjet e Diegos dhe Kanavaros, përforcimet e tjera që priten të mbërrijnë në Torino dhe entuziazmin e madh që shoqëron gjithë ambientin juventin, duket sikur tani asnjë nuk kërkon më të largohet nga Juventusi. Gjithsesi, largimet në ditët e ardhshme priten dhe madje priten të jenë të shumta. Marko Markioni është emri i parë në listë. Destinacioni i tij pritet të jetë Fiorentina, ose nëse kjo mundësi dështon, atëherë Sampdoria dhe Xhenoa e presin. Portugezi Tiago Mendez kërkon të qëndrojë, por klubet spanjolle janë të interesuara për të. Poulsen refuzoi Fenerbahçen, por në ditët e ardhshme priten sulmet e skuadrave gjermane ndaj tij.

Largimet, një çështje serioze në Torino

Duke parë mbërritjet e Diegos dhe Kanavaros, përforcimet e tjera që priten të mbërrijnë në Torino dhe entuziazmin e madh që shoqëron gjithë ambientin juventin, duket sikur tani asnjë nuk kërkon më të largohet nga Juventusi. Gjithsesi, largimet në ditët e ardhshme priten dhe madje priten të jenë të shumta. Marko Markioni është emri i parë në listë. Destinacioni i tij pritet të jetë Fiorentina, ose nëse kjo mundësi dështon, atëherë Sampdoria dhe Xhenoa e presin. Portugezi Tiago Mendez kërkon të qëndrojë, por klubet spanjolle janë të interesuara për të. Poulsen refuzoi Fenerbahçen, por në ditët e ardhshme priten sulmet e skuadrave gjermane ndaj tij.

Për francezin interesohet Panathinaikosi

Xhonatan Zebina, mbrojtësi 31-vjeçar i Juventusit, është ndër emrat që përfliten të largohen nga Torino në sezonin e ardhshëm. Pavarësisht se në dy sezonet e fundit karriera e tij është shqetësuar nga dëmtimet e shumta, mbrojtësi francez me shumë eksperiencë është ndër lojtarët më të kërkuar nga klubet evropiane. Pas interesimit të manifestuar në ditët e fundit nga Fiorentina, Sampdoria dhe Palermo dje në selinë e klubit bardhezi ka mbërritur edhe interesimi i grekëve të Panathinaikosit. Pasi Olimpiakosi i ka rrëmbyer Olof Melbergun, Panathinaikosi shpreson të blejë francezin e Juventusit, Xhonatan Zebina.

Dzeko shuan shpresat e Milanit

Sulmuesi i Wolfsburgut, Edin Dzeko, i ka dhënë fund mundësisë për të kaluar te Milani duke shprehur besnikërinë e tij për skuadrën aktuale.
Sulmuesi boshnjak para disa ditësh deklaroi se kampioni gjerman e ka detyruar atë të qëndrojë në skuadër kundër dëshirës së tij, mirëpo tani duket se e ka ndryshuar “melodinë”. “Jam mirë këtu dhe jam i lumtur që do të luaj në Ligën e Kampionëve. Jam 100 për qind i sigurt se në vitet e ardhshme unë do të vazhdoj të luaj për Wolfsburgun”, ka thënë boshnjaku për faqen zyrtare të klubit.

Arshavin dëshiron të luajë për Barcelonën

Deklarimet e fundit të Andrey Arshavin nuk do t’i gëzojnë tifozët e Arsenalit, pasi që anësori rus ka thënë se do të ishte më se i kënaqur po t’i bashkëngjitej Barcelonës.
“Po të më jepet mundësia të luaj për Barcelonën do të isha shumë i lumtur”, është cituar 28-vjeçari nga “The Sun”. Arshavin kaloi te Topçinjtë gjatë afatit kalimtar dimëror nga Zenit St. Petersburgu për shumën prej 15 milionë funtesh (17.7 milionë euro).

Silva i lumtur te Valencia

Pas kthimit nga Kupa e Konfederatave ku ishte me Spanjën, mesfushori i Valencias, David Silva, i ka heshtur të gjitha spekulimet për ndonjë largim të mundshëm.
“Jam i lumtur këtu dhe mendoj vetëm për Valencian që është një skuadër e madhe dhe që po ashtu ka lojtarët fantastikë”.

“Ajo që dëshiroj të bëj tani është të pushoj pas një sezoni të gjatë, sepse dëshiroj që bateritë e mia të jenë të mbushura kur të fillojnë ndeshjet parasezonale”, është shprehur 23-vjeçari për të cilin është spekuluar se mund të kalojë te Real Madridi.

Edhe Napoli në garë për Cruz

Agjenti i Julio Cruz ka njoftuar se veç Fiorentinas edhe Napoli është i interesuar për të fituar shërbimet e sulmuesit argjentinas.
Këtë javë skadon marrëveshja e Cruz me Interin, kështu që agjenti i tij, Jorge Cyterszpiller, duhet t’ia gjejë një skuadër tjetër. “Jemi duke i shqyrtuar të gjitha ofertat. Nuk kemi vendosur ende ku do të luajë Cruz sezonin e ardhshëm. Të mërkurën do të kthehem në Itali dhe do t’i fillojmë konsultimet”. “Asgjë nuk është definuar me Fiorentinën. Napoli? Kam folur me Marinon (drejtorin gjeneral të Napolit) për këtë gjë”, është shprehur Cyterszpiller për tuttonapoli.net.

Juve do të provojë transferimin e Pandev

Juventusi ka hequr dorë nga sulmuesi i Villarrealit, Giuseppe Rossi, sepse shifra të cilën e kërkon Nëndetësja e Verdhë, është e lartë për bardhezinjtë.
“Sky Sport” njofton se të hënën bordi i Bianconerëve ka vendosur që Juve të fokusohet te sulmuesi i Lazios, Goran Pandev. Ky vendim është marrë pavarësisht faktit nëse do të shitet David Trezeguet ose jo. Maqedonasi dëshiron të transferohet në një skuadër të madhe, ndërsa deri më tani është penguar nga presidenti i Lazios, Claudio Lotito. Mirëpo nëse vjen një ofertë e cila plotëson kërkesat e Lotitos, atëherë Pandev do të luajë për Juventusin.

Çelsi përgatit 59 milionë euro për Riberinë

Londër - Klubi i Çelsit është duke përgatitur një super ofertë prej 59 milionë eurosh për të marrë nga Bajerni i Mynihut shërbimet e francezit Frank Riberi.
Lajmi bëhet i ditur nga “Sunday Express”, e cila thekson se londinezët duhet të mposhtin konkurrencën e Realit të Madridit, Mançester Junaited dhe Barcelonës. Por, detyra më e vështirë e Abramoviçit është që të bindë Bajernin për të shitur yllin francez, pasi deri tani drejtuesit e klubit gjerman kanë hedhur kategorikisht poshtë mundësinë e shitjes së lojtarit.

Milani vazhdon rinovimin, blen talentin 17 vjeçar

Milano - Milani ka nisur një projekt për rinovimin e ekipit të parë.
Në vazhdën e kësaj filozofie kuqezinjtë kanë blerë nga Albinolefe talentin e ri, sulmuesin 17 vjeçar Giacomo Beretta. Administratori kuqezi Adriano Galliani ka bërë të ditur se 17 vjeçari do të inkuadrohet në ekipin e parë nën urdhrat e trajnerit Leonardo.

Maicon “tremb” Interin: Nuk e di nëse do qëndroj

Milano - Nëse Zlatan Ibrahimovic tashmë duket i vendosur të vazhdojë aventurën e tij me Interin, kjo nuk duket e besueshme për mbrojtësin brazilian Maicon.
“E ardhmja ime? Të shohim, nuk e di”, është shprehur mbrojtësi i djathtë. “Unë e kam thënë vullnetin tim për të qëndruar tek Interi, por zikaltërit duhet të më shprehin mirënjohjen e tyre për këtë (rritje rroge)”, përfundoi Maicon nga Brazili ku për disa ditë do të kalojë pushimet pas fitimit të Kupës së Konfederatave.

Junajtid, gati 29.5 milionë euro për Ture

Mançester Junajtid synon afrimin e Jaja Ture si zëvendësues të Ouen Hargrivs. Kampionët e Anglisë janë të gatshëm të paguajnë 29.5 milionë euro për mesfushorin nga Bregu i Fildishtë. Gjithsesi, trajneri Aleks Ferguson nuk mund të fillojë bisedimet për mesfushorin deri në janar, sepse së fundmi ai ka firmosur një kontratë të re me Barcelonën. "Red Devils" shpresojnë se Pep Guardiola do të blejë argjentinasin Havier Maskerano, i cili do t‘i hapte rrugë largimit të 26-vjeçarit Ture.

Arsenal, 35 milionë euro për Benzema

Sikurse ka bërë të ditur "News of the World", Arsenali i ka bërë një ofertë prej 35 milionë eurosh Lionit për të marrë Karim Benzema (21-vjeç). Në rast se presidenti i klubit francez, Aulas, do të bindej ta linte të lirë talentin, tre kandidatët kryesorë duket se do të jenë Reali, Mançester Junajtid dhe Arsenali. Karim Xhaziri, menaxheri i francezit, shpjegon: "Ferguson e do, por transferimi nuk mund të kalojë 40 milionë eurot. Është vetëm 21 vjeç, nuk mund të kushtojë më shumë se David Vija. Megjithatë që Karim do të firmosë për një klub të madh, është vetëm çështje kohe".

Real, Perez kërkon nuse për K. Ronaldon

Kërkohet një nuse, e cila "do ta mblidhte" dhe do ta largonte nga jeta aktuale shumë e shthurur jashtë futbollit. Është pikërisht ky objektivi i presidentit të Realit të Madridit, Florentino Perez, për sa i përket blerjes së tij më të shtrenjtë në gjithë historinë e futbollit botëror: talentit portugez, Kristiano Ronaldo. Numri një i skuadrës madrilene ka bërë të ditur për edicionin e djeshëm të të përditshmes spanjolle, "El Mundo Deportivo", se ai ndihet shumë i shqetësuar për jetën mondane e të shfrenuar të yllit portugez, të blerë gjatë kësaj vere për shifrën stratosferike prej 94 milionë eurosh nga skuadra angleze e Mançester Junajtid. Përveçse ka menduar ta blindojë për sa i përket klauzolës prej 1 miliard eurosh për prishjen e parakohshme të kontratës, tashmë ai do të dëshironte ta blindonte edhe në nivelin sentimental. Në fakt, "movida" e Madridit mund të rezultojë e dëmshme për një lojtar si Kristiano Ronaldo, gjithnjë në qendër të kronikave rozë. Presidenti Florentino Perez dëshiron të ndjekë shembullin e mitikut Santiago Bernabeu, i cili u impononte martesë dhe jetë të shëndetshme lojtarëve të tij. Shqetësimi është i lidhur edhe me presionin e vazhdueshëm të paparacëve përreth futbollistit portugez. "Ne kujdesemi për gjithçka që e rrethon Kristianon, ka shpjeguar drejtuesi i përgjithshëm i madrilenëve, Horge Valdano, dhe nëse do të jetë e nevojshme, do ta pajisim edhe me ‘bodyguard‘". Eksperienca e mëparshme me yllin anglez, David Bekham, të shumëkërkuar nga mediat në kohën kur luante te Reali, ose me mbrëmjet në diskotekë të "fenomenit" Ronaldo, ka lënë shenjë. Perez nuk do të lejojë që të përsëriten skandalet e "erës" së tij të parë "Galaktike". Edhe ish-lojtari i Atletiko Madrid, Paolo Futre, fton bashkëkombësin e tij Kristiano Ronaldo "të gjejë një të fejuar në Madrid, për të pasur më pas një jetë më të stabilizuar". Kjo duket një ndërmarrje, të paktën për momentin, jo shumë e thjeshtë. Nga Nereida Galardo te Paris Hilton, Ronaldo nuk e ka fshehur kurrë pasionin e tij për gratë e bukura dhe mbrëmjet festive. Por ligji i mitikut Bernabeu mund ta bëjë të vërë mend tashmë që është pjesë e një plani të ri galaktik.

Siti, ofertë "monstruoze" për Eto‘o

Mançester Siti ka bërë një ofertë stratosferike për kamerunasin Samuel Eto‘o. Pas publikimit në mediat britanike, lajmi është konfirmuar edhe nga presidenti i Barcelonës, Joan Laporta. Emri i 28-vjeçarit, i cili ka edhe një vit kontratë me kampionët e Spanjës dhe të Europës, qarkullon prej kohësh në merkaton angleze, duke qenë objekt dëshirash për disa skuadra nga Premiershipi. Fillimisht Eto‘o kishte deklaruar se nuk ishte i interesuar në transferimin te Siti, por sheiku Mansur Bin Zajed Al Nahjan është i vendosur që të shpenzojë shifra marramendëse për afrimin e sulmuesit, që realizoi 36 gola në sezonin ku Barça fitoi tre trofetë më të rëndësishëm ku konkurronte: La Liga, Kupa e Mbretit dhe Champions. "The News of the World" shkruante se "Sitizëns" do të paguajnë 30 milionë euro (25 milionë sterlina) në arkat e katalanëve për kartonin e futbollistit. Gjatë ditëve të ardhshme, ai pritet të paraqitet në zyrat e klubit anglez për të firmosur kontratën e propozuar. Fillimisht Eto‘o pretendoi 240 mijë euro (200 mijë sterlina) rrogë neto në javë, por do të pranojë kontratë 5-vjeçare, nga e cila mendohet se do të përfitojë 216 mijë euro (180 mijë sterlina) neto në javë, të cilave do t‘u shtohen edhe shpërblimet për realizimin e objektivave personale dhe sukseset e skuadrës së Hjuxhs. Gjithsesi, shifrat financiare ende nuk janë zyrtare.
Laporta beson se kapiteni i përfaqësueses së Kamerunit nuk do të jetë në gjendje të refuzojë një ofertë të tillë, pavarësisht se klubi i drejtuar prej tij ka filluar prej kohësh bisedimet për qëndrimin e mëtejshëm të lojtarit në "Kamp Nou". "Et‘o ka marrë një ofertë ‘monstruoze‘ nga Mançester Siti, e cila do ta shndërronte në lojtarin më të paguar në botë, deklaroi Laporta për radion katalane ‘iCat FM‘. Është e qartë se për këtë futbollist, drejtuesit e klubit anglez synojnë të shpenzojnë shifra stratosferike. Ai dëshiron të qëndrojë, por është shumë e vështirë të refuzohet një ofertë e tillë. Eto‘o do të fillojë fazën përgatitore me skuadrën dhe më pas Pep (Guardiola, trajneri i Barçës) do të vendosë nëse lojtari do të qëndrojë". Laporta la të nënkuptohej se me largimin e sulmuesit kryesor, Barça do të hidhej sërish në sulm për të siguruar shërbimet e yllit të Valencias, David Vija. "Nëse Eto‘o pranon ofertën e jashtëzakonshme të Sitit, atëherë do të na nevojitet një tjetër sulmues. Drejtori ynë teknik, Çiki Begirishtajn, do të vendosë se cilat janë hapat që duhen ndjekur. Riberi? Lojtari e di se gëzon admirimin tonë, por nëse Bajerni nuk dëshiron ta shesë, duhet ta respektojmë vendimin e tyre".
Ndërkohë, të mërkurën Siti pritet të zyrtarizojë blerjen e Karlos Tevez, i cili do të firmosë një kontratë 4-vjeçare. Ata paguan 36 milionë euro (30 milionë sterlina) për këtë transferim, ndërsa argjentinasi do të përfitojë 168 mijë euro (140 mijë sterlina) në javë. Deri më tani, arabët kanë shpenzuar mbi 35 milionë euro për afrimin e Gareth Berri (14.2 milionë euro) dhe Roke Santa Kruz (21.3 milionë euro).

Samir Ujkani, sërish zëvendësi i Amelias

Samir Ujkani do të vazhdojë aventurën te Palermo. Drejtuesit e klubit sicilian janë bindur që t‘i besojnë "gardianit" shqiptar si zëvendësuesi i Marko Amelias. Vetëm pak ditë më parë ishte hedhur ideja e huazimit të 21-vjeçarit në skuadrat që militojnë në kategoritë më të ulëta në Itali, për t‘i dhënë kuqeziut mundësi të luante rregullisht. Gjithsesi, tashmë Palermo ndryshon mendim dhe e shohin Ujkanin si pasardhësin ideal të portierit të përfaqësueses italiane, të drejtuar nga Marçelo Lipi. Në fakt ky mund të jetë sezoni i fundit i Amelias te zirozët: në këtë merkato ai kishte oferta nga Napoli dhe Roma, por do të vazhdojë të luajë të paktën edhe për një vit në stadiumin "Renzo Barbera". Në këtë mënyrë, Ujkani fiton garën me rivalët Sirigu dhe Alijardi, të cilët do të sistemohen në ekipe të tjera.

Grekët e Kavallës duan Erjon Bogdanin

Erjon Bogdani kërkohet nga skuadra greke e Kavallës. Lajmi është bërë publik dje nga gazeta e njohur italiane, "L‘Arena", e cila u referohet burimeve zyrtare brenda klubit të Kievos, ku sulmuesi shqiptar militon që prej sezonit 2008. Sipas kësaj gazete, "Kavalla, e sapo ngjitur në kategorinë e parë greke, është interesuar për Erjon Bogdanin, kontrata e së cilit me Tiranën skadon në fund të sezonit të ardhshëm". Skuadra në fjalë ka bërë një paraqitje të mirë në sezonin e kaluar të kategorisë greke, duke u renditur e treta pas Artomitos Peristeri dhe Janinës, gjë që i mundësoi edhe promovimin në elitën e futbollit të vendit fqinj. Për Bogdanin ka shfaqur kohë më parë interesim edhe Bari, i porsangjitur në Serinë A italiane. Disa sezone më parë, një tjetër skuadër greke, Olimpiakosi, kishte shprehur interesimin për Bogdanin.

Shaktjor Donjeck, në garën për Canën

Lista e skuadrave kandidate për të marrë shërbimet e Lorik Canës shtohet me kalimin e ditëve. Pas Arsenalit, Liverpulit, Evertonit e Totenhemit në Angli dhe Volfsburgut, Hamburgut e Shtutgartit në Gjermani, tashmë për 25-vjeçarin ka shfaqur interes edhe Shaktjor Donjecku. Fituesit e edicionit të fundit të Kupës UEFA, që në këtë sezon do të luajnë në turin e tretë eliminator të Ligës së Kampioneve, bëhen në këtë mënyrë skuadra e tetë që vendoset në listën e pritjes për Canën. Olimpik Marseja ka bërë të ditur se kartoni i mesfushorit të Kombëtares kushton 7 milionë euro, ndërkohë që drejtori sportiv i klubit, Hoze Anigo, i hapi "dritën jeshile" largimit të kapitenit. "Nuk na ka thënë asnjëherë se dëshiron të largohet, por pas katër vitesh në Marsejë, ku ka dhënë mjaft për skuadrën, Loriku ka të drejtë të kërkojë eksperienca të reja në karrierën e tij", tha ai. "Kemi përcaktuar çmimin e kartonit të lojtarit dhe nëse ka oferta konkrete, do të ulemi të diskutojmë".

Largohet Raiç, Lonçareviç ultimatum

Tirana e nis fazën përgatitore për ndeshjet në turin e dytë eliminator të Champions League, por duket se në kampin bardheblu jo gjithçka po ecën sipas parashikimeve të drejtuesve. Kampionët në fuqi të Shqipërisë kanë udhëtuar pasditen e djeshme (në orën 16:00) nga kryeqyteti në drejtim të Ohrit, ku do të kalojnë edhe një fazë përgatitore dyjavore. Në dispozicion të trajnerit ishin të gjithë futbollistët, me përjashtim të portierit Blendi Nallbani, i cili mungonte për shkak të problemeve personale, dhe sulmuesit Migen Memelli, i cili vazhdon ende kurimin e tij në Belgjikë. Sipas drejtuesve të klubit, portieri Nallbani do t‘i bashkohet pjesës tjetër të ekipit vetëm ditën e sotme. Por duket se njeriu i pakënaqur i kësaj skuadre për momentin është trajner Ilija Lonçareviç, i cili nuk po merr përforcimet e premtuara nga kryedonatori Refik Halili. Dje u largua edhe mbrojtësi kroat Raiç, i cili u testua për disa ditë nga trajneri bardheblu, por siç duket ai nuk e ka bindur. Një burim i besueshëm brenda klubit ka bërë të ditur se tekniku Lonçareviç i ka kërkuar "bosit" bardheblu përforcime sa më shpejt që të jetë e mundur, sidomos një mesfushor dhe një mbrojtës, pasi çdo vonesë është në dëm të Tiranës. Ndërsa drejtori teknik, Alban Tafaj, garantoi se "përforcimet do të vijnë së shpejti", por nuk saktësoi as emra apo kombësi.

Çelsi, 60 milionë euro për Paton

Shtypi anglez shkruan se Abramoviç i ka premtuar Ançelotit një fond 120 mln euro. Nga këtu lind oferta drejt Milanit
Çelsi tenton sërish për Aleksandre Paton. Sipas “News of the World”, Roman Abramoviç është gati t’i japë trajnerit Karlo Ançeloti 120 milionë euro për të bërë merkaton. Gjysma e këtyre të hollave do të jenë në tavolinë për talentin brazilian të Milanit, pasi italianët refuzuan një ofertë prej 50 milionë eurosh për 19-vjeçarin. Edhe 22 milionë të tjerë do të destinohen për bomberin rus Juri Zhirkov, edhe pse në krye të listës së Ançelotit janë krahas Patos edhe Andrea Pirlo, Frenk Riberi, dyshja e Liverpulit: Fernando Torres‑Ksabi Alonso dhe mesfushori i Arsenalit Çesk Fabregas.
Riberi ‑ Çelsi ka dashur të tundojë Bajernin me 60 milionët e ofruar për Riberinë dhe duke dashur të eleminojë konkurrencën e Realit të Madridit dhe Barcelonës, të interesuara për francezin. Sipas “Sunday Star”, një pretendent për Riberinë është edhe Arsenali me 47 milionië euro plus kartonin e Niklas Bendtner, që vlen të paktën 12 milionë.
Skolari - Luiz Felipe Skolari ka pohuar se një numër lojtarësh të Çelsit nuk e respektuan atë dhe metodat e tij të stërvitjes në tetë muajt e qëndrimit të tij të pasuksesshëm te blutë e Londrës. Trajneri 60‑vjeçar, tani trajneri skuadrës Bunyodkor në Uzbekistan, ka veçuar sjelljet e sulmuesit Didier Drogba, të mesfushorit Mikael Balak dhe të portierit Petër Çeh si të papranueshme. Skolari, që e mori drejtimin e Çelsit, korrikun që shkoi dhe u shkarkua në shkurt, tha për gazetën “O Globo”: “Pronarët e vërtetë të futbollit tani janë lojtarët. Trajneri në shumicën e klubeve europiane nuk u del dot kundër. Ata që shkarkohen janë gjithnjë trajnerët dhe lojtarët kryesorë e dinë këtë. Ky ishte problemi im te Çelsi. Drogba, Balak dhe Çeh nuk i pranonin metodat e mia të stërvitjes”. Skolari mendon se Kristiano Ronaldo do t’ia kalojë mirë me Kakanë, por shton se Raul është ende lojtari kryesor në “Bernabeu”. “Kakà është lojtar i çuditshëm për atë që bën në fushë dhe jashtë saj. Ai është një xhevahir i çuditshëm. Edhe pse ka miliona, luan në fushë njësoj si në fillim. Jam i sigurt që Kristiano Ronaldo dhe ai do t’ia kalojnë mirë bashkë. Kristiano nuk ka lidhje fare me imazhin jo të mirë, që i kanë krijuar. Mendoj se do të jenë shokë të mirë. Problemi është se Reali i Madridit ka Raulin, një veteran që ende bën ligjin në skuadër. Të shkretët ata që ai nuk i honeps, madje edhe trajneri nuk përjashtohet”.

10 dështimet e Serisë A në sezonin 2008‑2009

Disa emra të mëdhenj lojtarësh arritën në Itali, në verën e vitit 2008. Në aspektin e trajnerëve, ndoshta lëvizja më e bujshme qe ajo e Jose Mourinjos, që mori drejtimin teknik të Interit. Ndërkohë, në anën e luajtur, Milani dhe Interi shpenzuan para të mëdha, duke mbushur respektivisht arkën e Barcelonës, në këmbim të Ronaldinjos, dhe të Portos, në këmbim të Rikardo Kuaresmas. Si shumë të tjera blerje të shtrenjta, edhe Seria A pësoi zhgënjimin e të ardhurve me bujë. Çdo trajner, lojtar ose president, përpiqet dhe vihet në një rol pozitiv, pa menduar të keqen, teksa bën një blerje, por kur ato mbërrijnë në ekip, nuk janë më të parët, në lartësinë e emrit, nuk arrijnë të justifikojnë çmimin e transferimit, nuk u përshtaten skemave taktike, për ta ka një fund të hidhur, që zgjat deri më pak se një sezon. Goal.com, në bazë të një analize të hollësishme sportive, bën renditjen e 10 blerjeve të dështuara të Seria A, duke nisur nga vendi i dhjetë për të përfunduar tek i pari, referuar edicionit 2008‑2009.

10) Julio Baptista (Roma) ‑ Baptista ka qenë një roman i ri, në skuadrën e Spaletit, por që ka fiksuar një dështim. Jokëmbëngulës, me probleme dëmtimesh, Baptista ka pasur momentet e tij të shkëlqyera, por këto janë mjaft të rralla. E vetmja ndeshje për t’u mbajtur mend nga ky lojtar është çerekfinalja e Ligës së Kampioneve, ku shënoi një gol të bukur ndaj Arsenalit.

9) Juan Pablo Karrizo (Lacio) ‑ Carrizo mendohej se do t’i bashkohej Lacios në fillim të sezonit 2007‑2008, por problemet me pasaportën bënë që ky transferim të zgjatej 1 vit. 24‑vjeçari nuk i ka treguar vlerat, për të cilat u mor në Romë, sepse gjatë kësaj periudhe ka pësuar mjaft gola të evitueshëm. Edicioni në portën e Lacios nuk ka qenë i plotë, por ajo që është më e rëndësishmja, është përcjellë me mjaft gabime. Nr.1 i Argjentinës e ka humbur vendin e tij, si portier i parë i ekipit, duke u sfiduar nga Nestor Muslera. Ai do të ketë nevojë për t’u përmirësuar pafundësisht, në qoftë se ka ndër mend për ta rifituar pozicionin e titullarit të portës së Lacios. Carrizo duket si një vampir, si një krijesë mitologjike, por ama ka mbyllur një sezon që e kryqëzon atë.

8) Bruno Fornaroli (Sampdoria) - Uraguajani kishte premtuar se do të jetë një “Pippo Inzaghi” i ri, kur mbërriti në Genoa, nga Nacional Montevideo. Prerazi, sezoni i tij te Sampdoria ishte i dështuar, gjë që u bë e qartë shumë shpejt. Ai nuk ishte i gatshëm për të përballuar Serinë A. 21‑vjeçari ka bërë vetëm pesë paraqitje në Serinë A. Një zhgënjim total.

7) Kristian Vieri (Atalanta) - Bordi drejtues i Atalantës nuk duhet t’i ketë dëgjuar përkrahësit e tyre, të cilët u përpoqën mjaft për ta parandaluar këtë transferim të lirë. 35‑vjeçari e ka kaluar sezonin më shumë i dëmtuar, me një mbipeshë të dukshme me sy të lirë, çka tregonte që në fillim se nuk ndodhet në formë, i përngjashëm me Russell Crowe. Ai është vërshëllyer rregullisht nga tifozët e Atalantës. Me vetëm nëntë ndeshje të luajtura dhe dy gola të shënuar, u vendos që në fillim të fazës së dytë se kontrata e Vierit do të shfuqizohej para kohe.

6) Serxhio Almiron (Fiorentina) ‑ Kur merr hua një lojtar nga Alessio Secco, të jesh i sigurt se ke bërë lëvizjen më të keqe. Pra, mos prit se ke afruar në skuadër një Diego Maradonë apo Pele. Almiron ka bërë vetëm 12 ndeshje me fanellën vjollcë, ndër të cilat vetëm shtatë i ka nisur nga fillimi. Me Riccardo Montolivon, gjithashtu zhgënjyes, i ka mbetur Felipe Melos të përballojë peshën e rëndë të mesfushës vjollcë. Almiron do të kthehet në Torino këtë verë, por nuk do të qëndrojë atje për një kohë të gjatë. Kuptohet, nëse do të paraqesë atë që dha tek Fiorentina, edicionin që u mbyll.

5) Andrij Shevçenko (Milan) - Erdhi si një shpëtimtar i sprovuar i Milanit, në rikthimin e tij nga Londra, por tregoi se është fare pranë “daljes në pension”. Shevçenko kishte provuar përfundimisht, gjatë dy sezoneve te Çelsi, se ishte hija e vetvetes. Çka e tregoi edhe pas rikthimit në “San Siro”. Drejtuesit e Milanit kujtuan se do të rifitonin atë Shevçenkon e artë, para se të vishej blu, por ndodhi krejt e kundërta. Tashmë, falë edhe viteve që ka mbi supe, nuk ka të ngjarë që ukrainasi të kthehet në formën e tij të përhershme, në intervalin e parë tek Milani.

4) Simone Loria (Roma) - I konsideruar para pak kohëve si mbrojtësi më i keq në të gjithë Italinë, mundësisht edhe në tërë kampionatet e Europës. Loria bëri diçka, për të latuar profilin e një lojtari të nivelit të lartë, në fillim të sezonit, por u duk qartë se nuk mund të bazohej Roma tek ai, qysh në Krishtlindjet e vitit të kaluar. Ai ka qenë kryesisht i ngrirë, si një mish i huaj tek skuadra romane.

3) Amantino Mançini (Inter) - Fanellën bluzi të Kuarezmës e ka marrë pothuajse gjysma e Milanos, por, në të vërtetë, Mançini nuk ka qenë i suksesshëm as në këtë drejtim tek Interi. Ai ka qenë pjesë e madhe e një katastrofe në blerjet që bëri Morati në fillim të sezonit 2008‑2009. Përderisa Roma nuk këmbënguli shumë ta mbante brazilianin, kishte diçka në këtë mes. Gjë që u vërtetua me kalimin e kohës. Braziliani dukej qartë se kishte rënë fizikisht. Mancini ka bërë 16 paraqitje me fanellën e Interit në Serinë A, ku në vetëm nëntë prej tyre e ka nisur lojën si titullar. Një nga arsyet pse Mourinjo kaloi në skemën 4‑3‑3, ishte për shkak se Mançini dhe Kuarezma rezultuan nën standardin e kërkuar prej tij. Ish‑lojtari i Venecias me siguri do të flaket nga trajneri portugez i Interit për edicionin e ri.

2) Kristian Poulsen (Juventus) ‑ Të gjithë ata që besonin seriozisht se Poulseni do të ishte një sukses, janë zhgënjyer. Hierarkia drejtuese e Juventusit, edhe pasi danezi nuk dukej asgjëkundi, pavarësisht se kishte kaluar gjysma e dytë e vitit 2008, vijonin të premtonin se kishin sjellë një qendërmesfushor të klasit botëror. Tifozët e zemëruar nisën protestat, që më fillim, duke dalë kundër kësaj blerjeje, madje ngritën edhe një flamur të madh, ku shkruhej: “Qesharake, ju keni nënshkruar me një tjetër lojtar plehrash.” Fjala ishte për Poulsenin. Danezi, në ato ndeshje që luajti, u shfaq nervoz, pa rendiment në mesfushën bardhezi.

1) Rikardo Kuarezma (Inter) - Portugezi do të hyjë si një nga blerjet më të shtrenjta në historinë e futbollit italian. Interi arriti ta shkëpusë nga Portoja, pas insistimit të madh të trajnerit Mourinjo, për shumën e 20 milionë eurove. Pas një sage të gjatë verën e kaluar, u bë shpejt e qartë se Jose Mourinjo kishte bërë një gabim të madh. U huazua tek Çelsi, me besimin se do të fitonte ritmin e humbur, por edhe atje vijoi të zhgënjejë. Luiz Felipe Skolari insistoi për ta pasur në “Stamford Bridge”, por edhe ai e kuptoi se vetëm emrin e kishte Kuarezma.

Dzeko, “jo” Milanit: Do të qëndroj te Volfsburgu

Sulmuesi boshnjak ka rinovuar kontratën me klubin gjerman. Edhe Luis Fabiano refuzon kuqezinjtë
Edin Dzeko nuk do ta veshë fanellën e Milanit. Bisedimet dështuan pasi Volfsburgu ka vendosur të respektojë kontratën që ka me futbollistin. “Do të qëndroj te Volfsburgu, edhe pse nuk jam i kënaqur. Jam i lidhur nga kontrata, - ka pranuar sulmuesi boshnjak.
- Trajneri im i ri Armin Veh, më ka thënë që duhet të qëndroj në Gjermani, pasi kemi ambicje të mëdha për sezonin e ardhshëm si në Bundesligë ashtu edhe në Ligën e Kampioneve dhe që lojtarët më të mirë duhet të qëndrojnë. Të gjithë e dinë që Milani është skuadra e ëndrrave të mia, por nuk mund të bëj dot asgjë”. Klubi kampion i Gjermanisë ka fituar kështu një duel të fortë e të vështirë me kuqezinjtë.
Dzeko duhet të respektojë kontratën që e lidh me “ujqërit” deri më 2011-ën. Si shpërblim Dzeko do të ketë një rritje rroge, që sikundër për sulmuesin tjetër të skuadrës Grafite, do t’i shkojë në 3 milionë euro në sezon. Një rritje e ndjeshme në të vërtet, kur mendon që boshnjaku fitonte deri dje thuajse 600 mijë euro. Kështu Galiani duhet t’i përqendrojë të gjitha forcat te Emanuel Adebajor, alternativa e parë e Dzekos.
Adriano Galiani ka shpjeguar situatën, duke folur nga Sardenja: “I kemi bërë një ofertë Volfsburgut dhe na është refuzuar. Por nëse duhet të ndryshojë diçka, na kanë thënë që Milani do të jetë skuadra e parë që do të lajmërohet”. Në pritje te Dzekos, Milani nuk e nënvlerëson as pistën që të çon te Emanuel Adebajor: “Është një altarnativë, - shpjegon Galiani, - i kam bërë një telefonatë Arsenalit…
Do të synojmë të arrijmë mes tri skuadrave të para të kampionatit dhe të ecim sa më shumë të kemi mundësi në Ligën e Kampioneve. Milani mund dhe duhet absolutisht t’i arrijë këto objektiva minimalë me këta lojtarë dhe këtë trajner. Nuk kemi pse të nxitohemi dhe nuk është e detyrueshme që përforcimet të vijnë brenda 6 korrikut.
Por pas “goditjes” nga Dzeko dhe pritjes për Adebajorin, duket pikërisht se Milani nuk po arrin të gjejë sulmuesin që shpreson. Po, sepse edhe Luis Fabiano, i kataloguar nga Adriano Galiani si një alternativë tjetër e mundshme për repartin e përparuar, është me vite të tëra drite larg, për shkak të një klauzole zgjidhëse mbi kontratën, që menaxheri i tij e gjykon tepër të lartë për klubin milanez: “Në rast se do të ketë një interesim serioz, - ka njoftuar Hoze Fuentes, - Milani do të lodhet shumë për ta marrë Luis Fabianon nga Sevilja, pasi nuk i ka burimet e duhura financiare për ta bërë. Vetëm katër apo pesë klube në këto momente janë në gjendje të paguajnë 30 milionë euro për brazilianin”.
Pra, jo Milani sipas menaxherit Fuentes, edhe pse i ashtuquajturi “O’Fabuloso” në ditët e shkuara kishte konstatuar interesimin e kuqezinjve me një adhurim jo të vogël: “Do të ishte e mrekullueshme…”, - pati thënë Luis Fabiano për “Djallin”. Por çdo diskutim për momentin është shtyrë.

Gana kërkon Balotelin në kombëtare

Lipi mund të gjejë Amaurin, por mund të humbasë Mario Balotelin. Federata e Futbollit e Ganës, në fakt, nuk i ka braktisur shpresat që “Super Mario” të vendosë të luajë për “Yjet e Zinj” dhe madje “do të këmbëngulë që një gjë e tillë të bëhet realitet”, siç ka bërë të ditur presidenti i kësaj federate, Kuesi Niantekie. Shpresat e Ganës janë gjallëruar nga FIFA, sipas së cilës një lojtar mund ta ndryshojë kombëtaren edhe pse ka luajtur më parë me një kombëtare tjetër Under-21. Baloteli, i cili nuk ka debutuar akoma me ekipin e parë të Italisë, mund të jetë akoma në kohë për të luajtur me Ganën, nëse do. “E duam akoma Balotelin, sepse është një talent i jashtëzakonshëm - ka thënë Niantekie. - Për ne do të ishte një përforcim i mrekullueshëm. Do të këmbëngulim me qëllim që të na zgjedhë ne. Nuk do të dorëzohemi, sepse me një lojtar si ai në ekip do të bëhemi me të vërtet të fortë. Mario është një lojtar i klasit të lartë dhe duam ta bindim me çdo kusht që të pranojë ofertën tonë. Nga pikëpamja e Ganës të kesh në dispozicion një futbollist si ai është një mundësi e jashtëzakonshme”.

Fiorentina përfshin në listë edhe Kruzin

Eshtë Hulio Kruz kandidati më i mundshëm për rolin e zëvendësit të Xhilardinos tek Fiorentina. Rruga që çon tek argjentinasi, i cili do të largohet me kosto zero nga Interi, është shumë e nxehtë edhe si pasojë e deklaratave, që kanë ardhur nga drejtori sportiv i klubit vjollcë, Pantaleo Korvino, i cili ka thënë: “Idea për Kruzin ka lindur disa javë më parë. Të shohim nëse do të arrijmë të gjejmë një marrëveshje, sigurisht mund të them se Kruz pëlqehet shumë nga Prandeli dhe ne do të mundohemi ta kënaqim trajnerin tonë”. Fjalë shumë të qarta, që tregojnë për interesimin e madh të Fiorentinës për Kruzin, edhe pse për ta çuar në Firence do të duhet të kalohen disa pengesa si konkurrenca e skuadrave të tjera italiane Napoli dhe Parma dhe kërkesat e larta të lojtarit përsa i përket rrogës. Fiorentina nuk do të donte t’i jepte më shumë se 1,5 milion euro dhe ndoshta të nënshkruajë me argjentinasin një kontratë shumëvjeçare. Ndërsa, stafi i sulmuesit të Interit, kërkon më shumë dhe për momentin ka përgënjeshtruar interesimin e klubit vjollcë, edhe pse idea e një transferimi në Firence pëlqehet shumë nga Kruz.

Interi mendon për fantzistin Diamanti

“Regjizori” i Livornos mund të jetë alternativa e mundshme për portugezin Deko
Alesandro Diamanti. Eshtë ky emri i ri që përflitet në shtëpinë e Interit. Fantazisti i Livornos, një nga protagonistët e rikthimit të menjëhershëm në Serinë A të klubit toskan me 17 gola, duket se është cilësuar nga vëzhguesit e Interit si lojtari ideal për të përforcuar dhe rinovuar skuadrën zikaltër. Për këtë arsye Branka me shokë kanë filluar të interesohen për lojtarin dhe kanë marrë përgjigje pozitive nga presidenti i Livornos, Spineli.
Në fakt, klubi toskan, duket se është i gatshëm të heqë dorë nga lojtari i tij kryesor në rast se do të paraqitet një ofertë e parezistueshme. Sapo ka përfunduar ndeshja e play-off-it me Breshian si Diamanti ashtu edhe presidenti i tij kanë bërë të ditur se ndarja ishte e mundur, duke deklaruar se kishin arritur një marrëveshje në vija të gjëra për një largim të lojtarit në rast se do të vinte një ofertë nga një skuadër e madhe.
Përveç dëshirës së lojtarit dhe gatishmërisë së drejtuesve të klubit ekziston, në fund, edhe një detaj tjetër që nuk duhet anashkaluar. Diamanti, në krahasim me Dekon, kandidati tjetër në rolin e mesfushorit të avancuar, ka treguar gjatë këtyre viteve se është në kulmin e pjekurisë së tij, si njerëzore ashtu edhe futbollistike, ndryshe nga portugezi që, tashmë, kulmin e karrierës e ka kaluar me kohë. Por, e vetmja pengesë është mendimi i Mourinjos. “I Veçanti” preferon Dekon, njeriu i tij i besuar që në kohët e Portos, por gjithsesi mund t’i hapë rrugën negociatave për Diamantin, duke parë klasin e lartë të lojtarit toskan. Me pak fjalë, siç thuhet në këto raste: “Nëse janë trëndafila…do të çelin”.

Adriano pendohet: Mourinjo është më i miri

Ish-sulmuesi i Interit nuk i ka kursyer komplimentat për teknikun zikaltër dhe Mario Balotelin

“Perandori” po rilind në Brazil, por nuk e harron të kaluarën e tij tek Interi. Në pothuajse tetë vitet e kaluara në Itali momentet negative nuk kanë munguar, por tek zikaltërit Adriano ka lënë shumë miq. Tani skuadra e tij është Flamengo, prej të cilës është larguar në vitin 2001 dhe me të cilën deri tani ka zhvilluar katër ndeshje në më pak se një muaj, duke shënuar katër gola (një me penallti, një me goditje dënimi, dy me aksion), të gjithë në kampionatin brazilian. Ndërsa Brazili zhvillonte finalen e Kupës së Konfederatave kundër Sheteve të Bashkuara të Amerikës, Adriano stërvitej për derbin kundër Fluminenses, të zhvilluar ditën e djeshme. Ndërkohë, në një intervistë të dhënë për shtypin italian, sulmuesi nuk i ka kursyer komplimentat për trajnerin Hoze Mourinjo. Në fakt, ish-sulmuesi i Interit, e konsideron portugezin trajnerin më të mirë, me të cilin ka punuar në karrierën e tij.

- Adriano, Brazili ka marrë pjesë në Kupën e Konfederatave që zhvillohet në Afrikën e Jugut, ndërsa ju keni qëndruar me Flamengon për t’u përgatitur për derbin me Fluminensen. Nëse do të kishit patur mundësi për të zgjedhur, çfarë do të kishit bërë?

- Sinqerisht, nuk e di. Zemra ime do të zgjidhte Flamengon, por do të donte të ishte edhe me Seleçaon në një kompeticion kaq të rëndësishëm.

- Ju keni shënuar golin e parë në ndeshjen debutuese me Flamengon më 31 maj kundër Atletiko Paranense. Më pas nuk keni shënuar në dy takimet pasardhëse dhe të dielën e kaluar jeni rikthyer me një tregolësh kundër skuadrës së Internacionalit. Si është forma juaj atletike?

- Jam shumë afër gjendjes më të mirë. Duhet akoma të humb edhe disa kile për të arritur peshën time ideale. Këtu po punoj shumë në aspektin fizik dhe mendoj se këtë objektiv do ta arrij në pak kohë.

- Jeni informuar për lëvizjet e fundit të Interit në merkato?

- I ndjek shumë pak lajmet që vijnë nga Italia.

- Tek Interi do të shkojë një brazilian i ri, Tiago Mota, dhe pas tij mund t’i vijë radha edhe Felipe Melos. Flitet edhe për një kalim të Ibrahimoviçit tek Barcelona. Nëse këto zëra do të konfirmohen ku do të mund të arrijë Interi sezonin e ardhshëm?

- Me Tiago Motën dhe, ndoshta Felipe Melon, mund të zhvillojë një sezon të shkëlqyer. Përveç se të fitojë kampionatin është në gjendje të synojë edhe Champions Ligën.

- Pikërisht, Championsi. Edhe në sezonin e sapombyllur Interi është eleminuar shpejt. Pse ka ndodhur kjo?

- Ndoshta na ka munguar eksperienca. Kemi luajtur mirë në ndeshjen e parë kundër anglezëve, por më pas kemi qenë më pak të sigurtë në ndeshjen e kthimit dhe Mançester Junajtid është treguar superior.

- Nga të gjithë trajnerët me të cilët keni punuar gjatë karrierës tuaj, cili ka qenë më i miri?

- Nga të gjithë trajnerët me të cilët kam punuar deri tani, Mourinjo ka qenë më i miri. Kam mësuar shumë prej tij dhe nuk e harroj faktin se që në vitin 2008 kishte kundërshtuar shitjen time. Eshtë një njeri që i kupton shumë mirë lojtarët e tij dhe ka njohuri të mëdha përsa i përket aspektit taktik të futbollit. Duhet vetëm ta falenderoj për gjithçka që ka bërë për mua.Mourinjo ka qenë ai që më shumë se të gjithë ka dashur të më rikthejë tek Interi vitin e kaluar pas përfundimit të periudhës së borxhit tek San Paolo. Nuk donte që të largohesha. I jam shumë mirënjohës atij dhe të gjithë shokëve të skuadrës tek Interi. Të gjithë më kanë vlerësuar shumë.

- Nëse Ibrahimoviç largohet, Baloteli mund të gjejë më shumë hapësira. Mendoni se Mario mund të bëjë diçka më shumë në sezonin e ardhshëm?

- Baloteli do të luajë më shumë në sezonin tjetër, por duhet të jetë më i qetë. Gjithsesi, është me të vërtet një sulmues i madh.

Duhet t’i afrohemi Interit

Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon është duke u përgatitur për sezonin e ri dhe ka insistuar se ekipi duhet të ngushtojë disavantazhin ndaj Interit në luftë për titull.“Do të fillojmë sezonin e ri me përbërës të mirë në kërkim të titujve, por e dimë se na pret një sezon i gjatë me shumë objektiva para nesh. Fatkeqësisht në fund të sezonit kemi kaluar një krizë, por duhet të vazhdojmë përpara dhe të anulojmë disavantazhin ndaj Interit”, deklaroi Buffon. Juventus e përfundoi sezonin në pozitën e dytë në Serie A.

Borowski mund të kthehet në Werder

Tim Borowski pritet të kthehet te klubi i Bundesligës Werder Bremen, pasi nuk është i nevojshëm në Bayern Munich. Borowski, 29 vjeç, u largua nga Bremen drejt Munichut dy vite më parë, por është aktivizuar rrallëherë për gjigantin bavarez. Ai është i lirë të kërkojë klub të ri dhe ka njoftuar se tashmë është takuar me drejtuesit e Werderit. “Kemi zhvilluar takimin e parë dhe kaloi mirë. Është propozim shumë interesant për mua”, tha Borowski

Motta e do Ligën e Kampionëve

Mesfushori i ri i Interit, Thiago Motta ëndërron të fitojë Ligën e Kampionëve dhe beson se Nerazzurrët kanë mundësi të fitojnë garën më prestigjioze të klubeve evropiane. Inter ka transferuar 26 vjeçarin brazilian nga Genoa gjatë këtij afati kalimtar të verës. Ai kishte fituar Ligën e Kampionëve me Barcelonën më 2006 dhe dëshiron ta fitojë përsëri, por tani me Interin. “Dua të fitoj përsëri Ligën e Kampionëve. Kjo është arsyeja pse kam ardhur në Inter dhe i vetmi motiv për t’u larguar nga Genoa”, deklaroi ai.

Bajrami do të zgjedhë klubin e duhur

Emir Bajrami dëshiron ta zgjedhë klubin më të mirë dhe më të duhur për të ardhmen e tij. Mesfushori i Elfsborg është emër i nxehtë i shumë klubeve evropiane dhe ai është i vetëdijshëm për këtë. “Nëse do ta marr një vendim, ai duhet të jetë me të vërtet në të mirën time dhe të Elfsborg. Unë nuk do të ngutem ta zgjedh mundësinë e parë”, theksoi Bajrami për Fotbollskanalen.se 21 vjeçari pati paraqitje të shkëlqyeshme në Evropianin U21. Ai thotë se nuk do të befasohej nëse 5-6 futbollistë të rinj suedez, mund të marshojnë drejt ndonjë klubi të madh evropian. Për shërbimet e Bajramit janë të interesuara pesë klube: Parma, Hamburg, Munchengladbach, Utrecht dhe Groningen.CITAT: “Ne kemi humbur futbollistë shumë më të mëdhenj sesa Labinoti, por ato i kemi mbuluar mjaft mirë”, Bengt Madsen, presidenti i Malmos.

Nuk brengosen për Harbuzin

Malmo nuk brengoset shumë nëse do të mbetet pa Labinot Harbuzin. Klubi suedez dhe mesfushori kosovar pritet të ulen dhe të bisedojnë për herë të fundit javën e ardhshme, ku do të vendoset përfundimisht nëse përfaqësuesi U21 i Suedisë do ta vazhdojë kontratën apo jo. Palët janë duke biseduar që nga qershori i vitit të kaluar, por ato nuk po ia dalin assesi të arrijnë marrëveshje. “Ne kemi humbur futbollistë shumë më të mëdhenj sesa Labinoti, por ato i kemi mbuluar mjaft mirë”, ka thënë presidenti i Malmos, Bengt Madsen.Sipas tij, Malmo e ka përgatitur ofertën e vet të fundit për kosovarin me pasaportë suedeze, të cilën do t’ia propozojë gjatë javës që vjen. “E kemi gati një ofertë të shkëlqyeshme për menaxherin e tij, por nëse nuk e pranon atë, mendoj se ai dëshiron që të nënshkruajë kontratë të re me ndonjërin nga klubet e interesuara për të. Nëse bazohemi në deklaratat e futbollistit, ai dëshiron të luajë jashtë vendit, por duhet të marrë oferta konkrete. Nuk është problem, Labinoti nuk ka luajtur nga minuta e parë gjatë 25 ndeshjeve për Malmon dhe ka vuajture edhe nga lëndimet”, tha Madsen. Në Evropianin U-21, Harbuzi nuk ka luajtur gjatë gjithë ndeshjeve, por suksesi dhe kontributi i tij me Malmon është i pamohueshëm. Për këtë, shumë klubet janë të interesuara për mesfushorin shqiptar, ndër to edhe gjiganti turk Galatasaray.Harbuzi ka kontratë me Malmon edhe gjashtë muaj, por ai mund të largohet nga klubi nga e mërkura, me 1 korrik, kur fillon edhe zyrtarisht afati kalimtar i verës. “Do të ulem javën e ardhshme me të dhe të shoh se çka po thotë Harbuzi”, përfundoi Madsen.Ndërkohë, menaxheri i Harbuzit, Oliver Cabrera, i ka thënë të përditshmes suedeze Sportbladet se nuk është në plan ndonjë bisedë me drejtuesit e klubit. “Nuk kemi plan të negociojmë me Malmon”, ishte i shkurtër Cabrera, që konfirmoi se nuk do të ketë më shtyrje të kësaj çështjeje.

E zëshme dhe krenare: vuvuzela

Me siguri se kurrë nuk keni dëgjuar për vuvuzelën para Kupës së Konfederatave në Afrikën e Jugut. Dhe ndoshta nuk dëshironi të dëgjoni për të përsëri. Nëse ende nuk e keni të qartë për çka bëhet fjalë, vuvuzela është një instrument frymor, i cili prodhon tinguj të zhurmshëm si një zë i çjerrë apo si zë i një elefanti. Dhe, nëse keni menduar se keni dëgjuar mjaft prej saj, e keni gabim. Kjo trombë është mjet i rëndësisë së veçantë për tifozët e Afrikës së Jugut më tepër se veshja në ngjyrat kombëtare apo ngjyrosja e fytyrës. Nëse 40 mijë tifozët e pranishëm në një stadium i fryjnë vuvuzelës në zërin e saj të plotë, atëherë do të duket sikur keni një bletë të nervozuar në veshin tuaj, apo siç kishte shkruar një e përditshme, një elefant të shqetësuar. Është zë ndaj të cilit duhet të adaptoheni dhe kjo është ajo që duhet të bëjnë të gjithë ata që planifikojnë të udhëtojnë në Kampionatin botëror të vitit të ardhshëm që zhvillohet në Afrikën e Jugut. Duhet të jeni të përgatitur, sepse askush në Afrikën e Jugut nuk do t’ju llogarisë për tifoz nëse shfaqeni në stadium pa një të tillë. Derisa tifozët evropianë këndojnë, brohorasin dhe valojnë flamuj, afrikanojugorët i fyejnë vuvuzelës dhe mundohen të bëjnë sa më tepër zhurmë që është e mundshme. Por, kjo ka lënduar ndjeshmërinë e dikujt, që sugjerojnë se përdorimi i këtij instrumenti duhet të lejohet vetëm gjatë ndeshjeve të Afrikës së Jugut. Mesfushori i Spanjës, Xabi Alonso është vetëm njëri prej yjeve që ka kritikuar instrumentin.“Mendoj se duhet të ndalohet. Jemi mësuar të dëgjojmë këngë dhe brohoritma dhe jo zhurmën e kësaj trombe që nuk ju lejon të përqendroheni dhe është e padurueshme”, tha ai. Ndërsa, selektori i Holandës, Bert Van Marëijk, i cili ishte në Afrikën e Jugut gjatë Kupës së Konfederatave, po ashtu është shprehur kundër saj. “Në shtëpi nga televizioni është e mërzitshme, por në stadium ju mësoheni me të, por prapë nuk është e këndshme”, tha ai. Por, presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter ka dhënë bekimin e tij, duke kritikuar ata që janë shprehur kundër saj dhe theksoi se Afrika ka të bëjë me vallëzimin dhe muzikën, andaj ndalimi i përdorimit të instrumentit do të ishte diskriminim. “Ne e kemi sjellë Kampionatin botëror në Afrikë, ku atmosfera dhe kultura është ndryshe. Çfarë mesazhi do të dërgonim nëse u themi: ‘Do të dënojmë përdorimin e instrumentit, me të cilin ju shprehni gëzimin tuaj’? Ky do të ishte diskriminim, i thjeshtë dhe i pastër. Gjithmonë kam thënë se kur të shkojmë në Afrikën e Jugut, do të jetë Afrikë. Nuk është Evropë Perëndimore”, ka thënë Blatter. Vuvuzela është ‘kualifikuar’ për Kampionatin botëror, andaj na pret një garë e zhurmshme.