11 dhjetor 2009

Xherrard: Akuilani do të bëhet “yll”!

Kapiteni i Liverpulit beson te aftësitë e mesfushorit italian
Liverpuli e mbylli paraqitjen e dobët në Ligën e Kampioneve me një tjetër humbje, 2-1 ndaj Fiorentinës, të mërkurën në “Anfild Road”. Të besuarit e Rafa Benitezit u renditën në vendin e tretë të Grupit E dhe do të vazhdojnë më tej në Ligën e Europës. “Të kuqtë” kanë fituar vetëm tri nga 14-të ndeshjet e fundit në të gjitha veprimtaritë dhe për herë të fundit kanë dalë me tri pikë nga fusha e tyre me 25 tetor. Gjithsesi, e vetmja notë pozitive në mbrëmjen e hidhur të liverpulasve ka qenë aktivizimi i mesfushorit italian, Alberto Akuilani. 25-vjeçari u ble nga Roma si zëvendësuesi i Ksabi Alonsos.
Benitez shpenzoi rreth 20 milionë paundë, për Akuilanin, por problemet fizike nuk e kanë lënë të qenë dhe vetëm tani mesfushori mund të konsiderohet plotësisht i gatshëm. Partneri i tij në fushën e lojës, kapiteni Stiven Xherrard, e ndjen se Akuailani do të bëhet një “yll” në të ardhmen. “Ndaj Fiorentinës luajti shumë mirë, - tha Xherrard. - Kur të kalojë edhe pak kohë dhe të jetë në 100% të formës, atëherë të gjithë do të shihni aftësitë e këtij futbollisti. E ardhmja do të jetë e gjitha për të.
Padyshim që do të bëhet një “yll”. E ka cilësinë dhe talentin për ta arritur diçka të tillë. Mendoj se do të jetë një futbollist fantastik për klubin e Liverpulit. Kjo duket që nga mënyra si pason.” Në lidhje me fushatën e dështuar në Champions, Xherrard tha: “Jemi të zhgënjyer, sepse nuk ishim në lartësinë e duhur në një veprimtari kaq të rëndësishme. Një seri faktorësh ishin kundra nesh dhe humbja me Fiorentinën i vuri kapakun të gjithave. Nuk patën fat dhe bëmë gabime. Të dielën do të luajmë një ndeshje të vështirë me Arsenalin dhe do të kërkojmë një fitore për të nisur gjithçka nga e para.”