22 dhjetor 2009

“Zonja”, kurrë kaq dobët prej 10 vjetësh

Juventusi pësoi humbjen e tretë radhazi pas asaj që pësoi nga Bajerni i Mynihut (1-4 në shtëpi në Champions) dhe nga Bari (3-1 në Serinë A). Kishte që nga marsi i 2004-ës që nuk ndodhte një gjë e tillë: atëherë Juventusi humbi respektivisht nga Deportivo La Korunja (0-1 në shtëpi në Champions), Milani (1-3 në kampionat) dhe Lacio (0-2 jashtë në finalen e parë të Kupës së Italisë).
Në 6 ndeshje zyrtare, skuadra e Ferrarës ka humbur 5 herë, duke fituar vetëm më 5 dhjetor, 2-1 ndaj Interit në kampionat. Ishte sezoni 1998-99, që pas 17 javësh, Juventusi nuk kishte kaq pak pikë: atëherë bardhezinjtë ishin në vend të 9-të në renditje, me 24 pikë dhe po me 5 humbje si sot. Asnjëherë në epokën kur fitorja vlerësohej me 3 pikë, nga 1994-95 deri më sot, “Zonja” nuk kishte pësuar 21 gola në 17 javë kampionat. Vitin e shkuar, në këtë javë, formacioni i Ranierit kishte 36 pikë, dy vjet më parë kishte 35.