21 dhjetor 2009

Zbori i Turqisë, Kuzhe grumbullon për provë 20 kuqezinj të rinj

Trajneri i kombëtares, Josip Kuzhe, ka zbardhur listën e lojtarëve që do të ketë në dispozicion gjatë zborit të muajit janar në Turqi. Sikurse dihet, ky zbor do të kryhet në segmentin kohor 3-10 janar 2010. Një praktikë kjo e ndjekur në fakt edhe nga trajnerët paraardhës të Kuzhes, Brigeli dhe Baric, kjo e zborit në janar, prej nga janë fituar edhe lojtarë të vlefshëm për kombëtaren. Të njëjtin qëllim ka edhe kësaj here trajneri Kuzhe, për të evidentuar dhe afruar pranë kombëtares së parë elementët e nevojshëm, ku më problematik mbetet posti i qendërmbrojtësit kuqezi. Pjesa më e madhe e lojtarëve janë nga kampionati shqiptar, shumica pjesë e ekipit Shpresa, por bie në sy edhe prania e Emilioano Vilës, që në fillim të këtij edicioni kaloi nga Teuta te Dinamo e Zagrebit, ku nuk gjeti vend dhe u huazua tek Lokomotiva e Zagrebit. Por edhe në këtë skuadër nuk po gjen dot hapësira, kështu që i ka munguar shumë praktika e lojës. Bie në sy edhe thirrja e talentit Vasil Shkurtaj, që bën pjesë në radhët e Olimpiakosit në Greqi, që në dy ndeshjet e fundit i është bashkuar edhe ekipit Shpresa, por trajneri Bushati nuk preferoi ta aktivizonte shumë. Ndaj trajneri Kuzhe kërkon ta shohë në veprim, në zborin e Turqisë, ku patjetër do të luhen edhe ndeshje miqësore. Kujtojmë se para pak ditësh, trajneri Kuzhe ka qenë me mision në Gjermani, ku bashkë me kapitenin kuqezi, Altin Lala, që luan te Hanoveri, është takuar dhe ka biseduar me kosovarin e Bokumit, Mërgim Mavraj. I ka përsëritur ftesën këtij të fundit për t’iu bashkuar kombëtares kuqezi dhe, mesa merret vesh, kosovari që luan në Bundesligë ka rënë dakord. Ai e ka pasaportën shqiptare, të cilën e ka marrë para pak vitesh, por më pas ndryshoi mendje dhe nuk iu përgjigj pozitivisht ftesave kuqezi, me shpresën se do të luante me Gjermaninë. Por kjo mundësia e fundit ishte vecse një dëshirë, sepse asnjëherë nuk shfaqi interes per te vendi i Balakut me shokë. Ndaj, Mavraj duket se është rikthyer përsëri te “Plani B“ i tij, kombëtarja kuqezi.

Ndërkohë, më poshtë po ju njohim edhe me listën e lojtarëve që do të grumbullojë trajneri Josip Kuzhe për zborin e Turqisë, të datava 3-10 janar 2010.

Shpetim Mocka Flamurtari

Sulejman Hoxha Apollonia

Andi Lila Tirana

Maringlen Shoshi Apollonia

Franc Veliu Flamurtari

Arjan Pisha Dinamo

Olsi Gocaj Kastrioti

Ditmar Bicaj Tirana

Klodian Samina Gramozi

Gentian Muca Dinamo

Emilian Veliaj Laci

Sabien Lilaj Tirana

Jetmir Sefa Tirana

Emiliano Vila Lokomotiva Zagreb

Gjergji Muzaka Tirana

Elis Bakaj Dinamo

Vasil Shkurtaj Olimpiakos

Odise Roshi Flamurtari

Sokol Cikalleshi Besa

Bekim Bala Vllaznia